– Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy…
NGA FAIK KONICA*/Vatra me veprimet e saj fitoi shumë miq po dhe armiq e kundërshtarë. Ajo mbajti udhën e drejtë dhe hoqi pas gjithë ata që e panë dhe e kuptuan, gjithë ata që muarën dritë prej saj; të tjerët, ata të drizave dhe të ferrave, e panë me sy shtrembur, e ndoqën dhe po e lëftojnë.
Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy. Të parët e kundërshtojnë Federatën tonë se drita e syrit të tyre është shumë e shkurtër dhe mendja aq e ngushtë dhe e pagdhendur sa nuk ndajnë dot të bardhën nga e zeza. Këta nuk janë të rrezikshëm dhe për këta ka shpresë shërimi. Koha dhe pak veprim i sjellin në udhë të drejtë.
“Ata me sy” janë të rrezikshëm dhe këtyre duhet t’u verë fre Kuvendi i pritëm, se këta janë të rrezikshëm, këta e kanë ndaluar dhe e pengojnë edhe sot e kësaj dite Federatën tonë. Përapara dhe pas cdo Kuvendi keni dëgjuar ankime, qortime, dhe grindje; përpara çdo Kuvendi ju ka rënë në dorë ndonjë gazetë a ndonjë qarkore. Që të gjitha, vit pas viti, drejtohen kundër zyrtarëve të Federatës, cilëtdo qofshin. Dhe çudia ka qenë që këto sharje e grindje kanë dalë gjithnjë prej një burimi….
Prej këtyre, mjerisht ka dhe disa që për arsyet e tyre, janë dhe anëtarë të VATRËS dhe e lëftojnë Federatën që përbrenda mureve të saj.Nga këta gjemba me helm duhet të qërohet Federata.Ne duam që të kemi një shoqëri të paqme, e cila të përparojë e të mund të arrijë qëllimet e saj të shenjta.
- Cilët janë këta?- do të pyesni.
- Më të shumtit i dini; të paktit, ata që lehin prapa gardhit dhe nuk guxojnë të tregojnë turirin veçse kur shtërngohen, do t’i mësoni posa të shkelni në Kuvend.
- Me këta antivatranë, me ata me sy, me ata që dijnë që bëjnë keq- po bashkëpunon sot propaganda e Dudumëve kundër VATRËS!
Dhe ky fakt i bën ata ca më të rrezikshëm.
Zotërinj, Mjaft!Mjaft hoqi Vatra nga grindavecët e përhershëm. Sot është koha që të shtihemi në gardh të fortë midis vatranëve të vërtetë dhe atyre prej ”balte”!
Me përzjerjen e Pseudopartisë në punët e brendshme të FEDERATËS, Pseudovatranët marrin një faqe tjetër që mund të rrezikojë jetën e Federatës.
Është pra në dorën tuaj që të qëroni VATRËN nga gjembat e rrezikshëm.
*Titulli origjinal: Duhen qëruar gjembat nga ara- Faik Konica, fjala para Kuvendit të Korrikut 1923, botuar si editorial në Diellin e 1 Korrikut 1923.