• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESISTI ENGEL NË KOSOVË FLET PËR GAZETËN DIELLI

November 20, 2017 by dgreca

1 engel Ramush

-Kongresisti Amerikan Eliot Engel, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës DIELLI në Prishtinë: Mrekulli në Kosovë, shoh progres të madh dhe kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen/

1 Behluli Engel – Behlul JASHARI-Korrespondent i Gazetes “DIELLI”: Z.Engel, pyetja vjen nga një gazetë shqiptare në Amerikë, është gazeta më e hershme, e parë, shqiptare në botë që ka dalë para 109 viteve, është gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ju keni pritur shumë herë në Nju Jork, në Amerikë, shqiptarë, i keni përkrahur, jeni  pritur shumë herë në Kosovë, jeni dekoruar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova në vitin 2005. Tash jeni përsëri në Kosovë, si shumë herë. Kosova është në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë. Kosova dje mbajti balotazhin e zgjedhjeve lokale të gjashta në Liri, të tretave në Pavarësi, ka mbajtë edhe gjashtë palë zgjedhje tjera nacionale, gjithësej dymbëdhjetë.   Pyetja është: Si ndihet Kongresisti  Engel, Miku i Madh i Shqiptarëve dhe i Kosovës, sot në Kosovë, në Prishtinë?…//

-Posta e Kosovës, pullë postare me emrin dhe fotografinë e Eliot Engel/

1 Ramush Engel 1

-Kongresisti Eliot Engel i dhuroi Kryeministrit Ramush Haradinaj Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka valuar në ndërtesën e Kongresit të SHBA-ve

1 Behluli

 SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

1 pulla Engel

PRISHTINË, 20 Nëntor 2017/ Ndihem mrekullueshëm në Kosovë, shoh progres të madh dhe kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen e këtij vendi, tha sot në Prishtinë Kongresisti Amerikan, Eliot Engel, i pyetur nga korrespondenti i Gazetës DIELLI në një vizitë vendit që ka gjithë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të tij e që pas më pak se tre muajve do festojë 10 vjetorin e Pavarësisë, ndërsa sapo votoi dje në balotazhin e zgjedhjeve të gjashta lokale në liri.

-“Ndihem mrekullueshëm, faleminderit që i përmendët zgjedhjet e djeshme sepse natyrisht një prej gjërave më të rëndësishme që një vend i pavaur dhe demokratik duhet të ketë janë zgjedhjet e lira dhe demokratike, dhe i pashë të gjithë ata njerëz duke votuar, njerëz të rëndomtë për të cilët vota ishte e rëndësishme. Ky shtet nuk ka pasur këtë të drejtë deri vonë, edhe nëse ka pasur farë votimesh (sham elections) ato nuk kanë pasur fuqi të ndryshimit. Por, ajo çfarë pamë dje janë vota të vërteta (reale), demokraci e vërtetë, njerëz që zgjedhin qeverisjen e tyre dhe kjo ishte një gjë e mrekullueshme për të parë”, u shpreh Kongresisti Amerikan Engel.Tani, vijoi ai, kur kthehem prapa në kohën  kur kam filluar për herë të parë punën në Kongres në viti 1998 dhe e mendoj  atë që ka ndodhë në atë kohë dhe tani e mendoj vitin 2017 e shoh që ky shtet ka bërë shumë përparime me gjithë veshtirësitë dhe sfidat që ka pasur.

“Kur e shoh këtë progres të madh që Kosova ka bërë në këto vite kam vetëm ndjenja të mira për të ardhmen e këtij vendi”, theksoi kongresisti amerikan nga Nju Jorku, Engel, i pyetur në Prishtinë nga korrespondenti i Gazetës DIELLI.

Në konferenën për shtyp korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI iu drejtua me shumë respekt e mirënjohje Kongresistit Amerikan Eliot Engel, kështu:

Z.Engel, pyetja vjen nga një gazetë shqiptare në Amerikë, është gazeta më e hershme, e parë, shqiptare në botë që ka dalë para 109 viteve, është gazeta DIELLI, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ju keni pritur shumë herë në Nju Jork, në Amerikë, shqiptarë, i keni përkrahur, jeni  pritur shumë herë në Kosovë, jeni dekoruar nga Presidenti historik Ibrahim Rugova në vitin 2005. Tash jeni përsëri në Kosovë, si shumë herë. Kosova është në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë. Kosova dje mbajti balotazhin e zgjedhjeve lokale të gjashta në Liri, të tretave në Pavarësi, ka mbajtë edhe gjashtë palë zgjedhje tjera nacionale, gjithësej dymbëdhjetë.   Pyetja është: Si ndihet Kongresisti  Engel, Miku i Madh i Shqiptarëve dhe i Kosovës, sot në Kosovë, në Prishtinë?

Pas mbledhjes solemne të qeverisë së Republikës së Kosovës, ku mbajti edhe një fjalim, Kongresisti Amerikan Eliot Engel dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mbajtën një konferencë për shtyp.

“Ju dhe unë jemi njohur sa e sa vite dhe jam shumë i lumtur që po punoj me juve për të bërë përparimin e duhur për të dy vendet tona”, tha Kongresisti Amerikan Engel duke iu drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Haradinaj.

“Kemi lidhje të forta. Diaspora shqiptaro-kosovare në SHBA është e fuqishme dhe ne ndajmë bekimet e lirisë dhe demokracisë. Shtetet e Bashkuara janë vendi më i vjetër demokratik në botë, ndërsa Kosova është një prej vendeve më të reja demokratike në botë”, u shpreh Engel.

Ballkani, vijoi ai,  me vite të tëra ka qenë një shkaktar i destabilitetit.

“Tash kemi një demokraci ku të gjithë pjesëtarët e shoqërisë mund të marrin pjesë në të, dhe një shoqëri shumetnike si Kosova, që i tregon gjithë botës se çka mund të arrihet duke i lënë prapa kohët e këqija dhe duke ecur përpara. Ajo është një vend i ri, i pavarur dhe demokratik, me një të ardhme për të rinjtë e këtij vendi. Me vite të tëra jam përpjekur duke punuar dhe duke luftuar për pavarësinë e Kosovës. Kam folur në Uashington për një Kosovë të lirë dhe të pavarur dhe njerëzit më kanë thënë se ishte vetëm një ëndërr që nuk do të ndodhte kurrë”, theksoi Kongresisti Amerikan Engel.

Tani juve Kryeministër dhe Qeverisë së re, vijoi ai, ju dëshiroj gjithë të mirat dhe ta dini se do ta keni gjithmonë mbështetjen time.

“Kosovarët gjithmonë do ta kenë mbështetjen tonë. Kosova do të trajtohet në mënyrë të duhur me respektin që e meriton”, tha Kongresisti Amerikan.

Në vijim ai përkujtoi edhe fillimet e angazhimeve për Kosovën.

“Kur jam zgjedhur për herë të parë në Kongres më 1998, miku im i mirë Harry Bajraktari që ka lindur në këtë vend, por ka ardhur në Amerikë kur ka qenë 19 vjeçar, ka ardhur dhe më ka treguar se çfarë po ndodh në këtë vend që dikur quhej ish-Jugosllavi. Dhe sa më shumë që hulumtonim, e pash që dëshiroj të isha pjesë e kësaj lufte dhe filluam që t’i njoftojmë kolegët e mi, një nga një. Filluam me gjithë ato gjëra që i kishim atëherë, por njerëzit gjithmonë e thoshin se kurrë nuk do të ndodhte liria. Tash kjo ka ndodhur dhe i përgëzoj të gjithë qytetarët e Kosovës, Kryeministrin dhe gjithë të tjerët që janë këtu dhe që janë në Qeveri, se gjithmonë do ta keni ndihmën dhe mbështetjen time”, theksoi Engel.

Gjatë konferencës për shtyp, Kongresisti Eliot Engel i dhuroi Kryeministrit Ramush Haradinaj Flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ka valuar në ndërtesën e Kongresit të SHBA-ve.

Në këtë rast, Kongresisti Engel tha: “Në 4 korrik 2017 ky flamur është valëvitur në ndërtesën e Kongresit me kërkesën time, për nder të Kryeministrit Ramush Haradinaj, andaj kam nderin që t’ia prezantoj këtë si një simbol të demokracisë një Kryeministri të zgjedhur të Republikës së Kosovës”.

Kryeministri Haradinaj tha se, është nder dhe kënaqësi që miqësinë që e kemi nga kohët e vështira, populli i Kosovës me Amerikën, po e thellojmë tani në avancimin e demokracisë në Kosovë, forcimin e lirisë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë, për të gjitha komunitetet.

“Ishte nder i madh që edhe dje në raundin e dytë të zgjedhjeve, ju kishim ju si dëshmitar, që ta konstatojmë së bashku, që Kosova vërtetë është një demokraci premtuese. Kosova ka ende tema të hapura, por e ka përcaktimin euroatlantik. Në temat e mbetura të hapura, ne e kërkojmë ndihmën e Amerikës, por po ashtu ju premtojmë se do ta nderojmë këtë ndihmë me kujdesin më të madh për avancimin e demokracisë, të rendit dhe të ligjit, për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, për një Kosovë që është e lirë për të gjithë qytetarët e vendit”, theksoi Kryeministri Haradinaj duke iu drejtuar Kongresistit Engel.

Sot, vijoi ai, na bëtë nder me adresimin tuaj në mbledhjen solemne të Qeverisë së vendit tonë, që u mbajt për nderimin tuaj, edhe unë, edhe kolegët e mi të kabinetit dhe populli i Kosovës ju falënderojmë.

“Njëkohësisht dua t’ju prezantoj se Posta e Kosovës e ka bërë një pullë postare për nderin tuaj, me emrin dhe fotografinë tuaj, dhe dëshiroj ta falënderoj Postën e Kosovës dhe të gjithë popullin e Kosovës për dashurinë që shprehin, ndaj jush dhe ndaj Amerikës në përgjithësi.

E kam nderin që t’ju dorëzoj këtë dhe po ashtu t’ju them se ne jemi me fat që ju kemi mik.

Faleminderit shumë!”, përfundoi Kryeministri Haradinaj duke iu drejtuar Kongresistit Engel.

Javën e kaluar, në 18 nëntor  mbërriti për vizitë në Kosovë përfaqësuesi në Kongresin e SHBA-së, demokrati nga Nju Jorku, Eliot Engel, i pritur në Aeroport nga Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili së bashku me Zëvendësambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland, i uroi mirëseardhje në Prishtinë mikut të madh të Kosovës.

Në mbrëmje, kogresisti Engel u prit në takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Të dielën e djeshme, në ditën e balotazhit në 19 komuna e të rivotimit në një komunë në zgjedhjet lokale 2017, të zhvilluara në raundon e parë në 22 tetor, Kongresisti Amerikan, Eliot Engel vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim.

Me rastin e vizitës së Kongresistit Amerikan Eliot Engel në Kosovë, në axhendën e dërguar  nga Qeveria të Kryeministrit Ramush Haradinaj, për ditën e sotme janë paraparë këto ngjarje:

Homazhe tek Pllaka përkujtimore për viktimat hebraike në Kosovë- në oborrin e qeverisë së Kosovës – ora 07:45; mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës – ora 08:00; konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Haradinaj dhe Kongresmenit Engel – ora 09:00.

Në axhendën e njoftuar nga Qeveria është edhe pjesëmarrja kryeministrit në konferencën për lansimin e Fondacionit Sfidat e Mileniumit në Kosovë – ora 10:00 dhe takimi me Jonathan Nash, kryeshef ekzekutiv i MCC (Sfidat e Mijëvjeçarit).

Demokrati nga Nju Jorku, Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, në vizitën e në Kosovë pritet të  zhvillojë takime edhe me drejtues tjerë institucionalë e politikë.

Ambasada e SHBA në Kosovë në njoftimin e dërguar paralajmëron edhe një ngjarje të hapur për median të hënën në 20 nëntor, në orën 15:15 – vizitën e Kongresistit Engel fabrikës së paneleve solare “Jaha” afër Aeroportit të Prishtinës.

Në 7 korrik 2005, kur në Kosovë qëndroi Kongresisti Amerikan Eliot Engel Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë për kontributin e tij për Pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engel tha se Kosova do të jetë shumë shpejt e pavarur.

 Me rastin e shënimit të 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne në 2 Korrik 2015. Në seancën solemne, për rëndësinë e miratimit të kësaj Deklarate folën edhe Senatori Amerikan Eliot Engël dhe Kryetari i Legjislaturës dhjetor 1989-maj 1992, Ilaz Ramajli, i kohës kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e e Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, kur u mbajt Refrendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur në fundshtatorin 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, e kur u zhvilluan edhe ngjarje të tjera historike për Kosovën e shqiptarët. Kongresisti Amerikan Eliot Engel duke çmuar të arriturat e Kosovës premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e Kosovës edhe në të ardhmen.
Engel tha se Qeveria, Kongresi dhe populli amerikan, do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.

Në 5 shkurt 2014 Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Ramush Haradinaj, në vizitën zyrtare që zhvilloi në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në ndarjen e Urdhrit të Flamurit për Kongresistin Amerikan, Eliot Engel.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, flet Per Diellin, Kongresisti Engel

MBRTERESHA ,LA DIVINA HYJNORE, E MAGJISHMJA INVA MULA

February 7, 2015 by dgreca

Intervistë e Raimonda Moisiut me Sopranon Lirike, Artisten e Shquar me famë botërore,Inva Mula/
Bota e Operës është një piramidë gjigande, ku shumë pak arrijnë të kapin majën e e saj. Madhështore po aq edhe magjepsëse, të intepretuarit në stilin klasik, madhështia e talentit dhe kredencialeve të arritjeve dhe sukseseve të saj, e kanë rradhitur Artisten e Shquar shqiptare, Sopranon lirike operestike, Inva Mula, këtë artiste, në krye të Epokës së Artë të Sopranove të shquara me famë botërore. Kritikët e artit dhe të operas në Shqipëri dhe në mbarë botën e kanë vlerësuar teknikën, vokalin, zërin dhe intepretimet dramatike të saj, si nga më të talentuarit e profesionalë. Repertori i Artistes Shqiptare me famë botërore shkon nga veprat klasike të Verdi-t dhe Pucini-it, George Bizet, etj. E lindur, rritur dhe edukuar nga dy prindër artistë dhe muzikantë, Inva Mula e filloi karrierën si soprano që në moshë fare të re. Në lidhje me teknikën e zërit që në moshën 16 vjecare, ajo ka marrë mësime në piano dhe ka studjuar muzikën seriozisht. Në vitin 1987-ë ajo fitoi konkursin e Cantante d’Albania në Tiranë dhe në 1988-ë fitoi kompeticionin George Enescu në Bukuresht. Në vitin 1992 ajo fitoi një tjetër kompeticion Butterfly në Barcelonë, duke u vlerësuar me Cmimin të Placido Domingo në Operalia International Opera në Paris, 1993-e. Ndër vitet më pas Inva Mula debuton krahas tenorëve të famshëm në Opera Bastille në Paris, në Bruksel për Europalia Mexico, në mynih dhe në Oslo. Në 1996-ë, ajo interpretoi në Opera Médée, të Luigi Cherubini-dhe ju rikthye operës së George Bizet, La Jolie fille de Perth, dhe në vitin 1998-ë ajo incizoi La RONDINE të Pucini-t, së bashku me Angela Gheorghiu për EMI, dhe në 2005-ën, ajo mori rolin kryesor atë të Magda-s, gjatë cfaqjeve në Tuluzë dhe Paris. Artistja Shqiptare do të interpretonte versionin klasik të Ivan IV-t të George Bizet- me debutimin e saj recital, në Salle Pleyel në Paris. Më pas ajo debuton në Itali , duke përformuar Falstaff të Verdi-t në Teatro Alla Scala dhe Rigoletto në Verona Arena. Inva Mula ka intepretuar në Lucia di Lammermoor, La Boheme, dhe Manon, ndër të tjera. Ajo është shumë e njohur dhe e famëshme si Violetta në La Traviata, jo vetëm si roli i parë në TOB, por do të ishte ky rol që i hapi dyertë e shumë Teatrove botërore dhe për shumë vite unë ka interpretuarViolettën, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik të saj, duke e interpretuar këtë rol në shumë qytete e shtete në mbarë botën, duke përfshirë Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto, por që i dha edhe famën Artistes Shqiptare. Në vitin 2007-ë, ajo interpretoi , Adina në operën L’elisir d’amore në Tuluz, dhe në 2009 ajo interpretoi rolin kryesor të Mireille e Gounod-së në Opera e Parisit, Palais Garnier. Ajo gjithashtu është e njohur duke përformuar zërin e Diva Plavalaguna në film Fifth Element.Artistja Shqiptare nuk ndalet! Ajo vazhdon të debutojë në skenat prestigjioze botërore. Talenti i saj muzikor, i kanë dhënë asaj vlerësimin në botë si La DIVINA-Hyjnore! Në këtë intervistë –që unë e quaj veten me fat e të privilegjuar të intervistoj një Artiste të Shquar me përmasa botërore,-Inva na rrëfen se cilat janë dashuritë e dhe sukseset e saj. Për më shumë ndiqni intervistën
Bisedoi Raimonda MOISIU /
-Përshëndetje, më pëlqen të jem e drejtpërdrejtë me Ju. Ju jeni tashmë një prej sopranove me popullaritet botëror dhe më të mira shqiptare, që po debutoni me shumë sukses në skenat europiane, botërore dhe sigurisht ato të origjinës, shqiptare. A është karriera gjëja më e rëndësishme në jetën tuaj?
Edhe unë për të qenë e drejtpërdrejtë, dëshiroj të them se dikur kam menduar që karriera ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Unë nuk egzistoja si person, por ajo që unë ndërtoja artistikisht ishte, qenia ime etj. Etj. Kur mendoj tashmë sa larg të vërtetës sime kam qenë, më vjen të buzëqesh me veten.
Në fakt një artist në vitet e para të suksesit duhet t’i kaloj këto faza, por ka kolegë, që nuk e kalojnë asnjëherë këtë fazë, ndërsa une jam e cliruar nga kjo ndjenjë narciziste, e cila i ka lënë vendin egzistencës time personale dhe përparësive që unë kam zgjedhur në jetë.
-Na tregoni dicka për historinë e zërit tuaj dhe kush mendoni se një sporano e bën të jetë e vetëdijshëme, se si ka qenë zëri i saj, dhe kur keni filluar të këndoni?
-Historia ime ka qenë e ndryshme, duke qenë se edhe prindërit e mij, ishin këngëtarë operistikë. Fillimisht doja të bëja si nëna ime dhe si gjithë fëmijët, të cilët kanë dëshirë të imitojnë. Bëja të njëjtat ushtrime dhe pjesë nga arjet që këndonte mamaja deri në momentin kur një ditë ata më thanë nëse do vërtetë të bëhesh këngëtare lirike duhet të mësosh teknikën vokale. Nëse jo, do ngelesh në nivel amator dhe kjo nuk mjafton për t’u bërë dikushi në jetë!
– Ju keni bërë debutimin e rolit kryesor të një prej operave më të famshme,(vendos titullin e operes e dashur Inva ) në TOB –Kombëtar –Tiranë dhe në disa shtete të Europës e gjetiu në botë,.Si do t’i krahasonit këto eksperienca të jetës suaj?
Në fakt roli im i parë në TOB ka qenë Violetta në La Traviata dhe po ky rol më ka hapur dyertë e shumë Teatrove botërore dhe për shumë vite unë interpretoja Violetten, sikur të isha e destinuar për këtë kryevepër të repertorit operistik. Nëse nuk do t’i kisha hedhur këto hapa të parë të ndrojtura, por me entuziazmin e një 22 vjecare në TOB, nuk besoj se do kisha sigurinë ta interpretoj këtë rol në Scala të Milanos, në Arenën e Veronës, në operën e Parisit në Coven Garden të Londrës etj etj. Dhe besoj se po të këndosh në këto maja të teatrove operistike, e kupton që sa afër dhe sa larg është suksesi. Larg kur nuk e ke akoma , afër kur e përjeton, por gjithmonë me dyshimin nëse je në një ëndërr, të paktën kështu kanë qenë përjetimet e mija .
Për kohë të gjatëka qenë roli i Violettës roli im i preferuar për forcën e madhe dramatike dhe faqet e shkëlqyera muzikore që Giuseppe Verdi i ka gdhendur këtij personazhi.
-Kush janë disa nga sopranot e shquara nga Epoka e Artë e operistikës botërore, në rregjistrimet e të cilave ju gjeni veten?
Unë dëgjoj shumë dhe mundohem të frymëzohem nga shëmbujt më të mirë. Kur jam përpara një roli të ri, e dëgjoj në shumë variante dhe nxjerr mësime nga të gjithë. Kam shumë këngëtarë të preferuar. Por ajo që të mëson vetëm nga mënyra se si këndon pa e parë, është Mirella Freni dhe e kam patur gjithnjë si një pikë referimi .
-Mekanizmi tuaj debutues është mbresëlënës. Në cfarë moshe keni filluar të mendoni në lidhje me teknikën, si ta përmirësoni atë,-dhe cila nga këto mekanizma në kulturën tuaj muzikore është më e vështirë për Ju?
Në lidhje me teknikën e zërit kam filluar në moshën 16 vjecare, por që e vogël kam marrë mësime në piano dhe kam studjuar muzikën seriozisht. Nëna ime ka qenë shumë rigoroze dhe si një profesioniste nuk mund të linte që unë të edukohesha muzikalisht vetëm për argëtim. Ka patur momente kur dëgjoja zërat e shoqeve të mija që luanin në oborr dhe unë duhet të luaja ushtrimet e pianos pa lëvizur nga vendi. Po ju them se kjo nuk është aspak e lehtë për një fëmijë, por vendimtare për një artist të ardhshëm .
-Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?
Të ndjehesh nervoze apo e lodhur është pjesë e lojës dhe nuk mbaron vetëm me kaq !
-Është e vërtetë se të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri për muzikën dhe të njëjtin motivim për punën e tyre? Sa individualizëm mund të përballojnë orkestrantët?A ju motivojnë ata? Si e gjeni ekuilibrin e duhur mes përformancës individuale dhe përformancës të orkestrëës?
Nuk di të them nëse të gjithë muzikantët ndajnë të njëjtën dashuri dhe passion. Kjo varet nga individi, ashtu si dhe në jetë nuk jemi njësoj mendoj. Njerëzit e një profesioni nuk mund të jenë të tillë.Kur jam në skenë mendoj gjithnjë: Ç’e shtyn një artist të përballojë sfidën e përgjithësisë dhe kush ja jep këtë forcë për të përballuar sytë dhe veshët e mijëra spektatorëve, të cilët fokusohen në një “trim të vetëm në fushën e betejës”, ndërsa muzikantët e orkestrës ndajnë përgjithësinë e grupit dhe ekspozimi i tyre nuk është i kësaj përgjithësie natyrisht.
-Një nga aspektet më interesante të punës tuaj duhet të jetë me siguri sfida e koordinuar mes këngëtarëve të operës dhe aktorëve. Cili është sekreti i komunikimit të ideve tuaja me ta në një vepër operistike?
Një këngëtar operistik duhet të jetë dhe një aktor i mirë. Sot nuk mjafton vetëm një zë i bukur, por një artist i kompletuar. Gjithnjë e më shumë kërkohet nga regjizorët një “aktor që këndon bukur” dhe jo një këngëtar që aktron, pasi janë kërkësat e tilla. Madje kërkohen dhe këngëtarë operistik me fizik të mirë, nuk mjafton vetëm zëri i bukur në një botë arti kaq kompetitiv .
-Si arrini ju të krijoni rolin me partnerët meshkuj në një skenë dashurie? A ka ndonjë mënyrë për të vepruar natyrshëm, që të vazhdoni ta mbani atë në nivelin profesional?
Pyetje që më bëhet për herë të parë në një intervistë, por që është shumë interesante për t’u shtjelluar. Më ka qëlluar të interpretoj një skenë dashurie me partnerin dhe nëse provat kanë filluar më përpara dhe të kem ardhur me vonesë, të mos dij as emrin e personit në fjalë. Në fakt kësaj i thonë të jesh në “pozitë të vështirë”. Por, qëllon të kesh partner një koleg, shok me të cilin ke interpretuar më parë dhe ti kalosh këto momente në mënyrë sportive.Vërtet vjen një moment që ti harron se kush je dhe futesh në petkun e personazhit, kështu kalon dhe momenti i ndrojtjes, duke i lënë vendin profesionalizmit. Është vërtetëgjuha e trupit dhe personazhi që rilind në personin tënd, i cili futet në kontakt me ngjarjen dhe raportin me të tjerët, të bën të harrosh kush je dhe cilën epokë apo ngjarje je duke përjetuar.
-Do doja t’iu pyesja se në ç’raport është lidershipi i sopranos me muzikën simfonike kundrejt asaj operistike? A keni më shumë liri në interpretim?
Të interpretosh një personazh operistik dhe të jesh në skenë ne versionin koncertal janë dy këndvështrime të ndryshme. Sigurisht në versionin e dytë ke lirinë, për të krijuar një spektakël pa petkun e personazhit, kështu ti krijon dhe jep në njëfarë mënyre më shumë nga vetvetja .
-C’mund të na thoni në lidhje me kulturën muzikore dhe atmosferën artistike në Shqipëri? Cfarë do të dëshironit të kishte bota shqiptare nga kultura muzikore e atyre vëndeve të huaja ku ju keni debutuar, vecmas e Parisit?
Arti dhe kultura i një kombi shkon paralel me zhvillimin e tij ekonomik. Kur sot në Shqipëri akoma diskutohen dritat, uji, rrugët nuk mund të pretendojmë që lulëzon arti. Fatkeqësisht ne diskutojmë sot për probleme egzistenciale, për shumicën e popullsisë, por nuk mund të mohojmë arritje të individëve të talentuar, të cilët nuk i kanë munguar dhe i mungojnë kombit tonë. Sot të jesh artist në Shqipëri dhe të paguhesh si i tillë, është shumë larg asaj që duhet, prandaj dhe shumë syresh i janë kthyer artit komercial , që është për të mbushur mbi të gjitha barkun. Problemet janë të ndryshme dhe në të gjitha fushat e artit, të diskutosh për to, nuk ke nga ta fillosh, pasi dhe zinxhiri i funsksionimit të dikurshëm të institucioneve artistike është prishur. Ajo që dhemb më shumë është se shteti nuk e ka në listën prioriteteve të tij mbështetjen e artit e anash kalon për t’i lënë vendin zhvillimit kaotik që po merr cdo hallkë e zinxhirit artistic. Nuk e di deri kur do vazhdojë kjo, por frytet e kësaj gjendje do t’i paguajnë brezat që do vijnë dhe do të jenë të pariparueshme konseguencat.
-Sipas mendimt tuaj, cfarë është qëllimi maksimal i Artit?
Definicioni im për Artin është: Liri e shpirtit për ta shprehur atë në formën me sublime të krijimit të formës artistike .
-A jeni duke punuar në ndonjë projekt tani-për –tani? A mund të na jepni ndonjë informacion në lidhje me të?
Projektet janë të shumta në fushën e interpretimit, por ajo që për mua është tepër interesante dhe e vecantë është një bashkëpunim që do të kem në muajin maj me TOB për të interpretuar dhe vënë në skenë operën Pagliacci të kompozitorit italian Leoncavallo. Unë vij për herë të parë si regjizore e spektaklit, por e kam thënë dhe më parë, jo për të filluar një karrierë të re, atë si regjizore, por për të realizuar dhe konceptuar një produksion, i cili është frut i eksperiencës dhe vizionit tim të spektaklit nga fillimi në fund. Kjo do jetë një sfidë e re në karierën time dhe jam duke punuar fort për t’ja arritur qëllimit .
-Kur jeni ndjerë krenare për punën tuaj?Dhe pse?
Kur realizova koncertin Rrugëtimi i Kombit në 28 Nëntor 2012-ë, në Pallatin e Kongreseve, për rëndësinë e ngjarjes, por mbi të gjitha kushtet e vështira të realizimit të këtij projekti.
-Cfarë është dashuria për Ju, dhe kur e ndjen një grua se është e dashuruar!
Dashuria për mua është përjetim, i cili nuk përkthehet me fjalë. Nuk pres të ma japin dashurinë të tjerët, për ta ndjerë atë, si dhuratë, por jap në cdo moment dashuri nga e imja, për ta ndjerë që ajo egziston dhe atë që ti jep, të kthehet e shumëfishuar.
-Cfarë ju lidh me Kosovën, vecmas me Gjakovën? Po me Rusinë?
Kosava dhe Rusia janë dy vendet ky u lindën prindërit e mij dhe sigurisht unë si fëmijë jam rritur dhe me imagjinatën e këtyre dy vendeve të kulturave dhe gjuhëve të ndryshme dhe pa patur mundësinë për t’i vizituar në ato kohë. Thënë kjo në ambientin ku unë jam rritur, ëshëe folur për gjithshka dhe ka patur gjithnjë shumë hyrje dalje, shumë shoqëri, shumë miq, shumë festa. Kështu unë u rrita si një vajzë kryeqyteti, ku dhe nëna ime e donte pafund Tiranën megjithëse erdhi në moshën 28 vjecare, për mos folur për babain që ishte 16 vjecar kur zbarkoi në Tiranë .
Kur mendoj qëedhe unë u largova nga Tirana në mosheën 28 vjecare dhe vazhdoj të udhëtoj pafund nëpër botë pa gjetur akoma vend-qendrimin ideal, e kam vështirë të përkufizoj cfarë kam marrë dhe cfarë kam lënë nga “rrënjët e mija ”
Përsa i përket formimit tim artistik këtë ja dedikoj prindërve të mij, që më dhanë në radhë të parë dashurinë për artin, dijen për artin, sakrificën për artin, seriozitetin dhe profesionalizmin për artin dhe bënë që jeta ime falë artit të ishte më bukur dhe një ëndërr që jetohet cdo ditë.
-Sa ju mbështet familja në karrierën tuaj artistike?
ARTI është përkushtim. Shumë herë jam ndjerë në faj për kohën që nuk mjaftonte për t’u kujdesur për familjen dhe fëmijët e mij, por një gjë e di që perkushtimi im shpirtëror për familjen time është në të njëjtin intensitet, për atë që në jetë quhet ART.
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: flet Per Diellin, Inva Mula, Raimonda Moisiu

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT