Isabella Castriota Skanderbeg, një poete që la gjurmë në Italinë e shek. e XVIII-të/
“Poetesha Isabella Castriota Scanderbeg ishte një nga gratë e pakta, pjesëmarrëse e “Akademisë Spioni” të Leçes. E detyruar të bëhej murgeshë në moshë të re, ajo u martua pa dijeninë e saj, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, me Filippo Guarinin një zotëri gjashtëdhjetëvjeçar feudal i madh tokash në Tuglie. Ajo u nda më vonë prej tij, dhe mori pjesë në jetën letrare të Leçes në vitet e njëzeta të shekullit të tetëmbëdhjetë. Pas vdekjes së burrit të saj të moshuar, ajo u martua me Pietro Bellin, një shkrimtar dhe filozof. Gjatë kësaj periudhe ajo pati ndikim të dukshëm ne jetën kulturore te Salentos, duke na lënë letra dhe poezi mjaft të ndjera e me vlerë, duke bërë, me aq sa mund të thuhet në kontekstin e kohës, hapat e para të emancipimit të gruas.”
Ne Foto: Rruga Isabella Castriota Scanderbeg/
Stërmbesa e Skënderbeut, poetesha Isabella Castriota Skanderbeg shquhet në mes të gjithë trashëgimtarëve të heroit tonë në Itali, në një kohë ku roli i femrës ishte mjaft i ndrydhur, si një nga figurat e pakta të jetës intelektuale të shekullit të tetëmbëdhjetë të Salentos, për dhuntitë e saj të shquara njerëzore, letrare dhe intelektuale.
Kjo grua me talent të madh dhe kulturë të zjarrtë, që ishte anëtare në “Akademinë Spioni” në Leçe, që krijonte në mes të repertorëve stilistike të arkadias dhe sugjerimeve të filozofisë kartesiane, jetoi jetën më të turbulluar dhe më të dhimbshme për një femër, e zhvilloi veprimtarinë e saj në një shekull të errët si shek. i XVIII, duke u bërë, një shembull i emancipimit të gruas brenda kornizave të ngushta të kohës, në atë shkallë, sa për të ruajtur kujtimin e saj sot, në Leçe, një rrugë mban emrin e saj. Shkronjat e emrit janë gdhendur në murin e rrugicës dedikuar asaj, dhe të Pallatit të bukur Belli, ku ajo konsumoi intensivisht dashurinë e vet me poetin Pietro Belli. Ndërsa shtëpia ku qe lindur Isabella në Leçe, e cila qëndronte dikur në Via Dei Perroni, pranë Palazzo Giustiniani (që i përkiste familjes së gruas së parë së të atit, Alessandro Castriota Skanderbeg, mes Kishës së Shën Matteos në Leçe, është rrënuar krejtësisht.
Në fakt, nëse e shohim me syrin e trashëgimisë së heroit tonë kombëtar, veç lidhjes së gjakut, veprimtaria e saj, thotë pak, ose aspak, për rrënjët e saj. Por karakteri dhe fakti që ajo spikat nga të gjithë trashëgimtarët e tjerë fisnikë, që rridhnin nga dera e madhe e heroit tonë, ia vlen për t’u hulumtuar edhe në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Fakti që ajo, ka hyrë në enciklopedinë italiane Treccani, siç thotë Rosella Barletta , autorja e një monografie kushtuar poeteshës me gjak fisnik shqiptar, botuar me 2017, me titull , “Isabella Castriota Scanderberg. Shprehje e emancipimit femëror”, Edizione Grifo, 2017, ia vlen “synimi për të hequr velin e harresës, që deri më tani e ka mbuluar emrin e Isabella Castriota Scandeberg, për të siguruar prova të mjaftueshme për ta shkëputur atë, nga anonimati dhe për të hapur mundësi për hulumtuesit për t’u thelluar në zbulimet rreth e saj dhe veprimtarisë së saj në fushën e letërsisë “. [1]
Burimet e konsultuara, në fakt, jo vetëm e përcaktojnë Isabella Castriota Skënderbeun si një poete të shekullit të tetëmbëdhjetë në Leçe, pavarësisht se reliktet e trashëgimisë së saj letrare janë
Minimale. Nga ajo na ka mbetur vetëm një sonet. Por lind pyetja se a do mjaftonte vetëm ky sonet, që t’i vendosej emri në një pllakë në një rrugicë në Leçe, në kryeqytetit e Salentos në Itali?
Përgjigja e nënkuptueshme e kësaj pyetjeje tregon se veprimtaria letrare dhe kulturore e Isabellës ka qenë e tillë, sa ta meritonte këtë. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, nga kurioziteti ose, më mirë, ndoshta, për të hedhur dritë mbi historinë e jetës së saj personale dhe të aktivitetit të saj kryesor, ne po i përcjellim lexuesit portretin e panjohur të kësaj poeteje, duke e filluar hulumtimin me burimet historike, të bazuara kryesisht tek punimet “ De Simone-Paladini, Due poeti nel travagliato 1700 salentino”, botuar në revistën Rinascenza salentina, IX (1941),[2] ku shpesh autori i referohet një ditari të shkruar nga vetë babai i Isabellës. Sipas ditarit, sot pronë e familjes Castriota Scanderbeg , “Libro di Ricordi di me nga D. Alessandro Scanderberg e vitit 1682”, tregohet shkurtimisht një “Curriculum Vitae” e kësaj familje fisnike nga Leçe. [3]
Origjinali posedohet sot nga një trashëgimtar i kësaj familjeje, i quajtur me të njejtin emër si stërgjyshi, Alessandro Scanderberg . Një dokumentar mbi këtë figurë e pat përgatitur para 4 vitesh, televizioni Telerama në Salento të cilin mund ta shihni në linkun [4] https://www.youtube.com/watch?v=BvsA5_ONFLU. Ne u bazuam tek ky ditar, në gjurmimin dhe pasurimin e profilit biografik të Isabellës, si edhe për vendosjen e figurës së saj në vendin që i takon në kontekstin historiko-shoqëror, në të cilin ajo jetonte, por dhe si trashëgimtare e heroit. Të dhënat në këtë ditar janë shpesh konvencionale dhe përsëriten mërzitshëm, por asgjë nuk është më e kënaqshme, sesa zbulimi i historisë së jetës së saj të trazuar, që me një paragraf mund të përkufizohet kështu:
Poetesha Isabella Castriota Scanderbeg ishte një nga gratë e pakta, pjesëmarrëse e “Akademisë Spioni” të Leçes. E detyruar të bëhej murgeshë në moshë të re, ajo u martua pa dijeninë e saj, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, me Filippo Guarinin një zotëri gjashtëdhjetëvjeçar feudal i madh tokash në Tuglie. Ajo u nda më vonë prej tij, dhe mori pjesë në jetën letrare të Leçes në vitet e njëzeta të shekullit të tetëmbëdhjetë. Pas vdekjes së burrit të saj të moshuar, ajo u martua me Pietro Bellin, një shkrimtar dhe filozof. Gjatë kësaj periudhe ajo pati ndikim të dukshëm ne jetën kulturore te Salentos, duke na lënë letra dhe poezi mjaft të ndjera e me vlerë, duke bërë, me aq sa mund të thuhet në kontekstin e kohës, hapat e para të emancipimit të gruas.
Familja e saj atërore, rridhte nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Babai i saj Alessandro Castriota (Aleksandër Kastrioti ) kishte kërkuar– duke pasur titullin e baronit të Copertinos, të hynte në fisnikërinë e Leçes. Kështu në shoqërinë e babait të tij, Vitantonio, ai kishte shkuar në Leçe për t’u martuar me Caterina Giustinianin, një vajzë nga njëra e një prej familjeve më të shquara lokale, e cila kishte vdekur herët pa lënë fëmijë. Por do të ishte gruaja e tij e dytë, nëna e Isabellës, një fisnike e pasur nga Gallipoli, i cila, përveç që e bëri atë baba për herë të parë, do të duhej të ndihmonte me pajën e saj të ardhurat financiare të pakënaqshme të shtëpisë së Kastriotëve dhe të forconte lidhjet e tij, me ambientet e fisnikërisë së Salentos. Kjo pohohet për herë të parë, në revistën “Rinascenza Salentina, organi i, në nr. 03:04 botuar në vitin 1941, kur u shfaq monografia e Nicola De Simone Paladinit, me titull “Dy poetë në Salenton e trazuar të viteve 700, [5] ku historikisht kujton “fatin e dy poetëve, që shënuan lulëzimin e aristokracisë të Leçes në shekullin e tetëmbëdhjetë “. Kjo pasi ai kishte zbuluar” një dorëshkrim të vogël të një libri të vjetër, me filigran dhe letër të përzgjedhur pergamene”.
Libri qe shkruar nga Alessandro Castriota Skënderbeg, në vitin 1682, të cilin z. Aleksandri, babai i poetes Isabella, e kishte mbajtur në kohë të ndryshme. Libri të lë të kuptosh, se është një ditar i shkruar “Në fillim me dorë të sigurt dhe të patundur dhe pastaj me karaktere të pasigurt dhe të lëkundur nga pleqëria, ku përshkruhen shkurtimisht, duke theksuar ngjarjet kryesore të tijat, të familjes e të qytetit të tij “. Dorëshkrimi përmban, gjithashtu, “aty-këtu, pothuajse, të gjithë jetëshkrimin e poeteshës, dhe shoqërohet me shënime të shkurtra, të koordinuara në mënyrë kritike, me synimin për të lënë një gjurmë, të paktën pjesërisht, për jetën tragjike të gruas jetime që, e hodhën në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare në krahët një burri gjashtëdhjetëvjeçar, të paaftë, dhe që tregon, sesi pas disa ngjarjeve të dhimbshme, ajo mundi ta bashkojë fatin e saj, me atë të njeriut që ia zgjodhi zemra, poetit dhe filozofit të njohur, Pietro Belli, me të cilin ndau fundin e jetës së saj”.
Studiuesi De Simone Paladini, pas konsultimeve që bëri me “botimet e vjetra në Bibliotekën e Leçes dhe repertorët e lashtë të arkivit noterial të Leçes “, e përshkroi kështu raportin në mes ” Castriota dhe Bellit, si dy nga figurat historike më kryesore të Salentos, që jetuan vuajtën dhe krijuan si poetë në gjysmën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë […] duke bërë një jetë shumë të trishtuar, politikisht dhe ekonomikisht , […] por të frytshme e me vlera të larta shpirtërore për artin, shkencën dhe politikën, sepse njeriu që është me të vërtetë superior, largohet disi nga ai mjedis që e shtyp, duke u përpjekur që me anë të studimeve të përjetojë dhe të krijojë një frymë, më të gjerë e më të madhe lirie “.[6]
Isabella u lind në Leçe më 1 shtator, 1704, nga njëri prej trashëgimtarëve të Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Alexandro Castriota Scanderbeg, një stërnip i Skënderbeut dhe një aristokrat i atij qyteti, dhe prej një fisnikeje italiane dhe Irene Pieve-Sauli. Aleksandri pasi kishte mbetur i ve herët, u martua për së dyti, me nënën e Isabellës, të motrën e Giambattista Pieve Saulit, një pronar i pasur tokash nga Galipoli. Por kjo grua, disa ditë pas lindjes së dy binjakeve, prej të cilave kishte mbijetuar vetëm një Isabella, vdiq nga ethet e lehonisë, duke lënë burrin e saj të vetëm dhe trashëgimtaren e saj të porsalindur jetime. Znj. Irene, para se të vdiste, kishte ndërmarrë masa, për t’ia lënë trashëgiminë e saj, vajzës së saj të porsalindur. Kjo e kishte mërzitur shumë Aleksandrin, lakmitar dhe të pangopur, dhe ka mundësi, ndoshta, qysh nga ajo kohë, që atij t’i ishte fiksuar në mend ideja për ta mbyllur vajzën e tij të vogël në një manastir. Më pak se dy vjet pas vdekjes së gruas së dytë, Aleksandri u rikthye edhe një herë martesës, kësaj here me Giuseppa de Torres, nga një familje fisnike nga Trani. Prej gruas së tij të tretë, Aleksandri pati mjaft pasardhës dhe dy djem: Francesco Paolon dhe Vitantonion. Kështu pas lindjes të vëllezërve të saj, për Isabellën e vogël, filloi të merrte formë, fati i jetimes të vetmuar dhe të braktisur nga i ati dhe njerka.
Më janar 1715, vetëm njëmbëdhjetë vjeçe, Isabella hyri në Manastirin e Santa Chiaras në Gallipoli. Daja i saj Giambattista Pieve-Sauli, pasi mësoi për dëshirën e të atit të saj vendosi, në dhjetor 1714, që ta merrte me vete, në pallatin e tij në Galipoli, në rivierën Scirocco, në Cocciolare (sot Palazzo De Tomasi), mbesën e tij dhjetë vjeçare, duke pritur kështu kohën, kur murgeshat e abacisë së Manastirit të Shën Klarës (S. Chiara) në Galipoli, ta pranonin Isabellën në manastir si nxënëse.
“Ishte një mëngjes janari i vitit 1715, kur një karrocë u ndal në sheshin “Shën Pjetri dhe Pali” (tani E. De Amicis) në Galipoli, përballë hyrjes kryesore të Manastirit të varfër të Shën Klarës. Giambattista Pieve Sauli dhe mbesa e tij Isabella dolën jashtë. Në hyrje të manastirit, qe babai i saj dhe dy murgesha. Motrat dhe Giambattista, u prezantuan. Ai ua dorëzoi murgeshave. Kështu nisën ditët e Isabellës në Manastir. Vajza do të largohej nga manastiri vetëm pas gjashtë vjetësh, më 11 dhjetor 1720, për t’u martuar në të njëjtën mbrëmje, në shtëpinë e dajës, Giambattista Pieve-Sauli, me baronin e pasur, Filippo Guarini. Ishte daja i saj që kishte planifikuar martesën e Isabellës, atëherë gjashtëmbëdhjetë vjeçare, pa dijeninë e saj , me një plak të pasur nga Tuglie. Në këtë kohë daja i saj Giambattista Pieve-Sauli, i mbijetuari i fundit i familjes së nënës, i pasur dhe pa fëmijë, e zgjodhi atë si trashëgimtare të pasurisë së tij të madhe. Megjithatë mbrojtja e dajës së saj, nuk ishte aq fatlume. Vetëm për t’i dhënë mbesës së tij jetime, një njeri të denjë për shkallën e saj sociale, ai organizoi pa dijeninë e Izabelës, martesën e nuses 16- vjeçare me baronin 60- vjeçar, Filippo Guarini, një feudal nga Tuglie. Dasma u kremtua më 11 dhjetor 1720 në Gallipoli, në shtëpinë e Giambattista Pieve-Saulit, në atëkohë kryebashkiak i qytetit. [7]
Gjashtëdhjetëvjeçari ishte në kërkim për një nuseje, duke shpresuar të kishte një trashëgimtar, të cilit t’i jepte trashëgim titullin fisnik dhe pasurinë e tij. Ndërsa i ati i saj z. Alessandro, i mbajti mëri asaj, pasi ajo nuk kishte hequr ende dorë nga trashëgimia e nënës, për t’ia lënë atë atij. Ai edhe gjatë qëndrimit të gjatë të bijës në manastir, nuk pati shkuar asnjë herë për ta takuar. Madje ai, nuk lëvizi fare as nga Leçe për të marrë pjesë në dasmën e saj. Isabella u martua ashtu, vetëm me disa plaçka pajë marrë nga nëna e saj, me ca ndihma dhe mobilje shtëpie marrë nga daja Giambattista, dhe disa dhurata nga burri i saj. Asgjë dhuratë nuk kishte nga babai i saj. Ajo gjithmonë qe treguar e urtë dhe bujare, dhe kishte bërë një premtim solemn, për të hequr dorë nga trashëgimia e saj, që i takonte prej të atit. Kështu, kjo nxënëse ëmbël dhe e urtë, në atë mbrëmje dhjetori, pasi zbriti nga pallati i Pieve-Sauli, së bashku me dy mushka, u zhvendos në shtëpinë e burrit në qytetin e Tuglies, si një nuse vetëm 16-vjeçare, por që në vitet e mëvonshme, do të lulëzonte si “një figurë unike, karakteristike e një gruaje sa zonjë, aq dhe dashnore e denjë, sa poete aq dhe mistike”.
Kjo vajzë e qeshur, e freskët dhe naive do të hynte në pallatin e vjetër me një atmosferë të zymtë, të lidhur fort me të kaluarën, e do të mbyllte veten me një heshtje të trishtuar dhe të ftohtë, duke ndrydhur rininë e saj të lumtur, zemrën e saj të virgjër dhe ëndrrat e saj, të përkundura në vitet gjata të heshtjes në Manastirit e Shën Klarës. Vitet që ajo kaloi në atë shtëpi, ishin vite të zymta, të gjata, të errëta dhe të dhimbshme, pasi askush nuk do ta vizitonte atë asnjëherë. Më kot ajo “kërkonte një ngushëllim tek poezia, që këndonte në zemrën e saj “. Më kot ajo u shkroi të afërmve, murgeshave të Shën Klarës, duke iu lutur për ta ndihmuar, e për ta çliruar atë nga fati i saj i mjerë. Gjithkush i kujtonte asaj, se ajo duhej t’u nënshtrohej detyrimeve bashkëshortore, të vendosura nga lidhja e martesës. E vetmja shoqe me vlerë e saj, në ato dhoma të vetmuara, ku i shpesh ofshëtinin klithmat e dhimbjes së burrit të saj, që vuante nga përdhesi, ishte infermierja besnike, Teresa Buttazzo nga Leçe, që i ishte bashkuar asaj pas martese. Pas këtyre lutjeve pa përgjigje, më në fund, edhe ajo e uli kokën dhe u mbyll në vetmi, me dhimbjen e saj të heshtur dhe për disa vite u përpoq t’i plotësonte nevojat dhe dëshirat e burrit të saj, që kërkonte, më kot, trashëgimtarin aq shumë të dëshiruar. Vetëm rrallë, shumë rrallë ajo u lejua të largohej nga shtëpia e saj në Tuglie për një vizitë të shkurtër në Gallipoli apo në Leçe.
Përplasjet shpirtërore brenda shtëpisë, me një njeri që ajo nuk e kishte dashur, dhe në një moshë kaq shumë më të vjetër se ajo, qe një tjetër zhgënjim, i madh dhe i hidhur për Isabellën e re. Edhe pse Baroni Guarini fillimisht shfaqi ndjenja bujarie dhe mirëkuptimi ndaj nuses së re, qenë pikërisht këto rrethana të pafavorshme të jetës së saj, që e çuan Isabellën të mbyllej edhe më në vetvete dhe të zhytej drejt një analize introspektive, që dëshmohet fillimisht me letrat e gjata të mbushura plot ndjenja hidhërimi që i drejtoheshin babait të saj, dhe më pas, në vitet e pjekurisë së saj drejt shtigjeve krijimit të poezive.
Pas shtatë vitesh të gjata, të kësaj martese fatkeqe, Isabella më në fund, edhe në marrëveshje me burrin, bëri një ndarje de facto. Ajo u largua për në Konservatorin e Shën Anës ( S. Anna) në Leçe, që qe themeluar për të akomoduar, shërbëtoret e qytetit aristokrat. Në vitin 1732, pa i prishur marrëdhëniet me burrin e vet, i cili vazhdoi t’i siguronte nevojat e saj kryesore të jetesës, ajo bleu lirinë e saj me një çmim të lartë, pasi pas babait, ajo humbi dhe mbështetjen e dajës së vet. Don Philipo e pranoi tërheqjen e gruas së tij të re, në Konservatorin e Shën Anës në Leçe, drejtuar nga superiorja Angela Guarini, një e afërme e tij, ku gratë jetonin në izolim, bashkë me shumë fisnike të tjera të Salentos. Isabella e vendosur e pranoi këtë fat, dhe hyri në Konservator më 11 shtator 1727, duke marrë nga burri i saj premtimin, për t’i dhënë me kusht 2750 dukate, që do të hiqeshin, nëse ajo do ta braktiste konservatorin.
Kur ajo mbërriti në Leçe, ajo e gjeti qytetin në prag të varfërisë, të shkatërrimit, të korrupsionit dhe të turbullirave politike dhe ekonomike. Pamja që ajo pa, prodhoi tek Isabella e mësuar me jetën e qetë dhe monotone të pallatit të Tuglies, mjaft ankth dhe neveri, saqë ajo u detyrua të tërhiqej pas disa vjetësh në një vendbanimin e ri dhe t’i përkushtohej aty studimit të poezisë dhe të klasikëve. Vajza e re u largua nga Konservatori, ku kishte kaluar disa vite pjellore studimesh dhe zbulimesh intelektuale dhe u fut në shoqërinë e kulturuar të Leçes, duke ngjallur mjaft kuriozitet dhe thashetheme.
Pas pesë vitesh të kësaj tërheqjeje, me lejen e burrit të saj, dhe me miratimin e babait të saj, por me mosnjohjen e xhaxhait Pieve-Sauli, ajo më 31 gusht 1732, ajo u largua nga Konservatori, në moshën njëzetetetë vjeçare. E ditur, inteligjente, e kulturuar dhe ende e bukur, ajo hyri në jetën e qytetit dhe u bë pjesë e “Akademisë së spiunëve”, një çerdhe dijetarësh, filozofësh, matematikanësh, ekonomistësh, poetësh, pjesëmarrësit e së cilës ishin mjaft intensiv me pasqyrimin e jetës që karakterizohej nga ushtrimet në shkrimin e poezive dhe nga zhytja në kultura e filozofi të larmishme. Por fatkeqësisht, shumë nga poezitë e saj janë humbur. Qe pikërisht aty, ku Isabella u takua me poetin Pietro Belli. Ishte ky një takim me fat që e lidhi Pietron me këtë grua të ditur dhe ende të lezetshme dhe Isabellën me personin që do t’i ndryshonte jetën. Por kjo lidhje romantike , nuk kaloi pa ngjallur kuriozitetin dhe thashethemet e shoqërisë fanatike të krahinës në shekullin e tetëmbëdhjetë.
Pietro Belli ishte një dijetar i famshëm dhe patric i Leçes, autor i një përkthimi në italisht të poemës latine “ Siphilis sive de morbo gallico” të Girolamo Fracastoros, shoqëruar me parathënie dhe përkushtim nga filozofi i madh Giambattista Vico. Në fakt Belli, u bë i njohur nga shkrimet që Vico i kushtoi figurës dhe veprës së Pietro Bellit, si dhe fakti që marrëdhëniet e miqësisë personale ndërmjet filozofit të madh, nga njëra anë dhe Bellit, dhe po ashtu edhe të gruas së tij e mëvonshme Isabella Castriota, ishin objekt i analizës së kritikut të madh italian, Benedetto Croce. [8]
Pas vdekjes së Guarinit, e çliruar nga prangat e martesës, Isabella ishte më së fundi në gjendje për t’i zgjidhur me martesë, marrëdhëniet e diskutueshme të saj me Biellin, më 22 qershor, 1741. Belli i mësoi kësaj gruaje të zgjuar kulturën dhe kultivoi tek ajo dashurinë për poezinë dhe filozofinë, madje, jashtë dhe pavarësisht nga paragjykimet të kohës, ai i la asaj mjaft pavarësi. Realizimi i dashurisë së saj, pavarësisht mjedisit të ngarkuar e me paragjykime dhe kundër fuqizimit intelektual dhe emancipimit të grave, ishte një arritje me vlerë. Ajo së bashku me burrin e saj të dytë, mori pjesë në mënyrë më aktive në jetën kulturore të Leçes, duke kontribuar me poezitë e tyre në akademitë e ndryshme që ishin aktive në ato vite në qytet. Por fatkeqësisht, shkrimet poetike të Isabella Kastriotit dhe Pietro Bellit të shpërndara andej- këtej humbën, me përjashtim të disa tingëllimave, që ruhen në disa koleksione të kohës, ndër të cilat përmendim “Takimin e krijimeve të Akademise Spioni të Leçes të bërë në vitin 1747, me rastin e Lindjes së foshnjës mbretërore “, Lartësisë së Tij Princit Philipo dhe kushtuar babait të foshnjës, Karlit të Burbonëve, kuruar nga z. Domenico Maria Guarini,” kryebashkiaku i përgjithshëm i qytetit të Leçes. Asokohe Belli kishte refuzuar të jepte për shtyp librin e tij të këngëve, dhe emri i tij, sot do të mbetej i harruar, në qoftë se jeta e tij nuk do të kishte përkuar me atë të filozofit të madh napolitan, Giambattista Vico. [9]
Gjithashtu, Isabella ndoshta do të kujtohej sot vetëm për ngjarjet e trishtueshme të jetës së saj, ose për një farë kontributi në lulëzimin e jetës letrare provinciale dhe lokaliste të Leçes, pa faktin e lidhjes së jetës së saj me burrin e dytë, dhe lidhjes se tij me një nga filozofët më të mëdhenj napolitanë Gianbatista Vico. Kështu gjashtë muaj më vonë, më 22 qershor, 1741, idili i gjatë e dy poetëve, u vulos me martesë, që celebrua nga famullitari i Katedrales së Leçes. Isabella nuk ishte i pranishme, në Kishë, ndoshta në shenjë respekti, pasi burri i saj i parë kishte vdekur, vetëm pak kohë më parë. Por aty u shfaq, me prokurë, shoqja e saj besuar dhe kunata e saj ardhshme, Catherine Belli.
Nga Pietro Belli Isabella pati dy vajza, Raimondën e lindur në 1742, dhe Katerinën në 1745. Për fat të keq, edhe pas lindjes së fëmijëve Isabella nuk shpëtoi dot nga mjerimi. Ajo ishte e angazhuar deri në fund për të ndihmuar burrin e saj të dytë, i cili rrezikohej të binte në burg nga çasti në çast për borxhe, pasi kishte bërë rrush e kumbulla, jo vetëm pasurinë e tij, por edhe te shoqes. Jeta bashkëshortore nuk u dha fund manierave për shpenzime të Bellit. Ai vazhdoi të merrte hua për t’i blerë nuses së tij të re, rroba luksoze, bizhuteri e për të udhëtuar në kryeqytet dhe në qytetet e mëdha italiane. Isabella, në vend që ta ndalonte shkatërrimin e pasurisë së burrit të vet, dukej se për të mos ia prishur qefin atij, sikur e inkurajonte më tej atë. Madje, nuk mjaftoi për të hequr dorë nga ky standard shpenzimesh luksoze edhe lindja e dy vajzave: Catherine dhe Irene Raimondina. Belli rrezikoi burgun për borxhe dhe mbijetoi vetëm në sajë të shitjes së të gjitha stolive të gruas së tij.
Jeta e lumtur që Isabella kishte ëndërruar, tani po i shkaktonte asaj një ankth të vazhdueshëm. Dhe ky ankth që u rrit edhe më, kur asaj iu rrëmbyen 250 dukatet që i pat të lënë si pension baroni i Tuglies, por më tepër, kur u zhduk edhe shpresa e fundit për të marrë pasi vdekjes trashëgiminë e pasurisë së dajës së saj Giambattista Pieve-Sauli. Ky zhgënjim i fundit në nivel psikik ishte aq serioz, sa do ta çonte Isabellën e brishtë, në moshën 44 vjeçare, më 4 mars, 1749 drejt vdekjes. Ajo u varros në kishën e Etërve të Alcantaras, jashtë mureve, dhe jo në Kishën ku qenë varrosur Kastriotët e tjerë. [10]
Pietro, i mbetur i ve, i vetëm dhe zemërthyer më vonë ai humbi dhe vajzën e tij Irene Catherina. Ai vdiq dy vjet më vonë, më 20 gusht, 1751, dhe u varros në të njëjtën kishë, ku pushonte dhe Isabella. Fatkeqësisht, pas vdekjes të së bijës tjetër, Raimondina, në Leçe më 30 nëntor 1804 në shtëpinë e Bellit, humbën, apo u shkatërruan të gjitha poezitë, epigramet dhe reflektimet filozofike të Isabellës dhe të shoqit.
Ajo që ka rëndësi, sipas autores Rosella Barletta, është se Isabella Castriota Scanderbeg “më shumë nëpërmjet jetës së saj, sesa nëpërmjet poezisë, ka emancipuar gruan e kohës, qysh nga koha, kur ajo vendosi për të ndërprerë lidhjen martesore (duke qenë katolike) me burrin e saj të parë, për të jetuar jetën e saj në liri, dhe për të bërë zgjedhjet e veta dhe ,së fundi, për të krijuar familjen e saj, mbi bazë të dashurisë “. Sot veprimi i saj mund të duket, gati i parëndësishëm, por duhet të kihet parasysh se, “ky akt “rebelimi” ndodhi gjatë viteve 1700, në një shekull të ngarkuar plot me konservatorizëm të thellë, në një kontekst socio-kulturor të mbushur me paragjykime, mashtrime dhe konventa morale false. Fakti që ajo si grua, veproi në një mjedis të dominuar kryesisht nga meshkujt, tregon se ajo kishte plot veti të rralla dhe se ishte e aftë t’i demonstronte aftësitë, vendosmërinë dhe shkathtësinë e saj barabar me meshkujt.
Duke pasur parasysh karakterin e të atit, të i lidhur fort në modelet e mendimit të kohës, dhe zgjedhjet arsimore të dajës Pieve-Sauli, që e çuan atë në fund të fundit, të bashkëjetonte me një burrë krejtësisht të panjohur, shumë më të vjetër se ajo në moshë, të sëmurë dhe të krejtësisht të ndryshëm në temperament dhe nga qëllimet e jetës, mund të konkludojmë se, Isabella mund të ishte sakrifikuar, ndaj vendimit të secilit prej këtyre burrave, dhe t’i ishte dorëzuar fatit të saj. Por në vend të kësaj, ajo pati guximin për të thyer mykun dhe zakonet morale tradicionale të kohës, për të shkatërruar klishetë e rrënjosura në familje, dhe, madje, për të mëkatuar edhe kundër imponimeve fetare, për të gjetur lumturinë e saj. Duke luftuar kështu, për lirinë e vetvetes, ajo u bë një shprehje e emancipimit femëror të kohës ” dhe unë do shtoja se në këto veprime të guximshme e jo të zakonshme për kohën, pa tjetër, ka pasur gisht, dhe gjeni kryengritës i stërgjyshit të saj, heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Bibliografia
- Barletta, “Isabella Castriota Scanderberg. Espressione di emancipazione femminile”, Edizione Grifo, 2017.
- Merola N. Isabella Castriota Scanderbeg, in “Dizionario biografico degli Italiani” Roma, 1979
- De Simone Paladini N. Due poeti nel travagliato Settecento salentino Leçe, Rinascenza Salentina 1941
- Vico G.B. Al discreto Leggitore, prefazione alla traduzione italiana del “Siphilis sive de morbo gallico” di Girolamo Fracastoro, tradotta da Pietro Belli e dedicata “all’eccellentissimo e Reverendissimo Monsignore Ernesto de’ Conti d’Harrach auditore della Sagra Ruota Romana” In Napoli, presso il Parrino il 1731
- Foscarini A. Armerista e notiziario delle famiglie nobili, notabili e feudatarie di Terra d’Otranto. Leçe, 1903
- Foscarini A. Genealogia della famiglia Guarini. Leçe, 1928-1931
- Croce B. Una dedicatoria e una prefazione di Giambattista Vico. In Aneddoti di varia letteratura. Bari, 1953
- Merola N. Isabella Castriota Scanderbeg, in “Dizionario biografico degli Italiani” Roma, 1979
- Vico G.B. Al discreto Leggitore, prefazione alla traduzione italiana del “Siphilis sive de morbo gallico” di Girolamo Fracastoro, tradotta da Pietro Belli e dedicata “all’eccellentissimo e Reverendissimo Monsignore Ernesto de’ Conti d’Harrach auditore della Sagra Ruota Romana” In Napoli, presso il Parrino il 1731
- Croce B. Una dedicatoria e una prefazione di Giambattista Vico. In Aneddoti di varia letteratura. Bari, 1953
- : C. Villani, Scrittori e artisti pugliesi antichi, moderni e contemp.,Trani 1904, p. 1234; N.
- Foti Sciavaliere, “Isabella Castriota Scanderberg”, in “Ripensandoci.com”, 27 aprile 2014.
- “CASTRIOTA SCANDERBEG, Isabella in ‘Dizionario Biografico.’” In “Dizionario Biografico”, treccani.it/enciclopedia/isabella-castriota-scanderbeg_(Dizionario-Biografico)/
- Vita Di Isabella Castriota Skanderbeg, Tele Rama , https://www.youtube.com/wëatch?v=BvsA5_ONFLU
- Bibl.: C. Villani, Scrittori e artisti pugliesi antichi, moderni e contemp.,Trani 1904, p. 1234; N.
[1] Rossella. Barletta, “Isabella Castriota Scanderberg. Espressione di emancipazione femminile”, Edizione Grifo, 2017.
[2] De Simone Paladini N. Due poeti nel travagliato Settecento salentino Leçe, Rinascenza Salentina 1941
[3] “Libro di Ricordi di me nga D. Alessandro Scanderberg e vitit 1682”
[4] https://www.youtube.com/watch?v=BvsA5_ONFLU
[5] Due poeti…
[6] Po aty…
[7] Due poeti…
[8] Croce B. Una dedicatoria e una prefazione di Giambattista Vico. In Aneddoti di varia letteratura. Bari, 1953
[9] Vico G.B. Al discreto Leggitore, prefazione alla traduzione italiana del “Siphilis sive de morbo gallico” di Girolamo Fracastoro, tradotta da Pietro Belli e dedicata “all’eccellentissimo e Reverendissimo Monsignore Ernesto de’ Conti d’Harrach auditore della Sagra Ruota Romana” In Napoli, presso il Parrino il 1731
[10] Due poeti fq …