-Dita Botërore e Refugjatëve shënohet në Prishtinë si në Londër, me premierën e filmit “Home”. Filmi do të jetë edhe pjesë DokuFest-it të sivjetëm, i cili do të mbahet nga 5 deri13 gusht në Prizren/
-Filmi “Home” është realizuar me mbështetjen financiare të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Fondacionit për Shoqëri të Hapur Londër dhe USAID-it, duke përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 20 Qershor 2016/ Në Prishtinë, në organizim të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër – DokuFest të Prizrenit dhe ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Dita Botërore e Refugjatëve, 20 Qershori, u shënua me premierën e filmit “Home”, në të njëjtën ditë me premierën në Londër.Vitin e kaluar DokuFest-i ia ka kushtuar një edicion të veçantë të festivalit temës së migracionit.
Ishte kjo kohë kur Daniel Mulloy, një partner i respektuar i Festivalit DokuFest, u frymëzua për të filmuar “Home”, film i cili për qëllim primar ka inkurajimin e një perspektive të re për krizen e refugjatëve.
“Unë besoj se flas për të gjithë ne kur them se iu bashkuam këtij projekti për shkak të ndjenjës empatike për gjendjen e refugjatëve në mbarë botën. Ne vetëm mund të shpresojmë se ‘Home’ do të frymëzojë një dhembshuri të ngjashme në audiencat në mbarë botën”, u shpreh një nga producentët kryesorë në realizimin e filmit, Shpat Deda.
Filmi përshkruan historinë e një familje të rëndomtë britanike, e cila duke u përballar me rreziqet që lidhen me humbjen e sigurisë lufton për shpresë dhe sigurimin e një jete më të mirë për të dhe femijët e tyre.
Drejtori ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani, tha se, “derisa ne kemi qenë duke punuar në video promovuese për edicionin e fundit të festivalit me Daniel, kriza më e madhe e refugjatëve në historinë moderne ishte duke u zhvilluar në kufijtë e Evropës”.
“Izolimi i Kosovës, kriza e refugjatëve dhe përballja e Danielit me refugjatët në kalimet kufitare frymëzuan atë për të treguar një histori paralele: të një çifti që jeton në siguri dhe që i marrin fëmijët e tyre dhe shkojnë në një zonë lufte”, vijoi ai.
“Ne jemi krenarë të jemi pjesë e fushatës Me Refugjatët për Ditën Botërore të Refugjatëve të vitit 2016”, tha Bilibani, në kinemanë ABC në Prishtinë, ku u shfaq filmi.
Në njoftimin e dërguar theksohet se, premiera paralele e filmit “Home” në Londër, po ashtu, është pritur mirë nga publiku i atjeshëm.
Filmi “Home” është realizuar me mbështetjen financiare të Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Fondacionit për Shoqëri të Hapur Londër dhe USAID-it, duke përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës.
Film i shkurtër “Home”, me Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore, në regji dhe skenar nga regjisori fitues i Çmimit BAFTA, Daniel Mulloy, me produksion të DokuFest (Kosovë), Black Sheep Studios dhe Somesuch (Angli), do të jetë pjesë e programit të sivjetëm të DokuFest-it, i cili do të mbahet nga 5 deri 13 gusht, në Prizren.
Në 3 mars nga organizatorët në Prizren njoftohej zyrtarisht se, kanë mbërritur mbi 4500 aplikime për DokuFest 2016, edicionin e 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.