-Komisioneri i BE-së Hahn në Kosovë, drejt zbatimit të MSA-së: Duhet të fokusohemi te zbatimi i MSA-së. BE do vazhdojë të ketë rol të fuqishëm në përkrahjen e Kosovës.-Presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.- Axhenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës./
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Nëntor 2015/ Komisioneri i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, sot në Kosovë zhvilloi takime duke nisur me presidenten Atifete Jahjaga dhe në vazhdim me kryeministrin Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe zyrtarë të tjerë përkatës për të diskutuar zbatimin Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së, të nënshkruar në 27 tetor në Strasburg dhe të ratifikuar në Parlamentin kosovar të hënën e kësaj jave, në 2 nëntor. Pas takimit, Hahn dhe Mustafa mbajtën një konferencë shtypi, ku theksuanan angazhimet drejt zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Komisioneri Hahn paralajmëroi se “brenda dy javësh kryeministri Mustafa do të vijë në Bruksel ku do takohet me presidentin Junker për të forcuar më tutje marrëdhëniet e bashkëpënumit BE- Kosovë” .
“Duhet të fokusohemi te zbatimi i MSA-së. BE do vazhdojë të ketë rol të fuqishëm në përkrahjen e Kosovës. Të mos harrojmë që MSA i jep përkrahje zhvillimit ekonomik”, theksoi Hahn.
Ndërsa, kryeministri Mustafa tha se ne duhet të plotësojmë të gjitha kriteret dhe jemi zotuar që do ta bëjmë.
“Për ne është me rëndësi që në fund të këtij viti të jept rekomandimi për liberalizmin, pastaj është çështje e vendeve të BE kur do të hyjë në fuqi”, u shpreh Mustafa.
Në takimin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me komisionarin e BE-së për Politikat evropiane të fqinjësisë dhe Negociatave për zgjerim, Johannes Hahn, u bisedua për shumë çështje që kanë të bëjnë më raportet aktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Hahn fillimisht përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së, duke theksuar se “kjo marrëveshje gjeneron një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zgjerimin e marrëdhënieve tregtare të Kosovës me vendet e BE-së dhe stimulim për zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë në Kosovë”.
Më tutje, Hahn theksoi se presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ky është rezultat i përpjekjeve të vetë institucioneve të Kosovës në përmbushjen e standardeve teknike e politike”, theksoi ai.
Nga ana e tij, kryetari Veseli, potencoi faktin se Kosova është shumë e përkushtuar që të ecë më shpejt në proceset e integrimit evropian, për të shtuar se “MSA-ja është një e arritur e rëndësishme, ngase tashmë ne e kemi të qartësuar rrugën e integrimit, por ajo që na duhet është ecja më e shpejtë në të dy drejtimet: ne duhet të ecim më shpejt në rrugën evropiane, dhe kjo varet nga puna jonë”.
“Ne i kemi të qarta obligimet tona, por edhe Bashkimi Evropian duhet të ecë më shpejt në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Lidhur me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas veprimeve të partive opozitare, Hahn theksoi se axhenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës.
“Deputetët janë zgjedhur të punojnë, të nxjerrin ligje, e jo të defunksionalizojnë parlamentin”, theksoi Hahn.
Kryetari Veseli nga ana e tij u shpreh se, “vështirësitë aktuale janë sfiduese por institucionet e vendit, si dhe vetë partitë politike do të gjejnë shtegdalje, sepse të gjithë kemi të njëjtin vizion politik dhe të njëjtat qëllime lidhur me të ardhmen e Republikës së Kosovës”.
Në takim u bisedua edhe për krizën e refugjatëve me të cilën është duke u ballafaquar aktualisht BE-ja dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo krizë nuk ka pasur ndikim negativ në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova në raport me BE-në.
Në vazhdim Kuvendi kosovar u mblodh në një seancë të veçantë për nder të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili në ceremoninë e nënshkrimit ka thënë se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës.
“Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, theksonte Hahn.
Të dy seancat e Kuvendit kosovar, e të hënës dhe e sotmja, janë të rëndësishme për “procesin e evropianizimit kuptimplotë” dhe për këtë “përkushtimin e plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian”, të theksuar nga kryeministri kosovar Isa Mustafa me rastin e nënshkrimit të MSA-së, të vlerësuar ngjarje historike.
Në 27 tetor 2015 kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe Johannes Hahn, komisioner i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013.
Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në korrik të vitit 2014.
Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës si shtet nga pesë vende të BE-së.
Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.
Në 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.
Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.
Kosova, me pavarësinë e shpallur para 7 viteve, në 17 shkurtin historik 2008, është njohur deri tash nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së. Kosovën, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende, ndërkohë që nën kryesimin e BE-së e mbështetur nga SHBA, Prishtina e Beogardi kanë zhvilluar në Bruksel 29 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror dhe kanë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Komisioneri i BE-së, Hahn në pasditen e mbrëmjen e sotme do ketë një takim të veçantë me përfaaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, zëvendëskryetarin e Kuvendit Sllobodan Petroviç, si dhe me liderin e Listës Serbe Sllavko Simiç, në Zyrën e BE-së. Në axhendën e njoftuar nga Zyra e BE-së në Kosovë është edhe vizita e Hahn në Fabrikën për Trajtimin e Ujit në Shipol – në Mitrovicë.