• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Zhgënjimi i shqiptarëve në Maqedoni dhe Lufta e Kumanovës

June 8, 2015 by dgreca

Nga Faton Mehmetaj/
Nuk ka asnjë dilemë se shqiptarët në Maqedoni nuk i gëzojnë as të drejtat elementare, madje një pjesë e tyre nuk e kanë as të drejtën për të jetuar. Padrejtësitë ndaj shqiptarëve në Maqedoni janë të mëdha, brutaliteti i pushtetit i ngjanë inkuizicionit mesjetar edhe pse jetojmë në kohëra moderne. Që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë e deri në ditët e sotme, kur pasoi edhe lufta e përgjakshme në Kumanovë, ku shqiptarët luftuan për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar për gjendjen e rëndë të shqiptarëve, gjatë kësaj kohe çka s’u ndodhi shqiptarëve.
Shqiptarët në Maqedoni, aparati shtetëror maqedonas po i përdorë për të eksperimentuar me ta. Edhe pse shteti i Maqedonisë nuk ka emër të njohur zyrtarisht, nuk ka identitet, nuk ka histori, as autoktoni edhe pse është shtet në inkubator dhe kurrë nuk është zhvilluar, qysh kur është formuar gjithnjë i ka dalë punë me shqiptarët autoktonë të Maqedonisë. Ky shtet pa emër, pa identitet e pa histori e ka një territor prej 26 mijë kilometrash katrorë, me një përbërje të përzier të popullsisë, e cila kapë shifrën prej dy milionë banorësh. Në këtë përbërje të përgjithshme të popullsisë, mbi një milion janë shqiptarë, mbi 300 mijë të tjerë janë shqiptarë ortodoksë të konvertuar me dhunë në periudha jo të largëta të historisë, të cilët shkruhen si ortodoksë apo vllehë, kurse të tjerët janë bullgarë, serbë, arumunë, boshnjakë, romë, egjiptianë, turq etj. (Mbi 75 mijë shqiptarë ortodoksë të Maqedonisë kanë kërkuar publikisht të ushtrojnë të drejtën e besimit të tyre përmes ndërtimit të një kishe ortodokse shqiptare). Sllavët e Maqedonisë e dinë fare mirë dhe e kanë të qartë se ata janë bullgarë dhe ndihen krenarë që janë të tillë. I vetmi komunitet autokton në Maqedoni janë shqiptarët, ata janë në tokën e tyre, kanë historinë e tyre dhe e përbëjnë shumicën në Maqedoni. Ky është një tregues i qartë se maqedonasit po tentojnë ta formojnë identitetin e tyre me copa e harrna të historisë, duke marrë nga diçka të popujve fqinj. Sllavët erdhën vonë në Ballkan aty rreth shek 6-7, afërsisht dhjetë shekuj pas lulëzimit dhe rënies së qytetërimit maqedonas të Filipit të II-të dhe të birit Lekës së Madh, që ishin të racës ilire. Nuk mund të flitet për identitetin maqedonas kur asnjë prej popujve që jetojnë në Maqedoni nuk kanë të bëjnë me maqedonasit e lashtë, përveç shqiptarëve. Duhet vënë në dukje se në spektrin e të gjitha këtyre kualifikimeve, shqiptarët në Maqedoni janë shumicë dhe e përbëjnë fuqinë motorike për t’i lëvizur të gjitha proceset e ndërtimit apo të shpërbërjes së Maqedonisë.
Tendencat për asimilimin e kulturës shqiptare, spastrimin etnik nga popullsia shqiptare, falsifikimin e historisë dhe aktet e vazhdueshme raciste kundër shqiptarëve, tendencat për nënshtrimin e dhunshëm të shqiptarëve në Maqedoni, duke i konsideruar si qytetarë të rendit të dytë dhe duke tentuar t’i detyrojnë ata për t’i pranuar të gjitha kushtet e palës maqedonase janë jo vetëm absurde, por edhe të papranueshme.
Aparati shtetëror i Maqedonisë, i kriminalizuar tërësisht, për t’i shtypur dhe denigruar shqiptarët në format më antinjerëzore, ndonëse përbëjnë fuqi të padiskutueshme, e ka shfrytëzuar servilizmin dhe nënshtrimin e pakusht të klasës politike shqiptare në Maqedoni, të cilët fatkeqësisht janë bërë pjesë e mekanizmave shtetërorë të pushtetit maqedonas që po i shtypin e denigrojnë shqiptarët. Ata e kanë zhvilluar një luftë të ashpër brenda llojit, të ndihmuar nga shërbimet dhe mekanizmat tjerë të Maqedonisë, të cilët kanë bërë aleanca të fshehta për ta shkatërruar elementin shqiptar në Maqedoni pa zgjedhur mjete, forma e metoda për ta arritur qëllimin.
Gjatë vitit 2001, Kosova e ka pasur një kontekst kufitar me Maqedoninë, me ç’rast, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar më 23 shkurt 2001, ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Maqedonisë, 2500 hektarë tokë të Kosovës (nga pjesa e Debëlldesë), Serbia ia dha Maqedonisë! Lidhur me këtë, për shumë kohë vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë kishte mbetur kontestuese. Ky problem qe mbyllur me pakon e Ahtisaarit për Kosovën edhe pse ekspertët thonë se, bazuar në parimet e së drejtës ndërkombëtare, lejohet që kufijtë të lëvizin vetëm deri në 300 metra hapësirë.
Raportet Maqedoni-Kosovë që nga fillimi ishin të brishta, madje të tensionuara, me vet faktin se njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Maqedonisë u kuptua si një akt i presionit nga ana e faktorit ndërkombëtar, e jo si vullnet për të krijuar raporte të mira fqinjësore.
Në janar të vitit 2001, pikërisht nga Debëlldeja kanë depërtuar njerëzit e parë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK-om). Nga kjo pjesë, armatimi dhe formacionet ushtarake të UÇK-omit u bartën në fshatrat dhe në qytetet tjera të Maqedonisë, për të filluar lufta e armatosur për ta përmbysur regjimin e egër maqedonas, i cili nuk i njihte dhe i shkelte për ditë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Luftës për liri në Maqedoni, që e zhvilloi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, iu bashkëngjitën djemtë e vajzat më të zotët të Kosovës, Kosovës Lindore, Shqipërisë, Malit të Zi, diasporës e mbarë trojeve shqiptare, të cilët u shkuan në ndihmë vëllezërve të tyre në Maqedoni, që ishte diçka shumë e natyrshme. Pos kësaj, ajo luftë u përkrah në një mënyrë edhe nga spektri politik në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Mbase nuk është e tepërt të kujtojmë se që nga 1913-ta shqiptarët administrativisht janë ndarë padrejtësisht për llogari të Fuqive të Mëdha, por janë një popull dhe kurrë nuk janë sjellë si të ndarë. (Me mijëra vjet shqip kemi folur e mësuar gjuhën e nënës; si shqiptarë jemi rritur e na ka njohur bota kurdoherë; doket, zakonet e traditat i kemi të njëjta; festat i kemi të njëjta; flamurin kombëtar e kemi të njëjtë; pashkëputshmërinë territoriale po ashtu. Bashkë kemi luftuar gjithmonë për të drejtat tona. Shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi, Çamëri, Kosovë Lindore, Shqipëri, nuk dallojnë nga njëri-tjetri, jemi një komb, kemi një gjuhë, jemi shqiptarë, jemi autoktonë në trojet tona).
Shqiptarët bashkë ishin në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, bashkë ishin për ta mbrojtur Sanxhakun e Nishit, bashkë e mbrojtën Plavën e Gucinë, bashkë ishin në përpjekjet për shkatërrimin e Jugosllavisë në vitin 1981, bashkë ishim edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në UÇPMB, UÇK-om, bashkë ishim gjithnjë. Ky është fakt i pamohueshëm.
Të gjithë e dinë se shqiptarët në vitin 2001, e shpëtuan Maqedoninë pa u ndarë. Prandaj, mos u habitni aq shumë pse dikush prej Kosovës paska marrë pjesë në luftën e Kumanovës. Shqiptarët e Kosovës në Kumanovë janë në vendin e tyre, siç janë në vendin e tyre me qindra e mijëra shqiptarë nga Presheva, Sanxhaku i Nishit, Mali i Zi, Maqedonia etj., që jetojnë në Kosovë, Shqipëri e gjetiu në trojet e tyre. Jo rastësisht, drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në frontet e luftës ishin nga Kosova, si Sami Ukshini, i njohur me pseudonimin Komandant Sokoli, Maliq Ndrecaj, i njohur me pseudonimin Komandant Mala, etj. Ali Ahmeti shumicën e kohës gjatë luftës në Maqedoni ka qëndruar në Prizren, me qëllim që të kursehet, sepse llogaritej lideri i ardhshëm i Maqedonisë sikurse edhe ndodhi. Pas fitores që korri Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, e cila u finalizua me Marrëveshjen e Ohrit, që e shënoi përfundimin e luftës dhe fillimin e njohjes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, filluan të hedhen themelet e demokracisë së shtetit të së drejtës dhe të respektimit të shqiptarëve.
Realisht, lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk u bë për ndarjen e Maqedonisë, por për ta përmirësuar gjendjen e shqiptarëve atje. Në ditët e para imazhi i nëpërkëmbur i shqiptarëve filloi të përmirësohet. Shqiptarët për herë të parë filluan të ndjejnë aromën e lirisë dhe të demokracisë. U formuan institucionet demokratike në Maqedoni ku pjesë e tyre ishin edhe shqiptarët, përdorimi i simboleve kombëtare u rregullua me ligj, filloi të aplikohet dygjuhësia nëpër institucione (edhe pse kjo pikë nuk është implementuar), u fitua e drejta për shkollim universitar, etj. Shqiptarëve, që dikur për hir të së kaluarës nuk mund ta identifikonin veten, d.m.th. nuk mund ta identifikonin përkatësinë e tyre me shtetin, kjo iu mundësua me fitoren e luftës nga ana e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Shqiptarët e robëruar skajshmërisht dikur, pas luftës së UÇK-omit, nxorën në skenë klasën politike të shqiptarëve në Maqedoni, për t’u vënë në shërbim të qytetarëve të vet dhe të të gjitha komuniteteve të tjera që jetojnë në Maqedoni.
Me kalimin e kohës, nën presione të vazhdueshme, apo për arsye të tjera që nuk i kemi të njohura, partitë politike shqiptare apo segmente të caktuata të tyre u futën nën ombrellën e rrjeteve dhe nomenklaturave të shërbimeve sekrete të maqedonasve, grekëve, rusëve, serbëve e shërbimeve të tjera që veprojnë në Maqedoni. Kjo bëri që partitë shqiptare të mbeten në varshmëri të aparatit shtetëror të Maqedonisë, që asnjëherë nuk e la klasën politike shqiptare të zhvillohet e pavarur. Si rezultat i kësaj, shqiptarët ndonëse janë popull i fuqishëm shtetformues edhe më tutje konsiderohen si qytetarë të rangut të dytë. Ç’është më keq, partitë politike shqiptare në Maqedoni, madje jo vetëm atje, janë parti lideriste, ku lideri i partisë shihet si mbinjeri. E keqja e këtij koncepti partiak, siç dihet, është se ndodh që personat e parëndësishëm brenda natës të shndërrohen në VIP-a. Këta njerëz u bënë ministra, zv/kryeministra, drejtorë, këshilltarë, sekretarë shtetërorë, kryetarë degësh, shefa të mëdhenj në vendimmarrje, por pa vonuar një pjesë e tyre u shndërruan në matrapazë, drejtues të klaneve mafioze, shitës të tenderëve e vendeve të punës nëpër kafene. Jo vetëm kaq, gati të gjithë janë të lidhur me afera korruptive apo të ndonjë natyre tjetër. Që nga shitja e “Telekomit”, ku i dyshuar për mitmarrje është një funksionar i lartë partiak dhe ministër e deri tek afera e kompanive të reklamimit dhe shitjes së kapaciteteve energjetike të Maqedonisë, në të gjitha këto mega-afera përflitet për ryshfete milionëshe. Pikërisht te këto raste qëndron papërgjegjësia e funksionarëve të partisë shqiptare në pushtet dhe liderit të saj, i cili ka heshtur para gjithë kësaj situate. Ata janë njerëz që akuzohen për garantim të monopoleve për kompani të huaja në këmbim të ryshfeteve të majme, për organizim vjedhjesh ose edhe për shpëlarje parash. Harruan për mjerimin e popullit shqiptar në Maqedoni dhe shkeljen e të drejtave të tyre nga pushteti.
Duhet thënë se as opozita shqiptare në Maqedoni (ajo parlamentare dhe ajo joparlamentare) nuk e ka luajtur rolin e duhur për t’i mbrojtur dhe kultivuar të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, sepse kriminaliteti shtetëror i Maqedonisë ndaj shqiptarëve ka qenë dhe është i ashpër, madje diktatorial. Sa për ilustrim po përmendi një nga rastet e shumta skandaloze e raciste të ish-ministres së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska, e cila në një publikim të bisedave telefonike të bëra nga opozita maqedonase, del të ketë folur me gjuhën e Millosheviqit kundër shqiptarëve, duke thënë se “shqiptarët një herë e përgjithmonë mund t’i zhdukim për një orë”. Qasja e tillë qon drejt zhbërjes politike sepse riparimet në këto raste janë të vështira e gati të pamundura.
Pa u vërejtur shumë, partia që kishte filluar një mision të madh politik transformohet në një kompani private të liderit ose në shoqëri aksionare ku shefi është Gruevski. Kjo politikë e bazuar në liderizëm dhe servilizëm gjithsesi bëri që sistemi demokratik ndër shqiptarë të pësojë mutacion, duke u shndërruar në një makineri që partitë politike i transformon në kompani fitimprurëse, politikanët në biznesmenë, kurse qytetarët në votues me pagesë. Gjatë këtyre viteve Maqedonia filloi të deformohet dhe të shkon drejt vetëshkatërrimit.
Modeli i ndërtimit të shtetit maqedonas, ku shqiptarëve u mohohen të drejtat e tyre mund të jetë vetëm dëshirë, sepse shqiptarët në Maqedoni janë shtetformues dhe e përbëjnë shumicën e popullsisë së këtij vendi, por njëkohësisht janë edhe përcaktues vendimtarë të shtetit të Maqedonisë. Maqedonia nuk konsiderohet shtet nga Greqia, Bullgaria e as nga Serbia, Maqedonia pretendon të bëhet shtet pa identitet.
Politikat nënshtruese të lidershipit shqiptar në Maqedoni ndaj mekanizmave të shtetit, i cili ka kohë që e ka marrë formën e shtetit të kriminalizuar, me ligje raciste e tepër shoviniste ndaj popullit shqiptar në Maqedoni, janë të dëmshme dhe të patolerueshme. Shqiptarët e vijojnë mësimin në shkolla të veçanta, jo në bashkësi me maqedonasit, në tekstet shkollore flitet me gjuhë raciste kundër shqiptarëve dhe, siç përmendëm edhe më lartë, shqiptarët në të gjitha poret e shtetit dhe të pushtetit konsiderohen qytetarë të rangut të dytë! Burgjet në Maqedoni janë të stërmbushura me ish-luftëtarë shqiptarë. Ata gjykohen në procese të montuara dhe dënohen me burgime të përjetshme vetëm pse kanë qenë pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Gjatë këtyre viteve, jemi dëshmitarë se u zbardhën mbi dhjetë operacione sekrete të përmasave të mëdha, të planifikuara dhe të zbatuara nga shërbimet sekrete në Maqedoni, për t’i nënshtruar e poshtëruar shqiptarët dhe për ta denigruar aspiratën e tyre për barazi dhe për të qenë të barabartë para ligjit e jo siç konsiderohen shqiptarët si qytetarë të kategorisë së dytë. Janë të paktën pesë ligje shtetërore që përmbajnë dispozita raciste kundër shqiptarëve.

Ndonëse shqiptarët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit dhe janë popull shtetformues, gjuha shqipe edhe pse është gjuhë zyrtare nuk përdoret askund në praktikë, gjë që është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e obligueshme për zbatim. Përderisa shqiptarët janë të detyruar ta mësojnë gjuhën maqedonase, në anën tjetër pothuajse asnjë maqedonas nuk e flet gjuhën shqipe.
Është abuzuar tmerrësisht me popullin shqiptar në Maqedoni. Afera e përgjimeve e ka devalvuar tej mase qeverinë aktuale proruse të Maqedonisë, madje jo vetëm atë, prandaj kjo qeveri edhe duhet të shkojë e turpëruar. Pas gjithë kësaj, qëndrimi i Gruevskit edhe më tutje në pushtet cenon rëndë paqen dhe e destabilizon pashmangshëm rajonin.
Bota e qytetëruar duhet të merret seriozisht me shkeljen flagrante të të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni. Politikat e qeverisë aktuale të Gruevskit dhe Ahmetit nuk dallojnë fare nga politikat diskriminuese dhe shfarosëse të Millosheviqit ndaj shqiptarëve.
Dy partitë më të mëdha të lidershipit shqiptar ka kohë që janë dorëzuar dhe nënshtruar ndaj politikave dhe mekanizmave diskriminues e racistë që sllavo-maqedonasit po i përdorin kundër shqiptarëve në Maqedoni, duke e bërë gjendjen të padurueshme, madje shpërthyese.
Populli shqiptar në Maqedoni ka kërkuar ndihmë, dhe Kumanova ka ndodhur pikërisht për t’i dalë në ndihmë popullatës shqiptare atje. Që nga ardhja e Gruevskit në pushtet, por edhe më parë, shqiptarët çdo ditë janë përballur me aksione policore e ushtarake, janë keqtrajtuar e denigruar skajshmërisht. Kishte kaluar kohë e gjatë qysh kur shqiptarët në Maqedoni e kishin humbur besimin se në këtë vend mund të ketë drejtësi për shqiptarët. Pushtetarët shqiptarë në qeverinë proruse të Gruevskit, përveç elektoratit që e përfaqësojnë, po e mashtrojnë edhe veten. Disa prej tyre edhe pse kanë pozita të larta, në fakt pozitat e tyre janë vetëm ilustrative dhe nuk kanë asgjë me pushtetin real.
Ka kohë që Bashkimi Europian dhe mekanizmat tjerë relevantë ndërkombëtarë i kanë vënë kusht Maqedonisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, për të filluar integrimi i Maqedonisë në proceset euro-atlantike, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Maqedonia, siç po e shohim, çdo ditë e më shumë po përpiqet për ta falsifikuar dhe ndryshuar realitetin historik në Maqedoni në relacion me shqiptarët. Pjesë të këtij realiteti janë edhe projekti skandaloz “Shkupi 2014”, “Enciklopedia e Maqedonisë”, ndërtimi i kishës ortodokse në Kalanë e Shkupit, etj. Këto janë vetëm disa nga shumë arsyet që luftëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nga të gjitha trojet shqiptare u bashkuan në Maqedoni për ta vazhduar luftën për shkak të deformimit të të gjitha proceseve ndaj shqiptarëve, për shkak të mohimit të lirisë dhe të gjitha të drejtave tjera, që iu takonin shqiptarëve, të nënshkruara dhe të garantuara me Marrëveshjen e Ohrit, e cila ndonëse nuk i përfaqësonte në shkallën e duhur të drejtat dhe interesat e popullit shqiptar, i kishte dhënë fund luftës së armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonëve. Faktikisht, Marrëveshja e Ohrit ishte një lloj “paqeje” ndërmjet dy etnive të mëdha që jetojnë në këtë shtet. Por, në një Maqedoni, ku Serbia dhe Rusia e kanë ndikimin e tyre absolut, normalisht se shqiptarët janë të diskriminuar.
Kjo gjendje e ka sjellë situatën deri tek Lufta e Kumanovës. Djemtë e përfshirë në Luftën e Kumanovës, kishin për qëllim që ta ngritin zërin e arsyes për të drejtat dhe gjendjen e padurueshme politike dhe ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni, me qëllim që shumica e çështjeve që kishin mbetur pa u jetësuar nga Marrëveshja e Ohrit të fillonin të zbatoheshin, të kërkonin që të ndalet dhuna dhe diskriminimi i përditshëm politik e ekonomik ndaj shqiptarëve, t’u jepej fund vrasjeve, maltretimeve, sulmeve të vazhdueshme dhe proceseve të montuara gjyqësore. Ata janë përpjekur për ta përmirësuar gjendjen e shqiptarëve atje, ata kanë luftuar në Kumanovë për demokratizimin e Maqedonisë.
Në Maqedoni ka probleme të brendshme ku në të gjitha rastet shqiptarët janë viktimat. Me shqiptarët e Maqedonisë lidershipi shqiptar e ka luajtur lojën e shërbimeve sekrete të Gruevskit. Qeveria e kriminalizuar e Maqedonisë, e ndikuar nga Rusia dhe Serbia, ka treguar praktikisht se ka paranoja historike në raport me shqiptarët. Përpilimi dhe zbatimi praktik i këtyre politikave raciste antishqiptare i ka nxitur disa ish-struktura të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të riorganizohen për t’u dalë zot shqiptarëve, pozita e të cilëve po denigrohet e degradohet çdo ditë e më shumë nga pushteti diktatorial i Gruevskit dhe klanet mafioze të lidhura me disa oligarkë (pro)rusë. Ky regjim i ka detyruar shqiptarët të vuajnë me vite. Prandaj, grupi i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që u përfshi në luftimet e zhvilluara në Lagjen e Trimave në Kumanovë, më 9 e 10 maj, më herët i kishte marrë përsipër edhe disa aksione të tjera, të cilat ishin kryer për ta tërhequr vëmendjen për gjendjen e padurueshme të shqiptarëve në Maqedoni, që si të tillë nuk do ta toleronin tani e tutje, andaj kërkonin të merreshin masa në këtë drejtim. Duket theksuar se në asnjë prej këtyre rasteve nuk kishte viktima në njerëz. Ky grup e kishte marrë përsipër edhe aksionin në pikën kufitare të Gushincës, i cili u ndërmor ndërmjet datës 20-21 prill 2015, por kanë pasur sjellje korrekte me të zënët rob, nuk i kishin keqtrajtuar, madje kishin bërë edhe selfie dhe ishin sjellë shumë mirë me ta. Lidhur me këtë aksion, Mirsad Ndrecaj – Komandant NATO, njëri ndër drejtuesit e këtij grupi, pas spekulimeve të shumta për autorësinë e kryesve të aksionit, iu kishte drejtuar opinionit me një letër publike, duke sqaruar se “këtë aksion nuk e ndërmorën njerëzit e Gruevskit, por luftëtarët më të mirë të luftës së vitit 2001”. Kjo tregon qartë se nuk ka pas ndonjë fshehtësi apo konspiracion të madh. Ata qëllimin e tyre e bëjnë të qartë për secilin edhe në komunikimet e tyre në rrjetet sociale, se për çka bëhet fjalë. Jo tamam një javë pasi kishte ndodhur rasti i Gushincës dhe ishte bërë publike komunikata e Mirsad Ndrecajt, i cili tregoi se kush qëndron prapa aksionit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, më 27 prill, erdhi në Kosovë, ku zhvilloi takime me shumicën e liderëve politikë të Kosovës, në përjashtim të mikut të tij të vjetër Ramush Haradinajt. Sipas medieve vendore, Ali Ahmeti u kishte dhënë liderëve kosovarë një listë me emrat e njerëzve të mundshëm të implikuar në problemet në Maqedoni apo edhe mund të ketë biseduar për strategjitë e reja të proceseve politike në të cilat ka hyrë Ballkani! Përplasjet politike dhe destabiliteti politik në rajon kohëve të fundit ka ardhur si pasojë e rreshtimeve të reja dhe rirreshtimeve, një pjesë duke e mbështetur influencën ruse në rajon e pjesa tjetër i kanë qëndruar besnikë asaj amerikane. E gjithë kjo po bëhet në emër të ruajtjes së stabilitetit në pjesën perëndimore të rajonit.
Edhe përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve, në këtë mes një gjë dihet botërisht: Maqedonia e ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë dhe të qytetarëve të tjerë. Kryeministri Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë është dokumentuar para botës nëpërmjet publikimeve të audio-regjistrave se janë të përfshirë në krim, korrupsion, raste të montuara politike, madje edhe në fshehjen e vrasjeve të porositura, si rasti “Monstra” dhe rasti i Kumanovës. Si pasojë e kësaj ai u detyrua që t’i largojë dy ministrat më të përfolur të këtyre aferave, ministren e brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski si dhe shefin e policisë sekrete Sasho Mijalkovin (drejtor i Sigurisë dhe Kundërzbulimit – DBK), i cili ishte ombrella e të gjitha proceseve antishqiptare në Maqedoni. Ai kishte kontroll të plotë mbi gjykata, polici dhe institucionet tjera shtetërore. Të tre këta u detyruan të japin dorëheqje. Për t’i realizuar gjithë këta skenarë, e përdorën edhe mbështetjen e Rusisë.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka dalë haptazi në krah të qeverisë së Nikolla Gruevskit, i cili ka kohë që po mbështetet nga qarqet e fshehta të Unionit Ortodoks dhe të Aleancës Ortodokse, e cila funksionon si e tillë që në fillim të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Instrumentë të këtyre mekanizmave me dashjen apo pa dashjen e tyre janë bërë edhe Ali Ahmeti, Menduh Thaçi e disa liderë të tjerë shqiptarë. Madje ky i fundit pamë t’i betohej Mijalkovit për besnikëri deri në vdekje! Klasa politike shqiptare në Maqedoni, veçanërisht ajo parlamentare (pozitë e opozitë) në përgjithësi është gllabëruar nga këta mekanizma. Prandaj kërkohen lëvizje të reja politike në Maqedoni, siç kanë kërkuar edhe socialistët europianë, opozita, të rënët në Kumanovë dhe populli në përgjithësi. Lëvizja për reforma ka filluar dhe ajo nuk do të ndalet. Maqedonia do të jetojë në një ambient demokratik, vetëm duke i respektuar të drejtat e popujve shtetformues dhe komuniteteve të tjera që jetojnë aty.
Qeveria e Gruevskit dhe klasa politike në pushtet, e ndihmuar edhe nga aleancat e shteteve përreth ka kohë që janë vënë në mbështetje të betejës për gazsjellësin rus nëpërmjet të të cilit Rusia tenton ta shtrijë ndikimin në Europë dhe në Ballkan.
Në anën tjetër, Shqipëria si aleate amerikane është mbështetëse e projektit të gazit TAP. Në mesin e këtyre përplasjeve të mëdha, ku përfshihet i gjithë rajoni, ne duhet t’i zgjedhim dilemat shqiptare në konceptin e mjedisit gjeostrategjik të sigurisë. Proamerikanizmin, duhet vlerësuar maksimalisht, jo duke e konsideruar si kundërshtar ndaj europianëve, por si një element kyç të sigurisë në rajon. Rajoni ka nevojë për një prani amerikane më të shtuar për t’i ruajtur bilancet në këtë mjedis të trazuar. Duke parë zhvillimin e ngjarjeve të kohëve të fundit del se Ballkani është ende larg një paqeje të qëndrueshme. E për ta bërë këtë paqe më të qëndrueshme në Ballkan, si hap i parë është e domosdoshme t’u njihen të drejtat e plota shqiptarëve në Maqedoni. Elitat politike të atjeshme dhe institucionet relevante ndërkombëtare është mirë që këtë problem të ndjeshëm ta zgjidhin nëpërmjet komunikimit, dialogut dhe jo nëpërmjet përleshjeve e luftërave lokale.
Një gjë e tillë u dëgjua edhe nga socialistët europianë në protestën paqësore të mbajtur në Shkup pas rastit të Kumanovës, të cilët dërguan mesazhe për paqe, drejtësi e solidaritet. Po ashtu socialistët europianë para mijëra e mijëra protestuesve kërkuan gjyqësor të pavarur, media të lira, institucione demokratike, luftim të korrupsionit etj., që ishin kërkesa deri-diku edhe të luftëtarëve të vrarë në luftën e Kumanovës.
Secili prej nesh është i bindur, siç është e bindur edhe vet qeveria kriminale e Gruevskit, se këtë luftë e ka humbur, prandaj çdo rezistencë e mëtutjeshme për ta mbajtur pushtetin përmes mekanizmave diktatorialë dhe dhunës që po ushtrohet, e vënë këtë qeveri para përgjegjësive të rënda juridike e gjyqësore, e cila edhe ashtu herët a vonë duhet të përgjigjet për krimet dhe terrorin e vazhdueshëm shtetëror që është duke ushtruar ndaj shqiptarëve.
Qeveria e Maqedonisë, Serbia dhe qarqet tjera pro-maqedonase kanë pyetur se si qenka e mundur që në Kosovë të organizohen formacione paraushtarake, të cilat kanë për qëllim të veprojnë në Maqedoni. Ata dashkan të mësojnë se cilat qenkan motivet e këtij grupi, kush qëndruaka prapa tij dhe cila ka qenë agjenda e këtij grupi.
Pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe pavarësimit të etniteteve që e kishin formuar këtë shtet mbetën të pazgjidhura edhe disa çështje si ajo e Vojvodinës, e shqiptarëve të Kosovës Lindore, e shqiptarëve në Mal të Zi, e atyre në Maqedoni dhe çështja e Sanxhakut të Pazarit të Ri, Republikës Serbe në Bosnjë etj., të cilat kanë mbetur tema të nxehta edhe më tutje.
Serbia flet dhe akuzon për shkuarjen e shqiptarëve të Kosovës në Maqedoni, por harron se është vet ajo që e ka formuar artificialisht një Republikë Serbe në Bosnjë! Serbia është ajo që edhe sot e kësaj dite ka ndikim absolut në Mal të Zi, edhe pse është shtet i pavarur! Serbia është ajo që po i përdorë të gjitha mjetet për ta rivendosur ndikimin në Kosovë! Edhe pse Kosova është shtet i pavarur, në kushtetutën e Serbisë edhe sot e kësaj dite është pjesë integrale e saj! Serbia është ajo që në Vojvodinë, Sanxhak të Pazarit të Ri dhe në Kosovën Lindore në mënyrë sistematike po bën trysni e shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, duke ua mohuar këtyre komuniteteve të drejtat elementare! Serbia është ajo që edhe më tutje në Maqedoni e bën ligjin sikur të ishte pjesë e Serbisë!
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e këndej, në disa pjesë të Kosovës veprojnë grupe paramilitare serbe, të cilat që nga ajo kohë e deri më tani përveç akteve të tjera terroriste e kriminale për destabilizimin e vendit, kanë keqtrajtuar e përndjekur nga shtëpitë e veta mijëra qytetarë shqiptarë, kanë plagosur dhjetëra të tjerë, kanë vrarë e masakruar mbi 100 shqiptarë, në mesin e tyre ka pasur raste kur i kanë vrarë edhe disa joshqiptarë për t’ua lënë fajin shqiptarëve, por ka pasur të vrarë edhe nga radhët e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare. Këto grupe paramilitare serbe që veprojnë në Kosovë kanë ndërmarrë mbi 400 aksione të ndryshme në brendi të territorit të Kosovës së pavarur. Edhe pse është e dëshmuar se këto grupe janë të dirigjuara direkt nga Beogradi zyrtar, Serbia asnjëherë nuk është përgjigjur për veprimtarinë e tyre terroriste në shtetin fqinj – Republikën e Kosovës.
Shqiptarët në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore janë dëbuar me dhunë nën orkestrimin e aparatit shtetëror, i cili ka angazhuar njerëz për t’i kryer këto veprime dhe ka financuar maksimalisht në këto projekte. Kjo ka bërë që shqiptarët në mënyrë vullnetare të detyrohen ta mbrojnë njëri-tjetrin, ta mbrojnë vetveten dhe të drejtat e tyre të garantuara me konventa ndërkombëtare, sikurse edhe për popujt tjerë të Evropës. Prej shekujsh shqiptarët nga Serbia nuk kanë njohur asgjë tjetër pos ekspansioneve në kurriz të tokave shqiptare.
Lidhur me rastin e Kumanovës njëra ndër pyetjet e shpeshta që po iu bëhet gazetarëve, publicistëve, analistëve e pseudoanalistëve, njohësve të çështjeve të sigurisë, institucioneve të sigurisë etj., është: A ka pasë Qeveria e Kosovës dijeni për pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në konfliktin e Kumanovës?! Përgjigjen në këtë pyetje e kanë dhënë publikisht dhe në mënyrë të argumentuar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, të cilët kanë deklaruar për publikun se e kanë njoftuar vijën zyrtare me kohë për konfliktin e mundshëm të armatosur që mund të ndodhë në Maqedoni. Madje, AKI-ja ka pranuar publikisht se ka bërë dosje për pjesëtarët e grupit në fjalë! Kurse ministri Hyseni, menjëherë pas rastit ka deklaruar po ashtu për publikun se di gjithçka për rastin!
Janë absurde dosjet e publikuara të AKI-së për pjesëtarët që rezistuan në Kumanovë. Bastisjet e familjeve të pjesëtarëve të mundshëm të përfshirë në luftën e Kumanovës që i kreu policia e Kosovës, ende pa ditur familjarët e tyre asgjë për fatin e djemve të vet, është një veprim alogjik që ka të bëjë me përforcimin e teorive të shërbimit maqedonas se në problemin e Kumanovës është e përzier edhe Kosova. Kosova është shtet në ndërtim e sipër ku edhe më tutje sigurinë e kufijve e bën KFOR-i, ku Interpoli dhe disa departamente të policisë ndërkombëtare ende nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Pjesëtarë të këtij grupi del të kenë folur paraprakisht edhe me struktura të caktuara të të gjitha grupimeve politike në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e diasporë, për të marrë mendime për gjendjen e krijuar në Maqedoni. Një gjë dihet botërisht: grupi në fjalë nuk ka qenë i influencuar as i mbështetur nga asnjëra parti në Kosovë as në Shqipëri. Për veprimtarinë e grupit, ka pranuar se ka ditur gjithçka edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi. Se ka ditur për grupin e ka pranuar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili disa herë i ka pyetur ish-strukturat e UÇK-omit për ekzistimin e grupit, për kërkesat e këtij grupi dhe se a qëndrojnë prapa këtij grupi. Ai ka ditur në detaje për lëvizjet e këtij grupi, prandaj si bashkëpërgjegjës në koalicionin qeverisës në Maqedoni, duhet të tregojë më konkretisht në prononcimet e radhës se pse ka ndodhur lufta e Kumanovës, pse është zgjedhur pikërisht ky vend dhe si ndodhur Kumanova.
Prandaj, në këtë konspiracion kaq të madh kur çdo gjë dihet publikisht nga secili e nuk thuhet asgjë pasi ka ndodhur rasti, i cili është deformuar dhe devalvuar nga inskenimi i prapaskenave dhe lufta speciale e udhëhequr nëpërmjet medieve gjithandej, pasi që në rastin e Kumanovës, grupi i luftëtarëve shqiptarë nuk ka sulmuar, por kur janë sulmuar me të gjitha mjetet luftarake tokësore e ajrore, përfshirë edhe helmet luftarake, janë detyruar të mbrohen edhe pse në kushte ekstremisht të pabarabarta.
Maqedonia ndërmori këtë operacion terrorizues kundër lagjes shqiptare në Kumanovë ku u përdor arsenali më i sofistikuar i shtetit dhe metodat për ta mposhtur grupin ishin tepër bizare e të pa aplikuara ndonjëherë. Megjithatë, llogaritë nuk u dolën siç i kishin planifikuar. Vendi ku u zhvillua lufta e Kumanovës, “Lagjja e Trimave” pas mbarimit të luftës i ngjante një gërmadhe, që mund ta kishte shkaktuar jo dora e njeriut, por vetëm ndonjë fatkeqësi natyrore. Aty u përdorën artileritë e rënda, helikopterët, helmet, gazrat, zjarri… Aty janë shkelur të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare dhe janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat pa vonesë duhet t’i hetojë një komision i pavarur ndërkombëtar, që do të bëjë publike të vërtetën e plotë për Kumanovën.
Për shembull, monstrumi norvegjez Anders Behring Breivik, më 22 korrik të vitit 2011, në dy sulme të ndara terroriste në Norvegji (në sulmin me bombë në Oslo dhe në atë me armë në ishullin Utoja), vrau 77 persona dhe i plagosi 242 të tjerë, të gjithë të pafajshëm dhe prapë pas kësaj është negociuar me të. Ndërkaq, pjesëtarët e grupit të Kumanovës janë sulmuar për t’u vrarë pa kurrfarë paralajmërimi, janë sulmuar për t’u vrarë me paramendim, edhe pse asnjë mekanizëm ndërkombëtar euro-perëndimor nuk iu referua grupit me emërtimin “terrorist”, siç tentoi t’i akuzojë Maqedonia e mbështetur nga Rusia e Serbia.
Ka dyshime të bazuara se në sulmin sllavo-maqedonas kundër Lagjes së Trimave në Kumanovë, përveç njësive elite të policisë dhe një të tretës së forcave të përgjithshme të ushtrisë së Maqedonisë, të kenë marrë pjesë edhe njësitet e xhandarmërisë së Serbisë, trashëgimtare të njësisë famëkeqe për operacione speciale – JSO. Një gjë e tillë nuk është çudi, pasi që qysh para tri vitesh Maqedonia ka marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë në këtë drejtim.
Marrëveshjen për bashkëpunim policor ndërmjet Serbisë e Maqedonisë e nënshkruan zyrtarisht më 18 prill të vitit 2012, në Beograd, homologët nga MPB e Maqedonisë dhe e Serbisë, Gordana Jankullovska dhe Ivica Daçiq. Përveç shkëmbimit të patrullave policore të të dy vendeve me territore gjatë sezonit veror, marrëveshja serbo-maqedonase parasheh që të shkëmbejnë policë edhe në situata të caktuara, si ato të rrezikut të lartë. Marrëveshje të ngjashme bashkëpunimi në fushën e sigurisë ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Jankullovska, kishte nënshkruar edhe me Federatën Ruse, përkatësisht me homologun e saj rus, Rashid Nurgaliev, më 27 tetor 2011, në Moskë.
Ka vite që Maqedonia është duke u përplasur mes Lindjes e Perëndimit, por realisht kohëve të fundit ajo është pozicionuar në anën e Rusisë dhe kundër Perëndimit.
Gjatë kohës kur filloi lufta në Kumanovë, pikërisht më 9 maj, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov bashkë me homologun e tij serb Tomisllav Nikoliq gjendeshin në Moskë, bashkë me trupat ushtarake serbe e maqedone për të marrë pjesë në paradën ruse. Këta ishin të vetmit nga rajoni dhe bota perëndimore që u pozicionuan në anën e Rusisë në kohën e acarimit të marrëdhënieve Perëndim-Rusi, kur pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shteteve perëndimore e refuzuan ftesën e Putinit.
Në rastin e Kumanovës, siç është marrë vesh, kanë qenë të përziera edhe shërbime të huaja inteligjente, të cilat kuptohet se i kanë interesat dhe qëllimet e tyre, por në këtë rast, më shumë i kanë shërbyer Sasho Mijalkovit, i cili ka përfituar nga loja që e ka luajtur me shërbimet partnere në rajon dhe në vendet fqinje. Në përkrahje të Sasho Mijalkovit kanë qenë edhe shërbimet sekrete serbe dhe ruse, të cilat ishin influencuese dhe me ndikim tek shërbimi sekret i inteligjencës maqedonase. Kjo qasje e Mijalkovit është vërejtur të jetë një lloj mospërfillje apo shantazhi ndaj Perëndimit.
Maqedonia është treguar të jetë shtet tepër joserioz, shtet i paaftë, i rrezikshëm dhe mjaft agresiv, i influencuar nga Rusia dhe Aleancat Ortodokse, gjë që përbën rrezik potencial për rajonin e më gjerë. Si e tillë, Maqedonia i ka shkelur të gjitha rregullat, konventat dhe ligjet ndërkombëtare vetëm e vetëm për t’i realizuar qëllimet dhe skenarët kundër shqiptarëve.
Forcat e sigurisë, siç u mësua më vonë, ishin të parapërgatitura për aksionin në Kumanovë, sepse një përgatitje e tillë nuk mund të ndodhë vetëm brenda pak orësh. Së paku, ku e ditën forcat e sigurisë lokacionin, vendin, pozicionet, vendndodhjen e tyre, ku janë të vendosur, me çka janë të pajisur etj. Këto të dhëna, shërbimi sekret i Maqedonisë del t’i ketë pasur me kohë dhe operacionin e ka përgatitur me kohë. Përgjegjësit e sigurisë në Maqedoni nuk kanë dashur të vendosin kontakte me pjesëtarët e grupit për të negociuar, siç ndodhë zakonisht në raste të tilla në mbarë botën e civilizuar. Shërbimet sekrete maqedonase kanë pasur të dhëna se në Kumanovë gjenden disa prej ish-luftëtarëve, të cilët e kanë udhëhequr luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në vitin 2001, ku si rezultat i asaj lufte ishte arritur edhe Marrëveshja e Ohrit, me të cilën shqiptarëve u njihej e drejta e shtetformimit, por që kjo marrëveshje nuk është zbatuar as pjesërisht. Pastaj, si rezultat i luftës dhe i përpjekjeve të atyre luftëtarëve dhe të tjerëve si ata, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ka arritur në pozitat udhëheqëse që i ka, dhe ishte pjesë e pushtetit ekzekutiv edhe kur ndodhi rasti i Kumanovës.
Në fakt, këto rrethana është dashur që të merren parasysh për të filluar bisedimet me grupin, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Vendi ku kanë qenë duke qëndruar pjesëtarët e grupit të Kumanovës, del të jetë rrethuar shumë më përpara se të fillonte sulmi kundër tyre. Këtë e kanë konfirmuar shumë dëshmitarë okularë të ngjarjes të intervistuar më pas. Po ashtu ka shumë dilema dhe duket si një teatër videoja e publikuar nga MPB e Maqedonisë, me skenat e dorëzimit të Sami Ukshinit dhe të tjerëve (mbase është inskenuar më vonë si e tillë) si dhe bisedat telefonike të zhvilluara ndërmjet Sami Ukshinit dhe Muhamet Krasniqit me Ali Ahmetin për t’ua hapur korridorin apo për t’u dorëzuar me ndërmjetësimin e OSBE-së, e cila është treguar tepër indiferente në këtë rast, edhe pse OSBE-ja ka përvoja të mëdha sa u përket negocimeve. Por, mbase një veprim i tillë ka ardhur pasi që kryesimin e OSBE-së e ka Serbia, pra në krye të saj është Ivica Daçiq, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.
Lidhur me këtë, ndërmjet deklaratave të luftëtarëve që kanë biseduar me Ali Ahmetin dhe intervistave televizive të tij lidhur me këtë rast, ka shpërputhje të plotë. Dikush ka hedhur benzinë në gjithë këtë situatë. Grupi i luftëtarëve të Kumanovës muaj më parë ishte në dijeni të plotë për krizën që e kishte pllakosur Maqedoninë, gjë që doli në pah edhe me skandalet e përgjimeve. Ata sigurisht kanë pretenduar ta shfrytëzojnë këtë situatë për t’i shpalosur kërkesat e tyre, duke u ngritur kundër padrejtësive që po u bëhen shqiptarëve në Maqedoni me vite. Cak i tyre në asnjë rast nuk ka qenë popullsia civile, por institucionet dhe qeveria e kriminalizuar. Një gjë e tillë është thënë edhe në disa komunikata e deklarata që janë lëshuar nga Mirsad Ndrecaj dhe disa të tjerë, prandaj është absurde të mendohet se ata më përvojën që kishin e kanë zgjedhur si vendbetejë Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Shtrohet pyetja: Pse u ndryshua numri i viktimave në luftën e Kumanovës?! Qeveria e Maqedonisë ka manipuluar me shifrat dhe me emrat e të vrarëve që në fillim. Fillimisht autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i përgjithshëm i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur. Kurse Prokuroria Publike e Maqedonisë për “Radion Evropa e Lirë” disa ditë më vonë tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 trupa të vrarë, 9 shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Maqedonisë. Manipulimin me numrin e të vrarëve e vërteton edhe dokumenti i lëshuar nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë që i është dorëzuar Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup, më 12 maj, i publikuar edhe në televizionin Alsat-M. (Dokumenti i publikuar i MPJ të Maqedonisë, i datës 12 maj 2015, i cilësuar “shumë urgjent” me nr. protokolli 4012-14945/3 i është dorëzuar Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup në të njëjtën ditë dhe mban nr. e protokollit të pranimit të shkresës 73/2015 dhe datën 12.5.2015). Nëpërmjet këtij dokumenti njoftohet Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup për incidentin e shtetasve të saj të arrestuar gjatë aksionit policor në Kumanovë më 9 maj. Në këtë shkresë zyrtare qëndrojnë emrat e 23 shtetasve të Kosovës, tre prej tyre të përsëritur nga dy herë, dhe po ashtu në mesin e personave “të privuar nga liria”, sipas këtij dokumenti zyrtar janë edhe dy shtetas, të cilët më vonë rezultuan si të vrarë, pra janë ekzekutuar në burgje.
Rrethanat e dorëzimit të disa pjesëtarëve të rezistencës në Kumanovë kanë mbetur edhe sot të dyshimta. Disa janë dorëzuar në mbrëmje e janë të ekspozuar se janë dorëzuar gjatë ditës. Për këto ekzistojnë të dhëna të bollshme.
Shërbimi sekret maqedonas i ka shkatërruar dëshmitë dhe provat që mund të dalin nga ekzaminimi i trupave të luftëtarëve të rënë në Kumanovë. Lidhur me këtë ka qenë mirë ta japë fjalën e vet Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës, ngase sipas informacioneve të saktësuara nga Shkupi kjo ka ndodhur. Prandaj, është mirë të dilet në opinion me raportin objektiv pse ka ndodhur kjo dhe cilët janë shkaktarët e vdekjes së tyre. Deri më tani shumë gjëra kanë mbetur enigmatike, të mistershme dhe të pasqaruara. Në gjithë këtë vorbull të madhe ku teoritë e konspiracionit gjetën fushë të përshtatshme veprimi për ta devijuar dhe manipuluar këtë ngjarje të madhe. Elitat politike shqiptare në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri u treguan të paafta për ta menaxhuar këtë situatë, për ta nxjerrë në pah realitetin dhe për t’i dhënë kahjen e duhur, përderisa të gjitha instancat ndërkombëtare perëndimore kishin mendim të peshuar sa i përket ngjarjes së Kumanovës.
Këto vrasje nuk janë te vetmet që janë kryer me paramendim ndaj shqiptarëve. Që nga viti 2001 e këndej janë ndërmarrë mbi 50 ekspedita policore e ushtarake ndaj popullsisë shqiptare që jeton në Maqedoni. Janë arrestuar, burgosur e dënuar edhe me burgime të përjetshme me fakte të montuara pjesa më e fuqishme e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Janë vrarë në prita në rrethana të pasqaruara deri më sot, nga policia dhe shërbimet sekrete të Maqedonisë djemtë më të mirë. Shtypja që pushteti maqedonas po e aplikon ndaj shqiptarëve në Maqedoni, është më e egër se në kohën e inkuizicionit. Në Maqedoni shqiptarët kanë pasur dhe kanë shumë arsye të protestojnë e në fund të fundit t’i drejtohen edhe forcës së armëve për t’i kërkuar të drejtat e tyre, sepse janë nëpërkëmbur dhe diskriminuar në të gjitha segmentet e jetës.
Disa nga pjesëmarrësit në luftimet në Kumanovë ishin pjesëmarrës edhe në luftimet e Brodecit (7 mars 2007), ku edhe në atë rast Maqedonia përdori gjithë potencialin ushtarak, ku u vranë 6 shqiptarë dhe u arrestuan 13 të tjerë, kurse tre të tjerë që ishin në Brodec, u likuiduan nga forcat maqedonase ditëve në vijim derisa gjendeshin në arrati. Duhet përmendur këtu se paraprakisht nga burgu i Dubravës ishin arratisur disa të burgosur, të cilët më pas shkuan në Brodec. Ngjarja e Brodecit kaloi pa bujë të madhe, edhe pse ndaj gjithë fshatit u aplikua terrorizëm i paparë shtetëror. Edhe në këtë kohë, pas luftimeve në Kumanovë, është përfolur se disa persona nga grupi i Kumanovës paskan pasë planifikuar ta thyejnë burgun e sigurisë së lartë në Gërdofc të Podujevës, kinse për të liruar dy të burgosur të cilët paskan pas planifikuar që prej andej të shkojnë në Siri! Sinqerisht, as nuk është e ndershme, as nuk është profesionale as nuk na ka hije të tërheqim paralele të tilla të paqëndrueshme. Lufta që u bë në Kumanovë, ndonëse në rrethana tepër të pabarabarta, ku ranë dhjetë dëshmorë, nuk kanë asgjë të përbashkët me luftërat fetare në Siri e në vendet tjera të Lindjes. Tërheqja e paraleleve të tilla mund të jetë dëshirë apo tendencë e ndokujt, por realiteti është krejtësisht ndryshe.
Po ashtu, vrasja që ndodhi te Liqeni i Smilkovcit, i cilësuar si rasti “Monstra” ku u vranë pesë të rinj maqedonas e për vrasjen e tyre u fajësuan dhe u dënuan shqiptarët e pafajshëm, madje organet maqedonase tentuan ta paraqesin edhe si “vepër të trajnuesve të Lindjes”, tani është dëshmuar katërcipërisht se ishte vepër e shërbimeve sekrete maqedonase, madje dëshmitë e fundit bëjnë të ditur se njëri nga të vrarët ishte dëshmitar i rëndësishëm i Hagës në procesin gjyqësor kundër Ministrit të Mbrojtjes së Maqedonisë. E kësaj kategorie është edhe ngjarja e 26 shkurtit të vitit 2004, ku pas rrëzimit të aeroplanit humbi jetën presidenti i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski dhe delegacioni tre anëtarësh i Maqedonisë, i cili kishte udhëtuar për në konferencën ndërkombëtare në Mostar të Bosnjë e Hercegovinës. Në këtë “aksident” patën humbur jetën nëntë veta.
Sulmi në Kumanovë ka qenë ndërhyrje ushtarake e jo policore. Në Kumanovë Maqedonia e promovoi forcën e vet ushtarake, në të njëjtën ditë me promovimin e forcës ushtarake që e bëri Federata Ruse në Moskë, në Ditën e Europës. Kjo situatë është shqetësuese për rajonin dhe shqiptarët e Maqedonisë në përgjithësi. Sulmi kundër shqiptarëve në Kumanovë edhe një herë nxori në pah urrejtjen patologjike e të papërmbajtshme të pushtetit maqedonas ndaj shqiptarëve. Kjo tregon edhe një herë se në Maqedoni duhet të fillojnë ndryshimet që janë të domosdoshme për ekzistimin apo mosekzistimin e Maqedonisë. Pushtetarët në Maqedoni edhe më tutje këtë ngjarje po tentojnë ta mbajnë në errësirë, duke i dhënë konotacione të ndryshme. Pas proklamimit të gjithë asaj se çka u ka bërë Gruevski shqiptarëve, qëndrimi në një qeveri me të është absurd, ashtu siç është absurd mosdistancimi i liderëve shqiptarë të atjeshëm nga orientimet proruse të Maqedonisë, kur dihen përcaktimet properëndimore të shqiptarëve si komb. Historikisht shqiptarët sa herë që janë shitur, fatkeqësisht janë shitur nga përfaqësuesit e tyre legjitim.
Në rastin e Kumanovës, shteti i Maqedonisë nuk i ka respektuar të drejtat e njeriut sipas standardeve ndërkombëtare, të dorëzuarit janë keqtrajtuar brutalisht. Ka dyshime të bazuara se disa prej tyre janë ekzekutuar pasi janë dorëzuar, janë ekzekutuar në burgje. Mostrasparenca e autoriteteve të Maqedonisë në këtë rast edhe në rastet tjera të mëhershme ka qenë e madhe. Nuk dua ti paragjykoj këto raste, por kjo ka qenë diçka e dukshme. Dhe kjo ndodh, vetëm në rastet kur viktima janë shqiptarët, sepse në të kundërtën një gjë e tillë nuk do të ndodhte.
Prandaj, duhet ta padisim Maqedoninë për ekzekutime pa gjyq të shqiptarëve që u vranë në Kumanovë. Nëse këtë nuk e bën shteti i Kosovës, këtë duhet ta bëjnë familjarët e të vrarëve dhe të burgosurve në Kumanovë e ne të gjithë duhet t’i mbështesim.
Dihet botërisht se grupi që ka luftuar në Kumanovë nuk ka qenë i manipuluar, siç po e etiketojnë. Ata sot kanë luftuar për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, ashtu siç kanë luftuar për të drejtat e tyre edhe në vitin 2001. Shumica prej tyre kanë qenë njerëz të dëshmuar pothuajse në tri ushtritë tona çlirimtare: UÇK, UÇPMB, UÇK-om, në të cilat kishin fituar plagë në shtat, ndjekje, burgosje, po kurrë nuk janë nënshtruar. Ata e kanë vazhduar misionin e tyre që ia kishin dhënë vetes. Ata kanë pasur një ideal të pathyeshëm, kanë qenë njerëz të sakrificës, njerëz që, siç e kanë bërë publike edhe vet, i përulen vetëm Zotit e Atdheut dhe se nuk ndalen para padrejtësive pa i fituar të drejtat e mohuara të kombit të vet!
Luftën në Kumanovë e bënë djemtë më të spikatur, pjesëtarë të tri luftërave, që e kishin fituar përvojën e komandosëve. Nuk janë persona anonimus, ata kanë qenë për shumë vite shokë të Ali Ahmetit, ani pse ai tash nuk i pranon si të tillë. Ata e kanë sjellë Ali Ahmetin në pushtet, e kanë mbrojtur dhe e kanë siguruar në kohërat më të vështira. Ata janë që e kritikuan ashpër vazhdimisht, atëherë kur u bindën se Ali Ahmeti i ka devijuar parimet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ani pse ai nuk e pranon. Ata ishin njerëzit me ndikim që e fituan luftën e vitit 2001. Gjaku i tyre nuk do të humbë kurrë. Thonë se pranvera nuk çelë me një a dhjetë lule, por me to niset e të tjerat çelin më pas. Të rënët në Kumanovë janë varrosur me nderime të larta gjithëpopullore e ushtarake që nuk mbahen në mend në varrezat e dëshmorëve të kombit në Gllogjan e Prishtinë, sepse kanë qenë pjesëtar të UÇK-së, UÇPMB-së, UÇK-omit.
Është mirë që kjo qeveri apo ajo që vjen më pas urgjentisht ta bëjë lirimin e të gjithë të burgosurve shqiptarë që janë pre e montimeve të shërbimeve sekrete maqedonase, siç është vërtetuar edhe nga afera e përgjimeve dhe menjëherë të dëmshpërblehen për torturat dhe qëndrimin e tyre të pafajshëm në burgje. Të gjithë të vrarëve që nga viti 2001 e këndej, që janë pre e këtyre proceseve t’u rregullohet statusi dhe fëmijët e tyre dhe familjet të marrin kompensim të përhershëm.
Maqedonisë i duhet e vërteta se çka po ndodhë me shqiptarët atje. Kjo e vërtetë i duhet edhe Kosovës, i duhet Shqipërisë e botës së qytetëruar. Kosova dhe Maqedonia sikurse edhe Kosova Lindore janë të përziera territorialisht e familjarisht. Regjioni i Karadakut që shtrihet në tri shtete, të gjithë janë me lidhje të pashkëputura familjare, prandaj kufijtë administrativë nuk mund t’i ndajnë. Ndaj, ligji i miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili e ndalon përfshirjen e shtetasve të Kosovës në luftërat e huaja, vlen për Siri e vende të largëta dhe nuk mund të vlejë për hapësirën e trojeve shqiptare.
Në Kumanovë nuk ka pasë luftë etnike, ajo luftë është bërë për t’i ridizajnuar të drejtat e shqiptarëve. Pas Luftës së Kumanovës, ka vdekur përfundimisht Marrëveshja e pa jetësuar e Ohrit (2001) dhe çdo gjë duhet të nisë prej fillimit në Maqedoni. Edhe përkundër tendencave për formimin e një qeverie teknike, edhe përkundër përpjekjeve për ta krijuar një realitet të ri nuk do të ketë sukses, sepse një gjë e tillë nuk bëhet me njerëzit e vjetër, me njerëzit e kriminalizuar që e sollën Maqedoninë në këtë gjendje. Këto shtresa janë njerëz të harxhuar, me botëkuptime të tejkaluara diktatoriale e kriminale, njerëz të shantazhuar e të nënshtruar të shërbimeve, të korruptuar skajshmërisht, mashtrues të popullit dhe elektoratit të tyre. Dikush nga drejtuesit e Maqedonisë duhet të përgjigjet para drejtësisë për rastin e Kumanovës. Kriza në Maqedoni nuk do të zgjidhet pa aprovimin dhe njohjen e plotë të të drejtave të shqiptarëve, pa pjesëmarrjen në pushtet si popull shtetformues. Maqedonisë i nevojiten përfaqësues të vërtetë të popullit, i nevojitet shteti i së drejtës dhe zbatim i barazisë së plotë të shqiptarëve si popull shtetformues. Shqiptarëve u nevojiten përfaqësues legjitimë që posedojnë veti dhe edukim të lidershipit të mirëfilltë, që mund të bëjnë ndryshime pozitive të qasjeve ndaj prioriteteve esenciale shoqërore dhe kombëtare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fation mehmetaj, lufta e kumanoves, zhgenjimi shqiptar

KUFIZIMET, SFIDAT DHE PROBLEMET ME LIRINË E LËVIZJES NË TERRITORIN E KOSOVËS

February 4, 2015 by dgreca

Nga Faton Mehmetaj*/
Liria e lëvizjes është pjesë e garantuar me Kushtetutë tek ne, në shtetet e Europës dhe të botës, është një normë ombrellë që përfshinë më vete shumë traktate e konventa, që garantojnë dhe sigurojnë lirinë e lëvizjes.
Pa liri të lëvizjes nuk ka shtet funksional. Cenimi dhe bllokimi i lirisë së lëvizjes e cënon sovranitetin e vendit. Ndërkaq, cënimi i sovranitetit ngërthen në vete probleme shumë më komplekse, ku mund të implikohen mekanizma të shumtë duke i përfshirë edhe ata ndërkombëtarë. Mosfunksionimi i lirisë së lëvizjes haset tek shtetet e dobëta, apo që janë në shtetndërtim e sipër, siç është rasti i Kosovës. Edhe tema ime, “Kufizimet, sfidat dhe problemet me lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës”, trajton problemet e lirisë së lëvizjes brenda territorit të Kosovës, vështirësitë që ka Kosova me lëvizjen e lirë, faktorët që determinojnë në pengimin e lëvizjes së lirë, rolin e KFOR-it, të EULEX-it dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë, në sigurimin e lirisë së lëvizjes e çështje të tjera që e plotësojnë këtë temë në tërësi.
Që nga viti 2000 e gjer më sot, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme me lirinë e lëvizjes në disa pjesë të saj. Nuk do të hyj në detaje se a është përmirësuar liria e lëvizjes që nga ajo kohë apo jo, por nga hulumtimet që kam bërë në këtë punim del se problemet me lirinë e lëvizjes janë evidente edhe sot e kësaj dite në shkallë mjaft të lartë.
Në Kosovë problemet me lirinë e lëvizjes i ka komuniteti shumicë – shqiptarët, të shkaktuara nga pjesëtarë të minoritetit serb që jetojnë në Kosovë, të cilët fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar.
Fillimisht po përmendi Mitrovicën, që është rast i veçantë ku liria e lëvizjes për qytetarët shqiptarë në disa pjesë është e bllokuar pothuajse tërësisht që nga viti 2000 e këndej.
Pos problemit akut me pengimin e lirisë së lëvizjes në Mitrovicë, problem tjetër i kufizimit të lirisë së lëvizjes janë vendbanimet me shumicë serbe – enklavat, ku liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët e komuniteteve të tjera nuk është e nivelit të kënaqshëm. Zakonisht qytetarët shqiptarë ndihen të frikësuar dhe nuk lëvizin nëpër vendbanimet me shumicë serbe.
Sa për ilustrim po përmendi këtu marsin e vitit 2004, ku për ditë të tëra serbët kishin bllokuar rrugën në Çagllavicë, kinse për shkak të plagosjes së një qytetari serb. Pastaj, kishte ndodhur mbytja mizore në lum e tre fëmijëve shqiptarë të Çabrës në lumin Ibër dhe një varg problemesh të tjera, që e ngritën në këmbë tërë popullatën shqiptare që për shumë kohë e vështirësoi lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës. Ky është një ndër shembujt më konkretë që tregon se nëse teprohet me pengimin e lëvizjes së lirë cilat mund të jenë pasojat.
Përveç këtyre, liria e lëvizjes është e kufizuar edhe në hapësirat territoriale që iu kanë dhënë disa manastireve ortodokse në Kosovë, që tashmë njihen si “eksterritore”.
Ndër problemet serioze që Serbia i ka shkaktuar Kosovës në aspektin e lirisë së lëvizjes është mosnjohja dhe mospranimi i dokumentacionit të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur nëpër territorin e saj për në shtetet e ndryshme të Europës e botës. Pengesat fillestare të Serbisë në këtë drejtim janë bërë për arsye se Serbia nuk i ka pranuar dokumentet e Kosovës si valide. Kjo ka sjellë pengesa të mëdha në fushën e sigurisë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Me këtë rast qytetarët e Kosovës, sidomos shqiptarët janë përballur me sfida dhe probleme nga më të ndryshmet, të shkaktuara nga Qeveria e Serbisë. Të njëjtat probleme Serbia i ka shkaktuar edhe me refuzimin e tabelave të veturave të Kosovës ku qytetarët e Kosovës janë përballur me probleme të lëvizjes së lirë.
Një dimension tjetër ku liria e lëvizjes është e kufizuar, janë fshatrat e brezit kufitar përgjatë kufirit me Serbinë, Maqedoninë e Malin e Zi. Një pjesë e konsiderueshme e fshatrave shqiptare që gjenden në afërsi të kufirit me Serbinë u janë ekspozuar ekspeditave të vazhdueshme të xhandarmërisë serbe që hyn në brendi të territorit të Republikës së Kosovës pa kurrfarë pengese.
Edhe pse qytetarët shqiptarë të fshatit Karaçevë dhe të fshatrave të tjera përreth kanë bërë protesta të vazhdueshme, kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në fshat, duke e njoftuar edhe KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, problemi i tyre nuk është zgjidhur asnjëherë. Nga presionet e xhandarmërisë serbe, e cila ka shkaktuar pasiguri në masë, pengesat që u ka shkaktuar qytetarëve të kësaj ane për të lëvizur lirshëm në vendin e tyre dhe presionet e tjera të vazhdueshme i kanë detyruar të shpërngulën nga ky fshat mbi 135 banorë. Nga presionet e xhandarmërisë, banorët e këtyre fshatrave po shpërngulen çdo ditë, dhe shumë shpejt kjo pjesë mund të mbetet e pabanuar, apo me shumë pak banorë, siç ka ndodhur edhe me mbi 50 fshatra në Kosovë që janë mbetur pa banorë apo me shumë pak banorë në hapësira të ndryshme kryesisht kufitare.
Pak a shumë pengesa në lirinë e lëvizjes kemi edhe në disa fshatra të Gorës, në të cilat janë formuar struktura paralele, të influencuara nga qeveria e Serbisë. Me mungesën e lëvizjes së lirë janë përballur dhe po përballen edhe një pjesë e banorëve shqiptarë që jetojnë brenda enklavave serbe. Që nga viti 2000 e gjer në ditët e sotme, me mungesën e lirisë së lëvizjes janë përballur edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-i, UNMIK-ut, OSBE-së e të mos flasim për mekanizmat vendorë të sigurisë, si Policia e Kosovës, etj. Madje edhe pjesëtarët e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë shpesh janë bllokuar nga pjesëtarët e komunitetit serb, madje janë sulmuar fizikisht, por ka pasur edhe raste kur janë sulmuar edhe me armë zjarri, duke pasur edhe të vrarë e të plagosur në radhët e tyre. Ky fenomen e ka ndërlikuar shumë konceptin e lirisë së lëvizjes dhe të sigurisë në përgjithësi, ngase KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës etj., si garantues të lirisë së lëvizjes dhe të sigurisë në përgjithësi nuk kanë mundur të japin garanci për lirinë e lëvizjes, sepse shpesh herë nuk kanë qenë as ata në pozita për ta siguruar as vetveten.
Përveç ofrimit të sigurisë nga ana e KFOR-it dhe policisë, është e domosdoshme që udhëheqësit kosovarë të ndërmarrin masa të qarta dhe të duhura për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha bashkësitë, duke i trajtuar njëlloj të gjithë penguesit e lirisë së lëvizjes, sepse kanë kaluar 15 vite e gjendja në rrafshin e lirisë së lëvizjes e shkaktuar nga segmentet që u përmendën më lartë asnjëherë nuk ka shkuar drejt përmirësimit.
Mendoj se për përmirësimin e kësaj gjendjeje duhet të bëhen studime, hulumtime, analiza, të merren mostra, të nxirren konkluzione, të bëhen udhëzime nga struktura të caktuara të ekspertëve ndërkombëtarë e vendorë për ta hartuar një platformë të zgjidhjes së këtij problemi njëherë e përgjithmonë.
*(Kjo kumtesë është paraqitur në Konferencën Shkencore: “Liria e Lëvizjes në Kosovë – Sfidat dhe kufizimet e brendshme dhe rajonale”, organizuar nga Lëvizja Europiane për Integrime Ndërshqiptare (LEIN), më 27 janar 2015, në Prishtinë).

Filed Under: Analiza Tagged With: Fation mehmetaj, Kosove, Kufizimet, liria e levizjes

NJË LIBËR I RRALLË, KU TRAJTOHEN çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë

September 20, 2013 by dgreca

Përkitazi me botimin e librit “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, i autores mr. Fetnete Ramosaj, botoi Instituti për Studime Gjeopolitike dhe Siguri, Prishtinë, 2013, 182 faqe. /

Nga Faton Mehmetaj*/

Ne Foto”Pamje nga promovimi i librit me 18 shtator 2013/

Libri i mr. Fetnete Ramosajt “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë” është një libër me tematikë të rrallë, pak të trajtuar nga studiues dhe hulumtues të ndryshëm vendorë e të huaj, sepse megjithatë konsiderohet si “temë e nxehtë”. Edhe përkundër kësaj, Ramosaj ka bërë një punë të shkëlqyer, në radhë të parë hulumtuese e mjaft argumentuese, duke e faktuar në mënyrë të përsosur veprimtarinë e këtyre organizatave në Kosovë. Faktikisht, libri është një përmbledhje e fakteve, e provave dhe e argumenteve, është një libër i dokumentuar që tregon në mënyrë kronologjike për aktivitetin e këtyre organizatave, të cilat datojnë qysh para 100 vjetësh e që janë aktive edhe sot, me shtrirje në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, por edhe në vende të ndryshme të Europës dhe të botës.

Edhe në këtë kohë kur rajoni po synon të integrohet në Unionin Europian, kur bota dhe Europa po bëjnë plane për një Evropë të bashkuar e unike, megjithatë organizatat ekstremiste dhe terroriste serbe, si një instrument shtetëror i Serbisë, vazhdojnë të veprojnë në Kosovë dhe në disa shtete të Europës e të botës. Përmendim këtu vetëm rastin e terroristit Breivik në Oslo të Norvegjisë, i cili deklaroi haptazi se për të kryer këtë akt është inspiruar nga organizatat sekrete serbe. Nga po të njëjtat organizata u vra ministrja e jashtme suedeze Ana Lind, pastaj gazetarja e BBC-së Jill Dando etj., për mbështetjen që i dhanë Kosovës, u vra edhe boshnjaku Shefko Sallkoviq në pjesën veriore të Kosovës etj. Duhet përmendur sulmet e njëpasnjëshme mbi popullatën civile, sukmet mbi strukturat politike serbe, që kanë kanë shfaqur çfarëdo shenje për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës, sulmet dhe vrasjet e policëve vendorë e ndërkombëtarë, sulmet e vazhdueshme me eksploziv, ku ka pasur edhe viktima, të plagosur dhe dëme të shumta materiale, vrasjet e vazhdueshme të civilëve shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Selver Haradinaj, në pjesën veriore të Mitrovicës, pastaj sulmet e organizuara kundër disa pikave doganore të Kosovës, duke mos e anashkaluar as sulmin e 17 marsit 2008, në të cilin u plagosën rëndë e lehtë 63 pjesëtarë të policisë së UNMIK-ut, 45 pjesëtarë të KFOR-it, dhe 70 protestues serbë. Ky sulm ishte përgatitur nga pjesëtarët e MUP-it dhe ushtarakët rezervë të ushtrisë së Serbisë.

Këto organizata vazhdimisht kanë bërë agresion ndaj Kosovës dhe pjesëve të caktuara të saj. Ishte pikërisht organizata e parë sekrete terroriste serbe me përmasa ndërkombëtare “Dora e Zezë” (“Crna Ruka”), që nëpërmjet degës së saj me veprim në Bosnjë “Mlada Bosna” (“Bosnja e Re”) organizoi vrasjen e Arkidukës Franc Ferdinandi, në Sarajevë, më 28 qershor 1914, për shkak se ai e kishte penguar daljen e Serbisë në Detin Adriatik. Kjo vrasje u mor si shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Duhet nënvizuar se në atentatin kundër Arkidukës Franc Ferdinand,  kishte marrë pjesë pos tjerëve edhe shefi i shërbimit zbulues-kundërzbulues të Ushtrisë Serbe dhe kryesori i “Dorës së Zezë”, koloneli Dragutin Dimitrijeviq – “Apis”-i dhe Vasa Çubrilloviqi, më vonë kryetar i Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe përpiluesi e disa elaborateve famëkëqija, në të cilat në detaje parashihej shfarosja e shqiptarëve.

Për të treguar pajtueshmërinë dhe lidhshmërinë historike me veprimtarinë e organizatave ekstremiste e terroriste sekrete e gjysmësekrete serbe që trajtohen në këtë libër, me iniciativën e Vuk Jeremiqit, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u këndua kënga “Marshi mbi Drin”, nën tingujt e të cilit 100 vjet me parë u vranë e u masakruan qindra mijëra banorë shqiptarë e popuj të tjerë të ish-Jugosllavisë.

Përderisa në njërën anë, në këtë kohë kur Europa dhe bota po na sugjeron t’ia shtrijmë dorën e pajtimit Serbisë e t’ia falim krimet e terrorin që e ka bërë mbi popullin shqiptar për më shumë se 100 vjet me radhë, në anën tjetër deri më tani në asnjë rast Serbia jo vetëm që nuk ka kërkuar falje, por po vazhdon të na terrorizojë, të na shantazhojë e diskreditojë me të gjitha mjetet, sikurse herëve të tjera, edhe përkundër marrëveshjeve të arritura, të cilat po i përdorë vetëm për të përfituar në kohë. Në këtë prizëm duhet parë edhe nismat e institucioneve më të larta të Serbisë për rehabilitimin e Drazha Mihajloviqit, Aleksandër Rankoviqit e të tjerëve, të cilët në vazhdimësi bënë krime mbi popullin shqiptar.

Në këtë libër argumentohet se nën orkestrimin e shërbimeve sekrete serbe, në pajtueshmëri të plotë edhe me elitat politike të cilat gjithnjë kanë qenë të koordinuara me Akademinë e Shkencave të Serbisë, janë planifikuar vrasjet e krerëve dhe prijësve të popullit shqiptar, duke filluar nga Hasan Prishtina, Shtjefën Gjeçovi, albanologu i shquar Millan Shuflaj, Nazim Gafurri, Ymer Berisha, Xheladin Hana, Halim Spahia, Enver Hadrit etj. Nga kjo strukturë janë bërë planet për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë nga trojet e veta, është bërë spastrimi i kohëpaskohshëm etnik nga popullsia shqiptare, nëpërmjet terrorit dhe gjenocidit që e kanë zhvilluar në kohë lufte apo edhe në rrethana të tjera. Me qëllime të tilla organizuan ndërrimin e dhunshëm të fesë tek shqiptarët, mbylljen e shkollave dhe burgosjet dhe vrasjet e intelektualëve në zë, mohuan kombësinë dhe autoktoninë e popullit shqiptar, ua uzurpuan pronat disa herë nëpërmjet “reformave agrare”, i burgosën të gjithë ata që patën guxim t’i ngritin çështjet kombëtare, shkruan qindra libra për ta tjetërsuar e mjegulluar të kaluarën dhe historinë e shqiptarëve, bënë gjithçka për të na e mohuar gjuhën dhe flamurin. Edhe sot pa ndryshuar në asnjë dimension Serbia i vazhdon politikat e veta ndaj Kosovës, pa kurrfarë korrigjimi edhe pse në luftën e fundit bëri tmerre të papara ndaj popullit shqiptar. Për këtë arsye me të drejtë, Hasan Prishtina, në artikullin me titull “Kush e sundon Jugosllavinë”, të botuar në gazetën “Kosova” (1933) thoshte se Jugosllavia ka qenë qysh në fillim shtet i sunduar prej shoqatash të fshehta terroriste. Pothuajse të gjitha këto organizata atëherë e sot, qëllim kryesor e kanë bashkimin e të gjitha territoreve që kishin pakica të kombësisë serbe në një shtet me Serbinë dhe serbizimin e tyre. Këto organizata atëherë e sot janë përpjekur për aneksimin e Kosovës, Maqedonisë, Vojvodinës, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe tërë bregdetit Adriatik.

Duhet nënvizuar se organizata sekrete terroriste serbe “Dora e Zezë” nga e cila i kanë marrë orientimet organizatat tjera simotra, në programin dhe statusin e vet  (përkatësisht në “kushtetutën” dhe “rregulloren”), moto e kishte sloganin: “Ujedinjenje ili Smrt” (“Bashkim ose Vdekje”). Kjo organizatë dhe organizatat tjera deri në ditët e sotme përbëheshin kryesisht nga ushtarakët serbë të dalluar për aksione e sakrifica, udhëheqës të grupeve militante çetnike si dhe intelektualë të dalluar, të gjithë të kombësisë serbe, nënshtetas serbë dhe banorë të Serbisë, të përbetuar për ta kryer detyrën që parashtronte motoja e programit të kësaj organizate.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e këndej këto organizata shpesh e kanë cenuar sigurinë tokësore duke hyrë “ilegalisht” dhe me dhunë në territorin e Kosovës, siç është rasti me organizatën “Garda e Car Llazarit” e dhjetëra të tjera si kjo. Këto organizata jo vetëm që kanë bërë thirrje të vazhdueshme për luftë, por kanë kryer edhe aksione konkrete brenda territorit të Kosovës, kanë marrë përgjegjësi për aktet e kryera terroriste etj. Shumica e pjesëtarëve të këtyre organizatave kanë qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës 1998-1999, kanë marrë pjesë në masakra e në vrasje, sepse dihen me emra e me mbiemra. Të tillët sot pritet të hyjnë në Policinë e Kosovës, në MPB, në AKI e në organe të tjera të sigurisë. Kjo nuk është për t’u habitur ngase edhe pas mbarimit të luftës shumica e çetnikëve dhe kriminelëve serbë të luftës i morën pozitat më të larta në shoqëri.

Ekstremizmi serb, radikalizmi dhe nganjëherë aktet e dhunshme terroriste edhe më herët edhe gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve kanë qenë të pranishme në Kosovë. Shpesh e kemi anashkaluar praninë e këtyre organizatave, e kemi anashkaluar, e kemi minimizuar, e kohëve të fundit e kemi bërë praktikë të mos flasim fare për to.

Megjithatë kur ndodhemi përballë argumenteve, vlerësojmë ndryshe dhe adresimet janë të qarta. Kështu ndodh kur kemi në duar librin ekskluziv “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, në të cilin adresohen çështjet më të ndjeshme të sigurisë në Kosovë. Ky libër i rrallë do t’u shërbejë strukturave të inteligjencës, AKI-së, policisë, gjyqësisë, qarqeve shkencore e politike, opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm, për të ditur realisht për ngjarjet që kanë ndodhur dhe po ndodhin në të vërtetë në Kosovë dhe rreth saj.

*Faton Mehmetaj (Dr. Kandidat i Shkencave Politike dhe  Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Fation mehmetaj, Fitnete Ramosaj, Organizatat ekstremiste, serbe en Kosove

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT