Nga Fritz RADOVANI/
■HAPNI DOSJET … /
■“Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”. (Arkivi M.M.Tiranë).
Me këto fjalë i drejton kerkesen Ministrit të Mbrendshëm M. Shehut, në 1949, kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, i porsa ardhuni krimineli i njohun Hilmi Seiti.
■Nuk ishte i knaqun nga agjentët e sigurimit të Veriut…I duheshin 100 “konviktorë” nga Jugu, sigurisht djelmët e atyne agjentëve të PKSh, që i kishin vue zjarrin e mbytë në gjak Shqipninë e Jugut… I duheshin në modelin e vet edhe 100 spijunë, 100 agjentë, edhe 100 kriminelë, edhe 100 komunistë, kuadro të ardhëshme të Sigurimit! Pra, i duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç, atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.
■Ishte viti 1922, kur rreshtat e djelmënisë shkodrane mbushnin klasët e Gjimnazit të Shkodrës. Pa kalue pak muej mbarë rinia shqiptare do të drejtonte sytë nga qendra e përhapjes së dritës së arësimit dhe kulturës për mbarë Shqipninë që ishte Shkodra.
■Nga nuk erdhën për me studjue në këtë qytet të lashtë që për shumë shekuj ishte selia dhe principati i të gjitha qytetëve tjera, thonte Barleci, e ashtu, Ajo do të vazhdonte me kenë deri në pushtimin komunist të vendit në vitin 1944.
■Kush nuk njihte emnat e nderuem të drejtorëve të këtij Gjimnazi, Profesorët: Luigj Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda e Skënder Luarasi? Kush mund të harronte breznitë e njëmbasnjëshme të luftës për liri e përparim të Atdheut që u rritën dhe u edukuen në bankat e këtij Gjimnazi? Cili shqiptar mund të fliste për Shqipninë Etnike pa vue në Elterin e Kombit studentët e Gjimnazëve të Shkodrës?
■Kush ishte ai tradhëtarë që mund të guxonte me thanë se Liria e Atdheut mund të shkëputet nga gjaku i Dëshmorëve të Gjimnazëve të Shkodrës?
– Vetëm Enver Hoxha me klyshët e tij, ministrat e mbrendshëm Haxhi Lleshi, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., apo me Zoi Themelët, Lilo Zenelët, Hilmi Seitët, Feqorr Shehët e Rexhep Kollët, me lakejtë Çiril Pistoli, Dhori Samsuri, Nesti Haviari, Fadil Hoxha e Skënder Villa me shokë. Këta janë “nderi” i formimit të “njeriut të rinj” të brezit komunist dhe, llomi e turpi i indeksit të Amzës së Gjimnazit të Shkodrës dhe mbarë arësimit e kulturës shqiptare, me të cilët krenohet sot “Rilindja Rama”!
■Dy vjet ndërpremje për arësye lufte…
Vjen viti 1945. Dukej se lufta mbaroi!..
■Pa fillue mirë viti më 5 mars 1945, pushkatohet oratori e publicisti Don Lazër Shantoja e fillë mbas Tij, më 25 mars, Poeti i Ambëlsisë Don Ndre Zadeja. Më 15 gusht rinia shkodrane fillon ngritjen e monumentëve të luftës kundër komunizmit me Herojtë Ndue Pali e Caf Meta…
■Pra, pa mbarue mirë Lufta e Dytë Botnore, fillon një luftë tjetër edhe ma e rrebtë e ma e përgjakëshme dhe e pafund … Lufta për pushtimin komunist të mbarë Atdheut…me vrasje për murin përballë Bashkisë së qytetit. “Çlirimtarët” Qamil Gavoçi, Rexhep Haka, Sadik Bekteshi, Zija Dibra, Beqir Gjylbegu, Çiril Pistoli, Xhemal Selimi, Dulaq Lekiçi e Asllan Lici me shokë lajnë me gjak rrugët e Shkodrës e marrin malët me zhburrnue malësorët e Alpëve deri larg në trojet kosovare, të cilët tradhëtisht e të preme në besë prej “vëllaut” i pushkatojnë e therin në bajonetë ndër brigje të Adriatikut, të Ilirisë së vjetër, aty ku malazezët e serbët tash një shekull vetëm e njomin me gjakun tonë. Këtë herë me dorën e të pabesëve komunistë anadollakë shqiptarë Ramiz Alia, Rrahman Perdhaku, Haxhi Lleshi, Sheuqet Peçi, Zija Dibra, Omer Nishani etj… Atëherë, shka do të vlojnë në damarët e gjakut të rinisë që asht ulë në bankat e Gjimnazit të Shkodrës?
■Cila propagandë veç asaj antishovinistës sllave e antikomunistës tradhëtare për të cilat kishte derdhë gjakun kjo rini, kundër okupacionëve të njëmbasnjëshme?
■Shkodra e katër gjimnazëve në 1945 për pak muej në 1946, asht Shkodra e një Gjimnazi dhe 26 burgjëve ku, burgoset, torturohet, masakrohet, vritet e kalbet rinia e sajë heroike!
Me datën 26 maji 1946 rinia shkodrane asht përballë Sigurimit të Shtetit totalitar e vrastar komunist të Enver Hoxhës, dhe do t’i tregojnë atij se nuk i trembet syni. Shumë studentë të Gjimnazit hudhen nga dritarët me marrë pjesë në funeralin e Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit. Vlojnë rrugët e Shkodrës, mbushet Katedralia me qytetarët e të gjitha besimëve që kanë ardhë me i dhanë lamtumirën e fundit një antikomunisti Imzot Thaçi. Ma shumë se funeral ajo ishte protesta e parë e hapun e rinisë shkodrane kundër zgjedhës komuniste. Hakmarrja e komunistëve nuk do të vonojnë. Arrëstimet kishin fillue me kohë me intelektualët dhe me Klerin.
■Udhëzimet i sjellë nga Tirana agjenti jugosllav Marian Zhagari, që drejtohej nga këshilltarët jugosllavë të qeverisë sonë kukull. Programet shkollore përjashtojnë At Fishtën e Zadejën me shokë. Fillojnë arrëstimet e studentëve: Viktor Kujxhia, Gjon Kovaçi, Injac Serreqi dhe Çesk Hilgega. Vazhdohet me Tomë Sheldinë, Gjon Ljarën, Sulejman Qehanë, vëllaznit Xhevat e Remzi Quku, Ahmet Bushatin, Ernest Përdodën, Thabit Rusin, Matish Fishta dhe vajzat Terezina e Liza Pali, Agime Pipa, Ana Daja etj.
■Pak kohë mbas vrasjës së Ndoc Jakovës, vritet edhe Asim Rusi, edhe ky ndër male kundër komunistëve. Arrëstohen mësuesit: Lec Bruçaj, Mehmet Daiu, Viktore Kuka, Abdyl Rusi, Qemal Draçini, Ruzhdi Çoba, Pjetër P. Pali, Zef Zorba etj. Ndërsa, në burgjet e qytetëve të tjera martirizohën profesorët: Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi, Sali Butka, Kol Prela, Simon Deda, Prenkë Kaçinari, Arshi Pipa, etj. Ndersa, në Kosovë arrëstohen e pushkatohen në Prizren me grupin “Katoliçeskaja Banda” profesorët: Kol Margjini, Kol Parubi, Ymer Berisha e Gjergj Martini bashkë me heroinën Maria Shllaku.
■Në vitin 1946 nuk ka ma asnjë shkollë fetare në Shkodër.
Edhe Instituti i njohun femnorë “Donika Kastrioti”, bashkohet me Gjimnazin e Shtetit. Pjesa ma e madhe e studentëve të këtyne shkollave vazhdoi mësimet në Liceun e Shtetit.
Drejtorët e Gjimnazit “silleshin” nga Korça, Nesti Haviari zevendsoi Dhori Samsurin.
Bashkimi i të gjithë këtyne studentëve solli me vete atë që pritej. Të gjithë pothuej ishin te pakënaqun nga pushteti komunist. Një pjesë ishin të lidhun me ata që u pushkatuen e u arrestuen që në ditët e para. Një pjesë lidhej me të arratisun mbrendë e jashta Atdheut. Një pjesë tjetër ishte shpartallue nga reformat e tatimet që iu vihëshin tregtarëve.
Një pjesë ishin që nuk kishin simpatizue lëvizjen komuniste, e dëshronin fitorën e “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”. Dikush pranonte ma mirë fashizmin se komunizmin. Kishte ma shumë se të gjithë këta që shihnin me sy çdo ditë tue u pushkatue atdhetarë e klerikë, që deri dje ishin mësuesit e tyne dhe sot vriteshin si “tradhëtarë” të Atdheut.
Komunistët me Sigurimi i Shtetit kishin krijue bazat e veta që në ditët e para të hapjes së Gjimnazit. Agjentët Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Sadush Kumbaro, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Adem Fishta, Qemal Jashari, Emil Mborja, Jani Çomo e deri tek Bep Jubani në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës shoviniste sllave titste-staliniste dhe enveriane, me shkatrrue Rininë Shkodrane për me përfitue një bursë jashtë shtetit dhe me kenë gjithë jetën zagarë e spijunë të Sigurimit të Shtetit komunist. Shoqnitë sportive të këtyne shkollave vazhduen me ruejtë lidhjet e tyne ndër fushat e vogla të lagjëve të qytetit si tek ajo e oborrit të Kishës së Madhe, Arës së Pashës në Ballabanë, fusha e Tigrit në Parrucë, etj., lamije që nuk mungonin ndër të gjitha anët. Ndër lagjet e vjetra të qytetit janë ndër ma të njohunat ato të Ndocajve dhe Dudasit që lidhën me Zdralej. Tue marrë për bazë shënimet e botueme të z. Xhevat Gjyrezit, i cili ishte kryetar i njenës prej këtyne shoqatave sportive, gjej vend me nxjerrë në pah cilësitë e mira dhe atdhetare të këtyne djelmëve që edhe vetësakrifikohen për një ideal të naltë, që asht lufta për Liri. Pikërisht njena prej këtyne shoqnive asht bërthama e një organizate antikomuniste e quejtun Organizata “PËRPJEKJA SHQIPTARE”.
■Kjo organizatë formohet me studentët e Gjimnazit të Shtetit nga fillimi i vitit 1947, dhe Kryetar i saj zgjidhet Bardhosh Dani. Bardhoshi vinte nga një familje e vjetër shkodrane me tradita Atdhetare dhe kulturore. Një student i shkëlqyeshëm ndër mësime, aktivitete sportive dhe shoqnore. Nderohej për qëndrimin moral e qytetar. Ishte i rij ndër të 17-tat vjetë, por i pjekun para kohe. Fjalë pak dhe i vendosun, gja që e mbulonte guximin e madh që kishte për vepra burrnore. Ai rëspektohej edhe nga armiqtë që e rrethonin dhe e survejonin e që dita ditës po shtoheshin ndër bankat e shkollës. Dy spijunë ishin të parët që filluen ndjekjen e këtij grupi, Isa Miloti dhe Faik Zeneli. Mbas tyne Sigurimi vuni një rrjetë shumë të gjanë dhe të specializuem për këtë qëllim. Edhe grupi filloi me shmangë rrezikun me grumbullime ma të rralla ndër sheshët sportive mbasi tashti veprimi i tyne antikomunist kishte marrë një rrugë ma aktive me mbledhje sekrete, trakte, parulla ndër mure dhe aktivizim të shumë studentave që u sakrifikonin për këtë organizatë padallim feje, qëllimi i së cilës shfaqej në emnin e saj: “Përpjekja Shqiptare”.
Mbrenda vitit numri i anëtarëve arrinë mbi 70 vetë. Lidhjet mes anëtarëve ishin shumë sekrete dhe korrekte, gja që e tregon jetëgjatësia e saj dhe aktiviteti kundër komunizmit.
■Në korrik të vitit 1948, gjurmimet e Sigurimit shtohen kryesisht në drejtim të Kryetarit të organizatës Bardhosh Dani. Nga gjysma e korrikut një person njofton Bardhoshin se shpejtë mund të arrëstohej, mbasi Sigurimi ka ra në dijeni për aktivitetin e tij. Ai vëndosë me u arratisë por, jo vetëm, mbasi rreziku i arrëstimit kërcnonte edhe Mark Cacajn dhe Brahim Dërgutin, të dy shokë të tij të ngushtë dhe antarë të organizatës ndër ma besnikët e trimat. Kalimin e kufinit e zgjedhin nga Ana e Malit, në një kand ku lumi Buna ban një këthesë, vend i cekët e ma i ngushti për me kalue në tokën jugosllave.
Pika ku do të kalonin asht nga fundi i fshatit Samrish dhe quhet Samrishi i Poshtëm. Buna aty asht mjaft e maskueme me shelqe të nalta dhe të rrëzueme me degët e tyne në lum. Asht një vend me të vërtetë piktoresk, por shumë i kontrolluem nga forcat e Sigurimit, që per fat të keq ishin të shumta atë kohë, mbasi pak muej ma parë ishin prishë mardhanjet shtetnore me Jugosllavinë e druzhe Titos. Atëherë jam kenë në Dajç të Bregut të Bunës, kur u bisedue se tre djelmë të rinjë prej Shkodrët i kanë vra në ujnat e bregut të Bunës, në përpjekje me u arratisë. U kanë kërkue me u dorëzue por ata nuk kanë pranue. Pak muej ma vonë, nga fundi i vitit 1948 aktiviteti i kësaj organizate do të rifillohet me disa mbledhje që bahën në shtëpi të studentave Alfons Radovani dhe Viktor Luka. Asht ajo kohë kur arratiset Lec Vasia, Fetah Myrtja, Zef Shllaku dhe Donat Rexha, të gjithë anëtarë grupi. Grupit të studentëve të arrëstuem maparë i shtohet edhe Xhevat Gjyrezi, Hilmi Hoxha dhe Mikel Muzhani, të cilët, tue mos pasë lidhje me ta dhe tue u ndodhë në kohën e “ndryshimëve” nga politika e Koçi Xoxës, përfitojnë dhe lirohën por, pa të drejtë me vazhdue shkollën. Grupi vazhdon aktivitetin e tij si dhe rritjen e numurit të anëtarëve që arrinë në 120 vetë.
■Pra, kishin mërrijtë edhe “100 spijunët nga Jugu”, të cilët, përveç librave të Historisë Partisë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, kishin dhe një dhomë nalt në katin e tretë të shkollës me arsenal armësh, përveç armëve përsonale që mbanin në brez për me i përdorë kundër “armiqve të popullit” 15-16 vjeçarë, që shumica ishin edhe të uritun dhe të paforcë për me përballue rrahjet, masakrat e goditjet shtazarake të atyne hamajve katilë e vagabondë nga Skrapari, Devolli e Mallakastra, që kishte sjellë Hilmi Seiti në shembelltyren e vet kriminale në Gjimnazin e Shkodrës…
■Me 10 maji 1950 arrëstohen studentët maturantë: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoji. Me 11 maji përjashtohen nga shkolla (mbas arrëstimit) në mbledhje të të gjithë studënteve në palestrën e Gjimnazit. Me 12 maji vazhdon lista e përjashtimëve me 78 studentë të tjerë të klasave të ndryshme të Gjimnazit, me motivacionin: “Nxënësi… me nr. Amëze… Është përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, se nuk pajtohet me frymën revolucionare të shkollës sonë të re…”Drejtori: (Skënder Villa) Një pusull e vogël ku shkruhej emni i A.R. nder sofratasat e ushqimeve të tij, aty nga fundi i majit në një sipërfaqe 2X1 cm. katrorë, shkruhej: “Thoni Bepit IK”, kjo, shpëton përjetësisht Bep Vilën, nga arrëstimi i sigurt. Bepi arratiset jashtë shtetit…
Grupi i studentëve fillon hetimet me datën 12 maji 1950, me kryetarin e Degës kriminelin Hilmi Seiti. Mbasi i merr në pyetje të gjithë një nga një i shpërndanë me hetuesit tjerë, Ali Xhunga, Kasëm Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, Lilo Zeneli, etj. kasapë që rjepin lëkura studentësh për tre muej me radhë derisa, nga fillimi i shtatorit në një shtëpi në rrugën Sumej, gjyqtarët dhe prokurorët e Ministrisë së Mbrendshme, shoqnue nga një grup oficerësh “avoketën” terroristë, japin dënimet e “merituara” … tue lagë gojën me vilë rrushi të freskëta të tandës që ishte mbi hajatin e shkallave të asaj shtëpije.
Me këtë grup edhe pse ata kapen tue u arratisë, dënohen edhe studentët Ismail e Olimpi Baruti … vëlla e motër, të cilët mbajnë qëndrim burrnor. Ismaili dënohet me vdekje por i falët jeta. (Dosja 2452, Arkivi Ministrisë Mbrendshme, Tiranë. 1998)
Në bazë të hetimëve të bame me datën 12 maji me Hilmi Seitin, grupi duket i paditun, prandej, edhe hetimet janë krejt formale mbasi, me datën 7 maji janë thirrë nga Kasëm Troshani, dy anëtarët e këtij grupi Njazi Uruçi dhe Pjerin Vata, të cilët kanë denoncue gjithshka. Ata mbas 24 orësh janë lirue për me u arrëstue prap me datën 10 maji.
■Kjo ishte vetëm një lojë për të mbulue spijunët e vet, gja e cila del gjatë hetimit. Pjerini vazhdon me kenë spijun i ndytë deri në vdekje, mbasi në vitin 1968 kur shkon në Tiranë, me u ballafaque me Don Mark Hasin, kërkon nga hetuesit e Ministrisë së Mbrendshme të asaj kohë, me të cilët njihej që në vitin 1950, nga Ali Xhunga dhe Elham Xhika: “…pushkatimin e këtij kleriku reaksionar…” dhe, ata i paguejnë shpënzimet e udhëtimit 113 lekë (të vjetra), bashkë me biletat e udhtimit që ruhën sot në dosjën nr. 2291.
■Në fjalën e fundit të gjyqit të gjithë studentët kërkojnë “mëshirë”, gja që, tregon se ka luejtë dajaku, ndërsa studenti Et-hem Bakalli, thotë: “Kërkoj drejtësi komuniste dhe dashni atnore” (Dosja 2452).
●Kjo shprehje më dha me kuptue kjartë se mbas vrasjes së Heroit Bardhosh Dani, në Gjimnazin e Shkodrës, ka vdekë edhe lufta kundër komunizmit… PËRGJITHMONË…
***
■Sot a duhet me dijtë Shkodra emnat e krimet e atyne 100 katilave komunistë që kanë shkatrrue edhe jeten e trashigimtarëve të Atyne që u janë shpifë e akuzue pafaj?!
HAPJA E DOSJEVE asht domosdoshmeni…
■HAPNI DOSJET !.. E po deshët, filloni me DOSJEN time, shihni shpifsit dhe “akuzat fallco” të tyne…E keni per të pa sesa të poshter e vrasës, ishin agjentët tuej per 70 vjetë!
Melbourne, Prill 2015.
* Pjesa IX.Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
SHKENCËTARI I URITUN TEK GRUMBULLI I PLEHUT!
Nga Fritz RADOVANI/*
At Mark HARAPI S.J.(1890 – 1974)/
■HAPNI DOSJET E SHKENCËTARËVE…/
■Me 3 Kallnduer 1948…Procesverbal gjykimi, Trupi gjykues i përbërë nga: Kryetar Kap. II Përtef Alizoti; Anëtarë N/toger Anastas Koroveshi, N/toger Xhemal Bejtja dhe ndihmës prokurori ushtarak i zonës së Shkodres, Toger Zurdi Shehu… Vendosi:
At Mark HARAPI, 10 vjet privim lirije… Mbasi plotsoi dënimin u interrnue 5 vjet…
■Në vitin 1963, lirohet dhe këthehet në Shkoder, ku me 10 Shkurt 1974 ka vdekë…
La porosi me u varrosë në vendlidjen e Tij në Shirokë, dhe nën kujdesin e At Ferdinand Palit dhe At Gjergj Vatës, iu plotsue deshira e varrimit. Për këte veprim u arrestuen të dy, me akuzen “krim kunder shtetit” dhe u dënuen. Nëpunësi i varrimit të komunales së Shkodres, Luigj Bushati per lejen e varrimit atje, u pushue nga puna…
■Kush ishte jezuiti At Mark Harapi?
Ishte i biri i Dodë Harapit nga Shiroka, familje e varfen por fisnike, dhe kishte edhe dy vllazën, At Antonin frat e Zefin, nëpunës. At Marku asht le me 25 Mars 1890. Misionarët shetitës në Shkoder i ndihmojnë dy vllaznit Harapi me ndjekë shkollat në Shkoder, dhe mbasi i perfunduen shkelqyeshem, shkuen me vazhdue studimet e nalta në Austri.
At Marku ka perfundue në Seminarin Papnuer Shqiptar gjimnazin klasik per filozofi. Ndersa në dy vite ka studjue edhe teologji. Vazhdoi studimet në Innsbruck të Tirolit, dhe erdhi e tha Meshen e Parë në Shkoder në Gusht 1913. U emnue në Pog – Mgullë, ku ka sherbye 7 vjet, kohë në të cilen shpetoi fshatin pa u djegë nga malazezët…
Shkoi në Itali dhe u doktorue në Filozofi në Universitetin Gregorian në Romë. Atje mori liçencë e doktorat, dhe me kenë se ishte në Vatikan, kerkoi me pa librin e “Mesharit” të Buzukut, per të cilin ato ditë “Hylli i Dritës” dyshonte se nuk gjindej. At Marku e gjeti librin dhe biblioteka e Vatikanit ia dha në dorë me e pa per knaqësinë e Tij. At Marku, bani edhe njoftimin e kenjes së Librit “Meshari” në revistat e kohës.
■Erdhi në Seminarin Papnor si professor i gjuhës shqipe, dhe antar i gjyqit kishtar.
Në Firence mbaroi mësimet e Urdhnit Injacjan, dhe bahet antar i Misionit Shetitës, tue sherbye në Rrëshen, Bishkash, Shna Prende, Delbinisht, Zhejë etj…Vazhdoi sherbimin në Elbasan, per unifikimin e Kishave dhe vazhdoi misionin e vet në Sarandë, Delvinë dhe Gjinokaster. Viziton burgjet e Jugut…dhe qendron edhe në Berat, kohë në të cilën përgatiti “Pergjegjen katolike Katekizmit ortodoks”…
■At Marku ka refuzue të gjitha detyrat e nalta kishtare tue pranue me vazhdue në vitin 1936 në Shkoder, profesor i Seminarit Papnor per filozofi, teologji, dogmatikë dhe besim. ■Ai në Kolegjin Saverian ishte i njohun nder teologët ma të përgatitun që ka pasë ajo shkollë. Përgatitja e tij ishte në disa fusha ku la gjurmët e veta si shkencëtar.
Adaptoi në alfabetin e sotem librin “Çeta e Profetëve” (Cuneus Prophetarum)…
Perkthei librin e Manzonit “Të fejuemit”. Boton në revistat e kohës artikuj filozofik dhe shkencor. Vazhdon deri në vdekjen e Norbert Joklit korespondencën shkencore me Te.
■At Mark Harapi ishte një dijetar në fushen e botanikës, njihte mirë ate në zonat ku ka sherbye dhe kryesisht pasioni i Tij lidhej me zonen e panjohun të Dukagjinit, ku me një kujdes të madh mblodhi bimët e panjohuna të asaj zonë dhe krijoi koleksionet e plota.
Komunikonte në këte fushë me Dr. Margraf, profesor në Universitetin Botanik Berlin. Gjatë kohës që shkonte per me mbledhë bimë të panjohuna në Dukagjin dhe në zonat e nalta Malore të Veriut, At Marku, studjonte edhe insektet e shpendët e atyne fshatrave.
■Në muzeun e Shkollës së Jezuitëve, Ai me ndihmen e Fratel Salës (italian), arrijti me plotsue me punime allqije disa nga shpendët e rrallë, insekte dhe lule, të cilat plotsonin fondin shkencor të atyne studimeve aq me vlerë per shkencen Shqiptare, deri atëherë, jo vetem e panjohun, po edhe e pa prekun me dorë nga askush.
■Në vitin 1946 At Mark Harapi kishte studime, dorshkrime dhe koleksione shkencore të panjohuna (ndoshta edhe në universitetet Europjane), tri valixhe të mbushuna dhe të ruejtuna në Muzeun e Shkollës Jezuitëve, të cilat u sekuestruen nga sigurimi i shtetit, kur u mbyll shkolla dhe të gjitha ju kaluen Instituti të Shkencave në Tiranë…
■Po, kush i shfrytzoi ata punime shkencore, e kush vuni emnin e vet me titull “Dr. Prof” mbi kopertinat e dorshkrimeve të shkencëtarit At Mark Harapi ?…
■Edhe kjo asht një “Dosje” tjeter e pahapun ende per “Dr…Prof…e Akademikët” tanë!
***
■Ishte një ditë me diell korriku e nxehtë…në Shkoder.
Enver Hoxha me “Fjalimin Programatik” të 6 Shkurtit 1967 topiti gjithë Shqipninë.
Shkodra u mbush me “Fletë Rrufe”… Komiteti i Partisë i Rrethit filloi organizimin e disa mbledhjeve per demaskimin e Klerikëve Katolik të Shqipnisë, në Institutin Pedagogjik ku, strehohej si hije anadollaku Ramiz Alia, i ndihmuem prej Xhemal Dinit e Musa Krajës, të cilët PPSh, edhe sot i konsideron “Bashkautor të Gjenocidit komunist”, madje Musa Kraja mori edhe titullin “Akademik”, tue u vlersue dhe nderue edhe nga Pekini e Stambolli, per meritat e zhdukjes Klerit Katolik Shqiptar në Revolucionin Kultural 1967.
Nën lëvozhgen e Frontit Demokratik u demaskuen të parët: At Gegë Lumaj, At Mark Harapi, At Frano Kiri dhe At Gjergj Vata… Filluen edhe njëherë arrestimet si në 1945.
■Kalvari i At Mark Harapit ishte i pafund! Ai ishte edhe vllau i At Anton Harapit…
Dijetari e shkencëtari i heshtun At Marku, kalonte rrugëve të Shkodres pa folë me njeri nga frika se mos i sillte pasoja njerzëve të vet dhe qytetarëve të Shkodres. Më kujtohët aty nga viti 1969 kur po kalonim në lagjen Serreq, tek kryqzimi i Kishës Katedrale, ishe me mësuesin dhe mikun tim Sander Troshani, u ndaluem të dy dhe të stepun, nuk po i besonim syve… po vrojtonim At Mark Harapin, i veshun me rroba të vjetra dhe të zeza, me një shkop dhe një strajcë që kishte në dorë, po kerkonte në grumbullin e plehut pranë shtëpisë së të ndjerit Shan Deda, sigurisht, “dishka me ngranë…”.
E tmerrshme! Shkencëtari, dijetari, botanisti, perkthyesi…
I uritun tue kerkue një kafshatë bukë nder grumbujt e plehut perballë Kishës Kathedrale!
Mësuesi i Rinisë Shkodrane…tue kerkue me shkop në pleh buken e gojës!
Vazhdon Pjesa IX…
*Pjesa VIII- Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Mars 2014.
RESPEKTI PËR TË VDEKUNIT TREGON QYTETNIMIN E NJË POPULLI!
Nga Fritz RADOVANI/
Ishte viti 1961, kur ishe i shtruem në spitalin e Shkodres, i shtymë nga kurioziteti me pa një morg i kerkova një infermieres me shkue tek salla e autopsisë. Ajo më shoqnoi.
Kur hyna mbrendë pata një përshtypje të veçantë nga vendet e betonit për autopsi.
Se si më shkuen sytë tek një parullë e shkrueme në karton naltë në mur: “Respekti për të vdekunit tregon qytetnimin e një populli!…” Pyeta shoqnuesën se mos e di autorin e asaj thanje, po nuk e dinte. E kujtoj citatin qyshë atëherë, po autorin nuk e gjeta kurrë!
Ishte tepër shpejtë viti 1967 që nuk më lente me e harrue atë thanje! Më shkonte mendja shpesh tek vitët e fëmijnisë kur zgjoheshim nga krismat e armëve në Zallin e Kirit…
Aty ishte Rrëmaji i kulturës së vjetër Shkodrane dhe Europjane i ngritun sikur t’ ishte një Monument i vërtetë i Pavdeksisë së Përjetëshme nga ingjenjer Ludovik Zojzi, i vramë pabesisht në Tiranë, me 15 shtator 1943 nga komunistët se nuk pranoi bashkpunim.
Bash nen dy çinarët shekullorë tek Muri i Gjakut, si e quenin të vjetrit, ishte si e ndame me thikë në anën tjetër një Pendë e lumit Kir, pranë së cilës çdo ditë terroristët e 1944, të vetquejtun “komunistë bolshevikë” me një barbarizëm të pashoq vazhdonin me ngritë “monumentin” e Gjenocidit Komunist, i cili vazhdon me kenë edhe sot aty…
Zhdukej nën atë Zallë të bardhë si biluri Burrnia e Maleve, qindresa e “Beslidhjes së Veriut të vitit 1943”, Atdhetarizmi i Shqiptarit të Veriut, Pishtarët e Kulturës Europjane! Udhërrëfyesit e Qytetnimit Përparimtarë, Farkëtuesit e Formulës “Fé e Atdhé” nder zemrat e gurzueme shekullore…E bash aty, të lidhun me pranga dorëpërdorë, vriteshin e groposeshin pa asnjë Shenjë tek koka Bijtë e Gjergj Kastriotit, Katolikë e Muslimanë që për Flamurin Kuq’e Zi, e banin vdekjen si me lé! E ai Zallë…nuk ngopej me Gjak! Kur lindte dielli, ai ishte i skuqun e Penda e sterpikun nga shperthimi i armëve që vazhdonin me rrëzue Lisa… E Lisat e Shkodres rrokeshin si vëllazën të Një Nane përjetsisht…
Ishin Bijtë ma të zgjedhun të Rozafës, që qumështi i Saj i rriti Heroj të Nanës Shqipni!
Ata flisnin një Gjuhë, Gjuhën e Nanës dhe zateteshin kokë me kokë si Burrat…
Ata përjetë të jetës nuk e njohën fjalën e flligtë robni as tradhëti… Dashunuen Atdheun!
Filloi vaditja e Zallit të Kirit me Gjakun e Prekë Calit, i lidhun ndër pranga me Don Ndre Zadejën… E atëherë, “Ruba e Kuqe”, i bani me dijtë Kelmendit e Maleve perrreth, se, “trathtarët na lanë pa Atdhé!”. Robnia sllavokomuniste po rroposte Trojet tona…
Opingat e Malësorëve tanë nuk shkapshin nga Dheu i rijtun me Gjak Atdhetarësh!
■E sot, ku janë Varrezat e Tyne? – Ata nuk kanë as varre as Shenjë, e as Emna tek koka!
Ata u vranë nga tradhëtarët e Shqiptarëve, të cilët vazhdojnë me u vetquejtë “heronjë”…
Madje, nuk ka shumë kohë që njenit prej tyne, njëfarë hetuesit kriminel Sabri Godo, i kemi ngritë edhe bustin tek “Kuvendi Popullor i Socialistëve ‘demokratë”!!
Po viktimave të Tij në hetuesinë e Shkodres, a do ti vihet të pakten një teneqe me emna?
Jo, jo, se atëherë, Shkodra do të mbushej me teneqe në të gjitha anët…
■Teneqja e parë duhej vue tek “Monumenti i 1912 në Vlonë”…
Aty, ku fillon mohimi i Historisë duhet shkrue “Këtu mungojnë Figurat e ndrituna të Historisë së Shqipnisë së Pavarun: Don Nikoll Kaçorri e Luigj Gurakuqi, se ishin Katolikë”, (kështu, urdhnoi Ramiz Alia skulptorin Kristaq Rama kur aprovoi me u derdhë boceti i monumentit: Të hiqet Gurakuqi se, ishte miku ma i ngushti i Klerit Katolik…”) dhe, njëherit me ta, u hoq edhe Isa Boletini se ishte Miku i Tyne…
■Isa Boletini ishte edhe Miku i dashtun e besnik i Imzot Luigj Bumçit, që vetem perpjekja e Tij dhe guximi i madh burrnor e çuen Imz. Bumçin tek Papa per me kerkue të drejten e Tokave tona të Korçës e të Gjinokastres në 1920, që mos t’ua jepte Lidhja e Kombeve anmikut Grek, dhe sot, as nuk e zenë kush me gojë në 95 vjetorin e asaj ngjarje aq të madhe per kombin Shiptar! A thue nuk e dijnë “akademikët” se mos t’ ishte Imz. Luigj Bumçi Atdhetar i perkushtuem, edhe sot Korça e Gjinokastra do t’ ishin quejtë tokë greke? 70 vjetë që punohet jo vetem per fshimjen e Emnave të Tyne, po edhe per fallsifikimin e Veprave të Tyne që kanë krye me aq perkushtim në sherbim t’ Atdheut.
Imz. Bumçi sivjet ka 70 vjetorin e vdekjes, e veprat e Tij i veshen tjerëve që shitën Trojet!
■Vriten tradhëtisht në Janarin e 1945 në Kelmend 118 Burra Malësorë nga forcat tona të ndjekjes në bashkpunim me forcat jugosllave komuniste, në Kryengritjen e Prekë Calit, pushkatohet Preka dhe 13 Burra me Te… Askush nuk i kujton as Emnat e Tyne, e pse?
■Torturuesit dhe kriminelët Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani etj. tregojnë, se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu për operacionin e Veriut, “…që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit…” (Dosja 1623)
■Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje për këtë!”(Dosja 1623)
■Pandi Kristo pohon në burg, se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse, kanë qenë katolikë!…” Po, Rahman Perllaku çka thotë per kosovarët në Tivar?
■Prekë Cali tha: “Na kemi me luftue kundër partizanëve veç në paçin në flamur shejat e Rusisë. Ndryshe, na nuk kemi si gjuejmë në vllaznit tonë, nder Shqiptarë” (Janar 1945)
■Vritet një nga Atdhetarët ma mëdhej … e “shqiptarët” harrojnë Emnin e Tij!
■Pushkatohet Demokrati e publicisti ma i madh i Shqipnisë, Don Lazer Shantoja, me 5 Mars 1945, askush nuk kujton këte 70 vjetor të shemtuem të “demokracisë” vrastare!
■Asht i vetmi Rregjent në Botë At Anton Harapi që pranon detyren në vitin 1943, me një kusht: “Mos me nenshkrue asnjë dënim me vdekje!”, dhe me 4 shkurt 1944 asht bash Ky At Anton Harap, që pengon vazhdimin e vrasjes së komunistëve të Tiranës nga Xhafer Deva, e komunisti Dritero Agolli vazhdon me llomotitë si Enver Hoxha në 1967 kunder Klerit Katolik e Vatikanit nëpër kabaretë e “artistëve demokratë” anadollakë.
■Pak ditë na ndajnë nga vrasja ma e mënershme që ka njoh Shkodra e Rozafa Historike e Don Ndre Zadejës në 1945, vetem pse “kerkoi një Shqipni Europjane, që mos të varet nga fqinjë dashakëqinjë si Jugosllavia, Greqia dhe Italia…” (Shihni Dosjen nr. 667, 1945) E disa… vazhdojnë me diftue përralla nder kafene per Esad Pashen e Ahmet Zogun…
■U la në Gjak Atdhetarësh Shkodra, Kelmendi, Dukagjini, Shllaku, Puka, Mirdita, Hoti e Gruda, Lezha, Mati, Peshkopia, Dibra e Elbasani… Nuk mbeti Kullë pa u djegë nder ato Maje Malesh…E, pasha një Nanë Shqiptare nuk ka mbetë pa futë të zezë e degermi të bardhë këta 70 vjetë…, deri thellë në Prizren e poshtë në Shkup e Manastir… E sot…
Shqipnia e zgjueme somnambul në padije nuk sheh ku po ven kambën nga Arabia…
***
■“Respekti per të vdekunit tregon qytetnimin e një Populli!”
Po, per cilin Popull bahet fjalë as, sot nuk e dij!.. Cili Popull vazhdon me nderue tiranët?
Kemi fajsue “presidentin” Sali Berisha per të Madhin Bajram Curri, e deri diku jo, me të “drejtë”… Kah kishte me u shpernda i shkreti Sali, ke me perkujtue ma parë, a me pasë në kujtesë shokun Hysni Kapo, a me ruejtë lidhjet e “gjakut” me Erdogan, e me ndertue maozoleumin e Ahmet Zogut, a mos me prekë idhujt e vet Enver, Nexh e Ramiz?…
■Po ashtu bie në hall kryeministri Edi Ramallaqi që thotë, se asht “kotoliçeskij bandit” që nga gjyshat “shka”…, fëmijët ai thotë…janë “katolikë”, dy tjerë “turq elhamderilah”, gruen stambolleshë… tash me Papen e tash me Beogradin, herë me malazezë e herë me grekë, e herë me “kishen inkuizitore”, që “nuk ka lanë turk pa vue në hu e në hellë nga 1944 deri në 1991”, e kur ua lypi rasa paraardhësve të tij, surretnit e të cilëve i sillen si “satelit” rreth kokës që polli “Rilindjen”, bash këta pasues të terroristit Ramiz Alia, mjeshter i krimit të organizuem me shokët e vjetër “demokratë”, komunistë e prokurorë vrasës, bashkpuntorë sigurimi që nuk lanë piramidë pa la me gjak të Rinisë Shqiptare!
■Nëse dikush dishron me vertetue edhe se si “respektoheshin të vdekunit në Shqipninë socialiste” atëherë, dje dhe sot, të kujtojnë paraardhësit e qeveritarëve të Edi Ramallaqit në Veri dhe kryesisht në Kelmend, Shllak dhe Dukagjin, “heroin e sigurimit të shtetit” Xhemal Selimi, i cili pushkatonte Dukagjinasit tek Ura e Bregut të Lumit, dhe thente arrat me dorezën e revolverit mbi koken e të vramit… E kur, nuk nxirrte ma gjak ajo kokë, e hidhte në lumin e Shalës kufomen… dhe besnikët e tij, ia zevendsonin kufomen me tjetrin ku, piksynohej me kenë prap ma i rij se tjetri…që mori lumi!
■Edhe këte, mos harroni se e risjellë Edi Rama me “rilindjen”…Akademikët aty janë! Po, edhe trashigimtarët e kriminelëve të djeshëm mund ti rikujtoni nga mbiemnat e të gjithë bashkpuntorëve të tij, tue fillue nga Xhelil Gjoni e deri tek cili të dishroni ju…
■Jam i sigurt se ndonjeni thotë me vete: “E shka pret prej atij që nuk i bije nder mend as Emni i Gjergj Kastriotit dhe as, i Luigj Gurakuqit e Bajram Currit, Don Nikoll Kaçorrit e as Isa Boletinit, apo Hasan Prishtinës…?!
■Lene e mos e çoni ma gjatë se “harresa”, persëritë bash até shka po ngjet!..
■Per atë rrugë asht nisë Shqipnia! E bash atje…ka me gjetë edhe “qytetnimin”…
Vazhdon Pjesa VII…
Melbourne, Mars 2015.
* Pjesa VI.HAPNI DOSJET-Ne vijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbyjes së Shqipnisë…
“PARA PUSHKATIMIT…”
Nga Fritz RADOVANI/*
HAPNI DOSJET !
“Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit! Enver Hoxha”/
1945…DOSJA Nr…/
■Isha fëmijë në Nandor të vitit 1945 kur shkova me Nanën me rregullue varrin e Babës, javën e të Vdekunve në Rrëmaji. Dikush tregoi se janë rregullue Varre mbas murit aty ku per çdo ditë ndigjohej shkrepja e automatikëve të “çlirimtarëve tanë trima”…
Si fëmijë shkuem me pa ata varreza që vërtetë ishin të veçanta, ishin tre me Kryqa dhe tre përballë me shenjën e Muslimanëve, sipër me zhovor të bardhë, gjashtë foto të mëdha dhe rreth varrit me cigare. Kush vinte aty, njena nga Nanat që ishte tek Koka e djalit saj, u epte cigare vizitorëve… Kujtoj se tek varri i Kolë Sokolit kishte edhe fruta… Mbas pak minutash u ndigjue një zhurmë makinash me disa ushtarë të armatosun … Kujtoj si tashti tmerrin e ardhjes së atyne kamjonëve me ushtarë të armatosun, kur po shihnim ata Varre, pra, janë plot 70 vjetë nga ajo ditë që nuk e harroj kurrë, mbas Murit të Varrezave të Rrëmajit… Kur ushtarët me armë në dorë vrrisnin si bishat e terbueme: “Largou…largou…!” e Nanat e Atyne djelmëve që ishin pushkatue, mbulue me futa të zeza e degermia të bardha, pranë atyne varrezave të rregullueme me aq kujdes, rrokën fotot e mëdha të Atyne djelmëve si sokola për gjoks… Kur ushtarët shkrepën armët e tyne vrastare në ajr, ne ikëm nga frika… Gjithshka aty u kthye në zallishtë si përpara…
■Dosja nr.1108 (1945) hapet kështu:
“ V.F.L.P.
Proçes- verbal
I mbajtur mbi vullnetin e mbramë të të dënuarve me vdekje, Ndue Mirash Pali dhe Caf Meti, nga Shkodra.
Sot më 15 gusht 1945, ditën e mërkure, ora 5.00 para drekë, unë prokuror i Gjykatës Ushtarake, kapiten i II Aranit Çela, shkova në vendin ku do të ekzekutoheshin kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit, Ndue Pali dhe Caf Meti nga Shkodra, për të marrë fjalën e fundit të tyre, në të cilën thanë këto:
“Ndu Pali: Nuk më vjen keq që unë sot pushkatohem prej vllazënve të mij. Jam i lumtun që unë po vdes në tokën shqiptare pas pesë vjet vuejtjesh, që pata nga fashistët dhe nazistët. Shqipnia rron edhe pa Ndue Palin!
Një fjalë dua t’ja drejtoj rinisë nacionaliste: Punoni deri në vdekje për një Shqipni të lirë, indipëndente, me baza shoqnore moderne demokratike!
Rrnoftë Shqipnia e shqiptarëve! Të fala familjes.
CafMeti tha: Rroftë Komandant i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha.
Prokuror (Aranit Çela) d.v.”
■Kur Nana ime shkoi tek Burgu i Kishës së Fretenëve, me i çue ushqimin axhës së vet, At Mati Prennushit, i dënuem me vdekje në mensen e atij kuvendi pa e dëgjue njeri atë gjyq Burrash për të cilin Historia e Shqipnisë vazhdon me “heshtë”, mbasi komunistët u gjetën ngushtë ndaj padronëve jugosllavë, që kishin urdhnue me “futë armë në Kishë dhe me e shkatrrue atë çerdhe Atdhetarësh me kulm e thëmel… tue i detyrue në tortura me pranue se armët i kishin futë Fretnit e atij Kuvendi…”, Fretnit qendruen si Burra dhe u pushkatuen të gjithë Prelatët e Klerit Katolik Shqiptarë, pa pranue asnjeni akuzat!…
Ishte 11 Marsi 1948, kur Dulaq Lekiçi i tha Nanës sime: “Mos sill ma ushqime… I kemi pushkatue dhe e keni në Zallin e Kirit !..” Kurrë nuk më shkonte mendja se “njëditë” do të kishe mundësi me pa me sy dhe me lexue Dosjen e At Matisë me shokët e Tij…
■Përgjigje e shkresës Nr. 88 datë 8 mars 1948:
Ju njoftojmë se të dënuarit ME VDEKJE:
1. MONSINJOR FRANO PJETËR GJINI,
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI, dhe
3.DON NIKOLL ZEF DEDA, të gjithë nga Shkodra, u ekzekutuan me datën 11 mars 1948, ora 5.00 para dite dhe fjala e fundit ka qenë:
1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!
2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!
U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!
3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!
P. Kryetar i Gjykatës
67 Rregj./1948 Kapiten i I-rë (Misto Bllaci) d.v.”
***
■Fjala e fundit e Don Ndre Zadejës ishte: “Ah, moj Shqipni, moj mizore e, shka të baj ma shumë për ty?!” (Simbas tregimit Don Mikel Koliqit 1993)
***
■“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
1. Prof. Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
2. Patër Daniel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.
3. Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
4. Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
5. Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
6. Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija! Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.”
Shënim (FR): Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
“…Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.
Frederik Nosi d.v.
***
■Prizren, 15 Nandor 1946: Nga “Katoliçeskaja Banda” Pushkatohen:
At Bernard LLUPI tha:
“Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”…
Prof. Kol PARUBAJ: “Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë me Kosovën!” Maria SHLLAKU filloi me këndue Hymnin e Flamurit…
At Bernard Llupi atëherë i tha me za të naltë: “Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna Shqiptare, me kangë në gojë!”
Maria ia këtheu me za të fortë:“RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!.. RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE!”
Mësuesi Gjergj Martini tha: Rrnoftë Shqipnia e Bashkueme. Rrnofshin Shqiptarët…”
***
■Me datën 28 Mars 1947 Ushtari Besnik i Atdheut dhe i Fesë Don Dedë MAÇAJ tha:
“Ja ku po e them para Zotit Tonë, që shpejt ka me më pritë, dhe para gjithë jush
ushtarë të shtrejtë që, po më vrasin vetëm për shkak se urrejnë Fenë Katolike.
I tham këto fjalë pa ligësi dhe pa urrejtje për ata që do të më pushkatojnë!
Rrënoftë Krishti – Mbreti Ynë! Rrënoftë Papa! Rrënoftë Shqipnia!”
***
■Prof. Prenkë Kaçinari shkruen:
“…Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’ po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”
***
■Imzot Prof. Jul BONATTI njëditë i kishte tregue kushrinës që shkoi me e takue në një manikomjo ku, e derguen mbasi e dënuen 5 vjetë pa fakte…“Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
E gjetën të coptuem nga të “pavetëdijshmit” me 5 Maji 1951… (Dosja 3616, Arkivi)
***
■Imz. Ernesto Çoba: (1978), “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë e do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!”
■25 PRILL 1968
Don Mark Hasi: (1968) tha në fjalën e fundit mbasi ju dha vendimi i gjyqit në Shkoder: “me vdekje, me pushkatim” , “…Ka me ardhë ajo ditë, kur do të ngrihet një Monument në Shqipni. Me shkronja të arta, do të daltohën emnat e të gjithë Martirëve dhe Deshmorëve të Lirisë së Atdheut, që luftuen për Demokracinë e vërtetë dhe ranë nën shpatën komuniste.”
■Zoti i pastë në Mbretninë Tij!
Vazhdon Pjesa V, “Respekti per të vdekunit…”
Melbourne, Mars 2015.
*Pjesa V.
5 MARS 1945-FILLOI GJENOCIDI KOMUNIST KUNDER KLERIT KATOLIK SHQIPTAR
Nga Fritz RADOVANI/
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…/
1945, 5 MARS…PUSHKATOHET DON LAZER SHANTOJA: (1892 – 1945)/
■Data e zezë e pushkatimit Don Lazer Shantojës, 5 Mars 1945 asht data e 70 vjetorit të fillimit të Gjenocidit komunist në Shqipninë e pushtueme nga sllavokomunistët e Titos, ditë e pafund e një robnije mizore prej tiranit Enver Hoxha me pasuesit e tij barbar.
■Përpjekjet e pafrut të kriminelëve Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu në Shkoder, dergue nga Enver Hoxha në Janarin e 1945, me porosi nga Tito per me “shkëputë Klerin Katolik Shqiptar nga qendra shekullore Vatikani”, nuk patën sukses as në Shkoder as, në Tiranë.
Bashkimi i Trojeve të Veriut per të paren herë, mbi bazen e gjuhës dhe kenjes Shqiptarë, në vitin 1941 nga forcat fashiste italiane, të ndihmuem nga Atdhetarë që e kishin andrrue këte bashkim nder shekuj me vllaznit e vet, krijuene shpresen e formimit Shtetit tanë të vertetë me kufinjë të tij deri aty ku flitet Gjuha Shqipe. Nuk perjashtohen këtu asnjë nga Lidhjet, marrveshjet e përpjekjet shekullore nder të cilat, Kleri Katolik ishte i pranishëm dhe i pakursyem për mërritjen e këtij qellimi të naltë ç’ prej kohës së Gjergj Kastriotit!
■I kësaj plejade të lavdishme ishte edhe Atdhetari Don Lazer Shantoja, i njohun që në vitët 1920 – 24 si demokrat i pashoq, publicist i pakrahasueshëm, nder oratorët elokuent ma të spikatun në Shqipni, poet e letrar i njohun, eseist dhe muzikant i lindun, një nder perkthyesit ma të saktë të shkrimtarëve Gëte e Shiler…Por, mbi të gjitha Shqiptar !
■Në vitin 1924 Don Lazri asht nder Yjet e Kombit Shqiptar, Ai shkelqen në qiellin shumë të trazuem të Shqipnisë me mendimet Përparimtare e Demokratike përkrah At Anton Harapit, At Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit, Don Ndre Mjedjës, Mark Kakarriqit, Gjon Kamsit dhe asht i gjetun mu në gjiun e ajkës së kulturës shkodrane Europjane.
■Në 2 Marsin e 1925, Don Lazri tregon haptas një dhimbje të madhe me rasën e vrasjes së Luigj Gurakuqit: “Gjyqi i Tranit – shembull klasik paturpësie cinike në gjyqet botnore – na difton sheshasit se diktatori i Romës desht me e krye vepren e diktatorit të Tiranës, të Zogut. Zogu nemosé e vrau Gurakuqin me kubure, me armen e barbarizmes e të padrejtësisë. Mussolini na e vrau me gjyqë…me armen e civilizimit e të drejtësisë! …
Se mund të quhet nji Baltjon Stambolla Avni Rustem e nji Luigj Gurakuqi Esad Pashë… Unë për vedi s’e kishe pritë kurr as prej nji avokatit italian! … Në nji pallat të Tiranës Ahmet Zogu me nji të zgerdhimun satanik u qet me pij satelitvet të gëzueshem tue u thanë: Tash nuk drue ma kênd!” (“Liria kombëtare, 7 tetor 1925).
■E me të gjitha këto shprehje që ka shkrue (e sa të tjera), Don Lazrit “i vune” etiketen e fashistit, pikrisht atëherë, kur “nuk dij as sot, se cili akuzues i Tij nuk kje fashist!!”
■Dikush kujton se historia mbyllët me dyert e furrave të gazit, por jo, gaboni!
Si thoni, do të kënaqeshin komunistët me aq sa kanë ba nazistët nder kampet e tyne?
Shka do të thonte Bota sot po të shihte një dokumentar të përsekucionit komunist në Shqipni, të bamë kundër Atdhetarëve apo dijetarëve dhe Klerit Katolik?
■Si do t’i përgjegjej historisë Jusuf Alibali kur hetonte Don Lazër Shantojën të lidhun për karrigë, me kambë të këputuna, apo i shkrryem përdhé në qeli mes ndytsinës, kur me datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi se: “I pandehuri Dom Lazër Shantoja dënohet me vdekje, me pushkatim.”…E bash ato ditë… Nana e Tij Luçia, tek dera e qelisë e mbështetun nder hekra tue u thanë katilëve me lutje e dhimbje shpirti: “Ma vritni, ju lutëm ma vritni, banje këtë mirsi…. mos e leni kështu djalin!..”.
■Prof. Dr. Angjela Çirinçione shkruen: “Historia e Letërsisë shqiptare pa emnin e Don Lazër Shantojës del e mangët dhe e vorfën”.
■Prof. Isak Ahmet shkruen: “Ai ka krijuar disa nga vargjet ndër më të bukurat në poezinë shqipe. Si poet për shembull, ai dallohet për hov të vetvetishëm frymëzimi dhe për ngrohtësi ndjenjash që bulzojnë si shembëlltyra të shkëndijshme.” (“Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia” fq. 177), dhe vazhdon po aty (fq.179): “…letërsisë shqiptare me siguri do t’i kthehët edhe Don Lazër Shantoja, që ishte me të vërtetë si një prijës i popullit, si një apostull dhe interpretues artistik i kohës kur jetoi dhe vëproi”.
■Ai u pushkatue i çuem zvarrë (jo nga frika e vdekjës), porse nuk ecte dot, mbasi kambët ia sharruen me sharrë druvarësh, krahët ia thyen dhe nuk i banin asnjë mjekim deri atë ditë që e hodhën tek gropa, vetëm se, ishte meshtar i devoçëm, publicist i njohun dhe antikomunist i betuem. Këtë e vërteton fakti se ato tortura makabre që komunistët barbar kanë ba mbi trupin e Don Lazrit, janë ndoshta ndër të rrallat raste që njeh historia e dhimbëshme e të vujtunve në Sigurimin famkeq komunist shqiptar.
■Po, sikur të xhiroheshin autorët e gjallë të atyne krimeve: Aranit Çela, Fadil Paçrami, Lilo Zeneli, Xheudet Miloti, Xhemal Selimi, Toger Baba, Shyqyri Çoku, Dhimitër Shkodrani, Asllan Lici, Hysni Ndoja, Kasem Troshani, Elez Mesi, Dul Rrjolli, Hamdi Ulqinaku etj. që vetëm “zbatonin” ligjin? A mund të besonte kush në Botë se këto bisha gjindën të lira në Evropë dhe kanë dalë nga një popull prej ma pak se një miljon banorë? ■Testamenti i Don Lazer Shantojës, lanë me 26 Janar, kur u arrestue në Sheldijë, asht dhe do të mbetët aktual per të gjithë Shqiptarët: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë se, komunistët janë veç tradhëtarë!”(Dosja nr. 174, Arkivi Tiranë)
***
■Pena e Don Lazer Shantojës vazhdon me kenë aktuale dhe e artë edhe sot!
Shpirti i Demokratit të madh i shprehun në ato gazeta si dhe në revista e fletore të tjera, si dhe qëndrimi i tij në 1924, (në kontradiktë me vetveten mbas 1940 ashtusi shumë të tjerë, ndoshta, për shansët e krijueme të Shqipnisë Etnike), janë një fushë e gjanë për studjuesit e ardhshëm, mbasi né rreshtojmë faktet e vetëm historianët e rijë të çliruem nga pasioni politik dhe paragjykimet… do të mundën me gjetë vendin e merituem për këta dijetarë, tue fillue nga Shantoja, hapsina kulturore e të cilit e ven atè përkrah dijetarëve ma të mëdhej si për kah forca e stili por edhe karakteri modern i shprehjës.
■Për këta Viganë si Don Lazer Shantoja, né Gegët duhët të krenohemi, e kemi pse?!
■Po persëris veten: “Yjet e Kombit nuk shuhen me ujë…e, as, nuk mbulohen me baltë!”
Melbourne 4 Mars 2015.
- « Previous Page
- 1
- …
- 41
- 42
- 43
- 44
- 45
- …
- 65
- Next Page »