FESTIVALI I 28-të SHQIPTAR NE NJU JORK, MANIFESTIM KULTUROR PËR HEROIN KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOTI-SKËNDERBEU/
NGA DALIP GRECA/*
Festivali i përvitshëm që organizon Qendra Kulturore”Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” tashmë e ka fituar statusin e një festivali që promovon kulturën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mbledhur në Nju Jork interpretues e krijues nga shumë Shtete të Amerikës së Veriut dhe Kanadaja. Për organizatorët, ky festival, ashtu si paraardhësit pati për mision që të identifikojë, dokumentojë dhe prazantojë artistë të folklorit nga komuniteti shqiptar dhe njëkohësisht të mbajë të bashkuar komunitetin pa dallim feje apo krahine. Festivali ruan dhe përkrah traditat muzikore dhe folklorike autoktone shqiptare dhe siguron që ato të vazhdojnë të promovohen dhe të kenë vazhdimësi për brezat e ardhshëm. Festivali manifestoi begatinë kulturore të komunitetit shqiptar si pjesë identifikuese në larminë e kulturave shumëetnike këtu në SHBA.
Festivali i 28-të i nisi përgatitjet dhe u organizua duke patur në fokus Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në Vitin e tij mbarëshqiptar në 550 vjetorin e vdekjes. Dhe gjithçka zhvillohej aty në skenë, nën kështjellën e lashtë të Krujës, ku lartësohej vetë heroi mbi kalin e tij, të sjellë mjeshtërisht nga skenografia e punuar bukur, evokonte historinë Kombëtare.
Organizatorët kishin improvizuar një hyrje origjinale me flamurtarët që përshkonin dy skajet e sallës duke u ngjitë më pas në skenë, ku grupi teatral përcillte atmosferën rreth heroit. Festivali është hapur me Këngë për Heroin Kombëtar, interpretuar nga Gjelosh Narkaj dhe grupi i Qendrës Nëna Terezë.
Konferencierët Esterina Frangaj dhe Fran Narkaj kanë ftuar në skenë famullitarin e Kishës “Zoja e Shkodrës” dom Pjetër Popaj, i cili i ka përshëndetë festivalistët, organizatorët, mysafirët dhe pjesmarrësit. Dom Pjetër Popaj theksoi faktin se duke qenë se ky vit ishte shpallë vit i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu me rastin e 550 vjetorit të vdekjes, edhe ky festival i dedikohet Heroit, “si figurë lavdiplote , që qëndron si një përmendore vigane e njerës nga periudhat më të egra të historisë shqiptare, por dhe që zë një vend të shquar nderi edhe në faqet e historisë botërore…”
Për dom Pjetër Popaj, Gjergj Kastrioti Skënderbeu është themelues dhe mbrojtës i Kombit tonë. Po të mos ishte ai nuk do të kishim as Shqipëri, as gjuhë shqipe, as kulturë dhe tradita kombëtare. Ai u ka uruar edhe mysafirëve mirëseardhjen dhe festivalistëve suksese në manifestimin e madh kulturor.
Ashtu si edhe më parë festivali u organizua në mjediset e Lehman Center for the Performing Arts në Bronx.
Këshilltari i Bashkisë së Nju Jork-ut z. Mark Gjonaj, pasi falenderoi organizatorët dhe pjesmarrësit, nderoi në nisje të festivalit kontributorët që japin ndihmesën e tyre për këtë festival si dhe vetë festivalin me proklamatë. Me proklamatë u nderua edhe Lehman College. Nga ana e tij z. Marjan Cubi, kryetar i Qendrës “Nënë Tereza” i dorëzoi Mirënjohje z. Gjonaj për mbështetjen që ai i jep komunitetit dhe në mënyrë të veçantë edhe në këtij festivali.
Festivali ngjiti në skenë një masë të madhe fëmijësh të lindur në SHBA, që kërcyen e kënduan shqip. Kjo është merita kryesore e organizatorëve që për dekada e përcjellin traditën e kulturën kombëtare pikërisht tek këto mosha të vogëla. Por festivali nuk është vetëm i amatorëve. Ai merr përmasat e një festivali profesionist duke patur në përgatitje artistë profesionistë të pasionuar siç janë: Mjeshtri i madh, Koreografi Bashkim Braho nga Bostoni, Joli Paparisto-mjeshtre e koreografisë nga Detroiti, mjeshtrja e Madhe Angjelina Nika, që mbanë gjallë dashurinë për vallet në treshtetshin e zonës NY-NJ dhe CT, apo koreografi mjeshtër Ramazan Këllezi me grupin e valleve”Shqiponjat e vogla” nga Toronto-Kanada.
Spektatori i shumtë duartrokiti dhe përcolli me emocion programin e pasur të festivalit. Grupi i valleve “Rozafati” interpretoi bukur “Lulet e Festivalit” nën koreografinë e Angjelina Nikës, ndërsa grupi mysafir nga Toronto” Shqiponjat e vogla” u duartrokit për vallen e koreografuar nga Ramazan Kellezi”Kur bjen fyelli e çiftelia” si dhe “Valle vajzash”. Valltaret e grupit “Gjergj Kastrioti” nga Michigani sollën vallen”Drenusha” në koreografinë e mjeshtres Joli Paparisto. Grupi i valleve të Bostonit përherë sjell diçka të re në mënyrën e interpretimit profesionist në skenën e këtij festivali. Valltarët nga Bostoni u duartrokitën për vallen me motive të Tiranës në koreografinë e mjeshtrit Bashkim Braho. Gjatë pjesës së parë të festivalit u interpretuan edhe këngë nga artistët: Frederik Ndoci”Historia e 5 Këngëve jare të kompozitorit shkodran Palok Kurti dhe “Plak Ashik”; Valbona Peraj u duartrokit për këngën”Mora testinë me mbushë ujë”, Pllumb Vatnika këndoi këngën”Moj Shqipni për ty knon zemra” etj .
Mjeshtarja e këngës popullore Merita Halili me mjeshtrin e fizarmonikës Raif Hyseni, u pritën me duartrokitje të zgjatura tek prezantuan grupin me studentë të Montclair State University, që interpretuan së bashku “Potpuri këngësh të Shqipërisë së mesme dhe instrumentale. Tom Gjergji, Shaban Lajçi dhe Agim Rugova sollën një montazh muziko letrar kushhtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Pjesa e dytë e festivalit ngjiti në skenë Grupin e mirënjohur të Shoqërisë Kulturore Artistike”Kelmendi”, të cilët interpretuan këngë dhe valle burimore, që merituan duartrokitje të publikut. Pashuk Buja solli një këngë autentike Majë krahu, ndërkohë që këngëtarë e valltarë kënduan dhe interpretuan:”Këngë e valle( Klement Bujaj, Samuel Pllumaj, Denis Vukaj, shoqëruar nga grupi); Valle tradicionale, egzekutuar mjeshtrisht nga Gjok Rexhaj, Vera Preldakaj, Ronald dhe Matilda Koçaj; më pas Lisa Buaj u duartrokit me interpretimin”Çka ka zogu që po qanë”; më pas u inetrpretua”Pa bilbila s’ka Pranverë ( Drita Tinaj, Klaudia Hysaj, Antoneta Bujaj, Kristina Shquta, Mikela Nonaj, dhe Aleksandra Hysaj, shoqëruar nga instrumentistët Kol Vushaj, Luigj Tinaj, Alfons Rexhaj dhe Jul Vucaj.)
Gerona Hyskaj u ngjit në skenë me një kolazh nga Jugu i Shqipërisë, për t’ia lënë vendin grupit të Rozafatit në interpretimin e “Vallja e luleve” -koreografia Angjelina Nikaj. Hajro Ceka u prezantua në skenën e festivalit dhe u duartrokit me”Jehon kënga ime”, ndërsa Grupi “Gjergj Kastrioti” u ringjit për të dytën herë në skenë me vallen e koreografuar nga Joli Paparisto”Dua Shqipërinë”. Dionis Deli interpretoi “Sorkadhja”, për t’ia lënë më pas vendin humorit të Gjelosh Narkaj dhe Sebastian Tinaj.Të zotët e shtëpisë do të ringjiteshin në skenë me vallen e koreografuar nga Angjelina Nika”Valle me motive Korçare”. Nikoleta Vokrri interpretoi këngën”O sa e kanshme vjollcë ti më je”. Grupi i valleve të Bostonit nën koreografinë mjeshtrore të Donald Braho, i biri i meshtrit Bashkim Braho, sollën vallen me motive epike”Gjama e burrave”, që u pëlqye dhe u duartrokit. Vitore Rusha këndoi këngën”I kam thanë bilbilit, për t’ia lënë mbylljen e festivalit të 28-të Grupit të Valleve”Epos” që interpretoi bukur vallen”Trimat e Jutbinës” me koreografi të Eurgen Gjoka.
Festivali shënoi një sukses tjetër të merituar të artistëve të diasporës, një pjesë prej të cilëve kishin udhëtuar nga larg(Toronto dhe Michigan) për t’u ëbrë pjesë e këtij manifestimi.
Këtë festival ashtu si dhe në të shkuarën e ndoqën edhe vatranët e pranishëm në sallë me kryetarin Dritan Mishto.
*Per me shume fotografi shikoni ne Facebook