• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lubonja: “Rilindasit raca më bastarde e Shqipërisë këto 25 vjet”

May 20, 2016 by dgreca

Në vitin 2001 kam votuar për herë të dytë dhe të fundit një nga partitë e koalicionit të udhëhequr nga PSja. Ndonëse isha i zhgënjyer nga korrupsioni dhe mashtrimet e Nanos, Metës, Ramës & Co; nga mënyra se si po degjeneronin mediet, nga fakti se prej premtimit për meritokraci kaluam në regjimin që Dritëro Agolli e cilësoi asokohe “shkërthatokraci”, aplikova, megjithatë, logjikën e së keqes më të vogël.

Sigurisht, kombinuar kjo me shpresën, që ende e ushqeja, se nga presioni i votuesit, zgjedhje pas zgjedhjesh, këto parti do të bëheshin gjithnjë e më pak të këqija; d.m.th., gjithnjë e më të mira.

Për të mbështetur zgjedhjen time, ndër të tjera, tregova një histori që më kishte rrëfyer një miku im i burgut, Romi. Po e përsëris pas pesëmbëdhjetë vjetësh pasi më është kujtuar shumë kohët e fundit.

Romi – emri i gjatë i të cilit ishte Romeo – në rini, përpara se të binte në burg politik, kishte ushtruar për ca kohë profesionin e hajdutit të xhepave. Ndër historitë e tij të asaj kohe më kishte treguar se, kur vidhte xhepat, kishte një parim: “Mos e shih kurrë viktimën!”. “Ç’do të thotë kjo?’ – e kisha pyetur.

“Sepse – më kishte thënë – po e pe viktimën, të cilit i ke vjedhur kuletën, se si qan, të këputet shpirti dhe nuk e vazhdon më dot profesionin”. Duke krahasuar çfarë kishte ndodhur gjatë rënies së piramidave nën udhëheqjen e Sali Berishës me vjedhjet e Fatos Nanos, Ilir Metës, Edi Ramës & Co në atë kohë, argumenti im elektoral, i bazuar në historinë e Romit, ishte se ata të PD-së, me në krye Saliun, jo vetëm që na kishin vjedhur, por edhe na kishin rrahur, kurse për socialistët shkërdhatokratë, të shkretët, thosha se janë një e keqe më e vogël: të vjedhin, por nuk të shohin në sy.

* * *

Kanë kaluar shumë vite që atëherë. Shpresat se e keqja më e vogël do të vinte duke u bërë gjithnjë e më e vogël, si rezultat i garës për t’i shërbyer sa më mirë publikut, kanë përfunduar me kohë në koshin e shpresave të fikura.

Thellimi në krim dhe lufta e egër për pushtet/para me çdo mjet, në rreth vicioz, e kanë çuar të keqen në politikë në humnera gjithnjë e më të thella. Ama, pas kaq vitesh rënieje, me këta rilindësit them se jemi përpara një humnere të re. Këta po tregojnë dita-ditës se janë një mutacion i ri i racës së politikanëve tanë që vjen edhe si ndryshim brezash.

Duke përdorur historinë e Romit -do të thosha se jemi përpara një race të re hajdutësh: nga ata që pasi të vjedhin, jo vetëm të shohin në sy pa iu dridhur qerpiku, por, po u ankove, me paturpësinë më të madhe fillojnë të të tallin e përqeshin duke të thënë: je qorr, je budalla që nuk e sheh se ne po t’i mbushim, s’po t’i zbrazim xhepat. Nëse ti qan, ata gajasen edhe më; nëse, i revoltuar, ngulmon t’u japësh prova se xhepat e tu po boshatisen, të fusin edhe ndonjë të rrahur jo vetëm me policët e shtetit, por edhe me policinë private të bashkëhajdutëve të tyre.

Vërtet që nga pikëpamja e përdorimit të dhunës nuk kanë arritur ende Berishën e viteve ‘91-‘97, por provat e dhunës i kanë bërë. Dhe më e lezetshmja është se dhunën e përdorin zakonisht në rastet kur e kanë shkelur ligjin vetë dhe me të dobëtit. Shikoni historinë e rrahjes së protestuesve te Parku i Liqenit.

Shkurt, me dhunë, pa dhunë ka shumë njerëz që të thonë se rilindasit, veçanërisht pasi morën edhe Bashkinë e Tiranës me Veliajn, po shfaqen si raca më bastarde e politikanëve që ka nxjerrë Shqipëria këta 25 vjet.

Them “me dhunë pa dhunë” pasi, kur u përmend dhunën e Berishës së parë, ata të thonë se dhuna asokohe, gjithsesi, tregonte se ti ekzistoje, kurse vjedhja sy ndër sy dhe pastaj tallja dhe përqeshja e mosçarja kokë për çka thua, janë edhe më poshtëruese. Shkaqet që kanë sjellë te dalja në krye e kësaj race janë komplekse.

Sigurisht kanë lidhje me degjenerimin e një sistemi ekonomik të bazuar mbi krimin, që çoi deri në futjen e kriminelëve në Parlament dhe në shumë bashki të Shqipërisë, me mungesën e shkollimit të rinisë, me varfërimin dhe degradimin e burimeve intelektuale e morale në vend për shkak të ikjes, me nevojën e mashtrimit të perëndimorëve, duke e ngritur në nivele më të larta gjuhën e dyfishtë, por, pa dyshim, kanë të bëjnë edhe me llojin e njeriut që i ka dalë për zot kësaj situate.

E kam fjalën për modelet në krye, një kryemashtrues dhe kryegënjeshtar si Edi Rama që ka prodhuar klonimet e tij të tipit Veliaj, Tahiri, Balla, që nuk u bën syri tërr të ta japin ta hash me zor sapunin për djathë, të të bëjnë qorr e budalla po s’e hëngre, të bindur se gënjeshtra dhe mashtrimi sy për sy janë rruga e sigurt e suksesit, pasi askush nuk ua ka treguar vendin ende.

Vështroni rastin e fundit të “Escobarit” të Ballkanit se si e shpëtuan nga duart e policisë europiane pa pikë turpi dhe nuk thonë asnjë fjalë. Shikoni se si tallen pasi u është zbuluar se kanë sjellë në mënyrë të paligjshme në zyrat e shtetit një aparat përgjimi të qytetarëve.

Shikoni se si, pasi Gjykata Kushtetuese ka dhënë provën finale se deputeti i tyre Kokëdhima ka marrë një numër të pafundëm tenderësh në kundërshtim me ligjin, akuzojnë drejtësinë, në vend se të kërkojnë procedimin penal.

Shikoni se si as nuk u zverdhet as nuk u skuqet fytyra kur kryebashkiaku i zgjedhur prej tyre në Kavajë deklaron se nuk e mban mend pse është dënuar në Gjermani.

Shikoni se si, pasi ta marrin votën duke premtuar zero ndërtime për Tiranën, deklarojnë se qyteti do të zhvillohet në densitet dhe planifikojnë të ndërtojnë kulla të reja brenda qytetit e kur u thua: “Ç’është ky stadium me kullë?!” të përgjigjen: merr vota ta bësh ndryshe. Nuk kanë fund mashtrimet e tyre në këta tre vjet.

Gjithnjë e më shumë po shtohet numri i atyre që të thonë se s’ka kuptim t’i vësh më në një kandar me PD-në dhe LSI-në, si pjesë e të njëjtit sistem, pasi këta, përveç të këqijave të sistemit, shtojnë edhe paturpësinë e arrogancës dhe arrogancën e paturpësisë me të cilën kërkojnë të na i imponojnë vjedhjet dhe mashtrimet e tyre si e vërteta e fundit, si ekspertiza e ekspertizës, si shembulli se si bëhen gjërat edhe në Europë.

Ka nga ata zëmergjerë që thonë, megjithatë, se do t’ua falnim edhe këto sikur të ngrinin ekonominë, por edhe këtë po e çojnë në pikiatë. Sipas meje, nuk janë pa lidhje arroganca në imponimin e gënjeshtrës me çuarjen në pikiatë të ekonomisë, sepse ato nxisin njëra-tjetrën. Shkurt, rilindasit po i kalojnë limitet e vënies në provë të durimit tonë.

Gjithnjë e më shumë ata po na sjellin ndërmend fjalën e urtë, por ndjellakeqe: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.”, apo atë edhe më ndjellakeqe të bashkimit të të gjitha qelbësirave kundër tyre. Personalisht nuk më bën zemra t’i këndoj këto këngë, ashtu siç nuk ma ka bërë zemra t’i këndoja edhe tre vjet më parë.

Por, ama, problemi për t’u zgjidhur po bëhet gjithnjë e më akut: si të shpëtojmë nga këta lloj kafshësh që po na çmerisin përditë e më shumë, pa risjellë në pushtet Sali Berishën dhe pa fuqizuar edhe më Ilir Metën, që paradoksalisht janë mbështetja më e fortë e pushtetit të tyre?

Duket një ekuacion i pamundur për t’u zgjidhur në një kohë të shkurtër, ndërkohë që koha nuk pret, sepse një mandat më shumë me këta do të na çojë në situata krejtësisht të paparashikueshme.

Por duhet zgjidhur sa nuk është vonë. Dhe, për mua, e vetmja rrugë është bashkimi i të gjitha forcave që i refuzojnë këto banda deri në atë pikë sa të formojnë një masë kritike e cila, edhe nëse nuk arrin të marrë pushtetin, të bëhet sa më parë aq e fuqishme sa të imponojë ndryshime rrënjësore edhe brenda vetë këtyre bandave.

Përndryshe, pas dhjetë vjetësh, historinë e Romit do ta tregoj për të përshkruar evolucionin e rilindasve nga një racë që të sheh në sy e të përqesh pasi të vjedh, në një racë që të nxjerr sytë dhe pastaj të vjedh.(Panorama).

Filed Under: Analiza Tagged With: Fatos Lubonja: "Rilindasit, raca më bastarde e, Shqipërisë këto 25 vjet"

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT