Opinion nga Faik KRASNIQI/ Prishtine/
PDK-ja duke e parë që i janë shterrur të gjitha mundësitë për të mbetur në pushtet dhe pashmangshëm do të shkojnë në opozitë, kohët e fundit po lëshojnë propaganda nga më të ndryshme dhe nga ato më të ulëta. Herë dalin dhe thonë se i kanë votat e 61 deputetëve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë. Të nesërmen dalin me një propagandë tjetër, se gjoja janë në bisedime me LDK-në- dhe së shpejti do të krijohet Qeveria me dy partitë më të mëdha PDK-LDK.
PDK-ja po ka frikë të shkoj në opozitë, për shkak të llogaridhënies!
Një fjalë e urtë popullore thotë: ”Kur derri plagoset rëndë, bëhet shumë i rrezikshëm”.
Kërcënimet e Thaçit janë përpëlitjet e fundit të një regjimi që për dy mandate shkatërroi dhe vodhi çdo gjë, dhe me këto kërcënime absurde se gjoja koalicioni po e përmbys vullnetin e qytetarëve, s’është asgjë tjetër veçse tregues i qartë se Hashim Thaçi është dorëzuar dhe përgatitur që tashmë do shkojë në opozitë. Nuk po e kuptoj z. Thaçi se kush po e përmbysë vullnetin e qytetarëve, koalicioni i PDK-së apo koalicioni LDK-AAK-NISMA? Vullneti i qytetarëve përmbyset nga një koalicion i pakicës që në zgjedhje ka fituar vetëm 30 përqind të votave, e jo nga shumica që kanë fituar 70 për qind të votave, ose përkthyer në deputetë, 83 me 37 në favor të koalicionit të shumicës- LDK-AAK-NISMA-VV dhe minoritetet. PDK-ja dhe Hashim Thaçi janë ata që me këmbëngulësinë e tyre, dhe me ndihmën e filialit të tyre ”juridik” Gjykatës Kushtetuese, po tentojnë që me çdo kusht të mbesin në pushtet, edhe pse nuk i kanë numrat për një gjë të tillë, kështu që PDK-ja është ajo që po tenton ta përmbys vullnetin e qytetarëve.
Për mos ta përmbysur vullnetin e qytetarëve, z. Thaçi dhe koalicioni i PDK-së janë të detyruar që të bëjnë marrëveshje me koalicionin LDK-AAK-NISMA, pasi ky koalicion kanë shumicën në Kuvend, dhe që në herën e parë ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, për ta bërë kështu Kuvendin funksional dhe të hapet rruga për krijimin të Qeverisë. Dhe pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga është e obliguar ta thërras koalicionin që ka shumicën në Kuvend, e që është koalicioni LDK-AAK-NISMA, ta mandatoj për krijimin e Qeverisë. PDK-ja pasi në çdo variant ka humbur, le të bëhen burra- të lëshojnë pe dhe që në herën e parë t’i japin mundësinë koalicionit LDK-AAK-NISMA që kanë shumicën, ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe ta krijojnë Qeverinë. Me këmbëngulësinë e tyre që me çdo kusht të ngelin në pushtet, vetëm po e dëmtojnë shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Por gjithë ky insistim i PDK-së që me çdo kusht të ngelin në pushtet, po bëhet për shkak të frikës pasi kanë bërë një qind mijë të zeza dhe do të japin llogari për të gjitha krimet e rënda politike dhe ekonomike. Kjo është arsyeja pse PDK-ja po ka frikë të shkojë në opozitë, edhe pse nuk i ka numrat as për zgjedhjen e kryetarit dhe as krijimin e Qeverisë, po e bën panevojë gjithë këtë rrëmujë duke bllokuar krijimin e institucioneve të Kosovës. Por një gjë duhet ta kuptojnë, se PDK-ja edhe po të ishte pjesë e pushtetit, nuk do të mund të shpëtojnë nga dënimi i Gjykatës Speciale për krime të rënda politike dhe ekonomike, që i kanë shkaktuar Kosovës para dhe pas luftës.
Në opozitë PDK-ja do të përfitonte më shumë, sepse me arrestimin e kriminelëve dhe gangsterëve që e kanë për fyti këtë parti dhe gjithë shtetin, partia do të pastrohej nga ky soj i profiterëve të para dhe pasluftës, që ia kanë zbehur të ardhmen këtij vendi dhe s’po e lënë të ec përpara.
Nacionalizmi dhe shqiptarët!
Shkruan: Faik KRASNIQI/
Çfarë dallimi ka mes kombit (nacionit) dhe nacionalizmit?Kombi apo “nacioni” nuk ka të bëjë me ato bashkësi vlerash. Kombi është diçka e lindur, diçka që ta ka dhënë Zoti apo natyra siç ju pëlqen ta quajnë ateistët. Kombi është gjenetika e një populli, është ajo çfarë kanë të përbashkët një popull, raca e para, gjuha, traditat, zakonet, arkitektura, veshja etj. Dhe ne shqiptarët jemi populli, kombi (nacioni) më i vjetër në Ballkan dhe një nga më të vjetrit në Evropë. Sipas historianit francez Edvin Jacques, grekët apo helenët janë dyndur në Ballkan të paktën 800 vjet pas shqiptarëve, pa përmendur sllavët që erdhën këtu në shekullin e VII-të .
I madhi Faik Konica e ka quajtur gjuhën shqipe një nga dhjetë gjuhët kryesore të botës. Ata që marrin veshë nga gjuhët e huaja e dinë fare mirë që me shqipen shprehen të gjithë tingujt zanorë gjë që nuk mund të bëhet bile as me gjuhën angleze apo spanjolle.
Veshja, fustanella shqiptare e jugut është një veshje që ka habitur kulturën botërore me origjinalitetin dhe bukurinë e saj. Grekët e kanë kopjuar, por e kanë bërë kopje të keqe.
Të jesh nacionalist do të thotë të duash vendin tënd, tokën tënde, origjinën tënde vlerat që mbart populli yt, kombi yt. Sepse do thosha unë shkatërrues të vlerave shqiptare sot dhe mbartës të antivlerave janë pikërisht ata që kanë origjinë dhe identitet të dyshimtë.
Duhet të notohet në ujëra më të thella për të zbuluar se ç’është nacionalizmi dhe ai shqiptar në veçanti. Dikush pasi të ketë lexuar përkufizimin tek enciklopedia pandehë se e njehë me rrënjë kuptimin apo atë që përmbledh nacionalizmi. Ai përkufizim është një presim i fuqishëm i gjithësisë së elementeve që përbëjnë nacionalizmin.
Një llafollog nacionalist shqiptar po të flasë me një nacionalist italian, francez etj., pas 2-3 fjalive fshihet me bisht ndër shalë. Nacionalizmi ka nevojë të pandalshme të ushqehet me vepra nga pjesëtarët e tij dhe jo me fjalë.
(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme ”Lajm”)
‘’Të jetosh për të punuar apo të punosh për të jetuar’’?
Nga Faik KRASNIQI/
Çfarë është demokratike dhe jodemokratike? Është demokratike çdo gjë e cila i konformizohet masës pasi vetë fjala demokraci nënkupton një sistem ku imponon masa. Nëse e shtrojmë në një rrafsh tjetër ‘’sa është i drejtë vullneti i masës?’’, nuk kemi të bëjmë me demokraci apo jo-demokraci, por me të ‘’të drejtën’’ në vetvete e cila është e tillë edhe nëse nuk e njeh shumica e demosit. Por është demosi që përcakton dhe vetëm kjo është mënyra e njohur si demokratike.
Jo domosdoshmërish demokracia duhet të përmbajë barazi, sepse ajo është shumë e gjerë dhe nënkupton forma sociale, politike, ekonomike etj – shpesh herë të parespektuara nga vendet që pretendojnë se janë demokratike – aq më tepër vëllazëri e cila është relative, po kështu edhe liri, që nuk ekzistojnë vetëm në sistemet ku vendos masa dhe jo gjithmonë në këto sisteme ka liri (provoni të shkoni pa rroba në punë, p.sh në një Ministri në Zvicër).
Problemi i shqiptarëve nuk janë politikanët, por shqiptarët që nuk janë në gjendje të prodhojnë përfaqësues të tjerë. E ku t’i gjejnë? Një masë që mendon se ‘’kjo është e shtetit dhe po e përvetësojë’’do të krijojë shtetarë të udhëhequr nga parimi ‘’merre’’, se unë nuk të shikoj nëse ma dërgon pjesën time tek shtëpia’’.
Për çështje që marrin jetë vetëm nëse janë kolektive (këtu hyn gjendja e përgjithshme e popullit tonë) faji është i brendshëm, në mos totalisht, të paktën pjesërisht. Duhet ndryshuar mentaliteti i fajësimit të ‘’tjetrit’’, kur flasim për komunitete të tëra individësh. Është edhe më absurde të fajësohet politika kur klasa e përfaqësuesve është elita e jonë, uzurpuese apo jo. Të ndryshojmë veten, më pas do ndryshojmë si masë dhe do prodhojmë edhe elitën. Të mos harrojmë që elita nuk është shëmbëlltyrë e popullit, pra një ‘’tjetër’’ dhe një ‘’e huaj’’.
Pyetja: ‘’Çfarë është demokratike e çfarë jodemokratike?’’ është fare e lehtë (teoritikisht) përgjigja: Çdo gjë që është kundër popullit është jodemokratike dhe anasjelltas.