• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME BYTYÇASIT, FESTË E BUKUR NË MALIN E DAJTIT…

September 2, 2014 by dgreca

Reportazh nga MURAT GECAJ/
1.Ftesë dashamirëse…
U desh vetëm një ftesë, nga kryesia e Shoqatës atdhetare-kulturore “Bytyçi” dhe, menjëherë, “kushtrimi” u lëshua jo vetëm në atë krahinë të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), por edhe në Tiranë e në qytete tjerë të Shqipërisë. Por jehona e saj u dëgjua edhe në Kosovë e Preshevë, në Ulqin e Tetovë dhe deri në diasporën shqiptare. Ndokush, me të drejtë, pyet: “Pse, vallë, çfarë kishte ndodhur?” Se malësorët e atyre anëve janë mësuar që, “kur lëshohet zani”, diçka e rëndësishme do të jetë…
Në të vërtetë, nuk kishim të bënim me një “kushtrim” tradicional, por thjeshtë me një ftesë dashamirëse e bujare. Pra, në vazhdim të traditës së 10 viteve të mëparshme, bashkëkrahinësit e Bytyçit do të mblidheshin në një “log kuvendesh”, bash aty në lartësinë e Malit të Dajtit, i cili i rrin si kurorë hijerëndë, kryeqytetit tonë.
Me përmbajtjen e një ftese të tillë, gjithë të interesuarit, u njohën jo vetëm përmes faqeve të ndryshme të Internetit, por edhe e morën atë dorazi, nga kryesia eShoqatës “Bytyçi”, e cila drejtojhet me pasion nga Av. Agron Gjedia, bir i asaj krahine dhe me banim e punë në Tiranë. Pra, edhe unë e miqtë e mi, Av. Gjin Niklekaj, kryetar i Shoqatës simotër të Nikaj-Mërturit; Dedë Malaj e Agron Qokaj, patëm kënaqësi që e morëm një ftesë të tillë. Në fakt, unë do të shkoj për herë të parë në një manifestim të tillë edhe pse kam patur dëshirë të isha këtu, në vitet e mëparshme. Prandaj, në mëngjesin e ditës së sotme, nisemi së bashku për në vendin e bashkimit të paracaktuar, me emërtimin “Qendra e Vizitorëve”, në lartësinë e Malit të Dajtit dhe mes freskisë e gjelbërimit të pafund.
2.Gjurmë kujtimesh dhe kafe te lokali “Gurra e Perrisë”
Sapo dalim nga qendra e kryeqytetit, Deda që drejtonte mjetin tonë, hyn nëpër Lagjen “Ali Demi”, kalon pranë TV News-24 dhe ngjitet për në lartësitë e Dajtit. Rruga është e shtruar për bukuri dhe e vijëzuar. Nuk e di se çfarë mendojnë miqtë e mi, por unë e çoj kujtesën në vite të shkuara…Nuk më kujtohet me saktësi tani, por në pranverën e vitit 1960, kur ishim në vitin e 2-të të degës gjuhë-letrësi shqipe, në Universitetin e Tiranës, organizuam një ekskursion të bukur në Malin e Dajtit. Nuk udhëtuam për atje me vetura a autobusa as me teleferik, siç po bëjnë sivjet “pelegrinët” e kësaj veprimtarie masive. Pra, atëherë udhëtuam më këmbë, atje e kaluam shumë bukur dhe mbresat i kam, si të ishte ajo kohë e largët. Por, edhe po të kisha harruar, nuk më lë një fotografi, sigurisht bardhezi, në të cilën jemi të fiksuar kolektivisht dhe ku dallohen qartazi, gëzimi dhe entusiazmi ynë… Ndëkohë, tani sjell ndërmend edhe udhëtimin tim andej, me një “skodë” të gjirokastrititHajdar Veshi, në pranverën e vitit1964. Atëherë, shkova në fshatin Shëngjergj, ku punonte në shtëpinë e kultures, bashkëshortja ime e ardhëshme…
Fillin e mendimeve ma pret zëri i Gjinit, kur i afrohemi një pike të bukur turistike, me emrin domethënës “Gurra e Perrisë”.U ngjitemi disa shkallëve, duke lënë në të djathtë dy rezervuarë të vegjël, mbushur plot me peshq. E, si mund ta lija pa fotografuar, në atë pamje aq të bukur të natyrës, e ndërtuar me shijë nga një banor i asaj ane? Prandaj e shijuam jo vetëm kafen, që na servirën, por ndiem që mushkëritë na u mbushën me ajrin e pastër, nga mjedisi plot gjelbërim.
3.Një “bashkim kombëtar shqiptar”…
Kur po i afrohemi sheshit “Qendra e Vizitorëve”, nga ku Tirana duket si në pëllëmbën e dorës, menjëherë, na përfshinë gëzimi dhe entusiazmi i festës së bytyçasve. Flamuj tanë kombëtarë, por dhe të Republikës së Kosovës, valëviten lart dhe e zbukurojnë kudo mjedisin. Ende pa filluar ceremonia e rastit, dëgjohën tingujt e muzikës e të tupanëve. Pa “ftesën” e ndokujt, djem e vajza të shkathëta, por dhe të moshur, disa prej tyre me veshje popullore tropojane, nisin të vallëzojnë nën ritmin e tyre.
Kënaqësia jonë është e madhe, se në këtë mjedis të rrallë festiv, takohemi me ngrohtësi e dashamirësi edhe me me miq nga Peja, Presheva dhe diaspora, të cilët i lidhin “fije” të padukshme me krahinën e Bytyçit…Ja, pasi i hedh një vështrim të shpejtë sheshit, shoh poetin pejan Agim Desku. Përqafohemi përzemërsiht dhe shkëmbejmë me njëri-tjetrin libra tanë. Pak më tej, janë Xhemaledin Salihi e Bilall Maliqi, të ardhur nga Presheva dhe me të cilët ka vite që njihemi. Jemi takuar bashkë jo vetëm në Tiranë, por edhe në vendbanimin e tyre. Ata janë të njohur me botimet dhe veprimtaritë atdhetare e kulturore, që zhvillojnë atje.
Duke ecur nëpër shesh, takohemi me poeten nga Zogajt e Bytyçit, Nafije Salihaj dhe me “Çikën Hasjane”, poeten e re Ganimete Thaçi. Kjo e fundit më tregon se ku ndodhet Halil Nezaj i Gashit, me bashkëshorten, që kanë ardhur nga Nju Jorku, në këtë festë të përvitshme. Pasi përshëndetemi, i jap atij një “sidi” me fotografi e shkrime, që i kisha përgatitur, nga përurimi i librit të tij, “Udha e ëndrrës së thyer”(Tiranë, maj 2012). I këndshëm është edhe takimi me publicistin Ismet Hasani,që jeton familjarisht në Suedi dhe ka ardhur këtu, posaçërisht, nga Prishtina. Një mbrëmje më parë, atë e pritëm në qendër të kryeqytetit, bashkë me shkrimtarin e njohur Viron Kona. Miqësinë e përbashkët e kemi nisur që në pranverën e vitit 2012, kur morëm pjesë në një tubim festiv të 5-vjetorit të QKSH “Migjeni”, në qytetinBoras të atij vendi skandinav.
Nuk po zgjatem më tej, p.sh., që të tregoj se në këtë festë të krahinës së Bytyçit ka ardhur nga Tetova dhe është konferenciere e tërë programit, poetja bytyçaseJona Geci ose nga Durrësi publicisti tropojan Zenel Baliaj, i cili këto ditë publikoi librin e tij, kushtuar vëllait, Rexhepit të ndjerë, arsimtar veteran nga Malësia e Gjakovës. Në një kënd të kësaj “fushe gazmore” takoj prof. Shefqet Hoxhën, me disa kolegë të Shoqatës “Luma” të Kukësit dhe së bashku bëjmë fotografi, për kujtim…
Prandaj, e tha aq bukur një pjesëmarrës në këtë veprimtari:”Vërtet, ky është një bashkim kombëtar shqiptar!”
4.Kronika e festës…
Siç e përmenda në fillim të këtyre shënimeve, drejtuesit e Shoqatës “Bytyçi” kishin hartuar një program “të ngjeshur” dhe të detajuar, për tërë këtë veprimtari mbresëlënëse. Mirëseardhjen ua uron të ftuarëve kryetari i saj, av.Agon Gjedia.
Gjithashtu, i përshëndetin përzemërsisht organizatorët, bytyçasit dhe gjithë të ftuarit, disa përfaqësues nga qytete të Kosovës, nga Presheva dhe shqiptarët në trojet amtare në Maqedoni.
Pastaj rrjedha e pjesëve, sipas programit, vazhdon pandërprerje, 2-3 orë. Nuk do t’i përmendi këtu të gjitha ato. Por tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve dhe u duatrokitën nxehtësisht, këngët e artistes së njohur Shkurte Fejza dhe poetes Shefqete Gosalci, që kishin ardhur këtu nga Prishtina. Ndërsa e recitoi poezinë e saj,Zyra Ahmetaj, nga qyteti “Bajram Curri”. Ndër të tjera, ajo tha:
Tundet Dajti, zgjohet Tirana,
Feston Bytyçi me tupana.
Mirsevini ju, bijë dhe bija,
na bashkon sot Agron Gjedia.
Perqafime dhe plot emocione,
me vëllezërinë prej Kosove,
por dhe larg prej diaspore.
Shtërngojmë duart, me miq e të ftuar:
-Përherë qofshi të nderuar!
Emocionuese janë edhe fjalët e bijës së Bytyçit, arsimtares veterane Rukie Rama, tani me banim në Bruksel të Belgjikës.
Siç pritej, me këtë rast, shpërndahen mjaft “Mirënjohje” dhe bëhet përurimi i librave të rinj, në poezi e prozë, nga disa autorë, si Namik Selmani, Vera Istrefaj etj. Pjesëmarrësit marrin edhe numrin e ri të gazetës “Bytyçi”.
5.“Për të mira dhe në takime të tjera!”
Kur kësaj feste mbresëlënëse po i afrohet fundit, të ngjan se sheshi është kthyer në një “vatër të zjarrtë”, e cila gjëmon nga këngët e vallet dhe recitimet e krijuesve të ndryshëm. Pjesëmarrësit përqafohen e shtërngojnë duart me njëri-tjetrin, duke uruar nga zemra: “Për të mira dhe në takime të tjera!”
Zbritja nga Mali i Dajtit për në kryeqytet, ashtu si dhe ngjitja për atje, bëhet në formën e një karvani me “krushq”. Disa udhëtojnë nëpër makina, ndërsa mjaft të tjerë hipin në teleferikun e gjatë, i cili i zbret ata deri poshtë, afër Tiranës. Secili prej tyre, tashmë, është “i ngarkuar” me mbresa, emocione dhe përshtypje të pashlyera, që do t’i ruajnë gjatë në kujtesë.
Tiranë, 31 gusht 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: FESTË E BUKUR NË, MALIN E DAJTIT…, ME BËTYÇASIT, Murat Gecaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT