“ Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………”-Fan S. Noli/
NGA EUGJEN MERLIKA/Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.
Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…
Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.
Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të shtohet asgjë.
I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.
Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.
Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.
Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.
Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.
Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.
Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.
Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.
“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.
Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.
Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.
Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.
Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.
Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Stanish, i pari i djemve tё gjon Kastriotit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,
.Për shumë kohë, thellë në vetvete, kishte ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.
Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….
Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej e tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.
Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.
Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?
Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Batrën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.
Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.
Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….
Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që ndёrroi jetё 550 vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.