Nga Dalip Greca/
Të dielën në mesditë Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dhe bashkësia Shqiptare nisën festimet e 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ishte një festë madhështore e mbushur me emocione, ku kishin ardhur jo vetëm nga Nju Jorku dhe Nju Xhersi dhe Kënektikat fqinjë, por edhe nga Uashingtoni, Virxhinia, Portland (Oregon), Çikago, madje edhe nga Kosova e Tirana. Salla e dekoruar me flamuj amerikanë, shqiptarë dhe atë të Republikës së Kosovës, hijeshohej dhe me dy figurat Simbol të Kosovës, portertet e dr. Ibrahim Rugovës dhe e heroit kombëtar Adem Jashari. Festa përcillej tek moshat përmes pjesmarrjes masive të fëmijëve dhe të rinjëve. Ishte një festim familjar përmes një familjeje të madhe siç është Vatra 102 vjeçare.
Në festimin e Vatrës ishin të pranishëm edhe shumë mysafirë si: Z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A me bashkëshorten, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara z. Petrika Jorgji me zonjën,Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, Minister Keshilltar ne Ambasaden e Republikes se Kosoves ne Uashington, zoti Sami Kastrati,Konsullja e Republikes se Shqiperise ne Nju Jork, zonja Irena Dai. Mysafire nderi: Prof. Jusuf Buxhovi, Profesor Muharrem Digzhiu me bashkeshorten, Pinjolli i familjes se Hasan Prishtines, Ferki Veliu me bashkeshorten Patricia. Po ashtu kishte ardhë edhe kryetarja e degës së Vatrës në Washington znj. Mertia B McCormack me bashkëshortin John e fëmijët.
Takimin e ka hapur zëvendës /kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve, duke uruar: Ta Gëzojmë së bashku Pavarësinë e Kosovës! Duke iu drejtuar personaliteteve diplomatike dhe përfaqësuese, dhe të gjithë pjesmarrësve, z. Rexhaj tha: Në emër të Kryetarit të Vatrës Dr. Gjon Buçaj,në emër të Kryesisë dhe të këshillit të përgjithshëm , në emër të gjitha degëve të Vatrës në ShBA dhe Kanada Ju përshëndes dhe ju uroj Gëzuar Gjashtë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë përvjetor por edhe përvjetorë të tjerë do të kujtojmë me nderim të madh burrin mendjendritur të idealit shqiptar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, arkitektin e lirisë, demokracisë dhe të pavarësisë së Kosovës, njeriun e vizionit historik për Kosovën e popullin Shqiptar, njeriun dhe heroin e paqes, simbolin e pavarësisë së Kosovës.
Në këtë përvjetor të pavarësisë, tha Rexhaj, i kujtojmë me nderim të rënët e të gjithë brezave, që u sakrifikuan për Kosovën. Sot përkulemi para kujtimit të lavdishëm të flijimit sublim të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, duke kujtuar edhe komandantët legjendar Sali Çekaj, Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, e të tjerët.
Mirënjohje dhe falenderim të gjithë Shqiptarëve kudo që janë që e ndihmuan Kosovën në ditët më të vështira, Shqiptarët në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Çamëri dhe diasporë.
Mirënjohjen e thellë dhe falenderimin e madh edhe botës demokratike, mikut tonë të madh dhe të përjetëshëm SHBA, NATO-s dhe gjithë miqve tanë të shtrenjtë anekënd botës që ndihmuan Kosovën në proceset e vështira e historike të çlirimit, të vendosjes së paqes dhe të ndërtimit të demokracisë e të rimëkëmbjes pas luftës shkatërruese.
Të falenderojmë dhe të përulemi me respekt para rolit dhe kontributit të madh të shqiptarëve të Amerikës.
Fjalimin përshëndetës, zv/kryetari i Vatrës e mbylli me urimin: Uroj që të kalojmë një pasdite të gëzueshme dhe me hare; edhe me më shumë vite të tjera së bashku, në harmoni, paqe e liri me shpresën se në një të ardhme jo të largët, degët e Shqipes do të bashkohen rreth trungut Kombëtar, dhe në vitet në vijim ta festojmë, së bashku me pavarësinë e Kosovës edhe bashkimin e kombit shqiptar !Më pas ai ka prezantuar moderatoren e veprimtarisë festive, zonjën Rafaela Prifti.
Festa ka vazhduar me përcjelljen e Himneve Kombëtare të SHBA-së, Himnit Shqiptar dhe të Kosovës, që u intepretuan nga këngëtarja e re Dea Elezaj e shoqëruar nga orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmond Xhani.
Lutjen fetare e ka bërë Imam Edin Gjoni, i Qendrës Islame Shqiptare në Quins. Lutja e Imam Edin Gjoni nisi urimin:Paqa dhe Bekimi i Zotit Qoftë me Ju!Ai uroi pjesmarrësit, përfaqësuesit e diplomacisë shqiptare, kryetarin e Vatrës dhe të gjithë vatranët.
Sot, tha Imam Edin Gjoni, është dita kur kujtojmë rezistencën e parreshtur, pothuajse një shekullore të popullit kosovar, popullit dardan, kundër regjimit zullumqar të Serbisë. Në kvtë ditë tha ai, kujtojmë guximin e atij grupi të rinjësh të cilët do ta themelonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosoëvs, për të dalë vendosmërisht përpara atij pushtuesi gjakpirës dhe përballë me të, ndonëse më të dobët me qindra herë ushtarakisht, por me mijëra herë më të fortë moralisht, të gatshëm për të dhënë edhe jetëne vet, për atë copë të shtrenjtë dhe’u, që ishte dhe është i tyre, për të ruajtur dhe për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin njerëzor dhe Kombëtar Shqiptar, për të folur lirshëm gjuhën e vet shqipe. Për të ecur vendit të vet pa u fyer, ofenduar, rrahur, madje vrarë: Për ta besuar dhe ndjekur lirshëm fenë e vet, pa u përqeshur me të, për ta mësuar pa çensurë Letërsinë dhe Historinë e vet dhe më në fund për të vendosur vetë për fatin e vet. Mbi të gjitha, tha Imam Gjoni, kjo është edhe dita ku pikërisht para gjashtë vitesh ëndrra shekullore realizohet në një ditë të ftohtë të shkurtit, në pergamentin 700 vjeçar, u vendosen firmat për të nënshkruar njëherë e përgjithmonë, ajo që quhet ”Deklarata e Pavarësisë së Kosovës’.
Imam Edin Gjoni do ta mbyllte lutjen e tij: Ja rris Lavdinë Zotit për këtë mirësi të paskajshme që na e dha Shqipërinë dhe Kosovën!
Lavdi dëshmorëve tanë me në krye Heroin Adem Jasharin! Qofshit nën prehjen e Zotit të mëshirshëm! Ia rris nderin të gjithë shteteve mike dhe aleatëve tanë, e sidomos një miku tonë të pahile, që na përkrahu në ditët më të vështira, kur ishte çështja”Të jeshë apo të mos jeshë”!, dhe akoma vazhdon që të na ndihmojë, atë me të cilët Zoti i madhërishëm, e lidhi fatin e të qenurit tonë dhe suksesit tonë, si Komb dhe si shtet, Kosovë e Shqipëri, e kam fjalën për këtë tokë të bekuar ku jetojmë, SHBA.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! Zoti e bekoftë popullin shqiptar kudo ku jeton, Zoti I bekoftë ët gjitëh miqtë dhe aleatët tanë!
Zoti e bekoftë SHBA!
Urime Pavarësia e Kosovës!-përfundoi Imam Edin Gjoni, i përcjellë me duartrokitje.
z. Gilbert Galanxhi, Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i R.Sh. në Sh.B.A, përshëndetjen e tij e nisi me urimin: Kosovës sonë heroike ju bëftë dita njëmijë! Gëzuar ditëlindjen Kosovë! Bekuar qoftë liria e pavarësia! Bekuar qofshin shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë!
Për mua, tha ambasador Galanxhi, ashtu si edhe për të gjithë ju, është emocionues fakti që sot festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës këtu tek “Vatra” e shqiptarëve, tek foleja e dallëndyshes së parë shqiptare që paralajmëroi ardhjen e pranverës së lirisë e të bashkimit të kombit, tek “Vatra” e Fan Nolit dhe Faik Konicës, e Kristo Floqit dhe Llambi Chikozit, e Elia Tromarës dhe Naum Çeres, e Kosta Kottës dhe e shumë e shumë patriotëve të tjerë, që të vendosur për bashkim e veprim kombëtar, për shpëtimin e Atdheut, themeluan në 28 prill 1912 këtë fole patriotike që ka mbajtur, mban e do të mbajë gjallë shpirtin patriotik kombëtar shqiptar.
Gjashtë vjet më parë, tah ambasador Galanxhi, dëshira shekullore e pothuajse gjysmës së kombit shqiptar u bë realitet falë heroizmit të luftëtarëve të lirisë, që shtuan në Flamurin tonë kombëtar edhe gjakun e tyre, për ta bërë këtë flamur akoma më të bukur, akoma më krenar, akoma më të pavdekshëm. Përjetë i nderuar dhe i paharruar qoftë kujtimi i martirëve të Kosovës heroike!
Gjashtë vjet më parë, shteti më i ri i Europës nisi rrugëtimin e tij demokratik plot energji e besim, pasi këtë herë në timon kishin Prishtinën që i drejtoi drejt Brukselit, drejt Washingtonit, drejt botës së lirë dhe demokratike. Dhe sot, vetëm gjashtë vjet më vonë, shtetin e ri të Kosovës e kanë njohur më shumë se gjysma e shteteve të botës; dhe ajo që është më e rëndësishme është se e kanë njohur dhe mbështesin miqtë më të mirë të Kombit Shqiptar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – Thank You U.S.A.! e kanë njohur dhe mbështesin shtetet demokratike më të rëndësishme të globit e të Bashkimit Europian, që dita-ditës po i hapin portat e mirëseardhjes e bashkëpunimit – Faleminderit të gjitha demokracive perëndimore dhe shteteve mike të Kosovës!
Embëlsira gjithmonë lihet për në fund – dhe ajo i takon Diasporës së kombit shqiptar këtu në Amerikë, që me përkushtim e patriotizëm të pashoq ka punuar e luftuar çdo minutë e çdo ditë, çdo çast e çdo vit për të ardhur kjo ditë e bekuar – dita e lirisë – që sot po festojmë. Bekuar qofshi Ju dhe para-ardhësit Tuaj fisnikë, trima e të mençur, që bënë dhe vazhdoni të bëni mrekullinë, bënë dhe bëni që Amerika da dojë Shqiptarinë.
Le ta gëzojmë këtë ditë, por të mos harrojmë se kemi akoma punë për të bërë në dobi të Kombit e Mëmëdheut.
Por, për një gjë jemi të bindur: “Ditë të mira paskëtaj vijnë; Lum kush të rrojë, ta shohë Zonjë!”
Edhe një herë: Gëzuar Pavarësinë Kosovë! , përfundoi përshëndetjen e vet ambasador Galanxhi.
Mysafiri nga Kosova Prof. Jusuf Buxhovi, autor i librit enciklopedik ”Kosova, nga Konferenca e Londrës deri tek Protektorati Ndërkombëtar” i sapo botuar ehde në gjuhën angleze, u prit me duartrokitje. Ai përcolli mesazhin e shqetësimit intelektual për gjendjen reale të Kosovës dhe rrezikun që vjen nga shmangia e intelektualëve. Ai kujtoi se ishin intelektualët ata që në hyrje të vitit ’90 me në krye presidentin historik dr. Ibrahim Rugova erdhën në Uashington dhe paraqitën kauzën e lirisë të Kosovës së robëruar. Po ku janë sot intelektualët? Ç’po ndodh sot me Kosovën, ku ushtrusja e genocidit ndaj saj, po anëtarësohet në BE? A mund të ngrihet ndonjë kurth në udhëtimin e vështirë të Kosovës, ku pavarësia të vihet në rrezik? Ai kërkoi kontributin e Shqiptarëve të Amerikës, për t’i bërë apel Amerikës, aletatit tonë besnik, që të mos rrezikohet projekti i Kosvës së lirë, që ka për arkitekt SHBA.
Nga fundi i viteve të tetëdhjeta, tha Prof. Buxhovi, kur lëvizja jonë kombëtare e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nën moton për liri, demokraci dhe barazi nisi procesin e pandalshëm historik të shkëputjes nga pushtimi serb dhe të rrënimit të ideologjisë komuniste, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat jo vetëm që inspiruan këtë proces historik, por u vunë në mbrojtje të tij, duke garantuar edhe sukesin e tij, po qe se shqiptarët do të silleshin në përputhje me parimet e qytetërimit perëndimor dhe të përkatësisë ndaj tij. Koha tregoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajtën premtimin, gjë që për ta nxjerrur Kosovën nga pushtimi i gjatë serb, krahas diplomacisë, e cila nganjëherë dukej se lëshonte pe ndaj Beogradit, përdorën edhe ultima ration, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të mars-qershorit të vitit 1999. Shtet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu, ishin ato që i dhanë fund gjendjes së protektoratit ndërkombëtar, duke u vu në anën e pavarësisë së Kosovës, e cila do të shpallet më 17 shkurt të viti 2008.
Por, siç po shihet, në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të aleatit të madh, për të parandaluar procesin e degradimit të sovraniteti të saj shtetëror, që ka filluar nën trysninë e vendeve evropiane, të cilat, në emër të gjoja parimeve europiane të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, në Kosovë,, gjithnjë e më shumë po e involvojnë interesin e Serbisë! Ky zhvillim i dëmshëm, që si po shihet, mund të prodhojë realitete të tilla politike, që mund të çojnë te ndarja e Kosovës sipas kutit serb, jo vetëm që nuk do të jetë në përputhje me të ashtuquajturën politikë të integrimeve evropiane, por për të kundërtën, ngaqë degradimi i mëtutjeshëm i sovranitetit shtetëror të Kosovës, do të çojë te kthimi i Serbisë në një faktor rajonal, pa marrë parasysh se ajo, deri më dje prodhoi luftra dhe gjenocide. Po ashtu, degradimi i sovranitet shtetëror të Kosovës në dobi të Serbisë, nuk mund të jetë as në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,të cilat, janë angzhuar aq shumë për lirine dhe pavarësinë e Kosovës.
Andaj, është koha e fundit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërhyjnë që të mos lejojnë të persëritet historia tragjike, të cilës shqiptarët u kanë paguar çmim të madh.
Kanë përcjellë përshëndetjet e tyre Konsulli i Kosovës Korab Mushkola, zv/ Shefi i Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara Petrika Jorgji dhe ansambelisti i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.
Të pranishmit u argëtuan nga Gëzim Nika, Mithat Saliu(Kino), Kleopatra Skarço- Dokle dhe orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit Edmon Xhani. Poeti Ilir Spata recioti një poezi të tij kushtuar dëshmorëve të Kombit.