Historike, për hërë të parë ndeshje miqësore futbolli midis ekipit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Sigurisë Kombëtare të Republikës së Kosovës/
NGA SHEFQET KERCELLI/
Mbasditja e datës 13 tetor 2014, ishte një ditë e vecantë për Forcat e Armatosura të RSH dhe FSK, pasi për herë të parë në historinë shekullore të shqiptarëve zhvillohet një ndeshje miqësore futbolli midis ushtarakëve të një gjaku, por në shtete të ndryshme. Me këtë rast stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” kishte marë pamje festive me flamuj, postera, banderole dhe simbole të dy shteteve dhe ushtrive tona. Hijeshinë stadiumit ja shtuan fëmijë të ushtarakëve që mbanin flamujt të dy shteteve, banorë të qytetit të Tiranës si dhe ushtarakët e shumtë të dy forcave që kishin mbushur shkallët e stadiumit për të ndjekur këtë ndeshje futbolli, por jo thjesht, pasi ishte një aktivitet festiv madhështor që i kaloi përmasat e një ndeshje. Aktiviteti sportiv-kulturor u ndoq nga afër dhe nga Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, Shefi Shtabit të Përgjithshëm i FA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Komandanti i FSK, GjeneralLejtnant Kadri Kastrati, Komandantët e Forcave dhe ushtarakë të lartë të FA e FSK, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kosovës në vendin tonë, zoti Ramiz Lladrovci, atashe ushtarakë të vendeve mike, ushtarakë e punonjës civilë të Forcave tona të Armatosura si dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbas ekzekutimit të hymneve kombëtare të dy shteteve nga orkestra frymore e FA, pjesmarrësit e këtij aktiviteti i përshëndeti Ministrja e Mbrojtjes zonja Mimi Kodheli. Ministrja i uroi mirëseardhjen ushtarakëve të FSK në këtë aktivitet të vecantë duke theksuar se futbolli dhe shkallët e këtij stadiumi më kanë lidhur që në fëmijëri, kur unë ndiqja rregullisht ndeshjet e zhvilluara dhe yjet e futbollit shqiptar. Ky sport i bukur dhe popullor vec vlerave sportive dhe fizike do i shërbejë më së miri forcimit të miqësisë midis ushtarakëve të dy shteteve tona, nënvizoi ministrja. Më pas zonja Kodheli falenderoi organizatorët e këtij aktiviteti dhe administratën e stadiumit “Qemal Stafa” për ndihmën e dhënë në mbarvajtjen e tij. Në vijim pjesmarrësit i përshëndeti Shefi i Shtabit i FSK, Gjenerallejtnant Kadri Kastrati, i cili tha se, është nder dhe krenari për mua të përshëndes në këtë aktivitet simbolik, ku sporti gërshetohet me bujarinë dhe miqësinë e shqiptarëve. Falenderoj popullin dhe shtetin shqiptar për ndihmën e dhënë gjatë viteve të vështira të popullit të Kosovës si dhe për ngritjen e Forcave të Sigurisë në Kosovë! Falenderoj të gjithë ata që u morën me organizimin e këtij aktiviteti dhe krijuan kushtet për zhvillimin e një loje të mirë midis dy ekipeve. Këto veprimtari do na ndihmojnë që në të ardhmen Forcat e Sigurisë së Kosovës të marrin pjesë në aktivitetet sportive të NATO-s ku ne aspirojmë të aderojmë, por dhe në ato me karakter ndërkombëtar, theksoi Gjeneral Kastrati. Uroj të na dhurojnë lojë të mirë të ushtarakët tanë, tha zoti Kastrati. Ndërkohë një grup fëmijësh i dhuruan buqeta me lule personaliteteve dhe futbollistëve të dy ekipeve. Siparin e kësaj ndeshje e hapi gjuajtja e topit të parë nga Shefat e Shtabit të dy Forcave, zoti Jeronim Baze dhe Kadri Kastrati. Më pas filloi ndeshja e futbollit e cila për mëse 90’ i dhuroi emocione të bukura spektatorëve të shumtë. Një garë sportive dhe shpirt luftarak, me sulme e kundërsulme të shpejta, kombinime të sakta, triblime e teknikë, pritje të shkëqyera nga dy portierët, Bujar Manxholli dhe Lorenc Haka. Nuk mund ti dalloje këta djem të rinj nëse ishin ushtarakë apo futbollistë profesionistë. Me kolegët e mi të medias në FSK, zotin Ali Ukaj, zotin Elezi, Kosumi, zonjushën Gashi dhe këshilltarin britanik të FSK N/Kolonel David Jonson ndoqëm me vëmendje cdo aksion të futbollistëve ushtarakë. Me sa duket në këtë lojë të bukur i ndihmon zanati i ushtarakut më thotë Aliu, ndërsa ushtaraku britanik bëntë tifo për lojtarët e FSK. Ka të drejtë i thoja, se tashmë zoti Jonson është bërë pjesë e FSK, ndaj ai është dhe pjesë shpirtërore e ekipit. Kjo lojë e bukur solli dhe emocionet e golit. Fillimisht në minutën e 60-të, shënuan miqtë me anën e major Tom Lleshit, një gol i bukur që u duartrokit nga gjithë spektatorët, më pas në minutën e 75, barazoi Reinaldo Gjerazi i KDS. Loja u mbyll me barazim, kështu që u kalua në gjuajtjen e 11-metërshave për të nxjerrë fituesin e kupës. Përsëri emocione, ku mbas dy pritjeve të shkëlqyera të portierit të ekipit të FA, ndeshja përfundoi 5 me 4, në favor të ekipit të FA të Republikës së Shqipërisë. Por nuk ishte thjesht rezultati që diktoi momentet e kësaj ndeshje, mbi të gjitha ishin vlerat morale e miqësore që karakterizuan këtë aktivitet që lidh djemtë tanë në të dy anët e kufirit. Tashmë miqësia ushtarake mori një dimesion të ri, atë nëpërmjet sportit dhe aktiviteteve kulturore sportive, të cilat duhet të jenë më të shpeshta., shpreheshin pjesmarrësit. Dhe për organizimin e këtyre askush nuk na pengon, ka forma dhe mënyra të ndryshme, mjafton vullneti dhe dëshira, ndaj ato duhet të jenë pjesë e programeve të bashkëpunimit midis dy ushtrive tona për vitin e ardhshëm. Ndërkohë në pushimin e ndeshjes spektatorët qëndruan nën muzikën e afruar nga këngëtarët e Qëndrës Kulturore të FA, zotërinjve Kozma Dushi dhe Redon Makashi, miq të përhershëm të ushtarakëve. Mbas përfundimit të ndeshjes titullarët e dy Forcave shpërndanë certifikatata për tranjerët, gjyqtarët, ushtarakët-futbollistë më të dalluar në këtë kompeticion si dhe trofeun për ekipin fitues. Kështu Gjeneral Bazo i dha një kupë simbolike kapitenit të ekipit futbollistik të FSK, major Tom Lleshit, ndërsa Gjeneral Kastrati, i dha kupën trofe të fitores në këtë ndeshje historike, kapitenit të ekipit të FA, Kapiten Ervin Hysi. Kjo ceremoni e thjeshtë u shoqërua nga duartrokitje, ovacione por dhe lotë gëzimi nga të gjithë pjesmarrësit. Shpërndarje kartvizitash, shtrëngime duarsh, përqafime dhe brohorima pa fund. Në heshtje e pranuan të gjithë se në këtë event futbollistik nuk kishte rëndësi rezultati, por fakti që për herë të parë në histori u arrit të organizohet një aktivitet i këtij lloji në rang kombëtar. Përpos vlerave sportive dhe argëtuese, ndeshja e futbollit e datës 13 tetor 2014 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, përcolli mesazhe të qarta miqësie e bashkëpunimi midis ushtarakëve në dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Shefqet Kërcelli
Stadiumi “Qemal Stafa”
Tiranë.