• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAMILJA BUSH: PORTRETI I NJË PRESIDENTI NGA DJALI I TIJ PRESIDENT

January 6, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
“Në rast të një konflikti në Kosovë, i shkaktuar me ndonjë ndërhyrje nga ana e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë si dhe mbrenda vet territorit të Serbisë.” Deklarata e Presidentit amerikan George Bush i vjetri, në një letër dërguar presidentit të Serbisë, diktatorit Sllobodan Millosheviç, që tani njihet si letra e paralajmërimit me rastin e Ditës së Krishtlindjes, më 25 Dhjetor, 1992. “Sa më shpejt aq më mirë, duhet të themi se mjaft është mjaft!Kosova është e pavarur.” Presidenti George W. Bush i riu, gjatë një konference me shtypin në Tiranë, Qershor 2007, kur deklaroi se ai si president i Shteteve të Bashkuara kishte vendosur se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur sa më parë më mirë, duke sfiduar në këtë mënyrë Serbinë dhe miken e saj Rusinë dhe Presidentin Putin, që të hiqnin dorë nga përpjekjet e tyre për të bllokuar pavarësinë e Kosovës, në arenën ndërkombëtare.
Dy presidentë amerikanë, babë e djalë, të cilët për hir të detyrës së tyre më të lartë në Shtetet e Bashkuara si presidentë të këtij vendi kanë hyrë në historinë e kombit amerikan, por si zbatues të politikës së jashtme të Amerikës në arenën
ndërkombëtare gjatë mandateve të tyre në Shtëpinë e Bardhë, janë bërë gjithashtu pjesë e pandashme edhe e historisë së kombit shqiptar. Ata e kanë rezervuar këtë vend në historinë shqiotare me ndërhyrjet e tyre në kohë të caktuara, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve — në një periudhë kur kombi shqiptar kishte më shumë nevojë se kurrë më parë për mbështetjen e Amerikës, me përjashtim ndoshta të fillim shekullit të kaluar, kur një president tjetër amerikan, në personin e presidentit Woodrow Wilsonit, i cili në rrethana të ndryshme, i erdhi në ndihmë Shqipërisë dhe pavarësisë së saj. Dy presidentët Bush i përkisnin Partisë Republikane ndërsa Presidenti Wilson ishte i Partisë Demokrate, ashtu siç ishte edhe Bill Klintoni i cili zbatoi kërcënimin që kishte deklaruar presidenti George Bushi i vjetër kundër Serbisë, me rastin e Krishtlinjdes të vitit 1992.
Është tepër e jashtzakonshme që dy presidentë amerikanë, e për më tepër babë e djalë, të kenë patur një efekt të tillë në rrjedhat e historisë moderne të kombit shqiptar, siç mund të thuhet se pati politika e dy presidentve të familjes Bush, politikë e cila kontriboi shumë në çlirimin dhe më në fund në themelimin e një Kosove të pavarur, që është sot. Por qëllimi kryesor i këtij shkrimi nuk është kontributi i politikave të dy presidentëve Bush ndaj Kosovës ose Shqipërisë, por u bë shkak një libër që më ra në dorë si dhuratë për Krishtlindjen që sa po kaloi. Është libri që Presidenti George W Bush i riu, botoi Nëntorin që kaloi me titull: “41 – Portreti i Babait tim”, libër që tani po përhapet për shitje e i cili ka arritur nivelin e librave më të lexuar, “bestseller” këtu në Shtetet e Bashkuara. 41 sepse Presidenti Bush i vjetri ishte presidenti i 41-të i radhës i Shteteve të Bashkuara.
Fenomeni babë e djalë presidentë, siç është familja Bush, është tepër i rradhë, vetëm rasti i dyt në historinë e Shteteve të Bashkuara. Rasti tjetër ka ndodhur pothuaj 200-vjetë më parë kur John Quincy Adams pasoi në detyrën e presidentit të SHBA të atin, John Adamsin. Prandaj, botimi i biografisë personale nga George Bush i riu të babait të tij George Bush i vjetri është një rast unik. Në intervale të ndryshme historike, për të gjithë presidentët e Amerikës janë shkruar e botuar një mori librash, por asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që një president të ketë shkruar biografinë e babait të vet, dmth, të një presidenti tjetër. Libri, në fjalë, në të vërtetë është një tregim i një jete plotë ngjarje private dhe politike, të një njeriu të ndershëm dhe patriot. Siç e thotë edhe vet autori, libri është një tregim dashurie – dashuri e djalat për babanë — duke shtuar se janë shkruar dhe do të shkruhen libra për babain e tij, ndërkohë që disa prej tyre mund të jenë ose jo objektive sipas tij. Por ky libër, thekson George W Bush i riu, nuk është i tillë, nuk është një vlersim objektiv, pasi shkruhet dhe del nga zemra. “Ky libër është një portret personal i një njeriu të jashtzakonshëm, të cilin unë jam i privilegjuar dhe i bekuar ta thërras baba”, shkruan ai.
Libri “Portreti i Babait tim”, përfshinë shërbimin ushtarak të Bushit të vjetër si pilot në Oqeanin Paqësor ku është plagosur gjatë Luftës së dytë Botërore, duke vazhduar me veprimtarinë e tij si biznismen në industrinë e naftës në shtetin Texas. Në librin prej 300-faqesh, nënvijohet kariera politike prej 30-vjetësh e Bushit plak fillimisht me fushatat politike dështuese në Teksas, pastaj si kongresmen. Bushi i riu, përshkruan në hollësi përvojën e babait të tij president, në fushën e diplomacisë si përfaqsues i vendit të tij në Kinën komuniste dhe si ambasador pranë Kombeve të Bashkuara, si dhe periudhën që ai shërbeu si drejtor i CIA-s, dhe më në fund përqëndrohet edhe në kulmin e arritjeve të tija politike si Zëvendës president i Presidentit Ronald Reagan për 8 vjetë me radhë dhe më në fund përshkruan veprimtarinë e tij gjatë mandatit katër vjeçar si president i Shteteve të Bashkuara, nga vitit 1988-1992. Libri në përgjithësi portretizon një udhëheqës politik dhe biznismen të suksesshëm por edhe një burrë familjar me vetitë e tija personale dhe private që vetëm familja e tij i njihte mirë, përfshirë edhe djalin e tij presidentin George W Bush, autorin e këtij portreti. Autori shkruan gjithashtu edhe për influencën që babai i tij ka pasur në zhvillimin e tij si individ dhe si politikan, përfshirë edhe influencën e ushtruar gjatë dy mandateve që ai vetë shërbeu si presidentpor edhe si guvernator i shtetit Teksas para se të bëhej president.
George Bushi i ri kishte njoftuar, verën që kaloi, se kishte në plan të shkruante librin mbi jetën dhe veprimtarinë e babait të tij ish-presidentit George Bush i vjetër dhe se dëshironte ta botonte atë me rastin e 25-vjetorit të shëmbjes së Murit të Berlinit. Si i tillë, libri përqëndrohet më shumë në politikën e jashtëme dhe më pak në politikën e mbrendshme të administratës së babait të tij George Bushit të vjetër. Aty përshkruhet roli udhëheqës që luajti Presidenti Bush i vjetër, ndër të tjera, në përfundimin paqësor të luftës së ftohët,dhe në ofensivën ndërkombëtare për çlirimin e Kuvajtit. Ai e cilëson babain e vet si realist në politikën e jashtëme dhe si “mjeshtër i diplomacisë personale.” Si shembëll të këtij realizmi dhe pragmatizmi politik e diplomatik, në portretin e tij thuhet se megjithëse imponoi sanksionet ekonomike kundër Kinës pas masakrës së studentëve në sheshin Tienanmen të Pekinit më 1989, Presidenti Bush i vjetër ndërkohë ndoqi edhe rrugën e diplomacisë me udhëheqsit e Kinës. Ndërsa në lidhje me mbarimin e luftës së ftohtë, ai shkruan se në fund të vitit 1989, Bushi i vjetër vizitoi Hungarinë dhe Poloninë ku u prit nga turma të mëdha njerzish, por thekson se ai ishte i kujdesshëm që në fjalimet e tija të mos tregohej provokues dhe bëri ç’mos që me retorikën e tij të mos shkaktonte reagime të padëshirueshme nga Moska ose nga elementë konservativ komunistë në ato vende, që mund të pengonin zhvillimin e revolucioneve paqësore anti-komuniste anë e mbanë Europës Lindore dhe Qëndrore. “Unë nuk do të shkojë e të vallëzoj tek muri (i Berlinit) për të festuar shëmbjen e tij, citohet të ketë thënë presidenti George Bush i vjetër. Ndërsa po merrte fund komunizmi në Europë, ai njëkohsisht, zhvilloi marrëdhënje të ngushta me udhëheqsin e atëhershëm sovjetik,Mikhail Gorbaçov, por duke mbajtur qëndrime të forta dhe parimore mbi të ardhmen e vendeve ish-komuniste të Europës jashtë sferës politike sovjetiko-ruse si edhe mbi pakësimin e armëve bërthamore.
Nga faqja e parë e deri tek e fundit e librit “Portreti i Babait Tim”, vihet re dashuria e djalit për babain, por vihet re gjithashtu edhe një pasqyrim i karakterit të Presidentit George Bush i vjetër, si person, si baba dhe si familjar, që është unike për të mos thënë e vetme dhe si e tillë e vlefshme dhe e radhë nga historia e ish-presidentëve amerikanë dhe familjeve të tyre. Për më tepër, George Bush i riu shkruan se gjatë jetës së tij private dhe politike, babai i tij njihej si një njeri që bënte shumë miqë dhe i cili e ruante miqësinë, duke shkruar se i ati ishte shembull i cili gjithmonë konsideronte ndershmërinë dhe sjelljet e mira njerëzore mbi grindjet dhe interesat politike. Ai shton se babai i tij njihej për miqtë që kishte edhe në radhët e kundërshtarëve politikë të Partisë Demokrate, përfshirë edhe ish Presidentin Bill Clinton, i cili e mundi atë në garën për president të vitit 1992, por i cili tani konsiderohet si mik i familjes Bush.
George Bush i riu e pranon vet se libri, “41 – Portreti i Babait Tim”, nuk është një vlerësim objektiv i jetës dhe veprimtarisë plitike të babait të tij, Presidentit George Bush të vjetër, të cilin ai e konsideron si një “president të madhërishëm”. Megjithëse nga pikëpamja e tij si djalë i tij, nuk mund të ishte ndryshe përveçse një president i madh, eventualisht historia do të bëjë vlerësimin përfundimtar të jetës dhe veprimtarisë së George Bushit të vjetër dhe George Bushit të ri, të sukseseve dhe të dështimeve të tyre në politikën e mbrendshme dhe në fushën e diplomacisë ndërkombëtare.
Në këtë vlersim historik patjetër do të përfshihet edhe roli që babë e djalë, dy ish-presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë luajtur në historinë moderne të kombit shqiptar, sidomos roli i tyre i suksesshëm në shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës dhe në njohjen më në fund të pavarësisë së shtetit të Kosovës. Nuk është ky një rol aspak më i vogël se roli që kishte luajtur dikurë një tjetër president amerikan, Woodrow Wilsoni në mbështjetjen e pavarësisë së Shqipërisë kundër lakmive të fqinjve dhe miqëve të tyre, fillim shekullin e kaluar. Në kohën e Wilsonit, ashtu si edhe në kohën e dy presidentëve të familjes Bush, për kombin shqiptar, kauza ishte e madhe, e shënjtë, ishte kauza e lirisë dhe e pavarësisë kundër terrorizmit dhe barbarizmave çnjerzore të fqinjve dhe përkrahsve të tyre kundër shqiptarëve. Ishte kjo një luftë për mbijetesë të shqiptarëve në Ballkan, ishte një kauzë për lirinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në momente kritike të historisë. Për këtë duhen falënderuar edhe babë e djalë, presidenti George Bush i vjetër dhe Presidenti George Bush i ri për rolin e tyre të pa diskutueshëm në për kauzën e lirisë dhe të pavarësisë që gëzojnë sot shqiptarët kudo.Fan Noli do ta konsideronte njohjen e këtij roli, si një detyrim moral ndaj Shteteve të Bashkuara dhe presidentëve të saj gjatë historisë, përfshirë dy presidentët e familjes Bush

Filed Under: ESSE Tagged With: : PORTRETI I NJË PRESIDENTI, FAMILJA BUSH, Frank shkreli, NGA DJALI I TIJ PRESIDENT

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT