• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MEDIA PËR DEMOKRACINË

May 2, 2019 by dgreca

GAZETARIA DHE ZGJEDHJET NË  KOHËRA TË PËRHAPJES SË INFORMACIONIT FALS/

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit./

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë/

Kjo është tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit sivjet që shënohet me 3 maj. Çdo vit, anë e mbanë botës, kjo ditë i kushtohet lirisë së shtypit dhe parimeve bazë të saj. Është një ditë e shpallur si e tillë, në mbështetje të lirisë së shtypit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 1993. OKB-ja ka mandatuar organizatën UNESCO që kjo datë të shënohet çdo vit, për t’i kujtuar mbarë botës se liria e shtypit është e pazëvendësueshme për demokracinë, dhe për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, pa dallim. Si një ent i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizata UNESCO, ka si mision të saj të veçantë, “Promovimin e përhapjes së lirisë së fjalës dhe ideve, nëpërmjet fjalës së shkruar dhe imazheve, në mbështetje të medias së pavarur dhe të sigurisë fizike dhe profesionale të gazetarëve.”

Kjo ditë shërben gjithashtu si një rast për të informuar qytetarët mbi shkeljet e lirisë së shtypit – duke u kujtuar atyre se në shumë vende të botës censurohen botimet, gjobiten dhe mbyllen gazetat e revistat, ndërkohë që gazetarët, redaktorët dhe botuesit e tyre sulmohen, kërcënohen, burgosen e madje edhe vriten, si përfundim i profesionit të tyre. Qëllimi i kësaj dite botërore, në mbrojtje të lirisë së shtypit, është edhe për të inkurajuar nisma të reja në mbështetje të lirisë së medias dhe në përgjithësi për të vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në botë.

3 Maji, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, shërben gjithashtu si një kujtesë për qeveritë e ndryshme, që të respektojnë lirinë e shtypit, duke zbatuar angazhimet e tyre që kanë marrë përsipër, ndaj lirisë së medias në vendet e tyre, bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare që ato kanë nënshkruar. Por, kjo datë është gjithashtu edhe një ditë reflektimi edhe për vetë gazetarët dhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe, mbi çështje të lirisë së shtypit, me të cilat përballen në kryerjen e detyrës së tyre, përfshirë ushtrimin e etikës profesionale të gazetarëve.

Dita Botërore këtë vit do të shënohet, përveç të tjerash, edhe me një konferencë ndërkombëtare që po mbahet në Adis Abeba të Etiopisë, e që do të përqëndrohet në rolin e medias në zhvillimin e lirë të zgjedhjeve dhe rolit të saj në mbështetje të demokracisë në përgjithësi. Përveç kësaj konference ndërkombëtare, në këtë ditë do organizohen anë e mbanë botës edhe programe të ndryshme kombëtare dhe rajonale, për të theksuar rëndësinë e lirisë së shtypit dhe zbatimit të parimeve bazë të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë. Njëkohësisht, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është edhe një rast për të vlerësuar gjendjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur median në përgjithësi nga sulmet ndaj pavarësisë së saj nga qeveritë autoritare dhe grupe të tjera, në bashkëpunim me qeveritë, dhe për të kujtuar sakrificën dhe për të nderuar gazetarët, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Themelorja e mandatit dhënë UNESCO-s nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është mbështetja ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, duke besuar se këto liri – si pjesë e lirive bazë të njeriut — ashtu si dhe pavarësia dhe pluralizmi në fushën e medias, janë thelbi i demokracisë së vërtetë, i mirëkuptimit të përbashkët dhe i sigurimit të paqes, në shoqëri dhe në botë.

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Antonio Guterres u shpreh se, “Liria e shtypit është jetike për paqen, drejtësinë, për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik dhe ekonomik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut. Asnjë demokraci nuk është e plotë” shtoi ai, “nëqoftëse nuk ka informacion transparent dhe të besueshëm. Informacioni i lirë, objektiv dhe i paanshëm, “Është gurthemeli për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe mjeti për të mbajtur udhëheqësit qeveritarë, përgjegjës për veprimet os mos veprimet e tyre”, ka thënë ai në mesazhin e tij, duke theksuar më tej se, “Kjo është e vërtetë, veçanërisht, gjatë fushatave zgjedhore” që sivjet është edhe fokusi i Ditës Botërore të Lirisë së shtypit, nënvijoi kryetari i OKB-së. “Faktet dhe jo gënjeshtrat duhet të udhëheqin votuesit kur zgjedhin përfaqësuesit e tyre…”, theksoi Z. Guterres, ndërsa shprehu shqetësimin e tij të thellë, në lidhje me sulmet dhe dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve, anë e mbanë botës. Sipas UNESCO-s, tha udhëheqësi i OKB-së, pothuajse 100 gazetarë janë vrarë gjatë vitit 2018 dhe me qindra të tjerë janë burgosur, ndërsa nga viti 1994 e deri më 2018 janë vrarë gjithsejt 1307 gazetarë. Kur përfaqësuesit e medias bëhen objekt i dhunës, atëherë shoqëritë në përgjithësi e pësojnë rëndë nga sulmet që i bëhen lirisë së fjalës, përfundoi ai mesazhin e tij, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Antonio Guterres

Audrey Azoulay

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay në mesazhin e saj me këtë rast e cilësoi lirinë e shtypit si gurthemelin e shoqërive demokratike. “Të gjitha shtetet, të gjitha kombet fuqizohen nga përhapja e lirë e informacionit, nga debati dhe shkëmbimi i lirë i opinioneve. Në një kohë mosbesimi dhe përpjekjesh për të sulmuar shtypin dhe gazetarinë, është e domosdoshme që të garantojmë shprehjen e lirë të mendimeve, nepërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe informacionit, bazuar në të vërtetat”, është shprehur zyrtarja e lartë e UNESCO-s, në mesazhin që shpërndau në emër të entit që ajo udhëheq.

Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, unë dua të kujtoj njërin prej dekanëve më të njohur të gazetarisë amerikane, të ndjerin Edward R. Murrow, një gazetar me integritet dhe influencë, i njohur jo vetëm në Amerikë, por anë e mbanë botës, si mbrojtës i fakteve dhe i të vërtetës në ushtrimin e gazetarisë. Për një kohë, ai ka kryesuar Entin Amerikan të Informacionit, (USIA) pjesë e të cilit ishte edhe Zëri i Amerikës (VOA), ku kam pasur nderin dhe privilegjin të punoja për 30 vjet. Fjalët dhe shkrimet e tija i konsideronim si udhëzuese dhe frymëzuese në punën tonë të përditshme: “Tradita amerikane dhe etika amerikane kërkojnë prej nesh që të jemi të drejtë dhe të themi të vërtetën. Por, arsyeja më kryesore për këtë është se e vërteta është propaganda më e mirë dhe gënjeshtrat janë propaganda më e keqe”, është shprehur ai. “Që të bindim të tjerët, ne duhet të jemi të besueshëm, e po të duam të jemi të besueshëm, atëherë duhet të themi e të shkruajmë të vërtetën”, ka thënë Edward Murrow, i cili gjithmonë insistonte se platforma e gazetarisë duhej të ishte, pa përjashtim dhe në të gjitha rrethanat, objektive dhe e paanshme.

Në mesashin e saj, Drejtoresha e UNESCO-s Audrey Azoulay, u bëri thirrje shteteve anëtare të organizatës që ajo kryeson si dhe shoqërisë civile dhe organizatave profesionale të medias, anë e mbanë botës, që të festojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën për të qenë të mirë-informuar, pasi sipas saj, liria e shtypit dhe e vërteta e informacionit, janë jetike për zhvillimin normal të çdo shoqërie demokratike.

“Ne nuk mund të trillojmë lajme të mira për të justifikuar praktikat e këqija (qeveritare)”. Edward R. Murrow

“Një komb delesh do të ketë së shpejti një qeveri ujqërish”. Edward R. Murror

“Asnjë udhëheqës autoritar nuk mund të terrorizojë një komb, por nëqoftëse të gjithë jemi bashkëpunëtorë të tij, atëherë një gjë e tillë është e mundur”. Edward R. Murrow

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Media dhe Demokracia

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT