– Barazimi Hungari-Portugali Kthen nesër Shqipërinë në Shtëpi/
Ka përfunduar me rezultatin 3-3 ndeshja mes Portugalisë dhe Hungarisë, duke shuar shpresat e kombëtares për një kualifikim të mëtejshëm.
Sinjali i goleadës u dha që në minutën e 19, kur Gera shënoi një supergol për hungarezët. Portugalia gjeti golin e barazimit me anë të Nanit tre minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Fraksioni i dytë nis aty ku përfundoi i pari. Dzsudzsak riktheu avantazhin e hungarezëve dhe gëzimin e tifozëve shqiptarë, gëzim që zgjati vetëm 3 minuta, pasi Ronaldo barazoi gjithçka.
Pesë minuta më vonë mendon sërish Dzsudzsak për të ngritur në delir shqiptarët, por 7 minuta më vonë kundërpërgjigjet sërish Ronaldo.
Në minutat e mbetura, skuadrat u tërhoqën dhe me rezultatin 3-3 dhe me refuzimin e humbjes nga kjo përballje, u shuan edhe shpresat e Shqipërisë për të vijuar ëndrrën franceze edhe me të paktën një ndeshje.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit F, Islanda mposhti Austrinë 2-1 me një gol në sekondat e fundit të kohës shtesë dhe siguroi biletën e kualifikimit si e dyta në grup, ndërsa austriakët largohen nga ky europian me 1 pikë të grumbulluar në tre takime.
KTHIMI
Kombëtarja shqiptare tashmë zyrtarisht ka mbyllur Europianin e parë të saj. Barazimi i hungarezëve 3-3 ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos ka shuar të gjitha shpresat që të luajmë të paktën edhe një ndeshje tjetër.
Përmes një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, kryeministri i vendit thekson se Kombëtarja do të kthehet nesër në orën 17:00 dhe u bë thirrje tifozëve t’u bëjnë një pritje të paharrueshme në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë.
“Sapo u mbyll kapitulli më fantastik i futbollit shqiptar dhe pas një eliminimi për arsye të golaverazhit, misioni kuqezi në EURO2016 kthehet nesër në atdhe rreth orës 17.00. Le t’u dhurojmë heronjve tanë një festë të paharrueshme mikpritjeje, në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë. Krenarë për Kombëtaren”, shkroi kryeministri Rama në FB.