Nga Ervin SHKULAKU/ Gazetar ne Turqi/
Ka pothuajse një muaj që lexojmë në mediat shqiptare, lajmet më të këqija të viteve të fundit. Çdo ditë lexojmë akuza për korrupsion të administratës shtetërore, kurthe vdekjeje kundrejt biznesmenëve, vrasës të cilët dolën hapur duke rrëfyer mëkatet e tyre, vrasje në gjakftohtësi, krime në moshë të mitur, protesta të studentëve kundrejt dekanëve të politizuar, vrasje të shqiptarëve në Maqedoni, shqiptarë të cilët kanë marrë pjesë në luftën në Siri dhe të cilët po vriten çdo ditë edhe më shumë.
Kjo periudhë për shqiptarët do të shkruhet një periudhë e zezë në histori. Politika shqiptare në republikat përkatëse po tregohet e dobët kundrejt krimit. Këto pasoja ndodhin për shkak të politizimit të vazhdueshëm të institucioneve. Problemi i korrupsionit nuk do i lejojë shtetet shqiptare që të ngrihen nga ana ekonomike. Korrupsioni është kanceri i një shteti. Mund të marrim shembull edhe raportin antikorrupsion në Bashkimin Evropian dhe shohim që shtetet me nivelin më të madh të korrupsionit janë Greqia, Italia dhe Spanja. Edhe ky raport tregon realitetin, sepse sot kemi një Greqi në krizë të thellë ekonomike dhe një Itali e Spanjë të ngujuar nga ana ekonomike.
Kjo për shqiptarët nuk përbën risi, sepse fatkeqësisht shtetet shqiptare kanë dekada që nuk po e rrënosin fenomenin e korrupsionit. Atëherë meqenëse kaluan vite dhe gjendja nuk ndryshoi, duhet urgjentisht të merren masa. Sektori i parë që duhet të ndryshoje është sistemi i edukimit. Mësimi është një element i rëndësishëm në formimin e karakterit të njeriut. Prandaj duhet të përgatitet nga qeveritë një projekt për “riformimin e mësuesve” sepse në bazë të sondazheve, mësuesit nuk janë të interesuar në formimin e studentëve. Gjithashtu, në këtë sektor politika duhet të ndalojë ndikimin e saj. Skandali me tezat e diplomave false të profesorëve në Kosovë është një dukuri trishtuese. Ky lajm e shton edhe një njollë në historinë e shqiptarëve. Në Republikën e Shqipërisë çdo ditë po dalin në dritë njollat e zeza të sistemit të kaluar. Ish-zyrtarët, të frikësuar po mundohen me të gjitha mjetet që të fshehin gjurmët e tyre të pista të korrupsionit. Biznesmenët e korruptuar po goditen nga qeveria e re, por nëse kjo goditje është politike, atëherë po ndryshojnë vetëm trupat. Por dukuria më urgjente është niveli i lartë i krimit në Shqipëri. Me ardhjen e tranzicionit, shteti shqiptar u fut në një krizë që pavarësisht se kaluan 23 vjet, akoma nuk po e kapërcen. Shpërndarja e pasurisë në mënyrë të pabarabartë, ftohja e lidhjeve fisnore, varfëria ekstreme po ndikon në psikologjinë e njerëzve, të cilët edhe për problemet sporadike përfundojnë me dhunë të tmerrshme. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni fatkeqësisht vazhdojnë duke mos i pasur të drejtat e tyre, që i fituan në Marrëveshjen e Ohrit. Edhe këtu partitë shqiptare tregojnë dobësi në politikë. Sot në Ballkan ka 2 shtete shqiptare dhe një shtet të bashkëqeverisur me shqiptarët, por përsëri vazhdojnë të jenë shtete të varfra. Strategjia politike shqiptare u tregua humbëse dhe i zhgënjeu votuesit e saj.
Prandaj kjo politikë duhet të ndryshojë strategjinë dhe t’i japë më shumë të drejtë pjesëmarrjeje rinisë shqiptare. Kemi vite që po presim “Godonë” dhe nëse gjendja nuk ndryshon, do rrimë në pritje edhe për qindra vjet. Godoja (Evropa) nuk vjen te ne, por ne duhet të shkojmë pranë saj dhe pse jo ta udhëheqim ne atë.