Ministrja Haradinaj – Stublla: Deputetët shqiptarë të zgjedhur nga Lista e Përbashkët e Luginës së Preshevës, janë shembull i mirë uniteti mbi të cilin duhet të reflektojë edhe Kosova/ PRESHEVË, 9 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Unifikimi i faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës ka sjellë rezultate shpresëdhënëse për fuqizimin e rolit shqiptar në rajon, tha Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Qeverisë së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, pas takimeve të ndara që zhvilloi me tre deputetët shqiptarë të Parlamentit të ri të Serbisë. Kryediplomatja Haradinaj – Stublla tha se tre deputetët shqiptarë të zgjedhur nga Lista e Përbashkët janë mesazh dhe shembull mbi të cilin edhe Kosova duhet të reflektojë. “Gurthemeli jonë janë luftërat për çlirim, por e ardhmja jonë është euro-atlantike, si komb dhe si rajon”, tha Ministrja e Jashtme, e cila të enjten udhëhoqi delegacionin në vizitën e parë zyrtare të Qeverisë së Kosovës në Luginën e Preshevës. E shoqëruar edhe nga Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, Ministrja Haradinaj – Stublla gjatë ditës është takuar me Kryetarin e Preshevës, Shqipërim Arifi, ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragimi Mustafa, me fituesin e Zgjedhjeve në Bujanoc nga Partia Demokratike, Nagip Arifi, me studentët e kësaj ane që studiojnë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të bizneseve të Luginës së Preshevës.