• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPNIA KISHTE“KULM DHE THEMEL”!

February 11, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/Melbourne-Australi/
1946 SHKURT…/
■“… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasadori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “simbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.
■Me siguri në kujtimet e veta ambasadori i Jugosllavisë në Shqipni Josip Gjergje, që nga viti 1945 organizonte veprimet e Titos në Shqipni, në bashkpunim me kolonelin sovjetik S. Sokolov, që pak ma vonë solli tek ne ambasadorin sovjetik D.S. Çuvahin. Edhe pse Shqipnia i kishte fillue lidhjet me Stalinin që në 1927 me Fan S. Nolin e Ali Kelmendin, ambasador në Moskë ishte emnue një nga organizatorët e Kominternit që në vitin 1937 në Shqipni, Koço Tashko, i cili edhe pse njihte Ameriken, tek ne “hodhi faren e keqe të komunizmit, që mblodhi nëper Greqi…” bashkë me Dr. Omer Nishanin, dhe të gjithë bashkë edhe pse ishin të shkolluem, po u themi, tue i krahasue me injorantët që i kishin grumbullue me 8 nandor 1941, e “pa u kujtue fare” kishin hy në vathen e zagarit Enver Hoxha “që kafshonte robtë e shtëpisë…”, tue i sherbye Titos dhe Stalinit si donin ata!
■Të gjithë këta Antishqiptarë ishin të ngarkuem nga sllavokomunistët e Veriut dhe të Jugut me detyrë të cilen, “vazhdoi ai, simbas porosisë që kam prej qeverisë sime, …të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkoder, me në krye Françeskanët!”
■Po, ku, me fillue e dijmë me kohë… e “deri ku vazhdoi ai, nuk e thotë asnjeri”!..
Nuk i harronin as sllavokomunistët serb, as malazezët “telashet” që ua solli Bratila e Gerça e Dedë Gjo’ Lulit, Kelmendi, “Beslidhja e Veriut”, Doket e zakonet e “Kanunit Lekë Dukagjinit” të mbledhuna nga At Shtjefen Gjeçovi i vramë prej tyne, e “Kanuni i Skenderbeut”… nga Imz. Frano Illija. Sandalet e Françeskanëve të Troshanit, që prej Shek. XIII kishin mbjellë e rritë me lisat e Maleve Formulen “Atdhe e Fe”!

■Duheshin zhgulë Kryqat, “Shenjat e pushimit” nder Male, që kishin latue me kmesat e veta: Dedë Gjo’ Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preçi (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin). Prekë Cali, Gjelosh Luli, Dod Nikolli, Gjergj Vata, Mark Mala, Gjon Destanishta e Zef Kol Prela me 118 Burrat e vramë në Janarin e 1946, në Selcë, pa gjyq…e, Trupat e Tyne të hudhun nder humnera… Edhe sot të panjohun!
■Ua kishte lanë Krajl Nikolla të shkrueme edhe listen e Klerit Katolik Shqiptar, tue fillue nga At Mati Prennushi, organizator e bashkpuntor i Dedë Gjo’ Lulit në Deçiq, bashkë me Ipeshkvijtë e njohun Imz. Luigj Bumçi e Imz. Lazer Mjedja, Imz. Jakë Serreqi, Argjipeshkëv i Shkodres. E lista plotsohej nga Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë per Pavarësi. Nuk mungonte as emni i Imz. Vinçenc Prennushit, që kishte mbajtë një fjalim në Kala të Shkodres, në vitin 1913…
***
■HAPNI DOSJET! Shihni me sytë tuej, se shka ngjau në Shkoder në vitin 1946!
Në kjoftë se turqit i vinin Klerikët Katolik Shqiptar nder hunjë, mbas vitit 1944 “hunjët” u ruejten nder hetuesitë e burgjet e Shkodres per me ua thye brinjët e kokën Atdhetarëve, mbasi ashtu ishte “porosia” e druzhe Titos per terroristin Enver Hoxha!
Vazhdon Pjesa e II…
Melbourne, Shkurt 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, kulm, Shqipnia e Veriut, themel

EDHE “HERONJTË” KANË “DOSJE”…

February 4, 2016 by dgreca

KUSH E TRADHËTOI VASIL SHANTON ..?
Ne Foto: Vasil Shanto 1913 – 1944/
Nga Fritz RADOVANI/
Në shtator të vitit 1961 u emnova mësues në shkollen “Liria” të qytetit të Shkodres. Shkolla fillore ku do të fllojshe punën si mësues, ishte brinjë një kodres, prej ku shihej krejt Pazari i vjetër i Shkodres, po thuej i rrënuem fare…
Ai dikur asht kenë qendra tregtare e Shqipnisë së Veriut ku, nuk mungonte prania e Malit të Zi dhe Kosovës, pa dashtë me shkue disa shekuj mbrapa tek mardhanjet me Venedikun… Sejcili asht mundue me ia lanë fajin e shkatrrimit tjetrit, një ves që Shqiptari vazhdon me e pasë endè, tue justifikue vetën dhe tue fajsue jugosllavët, të cilët donin me rritë vlerat e qendrave të tyne tregtare moshatare të Pazarit tonë. Ka edhe nga ata që ardhjen e grekve në 1949, e paraqesin si shkak shkatrrimi, me djegëjet e prishjet e tyne…Por, asnjena palë nuk ka vue dorë pa lejën e të zotit të shtëpisë, i cili ditë e natë ka mendue si me qitë fare Shkodren…
E vetmja e mirë e mbetun pranë atyne rrënojave ishin njerëzit që jetonin në rrënoja të tjera aty afër, që quheshin “shtëpi” vetëm pse ishin të lyeme me gelqere dhe ata, na i kemi quejtë gjithmonë magjypë ose jevgj, sigurisht tue u nisë nga ngjyra e murrme që ata trashigojnë prej paraardhësve të tyne, të ardhun si hamaj pranë qendres tregtare të Shkodres disa shekuj ma përpara, kur ai qytet ishte edhe “port” i njohtun në Mesdhe.
■Ruej kujtimet ma të mira për ata banorë që me të vërtetë diskriminoheshin edhe pse “Kushtetuta e RPSSH” iu kishte “garantue të gjitha të drejtat e shtetasve”…
Edhe kryetari i Këshillit Popullor të lagjes, i ndjeri Zeqir Dani, punonte hamall… Nuk ishte “anëtarë i PPSH (AP)” sëpse, siç më ka tregue vetë, kishte deklarue se “unë besoj në Zotin dhe nuk heq dorë nga besimi!”, kusht që e përjashtonte mundësinë e kenjes AP. Pra, shumica e burrave punonin në ngarkim shkarkim dhe punë tjera të randa. Edhe gratë e tyne lodheshin në punë të randa, por “përfitonin” nga lejët e lindjeve që pasonin pa ndërpremje njenatjetrën…
Një grue në atë lagje kishte një fëmijë përdore, një kapej për kind të brrandavekve, një tjetër ecte tre – katër hapa përpara, ndërsa ai, që mbahej hopa, ishte mbi tjetrin që përgatitej me lindë…dhe, kur unë tue u qeshë e pyeta:
“Po, ti, Naxhije prap po lindë edhe një tjetër…?”
– Po, zotni Princ (kështu më thirrnin ata), duhet me ba edhe një, se kemi disa borxhe e, në mujshim me i resitë me paret që na jep shteti për lindje…
■Një ndër prindët atje, fëmijët e të cilit i kam pasë pothuej njenimbastjetrit ishte edhe Xhela. Edhe ky hamall por AP. Burrë i heshtun që nuk i ndihej zani i gojës. Më njihte shumë mirë mbasi në vitin 1958 kishte punue me vëllaun tim Alfonsin dhe me Pjerin Vatën, në punishten e venës (tek shtëpia e dr. Mborjes), ku të tre së bashku ngarkonin e shkarkonin kamjonat me arkat e rrushit.
Në vitin 1968, mbas arrestimit të dytë të Alfonsit me “Revolucionin Kultural”, me 13 Qershor 1967, dhe me dënimin e tij me 10 vjet burg mbas 11 muejsh hetuesi speciale në Tiranë, mue më transferuen si mësues nga qyteti në fshatin Kosmaç dhe mbas një viti më larguen fare nga arësimi (gja që më doli ma me hajër…).
Mbas një muej që u dënue vëllau, në muejn qershor 1968, kam takue Xhelën tek Dugajt’e Reja dhe më ftoi me pi një kafe tek klubi aty afër ku, banakjer ishte Lec Troshani. Unë pranova me qejfë dhe u ulëm në një tavolinë nga fundi i klubit me Xhelën. Porsa u ulëm, më tha: “E sheh atë tavolinën aty afër?” – Unë, iu përgjegja po! – Ai më tregoi se pak ditë ma përpara në atë tavolinë ishte ulë vetëm me pi një gotë raki. Porsa ka çue gotën kishte hy në klub Pjerin Vata dhe, mbasi ka marrë një gotë raki në banak asht drejtue tek tavolina ku ishte Xhela.
Pa i kërkue leje asht ulë. Xhela e ka shikue dhe i ka thanë: “Pjerin, para pak ditësh të kam ndigjue në altoparlant tue dishmue në gjyqin e mikut tand Alfonsit. Kur ti ia ke ba ashtu një shokut që keni ba burg bashkë si studenta, mandej edhe mik se ti je kenë edhe kumbara i tij i martesës, unë nuk pranoj me pi në një tavolinë me ty, mbasi më vjen turp me më pa kush me ty tue shkrepë goten…
dhe, u çova e dola nga klubi.”.
■Ky pra, ishte Xhela !..
■Mbas pak vazhdoi: “I urrej spijunët që në vitin 1944…”
Unë e shikova por, nuk po merrshe vesht ku do me dalë me vitin 1944 !..
E, vazhdoi: – “Në vitin 1943 – 44, jam kenë korrjer i grupit komunist të Shkodres dhe kam pasë të njohun Vasil Shanton…Simbas porosisë, një mbasdreke shkova tek hoteli që atëherë ishte pranë kafes “Rozafa”, përballë Shtëpisë muze të Migjenit. Ai hotel kishte një dalje nga rrugica në krye të së cilës asht pisha, nën të cilën asht ajo grueja që ka peshorën. Aty prita. Doli në orën e caktueme “shoku” Enver Hoxha, bashkë me një shok nga jugu i quejtun Perikli, mbasi të dy i kam njohë pak vite ma parë po tek ai hotel prej Qemal Stafës. Më dha një letër të vogël ku shënohej diçka sekrete për të cilen “shoku” Enver, do të takonte Vasilin sa ma parë… Të nesërmen nade herët u nisa në Vrakë ku ishte Vasili. Nuk pata asnjë problem rrugës, mërrijta dhe ia dorzova letrën Vasilit. Nuk ndeja as me pi kafe por u ktheva shpejtë, mbasi më duhej më njoftue tek hani i Salo Kalit, në Rus me porosi të Vasilit, për me ruejtë dy vende se në darkë mund të vinte Vasili vet’i dyti. Kur mërrijta tek hani nuk gjeta Salon dhe e lashë me e njoftue ma vonë.
Nga darka e gjeta Salon dhe më tregoi se kishte ardhë një përson tjetër prej Vasilit dhe e ka njoftue se Vasili, e ka shtye ardhjen për njëditë tjetër.
Pra, as unë as Salo Kali, nuk dijshim gja ma për ditën e ardhjes së Vasilit në Shkoder. Shkova nga hoteli tjetër në Pjacë por edhe “shoku” Enver, ishte largue nga Shkodra pak orë para. Atëherë, u sigurova se Vasili, e ka shtye për ma vonë ardhjen në Shkoder…
■Të nesërmen, me datën 1 shkurt 1944 nga dreka, rreth orës 2 ka ardhë tek vendi i punës një shok i imi që, edhe ai ndihmonte lëvizjen partizane. Më thërret jashtë dhe më pyeti se, a ke marrë vesht apo jo, se çka ka ndodhë sot në fshatin Gril me Vasil Shanton ? – Unë nuk dijshe asgja.
Ai, më tregoi se Vasilin e kanë pré në besë dhe se, një grup i armatosun ka ba pushkë me té… Vasili ishte vra në atë përpjekje gjoja nga disa fshatarë të Grilit brijë Liqenit Shkodres…
■Atypëraty, më shkoj mendja tek trathtia e “shokut”.
Asnjëherë, nuk kam guxue me e thanë të vërtetën e asaj vrasje me asnjë njeri.
Pse Vasili, nuk erdhi në ditën që dijshe unë këtu?
Pse Vasili kaloi nga fshati Gril atëditë, prej kah nuk kishte ardhë kurr këtu?
Pse “shoku” Enver, iku një natë përpara prej Shkodret?
Vasili ké do të takonte të nesërmen tek hoteli kur, Enveri kishte ikë?
Këto ditë një mik më ka tregue se kështu, i ka ndodhë edhe Qemal Stafës me té. ■Deri pak orë para se ta vrasin Qemalin, ai ishte kenë në shtëpi tek Enveri.
Gjaja ma e ndytë në këte jetë asht me spijunue shokun.
Tashti, më duket se jam lehtësue nga ankthi që kam pasë tash sa vite në zemër!”
***
■Edhe sot, unë kur e kujtoj bisedën e Xhelës, shikoj a kam njeri mbas shpine…
Për çudi, Ai burrë e filloi dhe e mbaroi gjithë tregimin e asaj vrasje dhe në fund, u ndame me té pa më porositë fare për ruejtje sekreti…
E pra, Xhela, nga të gjithë njihej për “jevk” madje, edhe “AP”…
Aty, tek ajo lagje unë,.. nuk njoha asnjë spijun, as tradhëtarë të shokut !..

Melbourne, 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: edhe heronjte kane Dosje, Fritz radovani, Vasil Shanto

29 NANDOR 1944 SHKODRA PUSHTOHET NGA SLLAVOKOMUNISTET!

January 23, 2016 by dgreca

1946 NË SHKODER FJALA “ÇLIRIM” = 26 QENDRA TORTURASH E BURGJE/
Ne Foto: KËTU U NGRIT FLAMURI ME YLLIN JUGOSLLAV/
Nga Fritz RADOVANI-Melbourn-Australi/
Ministria e Punëve të Mbrendshme me Seksionet e Mbrojtjes së Popullit, në çdo skutë të Shkodres, me urdhën nga jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë po prej tyne dhe veglave qorre e tradhëtare të kryesueme nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, etj., kryesisht në Shkodër, në vitin 1946 kishin 26 qendra torturash, hetuesi dhe burgje:
Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
Konvikti “Malet tona”.
Burgu i Madh pranë Prefekturës.
Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
Burgu i vjetër i Gestapos, pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
Shtëpia e Ulqinakut.
Kuvendi i Motrave Servite.
Kisha e Motrave Servite.
Shkolla e Çelës.
Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).
Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
Shtëpia e Guljelm Lukës tek rruga e Jezuitëve (ku internonin).
Shtëpia e Dr. Karamitrit.
Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja.
Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).
Shtëpia e Guljelm Sumës.
Shtëpia e Sandër Saraçit.
Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.

KJO ISHTE SHKODRA ME 28000 BANORË…26 BURGJE…
Kjo qendër antishoveniste sllave që thirrej SHKODËR, duhej shue, duhej rrënue, duhej rrafshue, duhej qitë fare!..dhe, shihe sot si ka vojtë halli i saj!…
Shkodra, deri dje djepi i Fatosave të Atdheut duhej kthye në varr të qytetnimit europian!
Djelmtë shkodranë padallim Feje, studentë, intelektualë, artistë, politikanë e njerëz të thjeshtë jopolitikanë, tregëtarë e zejtarë, puntorë e shegertë e vigaj për kah pamja, vetëm se u thonin “shkodranë” shumë shpejt mbas vitit 1944, do të boshatisnin pjacat, shkollat, rrugicat, shtëpitë, kinematë, fushat e sportit dhe do të mbushnin birucat e Sigurimit të Shtetit komunist. Bashkë me këta azgaj do të jenë edhe mjaft vajza ku ishin ma të mirat e familjeve atdhetare shkodrane si për kah pamja, ndera e kultura.
Ardhja e komandant Sheuqet Peçit në Shkoder per me zbatue terrorin komunist pat kenë fillue me vrasjet tek Bashkija dhe mbylljet e shkollave të Motrave Stigmatine, Jezuitëve, Fretenve, Serviteve dhe të këthimit qendrave të tyne kulturore në hetuesi e burgje.
Personeli terrorist i zgjedhun nga jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë po prej tyne dhe veglave terroriste, kryesisht vëlleh (shif indeksin e drejtorëve të drejtorive të kësaj Ministri) , vëmendjen e kanë pasë gjithmonë në Shkodër. Fillohet me Gjush Dedën e Ndrekë Nallbanin, Ali Qorrin (Bushatin), Cuf Lohën, Lilo Zenelin, Hysni Ndojën, Qamil Gavoçin, Jonuz Dinin, Kasëm Troshanin, Pjerin Kçirën, Ylvi Dibrën, Rasim Dedën, Pjetër Ballaten, Xheudet Milotin, Vehbi Fishtën, Hys Zajen, Elez Mesin, Dul Rrjollin, Dulaq Lekiçin, Shyqyri Qokun, dhe vazhdon me Zoi Themelin, Vaskë Kolecin, Kolec Ilinë, Hilmi Seitin, Feqorr Shehun, Rexhep Kollin etj., që, të gjithë së bashku i kanë shërbye një qëllimi: TRADHËTARË E ANTISHQIPTARË ! Mos harroni me i dekorue si themelues të “SEKSIONIT KATOLIK” pranë Degës së mbrendshme!
Për këtë arësye këta kriminelë të pashpirtë, terroristë e gjakatarë, kanë krye në qytetin e Shkodrës veprat ma të shëmtueme tue torturue në mënyrën ma mizore atdhetarët, gja që, dokumentohet vetëm me kenjen e këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh, zhdukje, burgje dhe shtëpi strehimi për të parainternuem, ku krimet e zhdukjes fillojnë me Martirët: Simon Darragjati, Muzafer Pipa, At Bernardin Palaj, Avokat Paulin Pali, Prof. Kol Prela, Kolec Deda dhe vazhdon me studentët e rinjë të gjimnazeve, me të premit në besë të Maleve dhe fshatrave rreth Shkodres.
Gjyqet janë zhvillue në kinema “Rozafat”, kinema “Republika”, Teatri i Jezuitëve, në shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës etj. Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së Çiurçisë, ku shpesh vriteshin, hudheshin nga dritarët dhe zhdukeshin kufomat me proces-verbale fallse të gjyqeve gjoja të zhvillueme aty.
Qendrat e masakrave ma të mëdha që nuk harrohen kurrë janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu i Kishës së Fretënve, Konvikti “Malet tona”, Dega e Punëve të Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj.
Të vetmit dëshmitarë sikur të “flisnin” do të ishin: Pema e blinit në oborrin e Kuvendit të Fretënve, ullinjtë e pemët e shtëpisë së Çiurçisë, pemët e konviktit “Malet tona”, etj., që, edhe sot ndër rrajtë e kalbuna të tyne ruajnë britmat e virrmat e njerëzve të lidhun dhe të varun, që kanë derdhë gjakun e Shenjtë e kanë dhanë Shpirtin nën degët e tyne.
Ndër krimet e shëmtueme kujtohen: Në shtëpinë e Çiurçisë: Simon Darragjati e Kolec Deda, mbasi u torturuen për një kohë të gjatë dhe nuk pranonin akuzat, u hodhën nga dritarët prej hetuesve Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli. Pal Thanin e ka mbytë në torturë me duart e tija krimineli Fadil Kapisyzi e Dul Rrjolli.
Shoqata e të Persekutuemëve Politik nuk duhet të harrojnë kurrë këto shifra!
Prandej duhen hapë Dosjet! Hapja e tyne “ndoshta” ua kujton:
Po, Muzafer Pipës, Paulin Palit e Rin Monajkës… kur do ti vihet Monumenti ?
Melbourn, Janar 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: 29 NANDOR 1944, Fritz radovani, SHKODRA PUSHTOHET NGA, SLLAVOKOMUNISTET!

EDHE GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU KA DOSJE

January 15, 2016 by dgreca

*KU E KE VARRIN,O GJERGJ KASTRIOTI ?!/
*KISHA E VAUT TË DEJËS KU ASHT KUNORZUE GJERGJ KASTRIOTI U HODH NË ERË NGA FADIL YMERI ME 30 MAJI 1969/
A e dini se edhe Gjergj KASTRIOTI – Skenderbeu… ka “Dosje” ?!/
Nga Fritz RADOVANI/
Kandidati i KQ të PPSh, dhe sekretar i PPSh në hidrocentralin e Vaut të Dejës, një nga mbeturinat anadollake të Shkodres Fadil Ymeri, po ua shpjegonte një ditë një grupit të teknikëve të Fabrikës së Pelhurave, i ulun në një tavolinë të mencës së saj, sesi para pak ditësh, me urdhën të mikut tij “shokut” Ramiz Alia, kishte hjedhë në erë me dinamit një nga veprat e artit të shekullit XIII, Kishën e Vaut të Dejës ku asht kunorzue Skenderbeu.
Fadili po krenohej per këte “besim” që i kishte vue detyrë PPSh… Me madhështi po ua shoqnonte me lëvizje duersh “hudhjen në erë… si një dishka e mbrekullueshme… kur pa u shpernda gurtë, Kisha kishte shkue një cope në hava, mandej ra e u shkatrrue!..”
***
Tashti, me “ringjalljen”… Nuk dij se çfarë detyrash u ka ngarkue “partia dhe qeveria” në vazhdim të shkatrrimit të Atdheut, trashigimtarëve të “veteranëve” që presin urdhna!..
Qendra e Tiranës asht kthye në një livadh të bukur kullose, jo vetem, per kalin e Gjergj Kastriotit, po edhe per nëpunësit e ministrive… të cilët, vazhdojnë me “besnikëri” me i qendrue parullës Ramiz Alisë: “Edhe bar do hajmë, po parimet nuk i shkelim!”…
Qendra e Tiranës më kujton një parullë që qarkullonte shumë vite perpara në Shkoder:
“Të bëjmë qytetin si fshatin!”… Ishte ajo kohë kur u pat mendue me shkatrrue Pjacen dhe qendren tek Kafja e Madhe… Besoj, ju kujtohet, që aty afer u hap kafe “Shangai”…
Na ruej Zot mendjen e kokës!..
Me të drejtë më thonte At Konrrad Gjolaj: “Asht fat i madh që “akademikët” injorantë, as nuk kujtohen ku asht Varrosë Gjergj Kastrioti, se edhe ate e kishin hjedhë në erë!…”
Melbourne, Janar 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: EDHE GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU, Fritz radovani, KA DOSJE

PJETËR GEGË GURAKUQI: DOSJA NR. 318…

January 11, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
■“Kriminel lufte dhe armik i popullit”. Pse asht akuzue i tillë?
■Vetem pse ka lé në Shkodër… më 2 janar 1912.
Mbas mësimeve të para në vendlindje, gjimnazin e ka krye në Beograd.
Akademinë Ushtarake e ka përfundue në Romë, në vitin 1931. Mbas Akademisë ka ba një kurs specializimi për karabinjeri në Firencë, në Itali, e në vitin 1932 këthehet në Shqipni. Emnohet në Komandën e Gjendërmarisë Shqiptare për shkollat e Durrësit dhe të Burrelit. Mbas vitit 1939 ishte komandant i Rrethit të Jashtëm në Tiranë, deri para kapitullimit të Italisë. Katër muej para shkëputet mbasi vëren shthurjen e italianëve.
Me ardhjen e Mahmut Golemit si Komandant i Përgjithshëm i gjendërmarisë me gjermanët, Pjetri emnohet në Berat e shpejt vjen prap në shkollën e gjerndërmarisë në Tiranë. Aty qëndron me pune deri në fund të vitit 1944. Nga fundi i vitit 1944, merr një letër nga Komandanti i Brigadës së shtatë sulmuese me pseudonimin LISI, i cili kërkonte nga Pjetri me shkue prap në Berat.
I përgjegjet thirrjes dhe shkon atje deri në fund me Gani Jasharin, mbasi të tjerët arratisën ndër male me partizan. Pjetrit i thonë me qëndrue aty mbasi asht ma mirë për partizanët që u kapnin nga gjermanët dhe i sillnin aty.
■Në janar të vitit 1945, arrestohët si “kriminel lufte dhe armik i popullit” në Berat.
Para komisionit hetues të përbamë prej: Major Ruli, Bello, E. Beqari, Tepeleni e Beçolli, Pjetri deklaron: “Kam qenë vetëm një ushtar pa kurrfarë ideologjie. Kam krye detyrën tue i ardhë në ndihmë popullit, për mos me e lanë krejtësisht në dorë të okupatorit… Populli i Beratit nuk ka ngrejtur kurrë zërin kundër meje…”
■Me datën 8 gusht 1945, Gjykata Ushtarake e Beratit, e përbame nga: Kryetar, Gjon Banushi, antarë, Teki Veleshnja dhe Neki Korita, prokuror kap. I Misto Bllaci dhe sekretar Mihajl Borduni, akuzojnë Pjetër Gurakuqin, se ”ka qenë vegël e verbër e okupatorit të huaj, ka qenë komandant operacioni në Berat, më vonë komandant Qarku dhe se ka patur “karta bianka” kundër Lëvizjës Nac. Çlirimtare.”
Pjetri nuk pranon se ka ekzekutue njeri mbasi nuk ka as fakte për té. Ka arrestue 200 vetë dhe i ka lirue prap. Qamile Libohova, asht torturue për imoralitet me ushtarët, ndërsa Irfan Ramadanin nuk e njeh fare. Dëshmitarët Jan Ikonomi dhe Lik Petro Deçolli deklarojnë: “Kanë shkuar gratë tona për t’iu lutur Pjetrit, dhe ky na ka liruar”. (Dosja nr. 318). Me datën 21 gusht 1945, Gjykata e Lartë Ushtarakë në Tiranë, shqyrton një raport bashkë me vëndimin e Gjykatës Ushtarakë të Beratit, ku shënohet: “Si paraqitet Pjertri ? – Jo aq armik, sa në shkresa. Popullin i Beratit e ka ndihmuar si mbas deklaratave të bëra në gjyq. Flasin mirë për té…Vetëm, vendimin e Pjetrit me v d e k j e, populli nuk e priti kaq mirë, kurse për tre të tjerët populli është shumë i kënaqur.
■Mejtimi ynë: Pjetrit t’i këthehet në burgim të përjetëshem. Pse: Kur Pjetri ka vatur në Shkodër është lidhë me Operacionin e Komunës së Gashit, me Sheuqet Peçin e Tuk Jakovën që mund të japin shpjegime për Pjetrin. Veprimët në gjendërmari i ka bërë për opurtunitet. Pjetri mund të bëhet edhe njeri i mirë dhe i vlefshëm.
I pandehuri Skënder Plashniku, kriminel me famë. Spijun. Ceno (Hysen) Shahin Elezi nga Plashari, janë kriminelë dhe armiqë të betuar.
Misto Bllaci d.v.
■Në dosjen e Pjetrit ka deklarata të mira edhe nga Sheuqet Peçi, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, se Pjetri nuk ka terrorizue popullin në zonat ku ka shërbye dhe se nuk ka pushkatue njeri kur ishte gjykatës.
■Nuk ka asnjë shënim nga ana e Tuk Jakovës, i cili, si dukët i ka dhanë “shpjegimet” me gojë tek kryekasapi.
■Zonja e Pjetrit, Luçia, ban një lutje nga qyteti i Shkodrës, ku ven në dukje se Pjetri asht 33 vjeç, ka tre fëmijë dhe se deklaratat e bame nga populli i Beratit duhet të prekin “zemrën e komandantit”…
■Cila ishte përgjegja?
“Komanda e Përgjithëshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare
Gjykata e Naltë Ushtarake
Tiranë 3 shtator 1945
Nr. 08-134/I-Prot.

■GJYKATËS USHTARAKE – Berat
Gjegje e shkresës nr. 229, datë 19 gusht 1945:
Aprovohet ndëshkimi me vdekje i të pandehurve:
1. Pjetër Gegë Gurakuqi nga Shkodra,
2. Hysen (Ceno) Shahin Elezi nga Plashniku,
3. Skënder Sadik Çaushaj nga Plashniku.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gani Jashar Shkurtës, i këthehet në burgim të përjetëshëm.
V.F.L.P.
■Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel (Enver Hoxha) d.v.”
***
■Përgjigje me datën 1 tetor 1945:
“Në orët e para të djeshme, u ekzekutuan të dënuarit e shënuar në radiogramin e sipërm.
Vullneti i tyre i fundit qé: “RROFTË SHQIPËRIA”
Kryetari i Gjykatës Ushtarake:
Kap. I Bexhet Mema d.v.”

■“Komandanti” për të gjithë donte me dijtë vullnetin e fundit!! Prandej e kemi “Hero”!

■ShenimFR: HAPJA E DOSJEVE ASHT DOMOSDOSHMENI. AJO PENGOHET NGA PASUESIT DHE TRASHIGIMTARËT E TERRORISTËVE NË PUSHTET.
Melbourne, Janar 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: DOSJA NR. 318..., Fritz radovani, PJETËR GEGË GURAKUQI:

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT