Fletë nga cikli BURRAT E DIBRËS/
Nga Abdurrahim Ashiku/
Kam qenë në Prodan, disa orë në përurimin e një muzeu, larg në kohë. Hipur në një makinë të vogël me katër rrota aktive, na u desh ti binim nga shumë larg, nga Klenja e Stebleva për të “kërcyer si skracell” gropave të një rruge shfrytëzimi pyjor.
Kam në arkiv edhe disa fotografi banorësh nga ai çast që hyri e mbeti në kujtesën tim paksa fosforeshent…
Nuk më takoi që të shkoj sërish në Prodan. E kam në merak ashtu siç kam në mungesë rastet tu bije atyre pyjeve pash më pash e ti ngrijë në celuloid njerëzit e mrekullueshëm të atyre maleve, kala trimërie e burrërie…
Ndodhi që një ditë të “udhëtoj me shpirt”, “udhës pesë orë në këmbë” të Nazmi Koçit.
Udhëtim në një bisedë…
Udhëtim në një rrëfenjë për malet dhe njerëzit e Okshtunit…
Udhëtim në një letërkëmbim të vazhdueshëm me një fëmijë, djalë e burrë të Prodanit…
Kam shumë për të treguar. Pak sot, e shumë më shumë nesër…
Ato fjalë, ato ngjarje, më rinuan në shpirt e më morën në fluturim atyre vendeve me shumë trimëri e dije e me pak shkronjë në letër…
* * *
…Një fëmijë, dhjetë vjeç, me një çantë bezeje varur krahaqafë, udhëton pesë orë në këmbë për të ndezë në shpirt një dritë, dritën e dijes. Kaq ishte rruga këmbësore ngjitu e zbrit nga Prodani në Ostren. Udhëtim në këmbë, në shi, në dëborë, në vapë, udhëtim si në legjenda…
Në këmbë do të udhëtonte Nazmi Koçi fëmijë, i ri, burrë, prind…një jetë të tërë. Udhëtim në rrugë pa rrugë, rrafsh e me gropa.
Kam lindur në Prodan të Okshtunit më 17 prill të vitit 1947- e nisim bisedën ndërsa gjerbnim kafenë në një lokal në “Rrugën e Dibrës”. – Aty kam bërë shkollën fillore. Kam pasur fatin e mirë si unë edhe pjesëtarët e familjes, që kisha mësues babanë tim. Babai im Selman Koçi kishte punuar në komitetin ekzekutiv të qarkut të Dibrës, kryetar lokaliteti dhe detyra të tjera nëpunësie por më në fund e lidhi jetën me arsimin.
Ishte shkolluar në Lis të Matit në vitin 1934. Kishte bërë internatin atje. Kishte bërë disa kurse për arsimin në Elbasan, Tiranë. Ëndrra e tij ishte arsimi dhe përfundoi arsimtar në fillim në Borovë pastaj në Prodan.
Dhe bëri një shkollë që të gjithë ata që e kishin parë, përfshi edhe ish shefin e arsimit, Mësuesin e Popullit Selim Alliu kishte deklaruar se ishte shkolla më e mirë në rrethin e Dibrës.
Në Okshtun nuk kishim shkollë shtatëvjeçare kështu që unë në moshën 10 vjeçare u detyrova të shkoj në Ostren të Madh. Të mëdhenjtë e bënin atë rrugë për katër orë kurse unë si i vogël e bëja për pesë. Atje kam bërë klasën e pestë. Kisha një avantazh sepse kisha hyrë i vogël në shkollë. Më 30 nëntor mbarova klasën e katërt kurse me 1 dhjetor fillova të pestën. Brenda një viti bëra dy klasë. Gjithnjë kam qenë në avancë për efekt të këtyre rrethanave sepse në Prodan ishte shkollë verore që hapej në mars dhe mbyllej në fund të nëntorit.
Në Ostren të Madh kam pas fatin të kem mësues të shkëlqyer. Drejtor i shkollës ishte Idriz Biba nga Okshtuni, një normalist i madh, një mësues që do të bëhej pedagog në Institutin e Shkodrës ku jepte matematikë. Mësues kujdestar imi ishte Halim Shehu nga Sllova. Kisha edhe mësues të tjerë dhe nganjëherë me shaka u thoshim: “shkolla është tek ju kurse mësuesit janë nga Okshtuni”.
Okshtuni ka qenë fole mësuesish që në vitin 1907-1908 me Hoxhë Muglicën dhe që vazhdoi e vazhdon edhe sot të ketë shumë arsimtarë.
Në Ostren të Madh kam bërë dy klasë, klasën e pestë dhe klasën e gjashtë. Kisha mësues edhe Selami Muglicën, edhe Jona Muçën.
Mësuesi im Halim Shehu i tha njëherë babait pjesë e këshillit pedagogjik.
“Selman! Djemtë tanë janë fëmijët më të mirë të shkollës, por të shkollës së Ostrenit ama”.
Këtë e kuptova më vonë kur klasën e shtatë e bëra në shkollën Demir Gashi në Peshkopi. Atje, megjithëse kisha qenë me të gjitha pesa pata shumë vështirësi në gjuhën shqipe sepse shkolla që kisha bërë unë, edhe në klasën e gjashtë merrej me ndarjen e fjalës në rrokje kurse mësuesit e mi në Peshkopi Adem Shehu e Ilir Ramizi bënin gjuhë shqipe të nivelit të klasës së shtatë. Lënda më e vështirë për mua në klasën e shtatë ishte kjo. Në matematikë sipas vlerësimeve që bënte Xhelil Kulemani u radhita më i miri i klasës.
Kam pas shokë klase njerëz që janë bërë figura të nderuara. E mora me vete fjalën e profesorit tim Halim Shehu se ne ishim “nxënës të shkëlqyer të kësaj shkolle”.
Kam mbaruar shkollën shtatëvjeçare “Demir Gashi” në vitin 1960.
Babai më detyroi të bëja dy klasë në një vit, pesë orë larg me idenë që të më arsimonte. Ai ndikoi edhe si baba, edhe si mësues, modeli im për jetën edhe sot ndikoi që unë të kaloja në mjekësi.
Fillimisht ishte ideja për të ndjekë rrugën e babait, të vazhdoja për arsimtar. Duke qenë se babanë e kisha mësues priresha. Më dukej vetja në ëndrra sikur isha mësues dhe jepja mësim përpara fëmijëve. Babait tim i pëlqente mjekësia. Duke qenë një zonë ndërtuesish më dhanë të drejtën e studimeve për teknik ndërtimi. Babai tha se nuk më pëlqen. Në qoftë se nuk do të bëhesh mjek atëherë më mirë të bëhesh mësues. U konsultua me Selim Alliun. Ai e donte shumë Selmanin, kishin punuar shefa seksionesh bashkë pastaj e donte babanë tim dhe ishte një kolos i vërtetë ashtu siç e di gjithë Dibra dhe i tha Selman ti e ke shumë mirë, edhe unë e kam çuar vëllain për mjek. Dibra ka nevojë shumë për mjekë. Unë nuk kam bursa në mjekësi kështu që ai duhet të shkojë me pagesë. Ishte një e drejtë me gjysmë burse. U bë razi ta paguante, të më çonte me pagesë, ama atje ku donte ai dhe unë.
Në shtator të vitit 1960 fillova shkollën në Politeknikumin Mjekësor të Tiranës. Ëndrra e babait tim u realizua. Po ashtu ajo u bë edhe ëndrra dhe qëllimi i jetës time.
Si i ardhur nga periferia isha pak i ndrojtur. Shikoja të tjerët që ishin më të shkathët, më të zhdërvjellët, pse jo edhe më të veshur. Mendoja në se do ta përballoja këtë apo jo. Iu kushtova mësimeve dhe shumë shpejt u evidentova si nxënës i mirë që përparoja në të gjitha disiplinat dhe ecja mirë si në letërsi, matematikë kaq sa mësuesi i matematikës njëherë më tha “Po ç’ke ardhur këtu? Të shkoje në gjimnaz dhe të ishe një profesor matematike në gjimnaz.”
Kisha marrë drejtimin tim, nuk bëja koncesion me atë që kishim vendosur me babanë. Dhe në qoftë se gjatë jetës kam arritur sukses i dedikohet asaj që nuk kam qenë njeri i mëdyshjeve. Nëse kam marrë një drejtim kam ecur në atë drejtim. Këtë ua kam sugjeruar edhe fëmijëve të mi, edhe studentëve të mi.
Vazhdova të studioj dhe në semestrin e parë kisha dalë me nota shumë të mira dhe bashkë me një mjek tjetër nga Dibra, të nderuarin Qemal Çadri i cili kishte mbaruar vitin e tretë, bashkë me një mjek tjetër që më vonë u bë një politikan i madh, në shkurt të vitit 1961 na nxorën para shkollës dhe për rezultate të shkëlqyera, na dhanë bursë. Kështu që unë e shpërbleva sakrificën e babait. Unë isha më i vogli midis atyre të dyve dhe suksesi im u quajt më i madh. Unë e mora në një semestër bursën kurse ata pas dy vjet e gjysmë. E kompensova sakrificën që kishte bërë familja dhe arrita ta mbaroj shkollën e mesme me rezultate shumë të mira.
Dibra kishte nevojë për kuadro dhe nuk mu dha bursë pasi mbarova shkollën e mesme. Rrethi kishte bërë një kërkesë që na donte atje në punë.
Im atë hoqi dorë. Më tha se ti bëre shkollën e mesme, je rritur, unë të them shko në punë dhe unë do të rris fëmijët e tjerë. Në se do të merresh me shkollën më tutje këtë punë duhet ta bësh vetë.
Unë kam ecur vetë. Kjo është një histori më vete që ia vlen ta kujtoj. Harxhova disa muaj duke shkuar e duke ardhur. Veja nga Ballenja dhe nga Mali me Gropa sepse i bije ta kemi më afër si fshat. Kam udhëtuar mbi makina ngarkuar me dru, pa pi e pa ngrënë dhe nuk u tërhoqa kurrë derisa takova ministrin të cilit më duhet ti jem mirënjohës. Nuk fola si fëmijë shumë i edukuar po i lodhur dhe i mërzitur nga gjërat i thashë që nuk gjej asnjë shkak pse nuk duhet të shkoj në shkollë të lartë përveç origjinës që jam nga Dibra. A ka ndonjë politikë të tillë që nuk duhet të shkoj pse jam dibran?. Ma thoni? Unë notat i kam, qëndrimin e kam, babanë e kam mësues…
Ai e thirri drejtorin e arsimit të lartë dhe e pyeti se pse nuk e keni çuar këtë djalë në shkollë.
Plani i tha…
Ai mori listën, më pyeti se si e kam emrin dhe shkroi poshtë listës emërore emrin tim 1/1 Nazmi Koçi. I tha afishoje listën. Mua më dha emrin e sekretares së fakultetit dhe më tha do të shkosh të takosh Donika Budo, një grua zonjë, me dekan Hiqmet Dibrën. Ajo ishte strumbullari i fakultetit.
Fakulteti kishte vështirësitë e veta sepse unë e fillova më 1 dhjetor të vitit 1964. Kishin kaluar disa muaj mësim dhe në janar ishin provimet. I pari që më nxori kartonin e kuq ishte profesori i fizikës i cili më tha se po mungove qoftë edhe një orë je i pa klasifikuar. Më vonë e tërhoqi.
Mësuesja e rusishtes në orën e parë më pa me skepticizëm kurse orën e tretë më nxori para klasës dhe u tha të tjerëve bëjeni siç e ka bërë ky.
Kështu avash – avash erdhi sezoni i provimeve. Në atë kohë sapo kishin ikur pedagogët rusë. Fakulteti kishte problemet e veta, vështirësitë e veta. Libra nuk kishim. Kishim përkthime të literaturës ruse të përkthyera keq. Pedagogët kishin qenë asistentë të rusëve dhe tashmë u bënë titullarë dhe shumë herë na kishin deklaruar se do të hyni në vrimë të gjilpërës, mund të ishit bërë traktoristë, kuzhinierë…
Ishte një kohë që kishte vështirësitë e veta mjafton të përmend. Kemi hyrë 24 vetë në provimin e fizikës dhe kanë kaluar 4 vetë. Njëzet janë rrëzuar. Hynë njëqind vetë në vitin të parë dhe në vit të dytë kalonin tridhjetë. Unë nuk pata asnjë mbetje.
Në vitin 1969 u diplomova. Diplomën ma dhanë me një motivacion të shkruar me dorë sa një faqe gazete ku thuheshin shumë fjalë të mira për mua që lidheshin si me rezultatet në mësime por edhe me pjesëmarrjen dhe sukseset në veprimtari jashtëshkollore.
Në vitin e dytë më bënë komandant të një brigade të njëmijë e ca studentëve të mjekësisë. Në klasë kisha figura si Sabit Brokaj, Kristo Pano, Mua një djalë të ri më vunë komandant brigade.
Në garat e GPM që na bënin në atë koha arrita të kap kategorinë sportive në garat 800 dhe 1500 metra derisa profesori i fizkulturës donte me çdo kusht të më merrte në ekipin sportiv. Unë kisha një akord të hershëm me familjen dhe babanë që të mos leja mjekësinë.