• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FESTIMI I PASHKËVE NË KOHËN E DIKTATURËS

April 3, 2021 by dgreca

NGA FILIP GURAZIU/

    Festa e ‘Pashkës’ për kristiant asht festa e ‘Ringjalljes’ së Jezusit, pra festa ma e randësishme dhe  e gëzueshme për besimtarët. Jezu Krishti i kryqzuem ndrroi jetë të “prenden e zezë” e mbas tri ditëve, pra të dielen u ringjall. Data e celebrimit të këtij evenimenti lidhet me kalendarin e bazuem në sistemin e muejit “lunar” e ndrron prej vjetit ne vjetë, por gjithmonë bjen në ditën e dielë. 

Emni i kësaj feste rrjedh prej emnit të festës ebraike ‘Pesach’ e citueme te Testamenti i  vjetër prej Moisiut, kur përshkruen lirimin e ebrejve prej sundimit të egjiptianve, e ka kuptimin e ‘kalimit përtej’, prej skllavnisë në liri. Në besimin  Kristian, asht marrë ky moment per me spjegue ‘kalimin përtej’ te Jezu Krishtit prej vdekjës njerëzore në ringjalljen shpirtnore qiellore të përjetshme që shoqnohet me simboliken e ‘purifikimit’ të mëkateve njerëzore drejt nji jete të dytë të vertetë  me “pasterti” shpirtnore.
    Qysh në kohët e lashta pagane, vêja  asht konsiderue prej popujve të ndryshem si simbol i jetës, si simbol i rilindjes së jetës. Në përiudhen  kristiane të Romës, për festen e ‘Pashkës’ vêtë filluen me u lye ( si shej gëzimi e bukurie) e faleshin si dhuratë ndër miq e të aferm për me i urue atyne shpresë për nji jetë ma të mirë e lumtuni. Kjo traditë popullore shoqnoi festen e ‘Pashkës’ deri në ditët tona.
    Në periudhen e diktaturës komuniste ishte reptësisht e ndalueme lyemja e vêve  si dhe dënohej si  propogandë armiqësore karshi parimeve ateiste komuniste. Por ky terror nuk mbrriti me ndalue  familjet e kristiane me ngjyrosë vêtë për festen e ‘Pashkës’, natyrisht kjo mbetej mbrenda nji rrethi të ngushtë familjar e miqësor. Në atë periudhë kishat ishin të mbylluna e feja ishte e ndalueme. Festa zhvillohej brenda mureve të shtëpisë. Simbas festës së ‘ringjalljes’ baheshin urime në mes njeni tjetrit për ringjalljen e shpresës për nji jetë të lirë në Shqipninë e sundueme prej diktaturës komuniste. Si çdo rast gëzimi, edhe festimi i ‘Pashkës’ përmblidhej në gatimin e ushqimeve të zgjedhuna, tradita  kërkonte gatimin e mishit të qingjit të pjekun të shoqnuem me venë, por në atë kohe vorfnie pak kush mund t’a realizonte kët lloj ushqimi. Para se me fillue dreka, nën drejtimin e ma të moshuemit, pjestarêt e familjes bajshin  lutje ‘Krishtit të ringjallun’ për nji jetë sa ma të mirë e përfundojshin tue ba kryq. Gëzimi ndahej  me të aferm e me miq, sipas mundsive ( në klandestinitet) baheshin vizita ndërmjet njeni tjetrit. Ishte traditë, nji lojë (të cilën e aplikojshin zakonisht fëmijtë)  e quejtun ” pikja e vêve “, ndesheshin dy vê, fituesi ishte ai që kishte vên ma të fortë. Lëvozhgat e vêve të ngjyrosuna hidheshin mshehtas në vendin e plehnave, ose groposeshin mbrenda oborrit të shtëpive, kuptohet prej frigës të urdhnit të partisë.
     Diktatura komuniste bante çmos që të prishte çdo iniciativë per me festue Pashkët e sajonte aktivitete masive pikërisht në ditën e dielë të ‘Pashkës’. Në prill të vitit 1979, ditën e ‘Pashkes’ drejtuesit komunist të Shkodrës vendosën me organizue aksionin masiv të popullsisë ne fshat për grumbullimin e shegave të egra  në malin pranë fushës së Torovices ! Aksion i pandigjuem, qesharak e absurd.! Kuptohej se kjo bahej vetëm per me pengue me çdo kusht festimin e ‘Pashkës’. 

   Pikërisht atë ditë nade në orën 7 e 20 minuta ndodhi termeti shkatrrimtar ( 1979) ku vdiqen rreth 48 persona nën gërmadhat e shtëpijave të rrenueme. Ky numer do të kishte qenë shumë herë ma i madh  nëqoftëse  populli nuk do të kishte shkue në aksion, por do të kishte qendrue në shtëpi. 

   Për besimtarët katolike kjo ishte nji shej i qartë i ndihmës së  Zotit, që i mbushi mendjen ‘ komunistave të pafe’ për me organizue aksionin pikërisht ditën e Pashkës’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Filip Guraziu, Packet ne Diktature

PASOJATE “QENDRIMIT ANONIM”NË FUSHËN E EKONOMISË SË TURIZMIT

March 26, 2021 by dgreca

Shkruan:Filip GURAZIU/

Në fjalorine gjuhës shqipefjalës “anonim” i jepet kuptimi :”autori i një vepre ose i nji letre, të cilit nuk i dihet emni, sepse autori asht i panjohun…”, këndej rrjedh se ” qendrimi anonim” merr kuptimin e nji dukunie që nuk njihet, nuk cilësohet , asht e pa emen, pra asht e msheftë.

 ” Qendrimi anonim ose jo ndërlidhet edhe me zhvillimin e përparimin e nji shoqnie njerëzore. Në mënyrë të veçantë, në kushtet e nji ekonomie që përjeton me ligjet e rregullat e tregjeve globale kjo dukuni  ndikon sidomos te zhvillimi e përparimi i ekonomisë së turizmit.

Për nji aktivitet ekonomik i cili prodhon nji element të ri e të  dobishëm për nevojat shoqnore, fakti  i “qendrimit anonim”  në ekonominë e tregut, përkthehet ” vdekje”, mbyllje e aktivitetit ekonomik, në të kundërten publiciteti dhe reklamimi i elementit të dobishëm ndryshon rezultatin.

Shqipnia, gjatë 30 vjetëve post komunizëm, i ka demostrue të dy anët e dukunisë së masipërme: ” qendrimin e mos qendrimin anonim”, por për fatkeqësinë e popullatës së sajë, në të dy rastet rezultatet  kanë qenë frenuese , negative drejt zhvillimit e përparimit ekonomik  të shoqnisë shqiptare.

    Dihet e pranohetse shqiptarët, gjatë  30 vjetëve post komunizem i “kanë ba publicitet”(qendrim jo anonim) veprimeve mafjoze, bandave grabitëse, egërsisë së krimit, mungesës së rendit, korrupsionit të administrarës shtetnore   etj., çka ka ndikue direkt drejt  mungesës së investimeve të hueja në Shqipni me pasojë mungesën e vendeve të punës e mos rritjen e mirëqenies etj.Nga ana tjeter, niveli i dobët i  përkujdesjes për ” vlerat” mjedisore e kulturore të rralla e të veçanata që egzistojnë në tokën e ” shqipeve”, prej institucioneve përgjegjëse  shtetnore e vendore  gjatë këtyne 30 vjetëve si dhe mungesa e duhun dhe jocilësore e publicitetit ( qendrim anonim) për ato vlera, kanë ndikue pak drejt rritjes ekonomike, tue mos krijue vende te reja të punës me pasoje rritjen vorfnisë së popullatës dhe braktisjen masive prejdheut amë.

Të  trishton  deklarata konfidenciale e nji specialisti të Dhomës së Tregtisë Shkodër: ” Prej 20 vjetëve nuk kemi asnji investim të huej që ka sjellë punësim në Shkodër…!!!”  Në kët kontekst, pa dashje dhe si pa e kuptuevjen kujtesa  dëshmuese se në Shkodrën  post komuniste  në fillimet e demokracisë , për katër vjetë, patën qenë realizue 64 bashkëpunime ( tregtare dhe prodhuese) me bisnesin e huej që mundësoi punësimin e mijapersonave…!

Natyrisht ky   shkrim nuk mundet me marrë përsipër  diagnostizimin përfundimtar të kësaj situatë  të pashpresë që po përjetojnë shqiptarëve,shkaqete së cilës i përngjajnë( në fushën e algjebrës lineare)  nji sistem ku numri i të panjohunave asht ma e madh se ai i ekuacioneve…, por vetem analizën e efektit negativ që shoqnon ekonominë dhe rritjen e mirëqenies së nji popullsie në rastet kur vlerat e mjedisit rrethues, natyrore e kulturore, qendrojnë ANONIM.

Sot  trumbetohet me të madhe seekonomia e turizmit asht e do të jetë ekonomia kryesore lëvizëse  në Shqipni( pa ashtuedhe në Qarkun e Shkodrës), strategji që na ndihmon drejt përqëndrimit të argumentimit.

Ekonomia e turizmit përmbledhë,gërsheton dhe zhvillon aktivitetet e shërbimeve,    të tregtisë, bujqësinë, artizanatitsi dhe kontaktet njerëzore, element ky i fundit shumë i randësishëm për zhvillimet përspektive. Turizmi mund të përkufizohet  edhe si aktiviteti që bazohet mbi kuriozitetin dhe dëshirën e njohjës së natyrës dhe kulturës së globit tokësor.Asht pra e qarte se turistat marrin iniciativen me vizitue nji vend kur janë”të thirrun” prej vlerave të veçanta natyrore dhe kulturore që ofron ai vend me të cilat janë njohë, kohë ma parë, prej  publicitetit.Organizimi i këtij të fundit nuk asht i thjeshtë, sepse,  me me qenë bindës për turistat duhen identifikue hollësisht ma parë vlerat natyrore dhe kulturore që ofronvendi mikëpritës. Pra kerkohet  studim, përqendrim e njohje e thellë e territori natyror së bashku me  traditat e veçanta, mënyren e jetesës, gastronominë, veshjet tradicionale, artizanatin e mbi të gjitha kulturën e popullsisë së atij vëndi. 

Nuk dëshiroj me qenë mohues për ato që janërealizue prej insitucioneve shtetnore e vendore përgjegjëse të sektorit të turizmit në Shkodër,  sepse faktikisht aktiviteti i ekonomisë së turizmit në Qarkun e Shkodrë ka qenë në rritje, por dëshiroj me qenë vetem pozitivisht nxitës e  bashkëpunues.

Fakti që papunësia në Shkodër ndodhet  nëshifra shumë të nalta dhe brezi i ri (i pa punë) arratiset çdo ditë e ma tepër, tregon qartë se organizimi i sektorit të ekonomisë “lokomotivë” – Turizmit nuk e paska luejtë rolin e tij ashtu si duhet;paska qenë,  për mos me than i dobët, i pamjaftueshëm. Për mendimin tim nji ndikim të randësishëm, ndër shumë të tjerë…, për mos funksioniminnë nivel bashkëkohortë ekonomisë së turizmit ne Qarkun e Shkodrës  ka luejtë dhe vazhdon me luejtë  fakti se Qarku  dhe qytetii Shkodrës ishte, asht, dhe mbetet (  natyrisht nëkuptiminrelativ) ANONIM për botën e jashtme.

Pyetja qe duhet ti bajmë vetes asht tepër e thjeshtë: Pse duhet të vijnë turistat në Qarkun e Shkodrës, çfarë vlerash i ofrojme atyne?

Identifikimi i hollësishen i vlerave natyrore dhe kulturore i jep përgjigje pyetjes se masiperme, por kjo nuk mjafton, sepse vlerat e identifikueme duhet të jenëtë “kapshme” prej vizituesit, nëkuptimin që turisti duhet të bashkëjetojë e të gjejë kënaqësi me ato. Për konkretizim;Thethit përfaqëson perlen e turizmit malor shqipëtar dhe kohët e fundit frekuentohet mjaft prej turistave vendas e të huej.Meqenëse çdo gja asht riparue e ndërtue me iniciativen e kontributin privat të  banorëve të Thethit, të cilët jetojnë mevështirësi ekonomike, infrastruktura e mjedisit nuk i përgjigjet ma traditës dhe turisti nuk përjeton me vlerat reale të vendit që viziton.Pullazet e shtëpijave karakteristike jane të mbuluem me llamarina e jo me pllaka prej pishe te gdhenduna, kurse gardhet që ndajne  pronat , në vend që të jenë prej drunit të punuem me dorë, janë me beton e rrjetë teli…! Kjo natyrisht nuk shkon, kjo nuk përfaqëson traditen dhe ndikon negativisht te humori i  vizitorëve.

    “Konsiderohet ” jetike” për suksesin e ekonomisë së turizmittë nji vendi,njohja e vlerave reale egzistuese prej ” makinerisë së bisnesit botnor turistik, nëpërmjët reklamimit të vazhdueshëm dhe publicitetit.”

Vlera të veçanta ose ” mbivlera” me  të cilat duhet të njihet ” bota e turizmit”:

*1. “Të dhanat e fiilimit te shekullit XIX-të e radhisin Shkodrën ndër qytetet ma të zhvillueme të Perandorisë Turke në Ballkan. Rreth portit lumor të qytetit funksiononte nji qender tregtare me 2500 dyqane e magazina që për qarkullimin e mallnave konsiderohej ndër kryesoret e Turqisë europiane. Në atë periudhë Shkodra numëronte 40.000 banorë në nji kohë që Athina e Beogradi së bashku kishin vetëm 27.000 ! Ky zhvillim i dedikohej kryesisht pozicionit të veçantë gjeografik ku shtrihet qyteti; pranë autostradave të lashtësisë, rrugëve ujore prej detit Adriatik, lumi Buna e Liqeni i Shkodrës  e kalimit të detyrueshëm të rrugëve toksore që lidhin Europen me Ballkanin, si prej prendimit në lindje  ashtu prej e veriut në jug.”

A nuk mjafftojnë këto fakte historike për me kuptue se si duhet projektue e ardhmja   e Qarkut të Shkodrës? Sistemimi i shtratit të lumit Buna, përveç  përfitimeve të shumta mjedisore, do të mundësonte edhe lundrimin e anijeve turistike prej detit Adriatik deri në liqenin e Shkodrës e anasjelltas.A e merrni me mend se çka don me thanë kjo për ekonominë e dobët të Qarkut të Shkodrës? Rritja e mirëqenies së europianëve së bashku më përparimin e teknologjisë gjatë 40 vjetëve të fundit krijuen kushtet e zhvillimit masiv të turizmit me anije private. Mija e mija anije private gjatë sezonit veror përshkojnë Adriatikun dhe logjika ta thotë se nji pjesë e madhe e tyne,  nëpëmjet Bunës, do të vizitojshin edhe Shkodrën së bashku me resurset natyrore që ofron Qarku i Shkodrës. Gjatë periudhës dimnore këto mija e mija anije qendrojnë të parkueme në portet turistike të Adriatikut e të Mesdheut. Parkimi dhe shërbimi vjetor i anijeve turistike private sjell të ardhuna kolosale për vendet që  i ofrojnë këto porte turistike. Projektimi dhe ndërtimi i nji porti turistik në brigjet e lumit Buna pranë qytetit të Shkodrës realizohet me kosto të ultë ( port lumor) dhe do tëishte shumë i preferueshëm në treg,  sepse uji i ambel ( pa krypë)  nuk ka veti korruzive.

Pse askush ( qeveri e pushtet vendor) nuk e çon zanin për këto mundësi reale                                                                                                         zhvillimi për Qarkun e Shkodrës, por mbesin  Anonime ?

*2. Kështjella Rozafa e njohun  “gojë mbas goje” prej ” Legjendës së Rozafës si dhe prej    shkrimeve të  historianit romak Titius Livius  2133 vjetë ma parë, çuditi botën për qëndresen  kundër ushtrisë turke në vjetët 1474 dhe 1478.(  Historianii shquem amerikan H.Fisher i konsideron këto dy beteja si ngjarjet kulminante në historinë e mesjetës europiane). Falë historisë së shkrueme prej Marin Barletit ” Rrethimi i Shkodrës” e cila u publikue 17 herë në gjuhët e ndryshme europiane,  bota mbarë mësoi heroizmin dhe sakrificën sublime për liri që demostruen shqiptarët në ato beteja epike. Në shekulli e XVIII-të Kështjella Rozafa u ba qendra e dinastisë së famëshme 74 vjeçare  të Bushatllijve  me të cilët lidhet përparimi dhe zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Shkodrës i shekullit XIX-të. A nuk mjaftojnë këto mbivlera historike për me programue ndërkombtarizimin e kësaj kështjelle shqiptare që, përveç sa u tha ma sipër, gëzon edhe nji rekord historik të pandigjuem në historinë e njerëzimit; kurrë e mposhtun prej armikut, por gjithmonë fitimtare ! Kerkohen vetem ide vizionare bashkëkohore  në ndihmë të projektimit transformues të kësaj kështjelle historike në nji “Qender Kulturore polifunksionale ndërkombëtare”, (Ndërlidhje me teleferik me fushen e pazarit të vjeter; Bazë për ulje e ngritje për elikopterë; Restaurim me teknologji bashkëkohore tëmuzeut të kështjellës, Restaurim i Kishës Katedrale të Shën Stefanit;Amfiteater veror;Ndërtim iPallatittë Bushatllijve me arkitekturë karakteristike shkodrane të shekullit XIX-të në rolin e nji qendre kulture  me bibliotekë, sallë teatri, lokale për kurse kualifikimi ; Reastorant- Bar) etj.Programimi vizionar, organizimi me korrektësi i aktiviteteve, publiciteti dhe reklamimi inteligjent  i kësaj qendre polifunksionale kulturore do të mundësonte daljen prej ” qendrimit ANONIM”me pasojë prurjen e  fluksit të  madh turistik drej Qarkut te Shkodrës.

*3.Në asnji agjendë  egzistuese të publikueme deri sot, prej institucioneve që trajtojnë fushën e turizmit në ministrinë përkatëse e pushtetet vendoretë Qarkut Shkodër nuk përmendet e nuk egziston( pra qendrim ANONIM)asnji material tregues, sado modest, për nji perlë të turizmit alpin që ndodhet vetem  36 Km. larg qytetit të Shkodrës. Asht fjala për ” Fushën e Liqenit” të Cukalit ” me sipërfaqe prej 20 ha. dhe  naltësi 1350 m. mbi nivelin e detit.Qendra e dikurshme e shfrytëzimit pyjor në malin e Cukalit. Fusha ka nji pjerrësi natyrale të ambel e asht e rrethueme pothuej prej të tana anëve prej pyjeve të ahut që mbushin naltësitë malore të Cukalit ( rreth 250 m. mbi fushën) prej ku buron edhe ujë i pishëm. Karakteristika këto që i japin pikës alpine të ” Fushës së liqenit ” nji vlerë shumë të madhe për zhvillimin e turizmit malor si në verë asht edhe në dimen mbasi naltësia mbi nevilin e detit dhe pozicioni  i veçantë i terrenit  sigurojnë borë gjatë stinës dimnore. Si spjegohet ky qendrim mohues i vetevetes?

*4. Tashma asht e njohun dhe pranueshme prej kulturës botnore se ” Gegnishtja” asht rraja e gjuhëve  Europiane, pra nji mbivlerë kulturore kolosale për Shqipninë , Gegninë e në veçanti për Shkodrën, qytetin e traditës së shkrimit të gegnishtes letrare, për të cilen paraqitet nji interes i veçantë i studjuesave.  Tue iu shmangë kontradiktës (nuk asht vendi) me gjuhën e standardit që na imponoi me dhunë politike kongresi i vjetit 1972,  dëshiroj me vue në dukje se  institucionet pergjegjëse vendore e shtetnore kurrë nuk shfrytëzuen kët mundësi reale (e cila do të ndihmonte për nxjerjen Shkodrën prej ” qendrimit ANONIM”) tue programue aktivitete në ndihmë të vlerësimit, mos hupjes dhe ruejtjës së këtij thesari kulturor.( Simpoziume studimore  ndërkombtare, “Java e Gegnishtes” me publikime konkurse etj; Gazetë periodike,çfaqje teatrale dhe emisione televizive  në gegnisht etj.)

*5.Kujtojmë se në qytetin e Shkodrës prej vjetësh funksionojnë dy grupe korale polifonike me cilësi të naltë artistike,fitues çmimesh nderi në arenën ndërkombtare, por askush nuk i mbështetë, nuk i vlerëson, nuk i ban publicitet dhe as që i shkon në mend me  programue së paku nji konkurs ndërkombtar koral polifonik i cili me jehonen e tij do ti bante reklamë pozitive qytetit edhenëpërmjet qindra pjesëmarrës që për disa ditë do të jetojshin në Shkodër me qytetarët e sajë. Pse në pikun e turizmit nuk programohen dhe  organizohen koncerte korale në sheshet e qytetit?Pse i mbajmë “anonime”këto vlera ?

*6.Kujtojmë se në qytetin e Shkodrës funksionojnë prej shumë vjetësh rreth 10 dyqane ku piktorëtë talentuem të qytetit pikturojnë dhe shesin pikturat e tyne. Gjithashtu kujtojmë, se me iniciativen personale të skulptorit të shquem shkodran Skender Kraja, po ashtu prej shumë vjetëve funksionon në Velipojë nji ” Campus” me piktorë prej të gjithë botës  të cilët bashkëjetojnë, diskutojnë  e pikturojnë pejzazhet shqiptare.Tregues  këto, jo vetem të aftësive të piktorëve, por edhe i dashunisë së shkodranve per artin e pikturës. Mirëpo çdo gja mbetet anonime, institucionet përgjegjëse nuk programojnë asnji lloj aktiviteti për “nxjerrjen” e ketyne aktiviteteve me shumë vlerë prej ” qendrimit anonim”. Nuk programohen konkurse ndërkombëtare pikture, mungon publiciteti, mungojnë aktivitete të programueme që turistat të njihen me këto vlera(nuk egziston as projekti i vendosjës së skulpturavetë figurave të shqueme të kulturës  në sheshet e qytetit etj.)

*8. Kujtojmë se “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Lahuta,  Xhubleta, Kanga e Veshit, Melodia me gjeth  “janë  mbivlera monumentale historike që prej thellësisë së shekujve shqiptarët i kanë ruejt dhe ia kanë dhurue kulturës botnore. Çka projektohet e programohet  që këto thesare të kulturës botnore të njihet vendorigjina e tyne e ti jepet vlera e meritueme shqiptarëve? Kuj i shërben që këto vlera  mbahen në ” qendrim ANONIM”? Institucionet përgjegjëse shqiptare munden me pasë shumë të mbeta në punën e tyne , por…” ama  në një drejtim  janë treguar tepër të lartë e shumë zemërgjërë”: me sjelljen e tyne indiferente në drejtim të mbrojtjes së vlerave kombtare shqiptare, LAHUTEN e maleve arbnore ia dhuruen SerbisëkurseFustanelen –  Greqisë.Shpresomë se ” Xhubleta ilire” nuk ka me pasë të njajtin fat, mbasi me 05.03.2021 Ministria e Kulturës  i dërgoi kërkesë zyrtare Unescos për njohjen e sajë  si trashigimi kulturore shqiptare.Mungesa e  publicitetit të programuem prej specialistave të fushës përban nji mangësi konkrete të mos njohjes së këtyne vlerave kulturore të trashigimisë shqiptare. Bjen ne sy gjithashtu edhe mungesa  e nji mjedisi të veçantë në qytetin e Shkodrës qëkishte me mundësue   ekspozimin me teknologji bashkëkohore të këtynembivlerave monumentale kulturore në shërbim të turizmit.

*7. Pse nuk i bajmë të njohun botës vlerat tona, por qendrojmë si me vetedashje ANONIM? Nji ndër traditat shkodrane gastronimike me cilësi ta naltë qëvlerësohet në tregun ndërkombëtar asht edhe përpunimi artizanal i putargës së qefullitqë shitet deri 200Euro/Kg. Pse mos të programohet, të organizohet e të ndërkombtarizohet ” Dita e Putargës” në Shirokënë kohën e pikut të turizmit?. Pse institucionet përgjegjëse shtetnore e vendore nuk projektojnë financimin(me kredi zeroose të butë) e nji reparti përpunues të putargës me tekonologji bashkëkohore  në mënyrë që të rritet prodhimin dhe ” Putarga shkodrane” të njihet  si ” markë” në tregun ndërkombtar?

*8. A mundet me u harrue( me qendrue ANONIME) tradita shekullore e Shkodrës për prodhimine mëndashit natyror prej krymbave përkatë që ushqehen me gjethe mandash? Pa dyshim që kjo traditë paraqet vlerë kulturore me shumë interes për vizitorët. Nji repart përpunues i mendashit natyror, ku të përfshihen të gjtha fazate proçesit deri te materialet e përfundueme për shitje ( suvenir) i mungon Shkodrës.

Pa dyshim që edhe shumë vlera të tjera natyrore e kulturore egzituese në Qarkun e Shkodrës meritojnë të  evidentohen  e të mos qendrojnë  ANONIME. Shpresoj se  shkrimi ndoshta ka me nxitë vemendjen dhe përpjekjen e institucioneve përgjegjëse në kët drejtim.

Filip Guraziu

26.03.2021

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Filip Guraziu, Qendrimi anonim, Turizem

” SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA”

February 1, 2021 by dgreca

KUR ARTI SFIDOI DIPLOMACINË DHE SHEMBI MURET E NACIONALIZMIT/

NGA FILIP GURAZIU/

   Pasioni për muzikën më bashkoi (në rolin e drejtuesit organizativ) me Shoqatën Artistike Kulturore “Prenkë Jakova” – Shkodër   me të cilën përshkuem së bashku, në  nji periudhë shumë vjeçare,  nji rrugë të gjatë pune,   me sakrifica  e suksese artistike që nderuen  jo vetëm pjestarët e Shoqatës e qytetin e tyne, Shkodrën , por të gjithë  Shqipninë e shqiptarët kudo që ndodhën. 

Krahas qinda koncertesh ( Shkodër, Tiranë, Korçë, Fier, Tuz, Podgoricë, Gjakovë, Tetovë, Dubrovnik, Kraguejevac, Peç, Budapest, Horoshaza, Venezia, Modena, Borgo San Lorenzo, Camerino, Bari etj.,  po kujtoj veprimtaritë kryesore:  

* Regjistrimi në Radion e Vatikanit të Korit polifonik “Prenkë Jakova” dhe prodhimin e CD-ve  me titullin ” Jubileu 2000″.

 * Koncertet korale polifonike “Lake airs”,  (Kori polifonik “Prenkë Jakova” së bashku me Korin polifonik të Akademisë së Arteve të Cetinies) në Shkodër, Virpazar e Tivat, 2001. 

* ” Medalje Bronzi” në Festivalin Ndërkombëtar të muzikës  polifonike ” Orlando di Lasso” –  Camerino – Itali, 2002. 

* Java e Kulturës Shqiptare në Firenze (Koncertl në  mjedisin e Salone del Cinque Cento,  Palazzo Vecchio), 2006..

 * Koncertet korale polifonike në veprimtarinë “Peace on Earth”, 2008; ( korista e muzikanta prej Berlinit, Novisadit dhe Shkodrës në nji grup artistik të përbashkët)

 * Koncert në Teatrin e Operas të Istanbul së bashku me pianistin me famë botnore Giacomo Campanella të ” Petit Messe Solennele” – Gioachino Rossini, 2010.;

 * Koncerti shoqnues i Meshës së Papa Bergoglio në Tiranë, 2015 etj.

   Ndër veprimtaritë e masipërme,  dëshiroj me kujtue  aktivitetin ” Peace on Earth” si dëshmi e  fuqisë ” magjike”  transformuese të muzikës  në psikologjinë e individit  e në nji shoqni njerëzore.

   Arti në përgjithësi e muzika në veçanti gëzojnë karakter universal  mbasi ato mirëkuptohen nga të gjithë popujt e botës, edhe pse gjuhët i kanë të ndryshme. Në këtë kandvështrim, arti shërben ma mirë se çdo gja tjeter për afrimin e popujve, për rritjen e miqësisë  e forcimin e bashkëpunimit reciprok tue ndikue pozitivisht për vendosjen e themeleve të nji  paqe të qendrueshme, aq të dëshirueme prej të tanve. 

   Mbas ngjarjeve dramatike që përjetuen popujt e ish Jugosllavisë  në vitet nandëdhetë të shekullit të kaluem, nji projekt i përbashkët artistik me protagonista muzikanta me prejardhje etnike dhe fetare të ndryshme prej Ballkanit, merrte kuptimin e nji nisme të mbarë drejt nji periudhe të re miqësie e bashkëpunimi,  çka do të përbante, si me thanë,  nji kontribut konkret për konsolidimin e paqës në rajon.

   Ishte pikërisht ky, motivi që nxiti muzikantin e shquem berlinez  Z.Gerhard Oppelt, për me projektue aktivitetin ndërkombëtar  muzikor ‘Peace on Earth’ me pjesëmarrjen e artistave   berlinez të  ‘ Berliner Figural Chor’ e ‘Jugendorchester Berlin’; prej Novi Sad (Serbi), Kori  ‘Sveti Stefan Deçanski’ e prej Shkodrës, Kori Polifonik ‘Prenkë Jakova’. Projekti u mbështet financiarisht prej  Qeverisë Gjermane e Fondacionit ‘Goethe’.

   Nji ansambël madhështor mbi njiqind e njizet artistash, në të cilin bajshin pjesë, përveç grupeve  të sipërpërmenduna,  edhe  solistë të shquem prej Berlinit ( A. Köpcke, A.C. Carlsted, J. Schnurr, P. Dasch ) mbrrijti me funksionue në mënyrë perfekte, falë profesionalizmit të naltë artistik të Drejtuesve të koreve; z. Gerhard Oppelt,  zj. Tamara Petijević e z. Gjon Shllaku.

   Edhe pse  repertori artistik përmbante muzikë  të nji shkalle të naltë vështirësie, si ishte vepra vokale  ‘Peace on Earth’ e kompozitorit gjerman Arnold Schönberg, impenjimi i pjesëmarrësve bani të mundun realizimin e të gjitha objektivave artistikë. 

   Si nji trupë e vetme artistike, ansambli ‘Peace on Earth’ dha me shumë sukses  dy koncerte në Berlin (26, 27 Shtator 2008);  nji koncert në  Novi Sad  (19 Tetor 2008) e nji tjeter në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, (21 Tetor 2008).

   Muzika e zgjedhun prej Maestro Oppelt ( kompozitori Tomas Tallis) u interpretue  prej tetë grupeve korale me 10 zane  të vendosun në pozicione të ndryshme në sallë, tingujt e shumtë që dukeshin se  vijshin prej qiellit, krijojshin nji atmosferë magjike, tue ngjallë  nji  optimizem të ri për jetën. 

   Historiani filozof  Hendrik Willem van Loon  në studimin e tij ‘ THE ARTS’ shkruen: “ Muzika përban gjuhën me të cilën njerëzimi  komunikon me Zotin”

    A  nuk jemi të tanë krijesat e të njajtit  Zot ? Pse me u  urrye kur në mes nesh kemi dashuninë ? A ka gja ma të dëshirueshme, ma të bukur e ma humane  se vllaznimi i popujve e veçanarisht i të rijve  me prejardhje të ndryshme etnike e fetare, larg nacionalizmave  primitive e regresive?

   Larmia e muzikës së zgjedhur ( J.S.Bach, A. Pärt, S. Mokranjac, H. Schutz, F. Poulenc, Gj.Kapedani )  e gërshetueme me interpretimet origjinale t’asaj që tingëllonte ‘ndryshe’, pasojë kjo e  rrugëve të formimit historik t’artit, i dha një larmi ngjyrash  e pasunoi artistikisht veprimtarinë.

   Me organizue një aktivite të kësaj natyre, natyrisht se asht  mund e sakrificë e madhe, por mbasi “kapet” suksesi, proporcionalisht me mundin asht edhe kënaqësia e krenaria legjitime.

Mija artëdashës shkodranë që mbushën  Katedralen e Shën Shtjefnit, ishin dëshmitarë t’asaj force të madhe magjike që transmeton  muzika. Artistat u vllaznuen, populli u lumtunue. Kanga e “Zojës së Shkodrës” e këndueme bashkarisht prej ansamblit artistik e spektatorëvet ishte urimi ma i bukur e ma kuptimplotë që përhapi veprimtaria ‘Peace on Earth’: “Me ndihmen e Zotit e të vllaznuem,  kemi me ndertue bashkarisht  Paqen. 

   Mbas koncertit, në mjedisin e ‘Fshatit të Paqës’, Karitasi Shkodër organizoi mbramjen e lamtumirës.  Ishte një festë që nuk mund të harrohet jo vetëm për entuziazmin e demostruem, por mbi të tana  për mesazhin që mori çdo pjesëmarrës.  Artistat  gjermanë, serbë dhe shqiptarë, protagonista të veprimtarisë, do të ktheheshin në shtëpitë e tyne me nji ndjejë krenarie për kontributin e dhanë në favor të Paqës, tue ruejtë në zemrën e tyne parimin human  “Dashunia ndërton, urrejtja shkatërron.”  

Jashtë repertorit artistik: 

   Prej organizatorve,  patëm kuptue se nuk kishte qenë edhe aq  e lehtë bashkëpunimi me  nji kor prej Serbije. Shumë propozime për pjesëmarrje në projekt qe u ishin ba grupeve korale në Serbi. ishin refuzue prej tyne; Shkaku ishte se në projekt merrshin pjesë edhe shqiptarët…  No coment! Vetem Kori ‘Sveti Stefan Deçanski’ që ishte kori i Kishës Ortodokse në Novisad,  kishte pranue pjesëmarrjen në projekt mbas shumë ngurrimesh ,” falë vizionit përparimtar të Ipeshkvit Ortodoks të Novisadit”.

   Mbasi patëm realizue fazen e parë të projektit në Berlin, organizatorët na njoftuen se kori serb që do të vinte për koncert në Shkodër, nuk e kishte në plan me fjetë atë natë në Shkodër , por mbas koncertit do të kthehej menjiherë për  në Podgoricë. Arsyeja?! Se nuk ndiheshin të sigurtë në Shkodër… Ky qendrim na shqetësoi, u ndiem të fyem e menjiherë i dhamë përgjigje gjermanëve: ” Në qoftë se kori serb nuk pranon me fjetë në Shkodër, atëherë edha na nuk do të pranojmë me fjetë në Serbi”. Praktikisht kjo donte me thanë se projekti ndërpritet e nuk nuk do të vazhdonte ma, gja që  organizatorët nuk e deshirojshin e nuk e pranojshin. Presioni i tyne i detyroi serbët me ndrrue mendje.

   Faza e dytë e projektit parashikonte koncertin në Novisad, ku shkuem me qef e me kuriozitet. Sistemimi në hotel ishte shumë i mirë, qyteti i bukur,  pjesa e vjeter kishte mjaft  ngjajshmëni  në arkitekturë me qendren e Shkodrës. Shetitëm lirisht, askush nuk na shqetësoi, partnerët serbë të korit nuk i takuem veçse në prova e në natën e koncertit që u zhvillue në Sinagogen e qytetit. Qytetarët e kishin mbushë plot e përplot sallen e madhe të Sinagogës, koncerti pati  shumë sukses, por  binte në sy mungesa e mediave televizive serbe dhe e autoriteteve të qytetit...Mbas koncertit, përfaqësuesi i korit serb na propozoi me ndejë së bashku    në mjedisin e nji taverne në qendër të  qytetit. Shkuem me dëshirë e zumë vend të grupuem  përballë njeni tjetrit. Çdokush  porosiste e paguente vetë! Kishte  nji farë ftoftësije ndërmjet nesh e për me i dhanë pak gjallni mjedisit, filluem me këndue  nji kangë angleze shumë të njoftun ndërkombëtarisht. Mbasi  e mbaruem, menjiherë kori serb filloi me këndue nji kangë vajtimi e, prej shprehjes ” kukù majko “, kuptuem se  ishte kanga e vajtimit të nanës serbe për djalin  që shqiptarët ia kishin vra në Kosovë… No coment! Ftohtësisë së mjedisit iu shtue edhe heshtja!  Nuk kishim se pse me ndejë ma, i thamë natën e mirë dhe dolëm.

   Në Shkodër Kori Serb nuk erdhi i plotë. I mungojshim 6 persona. Prej organizatorëve gjerman kuptuem se ishin pasë qenë pengue prej familjeve të tyne që kishin frigë ” prej shqiptarve në Shkodër”, Si kundërpërgjigje të sjelljeve të masipërme patëm vendosë që në Shkodër, serbve ti tregojmë mikpritjen shqiptare, ” e mira fiton mbi te keqen”. Për ket u organizuem në grupe; i shetitëm në qytet, qendruem së bashku në Bar-Kafe  e i ofruem çdo gja që ato dëshirojshin, edhe qytetarët shkodranë qenë shumë miqësorë me artistat serbë.  Mbas drekës, pronari i Restorant ” Legjenda” ( pjestar i korit shkodran) i ftoi koristat serb për  nji ” party” në mjedisin piktoresk të lokalit ku mbeten shumë të kënaqun. Suksesi i koncertit e qëndrimi miqësor që iu ofrue në Shkodër artistave gjermanë e serbë, u manifestue  edhe në atmosferen entuziaste që shoqnoi darken e mbylljes së aktivitetit te “Fshati i Paqes” Të nesërmen i përcollëm deri në pikën e kufinit  të Hanit të Hotit e i uruem rrugë të mbarë. 

   Mbas kthimit në Novisad, drejtuesja e korit serb na çoi nji leter falënderimi për pritjen miqësore e të veçantë  që kishin gjetë në Shkodër, po kështu edhe Ambasada Serbe në Tiranë na përgëzoi për suksesin e veprimtarisët dhe na falenderoi për qendrimin miqësor që i ofruem koristave serbë.

“Ate çka nuk mujti me e ba diplomacia ma e sofistikueme bashkëkohore tue aktivizue   mija vetë për periudha të gjata kohe e financime  të mëdhaja  e bani mrekullia e artit.” 

Mbramja e mbylljes së aktivitetit ‘Peace on Earth’ në Shkodër datë 21.10.2008  e provoi plotësisht:  “Qëndrimi primitiv nacionalist, pasojë e helmit ideologjik me të cilin  edukohet brezi i ri në disa vende…, u dorëzue para miqësisë së vertetë që  depërtoi në shpirtin pjesëmarrësve nëpërmjet muzikës. 

Dashunija fitoi mbi urrejtje; muret nacionaliste ranë, muzika e bani mrekullinë e sajë…!”

F.G.( Pjesë e librit Dromca kujtimesh” i dërguem për botim)

Filed Under: Analiza Tagged With: " SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA", Filip Guraziu

SHKODRËS IA KANË BLLOKUAR RRUGËT E FRYMËARRJES

January 26, 2021 by dgreca

QYTETI E QARKU I SHKODRËS I KANË RRUGËT E FRYMËMARRJES TË BLLOKUEME!/

NGA FILIP GURAZIU- Qyteti, e në përgjithësi nji vendbanim, asht vendi ku jeta e shoqnisë njerëzore ndërthuret organikisht me mjedisin jo organik ( ndërtesa, rrugë, ura etj). Në kët kuptim ” qyteti” merr nji trajtë të dyzueme; si objekt i shkencave shoqnore  mundet me u trajtue edhe si ” qenie e gjallë”, kurse në fushën e shkencave të tjera trajtimi asht  ndryshe.

Si çdo qenie e gjallë që lenë, zhvillohet, plaket  e vdes edhe ” qyteti” i trajtuem si ma nalt, ka të njajtin fat. Shumë qytete që  njihen si qytete të lulëzuem në periudha të caktueme të historisë, si rezultat i ” sëmundjeve “kronike të frymëmarrjes” të lidhuna ngusht me zhvillimet gjeo-politike të kohës, sot janë vetem gërmadha për hulumtime arkeologjike. Në rastin e qyteteve, ” frymëmarrja” identifikohet prej ” hapsinave jetike” të nevojshme  me zhvillue aktivitetin ekonomik e kulturor. Këto hapsina frymëdhanëse-jetike në varësi prej vend ndodhjes së tyne mund të jenë të jashtme ose të mbrendshme.  Mungesa e frymëmarrjes që vjen prej jashtë asht fatale për qytetin, kurse frymëmarrja e mbrendëshme i jep qytetit agoni. Kur kombinohen të dyja, qyteti vdes e asgjasohet.

    Të dhanat e fiilimit të shekullit XIX-të e radhisin Shkodrën ndër qytetet ma të zhvillueme të Perandorisë Turke në Ballkan. Rreth portit lumor të qytetit funksiononte nji qender tregtare me 2500 dyqane e magazina që për qarkullimin e mallnave u dallonte në tregtinë ballkanike. Në atë periudhë Shkodra numëronte rreth 40.000 banorë në nji kohë që Athina e Beogradi së bashku kishin vetëm 27.000 ! Ky zhvillim i dedikohej  kryesisht” frymëmarrjes prej jashtë” që vinte kryesisht  prej pozicionit të veçantë gjeografik ku shtrihet qyteti; pranë autostradave të lashtësisë; rrugëve ujore prej detit Adriatik, lumi Buna e Liqeni i Shkodrës si dhe   kalimit të detyrueshëm të rrugëve tokësore që lidhin Europen me thellësinë e Ballkanit, si prej prendimit në lindje  ashtu prej e veriut në jug.

     Zhvillimet  gjeopolitike  gjatë gjysës së dytë të  shekullit të kaluem, fatkeqësisht damtuen interesat ekonomike të qytetit. Hekurudha Nish-Shkup-Selanik ndikoi  për spostimin e tregtisë tradicionale prej Shkodrës drejt lindjes, por dami ma i madh i erdhi qytetit prej krijimit të shteteve të rij në Ballkan, në kurriz të tokave me shumic  shqiptarë autokton (në kuadrin e perandorisë Turke). Kufijt e ri politikë, ngushtuen teper tregjet tradicionale ( frymëmarrjen ekonomike) me pasojë izolimin ekonomik të Shkodrës, dukuni që për arsye ideologjike u thellue ma tepër gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

    Duket se shprehja e famëshme e Galileo-s e thanë nën trysninë e inkuizicionit fetar ” E pra…,   rrotullohet” ( bota), nuk lidhet me Shkodrën e veriun shqiptar, sepse  deri sot që po shkruej këto rreshta, megjithëse kane kalue gadi 30 vjetë prej vetëshembjes se komunizmit asgja  thelbësore për zhvillimet  strategjike  në lidhje me shbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes së qytetit e Qarkut të Shkodrës nuk shihet. Asgja nuk lëvizë, asgja “nuk rrotullohet”!

Po të ishte organizue  nji pytësor i thjeshtë, me vetem nji pyetje  drejtue   institucioneve përgjegjësëe ( qëndrore e vendore) për  zhvillimet e ardhme strategjike në Qarkun Shkodër si:  ” Cila  asht strategjia e zhvillimit për rritjen e mirëqenies së popullsisë së Qarkut Shkoder që jep shpresë për jetesë dinjitoze të familjeve të reja?, simbas bindjes time, pytesori kishte me mbetë pa përgjigje !  Jo se nuk duen me dhanë përgjigje, por nuk duen me e  gjetë përgjigjen ! Arsyen e mosgjetjes e dijnë ata!

    Nuk don shumë mend me e kuptue se  elementët bazë, kryesorë  që  munden me  shbllokue ” rrugët e jashtme të frymëmarrjes” së qyteti e Qarkut të Shkodrës me pasojë  risjelljen e optimizmit për jetesë dinjitoze të  brezit të ri në vendin amë janë ” dy “:

    a. Pozicioni gjeografik mbi të cilin shtrihet qarku i Shkodrës  merr vlera strategjike të veçanta për zhvillimin e ekonomisë së  Shqipnisë veri prendimore e ma gjanë,  për faktin se në ultësinën mbi, rreth e poshtë Shkodrës parashikohet zbritja drejt jugut për në Greqi  e dy autostradave trans-europiane që bashkohen në Podgoricë; ajo ” Adriatiko-Joniane” dhe ” Beograd – Podgoricë”. “Pruemja” njerëzore e materiale e këtyne dy autostradave trans-europiane, që detyrimisht duhet të kalojnë rreth e pranë qytetit të Shkodrës, natyrisht që i jep zonës ” frymëmarrje jetike” për zhvillimet në perespektivë. Projektimi me ” vullnet të mirë” e zgjuersi  i “gjurmës” ku  ka me kalue  kjo autostrade , detyrë e institucioneve qendrore në konsultim me vendorët  ka me qenë vendimtare për të ardhmen ekonomike të nji popullsie prej 260.000 banorësh.

    Universiteti U-Polis (urbanizim e arkitekturë) – Tiranë, i cili realizoi para pesë vjetëve detyrën qeveritare per “strategjinë e zhvillimit afat gjatë të Qarkut të Shkodrës”, me të drejtë, gjurmën ku do të kalojë autostrada, e përcaktoi në anën lindore e afer qytetit të Shkodrës, gja që u votue unanimisht prej Këshilit të Bashkisë  Shkodër, por këtu fillon e çfaqet njeni prej absurditeteve ma të çuditëshme në Shqipninë demokratile. Qeveria Shqiptare, qe e pati dhanë detyrën si dhe  financimin për studimin e strategjisë  zhvillimore afat  gjatë të Qarkut Shkodër dhe e pati aprovue atë studim, në praktikë i del kundër ! Sot qeveria e majtë  në pushtet  po ban çmos me bindë palen malazeze që autostrada “Adriatiko-Joniane” të futet në territorin shqiptar në Velipojë e jo në zonën e mbi Shkodrës. Kujtojmë se për kët çeshtje edhe qeveria e djathtë (e para 2013-tës) ishte për variantin e kalimit të autostrafës nëpër  Velipojë. Çdo kush lehtësisht e kupton se përpjekja e qeverisë Shqiptare ( e kundërt me studimin e ma sipërm ) që kërkon me e kalue autostraden në Velipojë drejt Tiranës  tue anashkalue  Shkodrën asht teper negative dhe e damshme për të ardhmen ekonomike drejt rritjes së mirëqenies së popullsisë së  Qarkut  Shkodër sepse i  “bllokon arterien e jashtme të frymëmarrjes”. Shumë i çuditëshëm dhe i pakuptueshëm mbetet “gjumi letargjik” i intitucioneve drejtuese vendore si dhe i shoqatave të shoqnisë civile që veprojnë në Shkodër; as edhe nji herë nuk e kanë çue zanin e tyne  kundër këtij varianti të qeverisë qendrore që denon randë ekonominë Shkodrane. Kjo në shërbim të mbrojtjes  të së drejtës primare të jetës së nji populli :” rritjen e mirëqenies se jetesës në vendin amë”                                                     

    b. Element tjeter( bazë) për strategjinë e zhvillimit të veriut të Shqipnisë, konsiderohet edhe sistemimi i bashkësisë ujore egzistues ( liqeni i Shkodrës, lumejt Buna,Drini, Kiri e Moraça-MN ), në të cilin element kryesor asht sistemimi i lumit të Bunës, si arter i jetës në historinë mijavjeçare të rajonit; i vetmi lum i lundrueshëm në pjesën lindore të Adriatikut  me gjatësi 42 Km e nji ndër lumejt ma të randësishëm të Mesdheut i cili bashkon detin Adriatik me liqenin e Shkodrës, ma i madhi i Europës jugore.

    Me iniciativen e Bashkisë së Shkodrës  në Shtator 1996 pati qenë realizue nji bashkëpunim me shumë vlerë, për projektimin e sistemimit të lumit Buna, me Istitutin ARNI-Boreto (RE)-IT ( Azienda Regionale per la Navigazione Interna – e lumit  Po). Simbas projekt-idesë së realizueme prej Institutit italian ARNI, nën drejtimin e Ing. Dalla Luna, nji ndër ekspertët ma në za  në botë në fushën e sistemimit të lumejve, rezultonte se sistemimi i shtratit të lumit Buna nuk ofron vetëm lundrimin e anijeve detare-lumore të klasës së V-të, me kapacitet 2000 Ton e me thellësi zhytje vetëm 3m., por edhe përmirësime kolosale në fushën mjedisore tue hapë rrugët e rritjes së mirëqenies për popullsinë e zonës. * Krijohen kushte reale për shërimin mjedisor – ekologjik të liqenit të Shkodrës ( kujtojmë  se specie të rralla të ekologjisë mesdhetare rrezikojnë të zhduken si  psh. blini etj. si efekt i fillimit të kënetizimit të liqenit)  *Parandalohen përmbytjet e zonës, që sidomos vjetët e fundit kanë qenë të shpeshta tue shkaktue dame të mëdhaja popullsisë. * Mbrohen fushat pjellore të bregut të Bunës prej grryemjeve erozionale, dukuni shumë alarmante e vjetëve të fundit. * Zhvillohet transporti ujor, tue i dhanë nxitje aktiviteteve ekonomike të mundshme për zonën; industria e çimentos, tregtia e mineraleve, e inerteve, aktiviteti i prodhimit të parafabrikateve prej betoni me dimensione shumë të mëdhaja, përpunimi i landës drusore si dhe implementimi i ekonomisë se ” Plepi kulturës” etj.

* Zhvillohet turizmi, edhe në mugesën e infrastrukturës toksore , tue ringjallë sektorin e shërbimeve, atë të prodhimeve të freskëta bujqësore e artizanatin me aq tradita për qytetin e Shkodrës. * Krijohen mundësi  reale për ndërtimin, organizimin e funksionimin e porteve turistike  per ankorimin e anijeve private  me tonazh të vogel  në lumin Buna ( gjatë periudhës dimnore), aktivitet ekonomik me shumë interes për zonën etj.

    Sa ma sipër don me thanë  zhvillim e rritje të mirëqenies jo vetem për Qarkun  Shkodër, por edhe ma gjanë, për veriun shqiptar me pasojë  frenimin e largimit të shqiptarëve prej vendit amë.     Fatkeqësisht projekt-idea e masipërme e cila përveç vlerave shkencore të ofrueme siguronte edhe  financimin e duhun për realizimin e projektit nuk pati qenë përfillë prej pushtetit të asaj kohe. 

    Historikisht, prej mija vjetësh Shkodra ka funksionue si qytet-port lumor me lidhje, nëpërmjet Bunës, me Adriatikun  dhe  liqenin e Shkodrës. Edhe në strategjinë e zhvillimit afat gjatë shënohet  qartë se  nji ndër elementët me vlerë për ekonominë e Shkodrës do të jetë “Shkodra-Port lumor” , por  përsëri në praktikë ndodhë e kundërta. Me fondet qeveritare, simbas nji projekti të realizuem prej specialistave në qender,  restaurohet ma së miri në shërbim të  turizmit lagja e Shirokës buzë liqenit të Shkodrës, por…, prapë por…, nuk parashikohet e nuk ndërtohet porti liqenor i Shirokës -Shkodrës! Si mundet me qenë në shërbim të turizmit nji qender turistike buzë liqenit, pa pasë portin turistik të sajë ? A mundemi me e  justifikue këtë lloj mungese në projekt me  fjalen ” lapsus” të projektuesave? Natyrisht që jo!  Simbas mendimit tim,  e verteta qëndron te mungesa e vullnetit në qender për me  trajtue me dashamirësi e korrektësi planin strategjik të investimeve për Qarkun Shkodër, të cilin po ata e paten aprovue në vjetin 2016 si dhe te indiferentizmi, për mos me thane “mungesën vizionare” të pushtetit vendor në Shkodër.

    E kuptoj se Shkodra nuk asht Shqipnia , por veç as Tirana nuk asht Shqipnia e kështu, as Vlona, Saranda etj. nuk janë Shqipnia! Ne veriorëve na bahet ” zemra mal” kur kuptojmë investimet strategjike pro zhvillimit e rritjes se mirëqenies në  jug të Shqipnisë, se Shqipnia asht e të tanëve. Gëzohemi se Vlona u lidh me kryeqytetin me autostradë, se Vlona u ba me ” lungo mare” madhështore e me tangenziale drejt jugut, se në Vlonë pritet të ndërtohet aeroporti ndërkombëtar si dhe porti i ri.  Po kështu gëzohemi që Saranda po ndërlidhet me nji rrugë të re bashkëkohore më Gjinokastren , që në Sarandë po ndërtohet nji ” lungo mare” e re cilësore , porti i ri turistik etj. I lumtë qeverisë shqiptare për të gjitha këto investime me vlerë, por për hir të së vertetës, krahas kënaqësisë që ndijmë, përjetojmë edhe ndjejën e diskriminimit,  sepse edhe veriu asht Shqipni, sepse edhe Shkodra ka nevojë për invesitime strategjike si ato që ma nalt i përshkruem.   

   Qeveritarë, mos i trajtoni shqiptarët; ” ky i imi e ky tjetri i njerkës” në bazë të kritereve politike.  Qarku i Shkodrës i ka të nevojshme e të domosdoshme dy ndëryhymje strategjike për të arëdhmen e jetesës së  brezave të rij : autostraden Adriatiko-Joniane me shtrimje në lindje të qytetit dhe sistemimin e shtrati të lumit Buna. “Zoti e ka krijue natyrën në shërbim të njeriut, asht vullneti e inteligjenca njerëzore, e sidomos dashamirësia, që së bashku duhet të gjejnë rrugët optimale për me e shfrytëzue”

      Urojmë e shpresojmë që mesazhi i artikullit mos të mbesin në ” veshë të shurdhuem”. Ndoshta situatat e reja u kan vue edhe ” veshë të rij” politikanëve e qeveritarëve tue i krijue ma shumë ndjeshmëni për realizimin e projekteve  që kanë si objektiv  përmirësimin e së  ardhmes të  nji popullsie relativisht të madhe e njikohësisht shumë të vorfën ai ajo e veriut Shqiptar!

Filed Under: Politike Tagged With: Filip Guraziu, Shkodra e bllokueme

ÇDO REVOLUCION SHPËRTHEN INSTINKTET BARBARE MA ELEMENTARE

April 3, 2020 by dgreca

Nga Aleksander Isaeviç Solzenicyn/*

Dy të tretat e shekullit ma parë, kur isha ende fëmijë, lexojsha me admirim tregime që i thurshin lavdi kryengritsave të Vandea-s, guximit e dëshprimit të tyne, por kurrë nuk do ta kisha imagjinue, as në andër, që në ditët e pleqnisë do të kisha pasë nderin e pjesëmarrjes në inaugurimin e monumentit për nder të herojve e viktimave të atij .rrebelimi.

    Njizet dhetëvjeçarë kanë kalue që atëherë, dhetëvjeçarë të ndryshëm në vende të ndryshme, gjatë të cilëve, jo vetem në Francë por edhe në vende të tjera, opinioni për kryengritjen e Vandea-s e shtypjen së saj të përgjakshme kanë pësue gradualisht qendrime të rinovueme.

Ndezjet pasionante që shoqnuen ngjarjet historike, kurrë nuk lejuen me kuptue e me  interpretue drejt ngjarjet, kurse në nji distancë kohore ma të vonëshme, në nji distancë kur ” gjaknat janë ftohë”, gjykimet kanë qenë ma të drejta e ma afer së vertetës. Për shumë kohë pat qenë ndalue me u folë e me dëshmue se sa patën qenë të vramt e të djegunit gjallë, se çka patën nxjerrë prej gojës në çastet e dëshprimit ato njerëz-viktima të raprezaljeve, ato fshatarë të Vandea-s , të asaj treve me aq tradita pune në favor të së cilës mendohej se revolucioni francez ishte pasë qenë ba, e po ky revolucion i pat shtypë e poshtnue deri në ekstrem tue shkaktue kështu rrebelimin masiv fshatar të Vandeas-s kundë Jakobinve. 

    Se çdo revolucion shpërthen te njëriu, instinktet barabare ma elementare, forcat ma të errtë të smirës, të agresivitetit e të urrejtjes, tashma për bashkëkohësit asht diçka që dihet, por nuk duhet me harrue se në shumë vende të botës, politikanët e moderuem e ato që u akuzuen si të tillë e qe tentuen me mbështetë ide realiste e patën pague, tue e psue randë.

    Shekulli XX-të ka zvogëlue në mënyrë drastike para syve të njerëzimit aurolen romantike që rrethonte rrevolucionin francez të shek. XVIII-të. Prej nji gjysë shekulli te tjetra , tue u nisë prej fatkeqësive personale që patën psue, njerëzit përfundimisht janë bindë se revolucionet shkatërrojnë ndertimin organik të shoqnisë e të rrugës natyrale të jetës, asgjasojnë elementë ma të mirë tue i dhanë fushëveprimi ma të këqijve, që nji revolucion nuk mundet me pasunue vendin, përveç të ndonji aventurieri të paskrupullt, që në çdo vend asht shkaku i vdekjeve të panumurta, të nji vorfnije të skajshme e në rastet ma ekstreme të nji degradimi të gjatë ne kohë të popullsisë.

Nji sllogan me përmbajtje kontradiktorë; vetë fjala revolucion prej latinishtes ” revolve” don me thanë me rrotullue mbrapsht, m’u kthye, me provue prap, me  rindezë ose me ba rromujë. Si e shihni, janë kuptime që nuk ndryshojnë shumë prej njena tjetrës. Në ditët e sotme vendosja e epitetit ” i madh” për ndonji rrevolucion nuk bahet pa ndrojtje e shpesh me keqardhje. Tashma kuptojmë gjthënji e ma mirë që ” efekti social” të cilin të gjithë e dëshirojmë aq shumë, mund të mbrrihet nëpërmjet nji rruge evolutive normale, me pafundësisht ma pak humbje e pa akte mizore. Duhet të jemi në gjendje të përmirësojmë me durim atë çka na ofron çdo situatë ditore. Do të ishte absolutisht e kotë me shpresue se rrevolucioni mundet me rigjenerue nartyrën njerëzore, çka e provoi rrevolucioni i juej  e veçanarisht i joni, rrevolucioni rus që  kishin shpresue aq shumë.

   Revolucioni frencez u zhvillue së bashku me nji sllogan me përmbajtje kontradiktore e të parealizueshme; “Liri, Barazi, Vllazni”, tue harrue se në jetën shoqnore, Liria e Barazia tentojnë me përjashtue njena tjetrën, jane antagoniste. Liria në realitet shkatërron barazinë sociale, asht pikërisht ky njeni prej roleve që luen Liria, kurse Barazia cungon Lirinë, sepse përndryshe  nuk kuptohet se si kishte me u realizue!  Vllaznimi si koncept nuk i përket natyrës së dy të parave e nuk asht gja tjeter veçse nji shtesë e ” rrezikshme”, në fakt nuk janë rregullat shoqnore që krijojnë mundësinë e nji “vllaznimi të vertetë”, tue qenë ky i nji natye shpirtnore. Në fund slloganit të rrevolucionit i shtohej me nji ton kërcënues edhe  shprehja: ” O vdekje…” , çka asgjasonte çdo gja! 

” Kurrë, asnji vendi nuk due me i urue nji revolucion të madh”

    Nëqoftëse rrevolucioni i shek XVIII-të nuk e çoi Francën në shkaterrim të plotë, kjo i dedikohet faktit se ai u pasue prej nji “Terminador-i “. Revolucioni Rus nuk pati nji “Terminador”, për me e frenue, ai pa asnji deviacion e pat tërheqë popullin Rus deri në fundin, në thellësinë e nji humnere të humbjes. 

    Më vjen keq, që këtu nuk gjinden autorë të tjerë, të cilët kishin me shtue  ato që eksperiencat e tyne i patën mësue, ekstremet i përkasin Kinës, Kamboxhias e Vietnamit, ato mund të dëshmojshin se ç’farë çmimi asht pague për revolucionet e tyne!

Kryengritjet e mëdhaja fshatare.

    Eksperienca e revolucionit francez do të kishte qenë e mjaftueshme për organizatorët e programeve ” të lumtunisë njerëzore”, për me nxjerrë mësime, kurse jo, në Russi, u zhvillue gjithëçka në mënyren ma të shëmtueme e në nji shkallë rritëse të pashoqe. Mizoritë e nji periudhe relativisht të shkurtë të revolucionit  francez, patën qenë riaplikue pa hezitim , për turpin e Rusisë, prej komunistave leninista e specilastave internacionalistë, me të vetmin ndryshim që shkalla e organizimit si dhe përsëritja sistematike e tyne i kanë tejkalue tepër atë të jakobinëve. Na nuk kemi pase ” Terminador”, por kemi pasë,  e për kët mund të jemi krenar në koshiencën e shpirtin tonë, Vandean ruse e jo vetem nji. Kujtoj rrebelimet e mëdhaja fshatare të Tambov-it në vjetin 1920 e të Siberisë prendimore të vjetit 1921. Jane ngjarje teper të njohuna, turma fshatarësh të mbathun me caruqe patën marrshue mbi Tambov nën thirrjen e kumonave të Kishës për me qenë mandej të kositun prej mitralozave. Kryengritja ne Tambov pati vazhdue njimbëdhetë muej, megjithëse komunistat gjatë shtypjes patën përdorë tanke, trena të blinduem e aeroplana tue mbajtë rob edhe familjet e kryengritsave, historia provoi që situata shkoi krejtë afer perdorimit të gazit toksik! Kemi njohë edhe nji rezistencë të eger kunder bolshevikëve prej anës së kozakve të Uralit, të Donit, Kubanit e Terekut  që  si dihet u përmbytën në nji prrue gjaku prej nji gjenocidi të pa pamë. 

    Tue inaugurue sot memorialin e Vandea-s suej heroike, pamja e ime dyzohet; shoh me mend monumentet që nji ditë do të jenë rë ndertuem në Rusi, dëshmi e rezistecës kundër përhapjes së hordhive bolshevike. Na së bashku kemi përjetue shekullin e XX-të, nji shekull terrori e frige, fryt i atij “progresi” aq të dëshiruem të shekullit XVIII-të.    

    Sot mendoj se duhet të jenë gjithënji e ma shumë francezë që mund të kuptojnë ma mirë, që mund të vlerësojnë ma saktë ngjarjet e tyne, rrezistencen e sakrificen e Candea-s

Përktheu prej italishtes, Filip Guraziu

( Marrë prej ” Le Monde”)

*( Fjalim i mbajtun në Lucs-Sur-Boulogne në 28.09.1993 me rastin e 200 vjetorit të Kryengritjes së Vandeas prej Aleksander Isaeviç Solzenicyn)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleksander Isaeviç Solzenicyn, Filip Guraziu

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT