• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. IBRAHIM TEMO, FIGURE HISTORIKE KOMBETARE

October 13, 2015 by dgreca

*DR. IBRAHIM TEMO, NJË NGA FIGURAT HISTORIKE KRYESORE QË NGRITI NË KAMBË REVOLUCIONIN XHONTURK E ÇOI SHQIPËRINE DREJT SHPALLJES SË PAVARËSISË/
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Ndërvite, në ndejat tona për mirë, historiani Shpëtim Sala më ka fol shumë për patriotin panshqiptar Ibrahim Temo, rreth një bibliografie të tij, për hulumtime arkivore tek koleksionistë e miq për të sigurue dokumenta e foto rreth tij. Aq shpesh janë krye biseda të tilla mes nesh sa që mue më dukej se gjithçka ishte folur para disa ditësh e jo edhe para shumë vitesh. Kur hapa “Wikipedia”, tek zëri “Shpëtim Sala”, rigjeta faktin: “Në mars 2010 pritet të dalë libri “Ibrahim Temo në fondet e AQSH””. U krye në këtë kohë. Saktësisht. Doli në dritë, me një tirazh të pakët. Autori Sala eci dhe më tej: e përuroi dhe në qytetin e Strugës, në vendin e lindjes së Ibrahim Temos. I kanë pasë stërthanë dy kryetarët e komunës së Strugës, i maparshmi dymandator Ramiz Merko dhe i tashmi njëmandator Ziadin Sela –se kena me kontribue në botimin plotor e me tirazh të mjaftueshëm për trevën e tyre e botën akademike, etj. Kjo çështje është në udhën e vet, në mos i pari i dyti kryebashkiak ka me ba diçka. E, n’u kreftë, meritojnë mirënjohje.
Pesë vjet ka punue ky historian për me mbrri tek botimi i dytë i kësaj vepre të veçantë, me mjaft interes. Vërtet një punë mirëfilli shkencore e don patjetër kohën e vet. E ridoli prapë në dritë vepra e historianit Shpëtim Sala “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH. (1797-1944). Botim i Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Tiranë, 2015. ISBN: 978-9928-4088-4-6. 398 faqe, me format klasik.
Në trungun e kësaj vepre bibliografia për Ibrahim Temon është shtati i këtij patrioti të madh, ku i ka përmbledh në një libër të vetëm të gjitha dokumentat arkivore: memorandume, fjalime, dorëshkrime, proklamata, letra, telegrame, kartëpostale, kanonizma, litografi, kartëvizita, etj. Gjithçka gjendet në dosjen e tij, Fondi nr. 19 në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Janë 1.073 zëra. Jo pak – 278 faqe bibliografi.
Studjuesi Shpëtim Sala, pas kësaj bibliografie, ka dhe një emër tjetër: bibliograf. Pra, ka hyrë në historinë e bibliografisë shqiptare. Ky është fryt i tij, në nderin e tij.
2.Shpëtim Sala, si kryefjalë të veprës së vet, e ka vnue një studim të tij: “Materialet mbi dr. Ibrahim Temon në AQSH, ndriçime mbi jetën dhe veprimtarinë e tij”. Ky studim kap 51 faqe, po mund të ishte/jetë dhe libër me vete, me një format të zakonshëm, tradicional, 14 cm x 21 cm, tue pasë dhe element të tjerë, veçmas fotografitë. E do të ishte një botim me interes. Po autori Sala e ka ba zgjidhjen e vet: ia ka bashkalidhë veprës tanësore për dr. Ibrahim Temon. E i qëndron mirë asaj. Solide. Një parathanie e plotë që flet për një jetë të Ibrahim Temos plot me veprimtari kombëtare. Kush don me ditë në maje të gishtave për jetën e veprën e Ibrahim Temos le të kapin në duar këtë vepër të Shpëtim Salës.
Dr. Ibrahim Temo (Ibrahim Et’hem Mustafa) është nga një familje e madhe për nga vlerat intelektuale e patriotike, kulla e të cilit mbante mbiemnat: Et’hemi, Sojliu, Bakalli, Murati. Vllai i tij, Nuri Efëndi Sojlliu ishte një nga firmëtarët në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912. Të parët e tij u shpërngulën nga Gurabardhi i Matit më 1780.
Vet, dr. Temo ka lindur në Strugë, më 21 mars 1865. Sot emnin e këtij rilindasi shqiptar të madh, që Konica e quan “ardhetar i vërtetë” e mban gjimnazi i Strugës, shkolla fillore në Strimnicë të Zhelinës, etj. Dr. Ibrahim Temo, për nga profesioni ishte mjek ushtarak i njohur, mori titullin “Doktor i Medicinës” (Bukuresht, 1896), por dhe publicist me emër, pasi drejtoi gazetën “Hareket” (Bruksel, 1896), gazetën “Sada-i Millet”(Konstancë të Rumanisë, 1898).
Dr. Ibrahim Temo është krijuesi i Shoqërisë së fshehtë “Bashkim dhe Përparim” (1889) programi i së cilës bazohej në parimet e Kushtetutës Osmane (1876), kishte për qëllim emancipimin e shoqërisë osmane, ishin kundër absolutizmit të Sulltanit.Në shoqatat e Turqve të Rinj bënin pjesë mjaft shqiptarë që kishin bashkërenduar veprimtarinë e tyre me atë të Turqve të Rinj me qëllim që të realizonin Autonominë e Shqipërisë. Ndër veprimtarët më të shquar shqiptarë kanë qenë dr. Ibrahim Temo, Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Bej Ohri, Jashar Erebara e të tjerë.
Dr. Ibrahim Temo dha kontributin e tij në krijimin dhe veprimtarinë e klubeve patriotike shqiptare, në hapjen e shkollave shqipe, në mbështetjen e alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe.
Dr. Ibrahim Temo botoi dy libra, atë me kujtime për jetën e Ataturkut dhe, tjetrin – për krijimin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Librin me titull “Atatürkü niçin severim” (Pse e dua Ataturkun) më 1937 në Konstancë librin “Itihad ve Teraki Cemiyetinim te sekkübü” (Formimi i shoqërisë “Bashkim Përparim”) më 1939 si dhe disa libra në fushën e mjekësisë.
3.Aparati shkencor i veprës i ka marrë kohë historianit Shpëtim Sala, sepse ka krye një punë të plotë, të saktë. Gjithanshmërit. Na flet për “kriteret e hartimit të treguesve” (fq. 339). Paraqet “Treguesi Tematik” (fq. 341-354), “Treguesi i Emrave të Njerëzve” (fq. 355-368), “Treguesi i Emërtimeve Gjeografike” (fq. 369-380). Krejtësisht 41 faqe. Nuk janë pak. Sigurisht këto japin dhe peshën e veprës të Shpëtim Salës dhe flasin për përgjegjshmëri shkencore në punën e tij studimore.
Në përmbyllje të veprës, Shpëtim Sala e kryen adetin e vet ma së mirit tue na dhanë dhe “Literaturë e shfrytëzuar” në përgaditjen e hartimin e kësaj vepre të tij shkencore, ku spikasin emra të njohur të historiografisë shqiptare e të atyne që janë marrë me jetën e veprën e dr. Ibrahim Temos, si: Zija Shkodra (shkrim studimor, Tiranë, 1962), Kristaq Prifti (monografi – Tiranë, 1987 e 1993 dhe Prishtinë, 1996), Hasan Kaleshi (Sarajevë, 1976 dhe Neë York, 1982), Bujduveanu Tanase (monografi – Konstancë, 2012); Petrit Pernaska (shkrim studimor, Tiranë, 1980), Lumturi Risvani – Përnaska (shkrime, Tiranë, 2009, 2012), etj.
Vepra “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.Sh.” (Tiranë, tetor 2015) ka një fond të pasur me fotografi të siguruara nga studjuesi Shpëtim Sala, të cilat i ka përndarë me kriter në faqe të caktuara të librit, prej tek ma e para faqe (portreti i Temos) e dekteri tek ma të fundit faqe, ku libralidhen 15 foto me ngjyra (fq.383-396) me faksimile dokumentash dorëshkrimore të I. Temos, etj. I numërova ato. Janë 58 gjithsej. Disa prej tyre botohen për herë të parë. Të tjerat janë foto të rralla. Aty gjenden dhe faksimile. Fotot i japin një bukuri të veçantë librit, veçanarisht këtij libri që është i bukur vet, i shtypur në standarte të larta bashkëkohore.
4.E, nuk duhet me iu vnue pikën këtyne shenimeve për veprën “Dr. Ibrahim Temoja në fondet e A.Q.SH.” për pa e cek dhe një emër tjetër, tashma pjesë e veprës, intelektualen në pension aktiv, Lumturi Risvani, e cila i ka shkrue dy fjalë në krye librit, në hapje të tij, që duken, sit ë thuash, “qershi mbi tortë”.
Ish punonjësja e AQSH në Tiranë. Lumturi Risvani, flet “Mbi krijimin e Fondit “Ibrahim Temo” pranë A.Q.Sh. në Tiranë” (fq. 1-5), ku tregon historikun e “Fondit 19”, që zanafillon nga viti 1962 e ka pasë për kontributor studjues e arkistë të njohur si Haki Sharofi, Osman Myderizi, Jonuz Tafili, Andrea Sahatçi, Eleni Duka, Kristaq Prifti, Ferit Duka, Kujtim Nuro, Nezir Bata, Entela Muço, Krisavgji Zeqo, Arta Nika, Dodona Qyteza, Gelsu Maksutoviç.
Duhet thanë dhe kjo tjetra: Lumturi Risvani ka një punë të pandalur për të nxjerrë përditë e ma shumë e mirë në dritë e vëmendje të kohës figurën e dr. Ibrahim Temos, të cilin e ka dhe të afërt të saj në brezni genetike.
5.Historian Shpëtim Sala është një emër që i ban nder kohës shqiptare me veprat e tij si “Fjalor Shqip-Greqisht-Italisht i Thimi Mitkos” – në dy volume me 626 faqe (Tiranë, 2013) dhe “Letra të panjohura të Nolit (2008), “Një perandor në Prizren” (studim monografik, 2008), “Këngë popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme” (2009), “Raport mbi studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i majit deri në fund të gushtit 1916” i shkenctarit austriak Maximilian Lambertz (përkthim);“Pogradeci në Lëvizjen Kombëtare për Pavarësi” (Sprovë) (2011); “Akti i Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare” (2006, 2011); “Shkollat Shqipe në vitet 1887-1944” (2014); etj.
Kjo vepra e tij e fundit për dr. Ibrahim Temon, një nga figurat kryesore që ngriti në kambë Revolucionin Xhonturk e çoi Shqipërinë drejt Shpalljes së Pavarësisë, është një vepër si i nderon dhe autorin, dhe kohën.

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Ibrahim Temo, FIGURE HISTORIKE KOMBETARE, Historian, Ramiz Lushaj, Shpetim Sala

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT