• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIN MONAJKA (DUKAGJINI)

December 4, 2013 by dgreca

●Në 60 vjetorin e lindjes… (11 Qershor 1953 – 1 Maji 1997)

Ne foto: Rin Monajka (1953 – 1997)/

Nga Nga Fritz RADOVANI/

Muri i Berlinit ra! Ora e Lirisë nuk ndalej!

Në dhjetorin e 1989, Çaushesku jep shembullin e “ruejtjes së parimëve komuniste”…

Shqipnia vazhdonte udhën e martirizimit komunist.

Me 14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi përbindsh!

Demostrata e heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, njofton Tiranën endè të kuqe, se komunizmit gjakatar i erdhi fundi!.. Mija vetë të grumbulluem në atë Shesh, presin rrëzimin e bustit të diktatorit gjeorgjianokomunist Stalin. Mija vetë drejtue sytë nga toka, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit, hetuesisë apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistë kriminel të ardhun nga Tirana, vetëm për gjakderdhje e masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane.

Angazhimi i Ramiz Alisë: “Edhe bar do të hajmë e parimet nuk i shklasim!..”, asht krimi ma i madh kundër Popullit Shqiptar! Po, a u mjaftue me kaq ?

– Jo, sëpse në mbrendsinë e tij ziente krimi. Këte e vërtetojnë kufomat e djelmëve të rijë, të mashtruem ndër kufinjë, të shporuem nga qindra plumba automatiku dhe të lidhun në hunjë me tela me ferra, tue u shetitë ndër pjacat e qyteteve…të të gjithë Shqipnisë.

Rinia Shkodrane ka vendosë me u vetsakrifikue!

Mungonin disa djelmë të cilët një natë maparë ishin tradhëtue e kapë nga forcat speciale të ardhuna për këte qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar Ramizi…

Mikrobuzët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet dhe gatishmëninë!

Tek sheshi qendror i Deshmorëve mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë. Rini ishte ndër kryesorët e kësaj vepre heroike, me të cilën do ti tregohej Botës mbarë se, në Shkoder gjaku i Martirve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste, po vlonte në damarët e Rinisë, dhe se, Gjaku i Atyne Martirëve nuk kishte shkue huptë…Mungonin edhe kriminelët Shyqyri Qoku me shokë…

Numri i të arrestuemëve i kalon të 120 të rinjë dhe të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintët e zymta të Ministrisë së terrorit. Shumë familje në ankth nuk dijnë as ku i kanë djelmët e vajzat e tyne.

Diktatura komuniste me buzët e saja të gjakosuna, vazhdonte zgerdhimjen sikur të mos kishte ndodhë asgja në vendet e Europës Lindore! Flamurtarët e diktaturës krenoheshin…

Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenët 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këte motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë…”, pra, siç shihët, rruga e hetimëve të çonte drejtë plumbit. Spaçi e Qafë Bari…ndertonin socializmin!

Rin Monajka ishte nder kryesorët organizatorë me Gjergj Livadhin, Dedë Kasnecin dhe djelmë të tjerë që nuk e “njohën” friken e sigurimit katil të shtetit komunist.

Katilëve nuk i mjaftonte fraktura e kafkës së kokës së Rinit në tortura, por duhej të vuente edhe burg nder kampet e shfarosjes. Qendrimi i Tij burrnor asht një model i qendresës kundrejt diktaturës terroriste ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47 vjet. Ndonse, nga kjo, Rini u torturue me mjetet ma të paligjëshme, endè sot askush nga kriminelët nuk ka mbajtë asnjë përgjegjësi, përveç asaj që terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!..

Kampi i Qafë Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit.

Një çudi ndaj kësaj demostrate në Shkoder ishte qendrimi jo dashamirës i të gjitha shtetëve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandjente diçka, e justifikueshme.

Një stacion i radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufinjtë e Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!…”, edhe kjo një e vërtetë.

Italia si gjithnjë përsëriti qendrimin e saj që ka mbajtë përgjatë gjithë Shekullit XX. Ajo u tregue e gatëshme me ndihmue idealet e “socialistëve” të konvertuem në “demokratë” (I vuna nder thojza, mbasi asnjeni emen nuk ka ekzistue kurrë në drejtimin e shtetit që nga 1944).

Me datën 16 Janar 1990, pra dy ditë mbas Demostratës, demokristjani i njohtun Roco Butiglone, jep një deklaratë për shtypin: “Me datën 14 Dhjetor unë isha në Shkoder, po gjendja në atë qytet ishte e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë demostratë….”. Me plot gojë një turp për atë deputet të “demokristjanës” italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkoder, madje edhe në Kafe të Madhe, edhe i ulun tek dritaria e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të Kafes, sëpse, e kam pa unë me sytë e mij në ora 11.15’, pikërisht, kur në shesh ishin mbi 4000 vetë në Demostratën e heshtun…dhe zotni “demokristjanit” nuk i kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml., nga busti i Stalinit. E çka kishin me pritë shkodranët e masakruem nga këta “demokristjanë”..?

Në vitin 1991 Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodres, vetë Kryetari Ferdinand Temali kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin. Me pjestarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka, ndonse i gjymtuem nga shndeti. Kur e takova mbas lirimit, ndjeva vërtetë një kënaqësi që Ky djalë i kulturuem ishte i lirë, gjithmonë me shpresë se do të përmirësohej edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e ftyrës vazhdonte me e shoqnue… Ishte mirnjohës dhe nuk dinte sesi me u shpreh per ndihmen e madhe të Ferdinandit dhe BSPSh.

Mbas lirimit nga burgu Rini, ashtusi shumë të tjerë që dhanë kontributin e Tyne tue rrezikue jetën për të ardhmën demokratike të Shqipnisë, u harruene…shumë shpejtë!

Kishe shumë dëshirë që ti jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku në Austri…por ndodhi e kundërta…ndoshta,…autoambulanca që me 14 Janar 1990, qendronte para hotel Turizmit në Shkoder…e kishte ndjekë deri në Austri, deri në Villach, ku me 1 Maji 1997, Rini Monajka mbylli sytë pergjithmonë krejtë i vetmuem…si shumë Demokratë Shqiptarë!

Sa pak janë këto rreshta per mirënjohjen që duhet të tregojmë për ditët e Lirisë që na solli Rini dhe Rinia Shkodrane, ndonse sot, Veprave të Tyne, u kanë dalë perzot shumë prej “atyne” që po kerkojnë me i harrue ose ma keq, me rikthye “disa” foto terroristësh..!

Detyrohem me persëritë edhe njëherë një ide që kam shpreh prej sa kohe:

Dikur, në krahun e majtë të monumentit të Stalinit ishte një gur mermeri i daltuem. Ishte mendue mbi Té me u vendosë një Shqipe me krah të hapun, simbol i së ciles ishte ruejtja nën krahët e saj: “Lavdia e Deshmorëve të Lirisë”. Njëditë guri kaloi nga turizmi…

Do të ishte me vlerë për Qytetin e Shkodres, që në Parkun mbas Monumentit të Luigj Gurakuqit, të vëndoseshin disa Gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e Martirëve dhe të Dëshmorëve të Shkodres… ku, në një prej këtyne Gurëve, duhet daltue edhe emni i nderuem i shkodranit Hero i Demokracisë:

RIN MONAJKA (DUKAGJINI) 1953 – 1997.

Rinit! Në 60 vjetorin e Lindjes së Këtij Ylli, që shndritë në qiellin e Demokracisë!

Autori…

Melbourne, 2013.

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Rin Monajka

KA MBETË EDHE NJË COPË “SHQIPNI”…QË KA NEVOJË PER TYM…

November 12, 2013 by dgreca

Ju lutem mos e harroni porosinë e Nanës Tereza, në vitin 1997 në Rinas: “O Zot hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…/

Nga Fritz RADOVANI/

Plot 100 vjetë janë ba që me 13 Qershor 1913, i Madhi At Gjergj Fishta vendosi në kompanjelin e Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit të Shkodres, jo ma të vogel se kater meter të madh Flamurin e Gjergj Kastriotit, me Shqipen dykrenare mbi shtroje të lame me Gjakun e Atdhetarëve Shqiptarë, që dhanë jeten per Liri dhe Shqipni të Pavarun…

Kur malazezët gjuenin me top nga të kater anët Shkodren, u gjet një tradhëtar që ua shiti per pare pothuej krejt Veriun, e ky katil, kje me emnin Esad Pashë Toptani…

Shko një Esad, e eja një tjeter si ai…Po bahen 100 vjet, që historia persëritet…

Tragjedia që shkatrroi Shqipninë me kulm e temel filloi me Enver Hoxhen në 1941, dhe sot po vazhdon me pasuesit e pandreqshëm të atij sistemi perbindsh!

Atëherë, kur gjithë Europa Lindore po thente pllakat e hekurta të “Murit Berlinit” per me u bashkue me Europën e shumdishrueme…dhe me u rikthye në gjiun e vet…bash Shqipnia… Ah Shqipnia, e shkretë!.. Me 2 Dhjetor 1992, angazhohet në një tjeter pakt…të menduem nga tradhëtari Ramiz Alia, e “pakti” ishte “Konferenca Islamike”!

Pa kalue dy javë që Erdogan i Turqisë e ndinë veten në Prizren, si në “Turqi…” dhe mbarë Populli Shqiptar i të gjitha trojeve “ngritët në kambë”, vjen edhe një tjeter “sihariq” nga agjensitë europjane se, Belgjika, Norvegjia apo Shqipnia, në njenin nga këta shtete… po diskutohet “shkatrrimi i armëve kimike të Sirisë”.

Flitet (e ku asht za, nuk asht pa gja!), se Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës, kanë pasë kontakte me qeveritarë shqiptarë per këte çeshtje. Sigurisht, idea e tyne ka një bazë mbi të cilen asht ndertue kjo perpjekje e amerikanëve, per me ardhë me “shkatrrue” atë sasi të konsiderueshme armësh në Shqipni. Gatishmënia me pritë të burgosunit nga Guantanamo, apo “210 vllaznit e gjakut e t’ armëve” nga Irani, tregojnë se “shqiptarët”, kanë dhanë prova para Botës se janë të aftë me “strehu, gostitë e sigurue” kedo përveç, Shqiptarëve, që ma shumë se 1.500.000 Shqiptarë, janë shpërnda nder të gjitha vendet e skutat e kontinentëve, vetem per me sigurue “buken” dhe qetsinë shpirtnore…

E verteta asht se Shqiptarët ka 100 vjet që japin prova se janë t’ aftë jo vetem me shkatrrue armët kimike, po edhe depot e armëve të veta…si në vitin 1997, e po kje se e lypë nevoja, ata per me i ba nder Sirisë, shkatrrojnë edhe Shtetin Shqiptar… Mjafton që:

Mos të harrojmë kurrë porosinë e Ramiz Alisë: “Ne komunistët reformatorë,do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronaret e ardhshëm në një vend socialist, të jemi Ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji,brenda dy-tre legjislaturash, do të arrjmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cilado të na përjetësoi në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë... Shqipërinë do ta gëzojme Ne dhe fëmijët tanë.

Mjerë Ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen.

Përveç aleatëve ideologjikë, nëse do të jetë nevoja, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha… Për këte jeni të garantuar sot e përgjithmonë… në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni.”

***

Fitimi i “disa shqiptarëve”, nuk ka me kenë i vogel! Janë disa “vullnetarë” që po luftojnë perkrah “vllezërve të vet” në Siri… Këta ua çojnë prap sirianëve dhe ata, i sjellin prap në Shqipni…Këta ço… E ata bjeri prap… “Ma mirë kështu, se me gomone…”

E sa mund të paguhen këta qeveritarë me shkatrrue Shqipninë dhe t’ ardhmen e Popullit Shqiptar që asht Rinia…me shkatrrimin e ambjentit dhe me pasojat katastrofike, që sjellë pasiguria e armëve kimike në Shqipninë e mbrapambetun të Europës?

Po cili qeveritarë, po mendon per Popullin, Rininë e Shtetin…tash 100 vjetë?

“Po mbushin xhepat…” e… “Shqiptarët” do t’ ua ndertojnë maozoleumet e tyne!

Lexues të nderuem!

Ju lutem mos e harroni porosinë e Nanës Tereza, në vitin 1997 në Rinas:

“O Zot hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”…

Melbourne, Nandor 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Ka mbete dhe nej cope, Nene Tereza, per tym, qe ka nevoje

DANIEL GAZULLI – NJERIU I VLERAVE…

November 9, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Daniel Gazulli: (1943 – 2012)/

V D E K J A/

S’ asht e vërtetë/

që vdekja vjen vetëm një herë./

Sa herë ka trokitë ajo në derën time,/

sa herë./

Dhe gjithnjë diçka merr,/

aq sa,/

kur të vijë për herë të fundit,/

bosh do të jenë muret./

(Nga D. Gazulli, 1994)/

***

Vdekjet e paprituna gjithmonë krijojnë një boshllek…jo vetem, nder familjarë, po edhe nder miqë e dashamirë! Daniel Gazulli këte e ka lanë nder të gjithë!

Porsa, kishe perfundue një artikull per të madhin Lukë Kaçaj, dhe sapo e nisa në adresen e Danielit në internet…erdhi një mesazh: “Njoftojnë nga Italia se sot ka vdekë nga një infarkt Daniel Gazulli…”! Ishte ora 12.20’ e mesnatës, pra, me oren e Melbourne, kishe hy tek data 13 Nandor 2012… Tue mos dashtë me e besue, e mbylla internetin!

Heret në mengjes, u donte me u besue disa njoftimeve…Edhe pse, të pasigurta!

Ishte mengjes i dates 12 Nandor 2012, kur gjeta një “artikull” (per një person që e dijshe se Danieli e njeh…) dhe, i bana një mesazh: “Daniel, kam frikë se do të kenë dalë nga mendja…këto ditë. Po të dergoj këte artikull…” dhe i dergova artikullin…

Në mesazh që Danieli më pergjegji po me datën 12 Nandor 2012, më shkruente: “Mos na hap barkun me té, se na u ba si Esat pasha! …(ata) idiota!” Ishte disi i veçantë, dhe pikrisht, humori i atij mesazhi nuk “më lejonte” me pranue vdekjen e Tij…mbas mesnatës së asaj ditë. Biseda e fundit telefonike me Té, vazhdon me kenë pa u “fshijë”!

Edhe sot mbas një viti, vazhdoj me e kujtue e mendoj; “mos jam i gabuem”!..

Korispondenca me Danielin, bisedat telefonike dhe shkëmbimet e mendimeve me Té, ndoshta, më bane me mendue se jemi afer, jo vetem me moshë, po edhe me shumë e shumë pikpamje të perbashkëta që na bashkonin në piken e mirëkuptimit.

Shpeshë, më shkruente: “Edhe pse e dij se nuk  do të jesh plotësisht dakort me mue, si edhe herë të tjera, unë do të shpreh mendimin tim..!” Gjithmonë këte thanje e kam kuptue si hapje zemret dhe sinqeritet të Tij! Këta dy veti në një komunikim të vazhdueshem në mardhanjet tona, unë i vlersoj si një nga visaret ma të çmueshme ndermjet shokësh dhe miqësh. Ishte Ai i pari që mi tha këto fjalë, të cilat hapën perden që mund të na ndante si pasojë e distancës së largët, ose edhe e ndonjë keqkuptimi që lëshon metastaza nder të tilla raste. Në shkembimet e para të mesazheve mërrijta me kuptue mikun e vertetë dhe dashamirësin e persosun, me virtyte të brumosuna nga edukata e Tij familjare dhe kultura e trashigueme nder Troje të Fisit.

Virtyti i tolerancës tek Danieli, shpesh i shkapërcente caqet e durimit, aqsa i thojshe: “E dij se nga kjo veti, tek Ti Daniel, perfitojnë…po, unë, nuk mund ta pranoj…”

Jo, ma larg se të nesermen, më pergëzonte per qendresen time, dhe shtonte me humor: “T’ a kam lakmi, po nuk mund të imitoj në këte kambngulje…” Gjithshka mbyllej me lëshime dhe dëshirë mirkuptime me të gjithë! Sigurisht, kjo nuk ishte nga mungesa e guximit të Tij, po nga një rrugë që e kerkonte nder rrethanat e krijueme nder Shqiptarë.

Po të analizojmë krijmtarinë e Tij letrare, aty gjejmë shperthimin e Shpirtit të një Shqiptari të plagosun nga plagët e pasherueshme të shoqnisë sonë të bastardhueme, që prej sa kohe, nuk po gjenë as rrugdaleje dhe as sherim. Këshillon si Prind i mirë, dhe kritikon si Mësues dashamirës, që sheh një shoqni të molisun nder vese e lakmi…

Thesari kulturor i Tij në fushen e Gjuhës Shqipe, dhe perkushtimi i Tij në një nga labirintet e rrezikshme ku asht ngujue “Gjuha Letrare Shqipe”, tue mos tolerue asnjë diskutim per zhvillim dhe perparim të saj, ishte “kështjella” ku ishte Flamurtarë dhe një nga studjuesit ma të perkushtuem per atë çeshtje, perderisa me një kryeultësi modeste dhe pa asnjë zhurmë provokuese më tregoi, se kishte perfundue “Kodifikimin e Gjuhës Gegënishte” dhe, se materialin e kishte të gatëshem per diskutim dhe botim…

Dashje e padashje u detyrova me i hjellë një veshtrim rrugës së vështirë dhe plot me gremina të Gazullorëve, që nder shekuj punuen dhe gjithë kapitalin e vet kulturorë ua lanë Shqiptarëve, të cilët, vetem i mbyten dhe i zhduken nder prroska bashkë me të gjitha Ata vepra madhshtore e kulturore që u munduen me i dhurue Atdheut të vet.

Danieli ishte i fundit që njoha unë, por jo rranja e fundit e Gazullorëve, prej kah me dashuni e padurim pres bulimin e një Pinjolli të Rinj, ashtu si ishte edhe Danieli,… aso kohe kur e njoha unë, siç thohej dikur… në Shkoder: “Pa i ra brisk fëtyrës”..!

Daniel Gazulli ishte njeriu i vityteve dhe i letrave, ku edhe do të fitojë njëditë!

Shpirti i Tij gjithshka e vishte me dashuninë vllaznore dhe të pakufishme, që rritej e rritej në kenjen e Tij… deri në Pafundësi!..

E sot, edhe unë, thërras derisa zani im të shkojë pranë Tij…

Po, po, në Pafundësi,.. ku jam i sigurtë… se prehet i qetë!

Melbourne, Nandor 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: Daniel Gazulli, Fritz radovani, njeriu i vlerave

“PSE NUK DENONCOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT ?!”

October 26, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/

Ne Foto: Bisedimet me 4 – 11 Shkurt 1945 në Jalta…/

Mbas bombardimit të Tiranës, vetem ky “mur”…mbeti në Europë!/

Tue shikue këte copë “muri” që shumkujtë i duket si “monument”, më shkon nëpërmend një fjalë popullore: “Ishin nda rrisqet!”, kështu, thonë disa…

Plot 70 vjetë që “Historia e Shqipnisë”, ka marrë pamjen e disa legjendave, ku me vështirësi mundesh me kuptue se kapitujt e saj, nuk janë “përralla” të mbledhuna nga goja e Popullit, po janë të menduem e të shkruem prej “dr. prof. e akademikëve” tanë të dijtun…si thonë disa: “deri aty!” Edhe sot të bajnë me mendue “ku, kishim vojtë!?”

Mercenarët në Shqipni “drejtojnë” shtetin… Mercenarët janë edhe “akademikë” të Akademisë së Shkencave të RSh, dhe po, prap mercenarët, janë “dr. Prof.” e disa universiteteve të Shqipnisë… bash ata, që jo vetem shkruejnë “Historinë”, po edhe janë tue pergatitë “brezin” e dijetarëve t’ ardhshëm! Dhe, ma e shemtuemja gja asht se edhe ata e dijnë mirë, se po pergatisin një brez tjeter mashtruesish e gënjeshtarësh si veten.

Cili shtet në Europë nuk ka një Histori të vertetë të shkrueme, si Shqipnia?

Nga viti 1939 Shqipnia kje e pushtueme nga Italia fashiste dhe ma vonë, në 1943 në Shqipni, erdhën forcat ushtarake gjermane. Në relacionin e Militarbefehlshaber Sudost të Vermahtit Gjerman, shkruhet: “Një administrim ushtarak në kuptimin e mirëfilltë në Shqipëri, nuk ekzistoi… Politika e Gjermanisë pati si parim prijës rëspektimin e Shqipërisë si Shtet neutral dhe i pavarur.” Ishte e para herë në Histori, që Shqipnia ishte bashkue me Trojet e veta të mohueme dhe të masakrueme…

Në pragun e sulmit gjerman ndaj Jugosllavisë, Stalini ka nenshkrue një Traktat me Beogradin, dy palët i qendruen “besnikë” per aqsa u interesoi…Këte vertetoi Jalta!

Nga libri i z. Henry Kissinger “Diplomacia”, botue në Tiranë, 1999, kam mujtë me krijue bindje të plota per të gjitha ata fakte historike, që per vite të tana nuk i “kishe lexue në asnjë dokument historik të botuem.” Ju falemnderës z. Kissinger!

Kush ishin komunistët “tanë” dhe kush e formoi Partinë Komuniste tek ne?

Pse Aleatët u lidhën me komunistë, dhe pse i ndihmuen ata tradhëtarë?

Ruzvelti deklaron në Jalta: “Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barren e rindertimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit.” (fq. 396)

Nuk ua kishin tregue padronëve Aleatë, oficerët e tyne që ishin nder Malet tona besen, burrninë e bujarinë e Shqiptarëve të Veriut, që per 4 vjet nuk u vra një oficer?

“Ruzvelti e pranonte një pjesë të mirë të strategjisë së Çërçillit, por nuk mund të pranonte zbarkimin në Ballkan.” (fq. 404)

Nuk e dinin Aleatët se mercenarët e PKSh, janë të shitun tek bolsheviku Tito, dhe se Enver Hoxha asht një tradhëtar anadollak, që do të shesin Shqipninë tek sllavët, per të mbushë xhepat…dhe se, lufta e tij kishte subjekt shkatrrimin e Veriut të Shqipnisë?

A e dinin Aleatët qendrimin e Shtetit dhe të Shqiptarëve ndaj çifutëve tek ne?

Po, sa çifutë mërrijtën në ShBA me pasaporta Shqiptare, a e dinte Ruzvelti?

“Ruzvelti pranoi planin e Stalinit, per të spostuar kufijtë e Polonisë në Perëndim dhe vuri në dukje se nuk do ti bënte presion Stalinit per Balltikun…dhe as per të spostuar në Perëndim dhe kufirin Perëndomor deri në lumin Oder…” (fq. 411)

Po kur vune firmen në dokumentin e “Vendimeve të Jaltës”, nga 4 deri 11 Shkurt 1945, nuk ua vrau synin as Ruzveltit dhe as Çërçillit, “mungesa” e Shtetit Shqiptar, si Shtet i Lirë, demokratik dhe i Pavarun në Harten e Ballkanit të pergjakun?

Ruzvelti shkruen: “Mendoi se ai (Stalini FR), është përfaqësuesi i vërtetë i zemres dhe i shpirtit të Rusisë, dhe unë besoj se ne do të shkojmë shumë mirë me të dhe me popullin rus – vërtetë shumë mirë.” (fq. 413)

Atëherë, pse po sakrifikohej Europa Lindore deri poshtë në Shqipni Europjane?

Pse Aleatët në Jalta ishin kunder vendosjes së demokracisë, në zgjedhjet e 2 Dhjetorit të vitit 1945, dhe pse u pajtuen me vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipni?

Nuk ishin të dijtun per perpjekjet e Popullit Shqiptar nder shekuj me shpetue nga zgjedha sllave e aziatike e osmanllinjëve, dhe sa i kishte kushtue këtij Populli lufta?

“Dy vitet e para të luftës, vetem Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatatura komuniste... ‘demokraci të reja’ Jugosllavia, Polonia, Çekosllovakia dhe Shqipëria.”

Sa pushkë kanë shprazë Aleatët per me na “çlirue” këta 100 vjetë, apo duhen pyet:

Sa sterlina dhe mitraloza i keni dhurue Enver Hoxhës, per me zhdukë Atdhetarët?

Kur u pushkatue grupi antikomunist “Bashkimi Shqiptar” i drejtuem nga një demokrat 25 vjeçar Mark Çuni, që kerkoi zgjedhje pluraliste në Shqipni, ku ishin ata Aleatët që predikonin “Liri, Demokraci dhe Barazi mes Popujve të Botës!”?

Nuk i kishte shpjegue padronëve Aleatë, koloneli Niell, kerkesen e Don Ndre Zadejës, dhe cila ishte e ardhmja e jonë, kur u pat takue me té në qelen e Sheldisë?

As pushkatimin e Don Ndreut me Prekë Calin… nuk e morën vesh Aleatët?

As pushkatimin e deputetëve dhe qeveritarëve Europjanë në Tiranë, nuk ua tha asnjë nga oficerët e misioneve të tyne, as mbasi u takue me ta Imz. Vinçenc Prennushi, në zyret e misionit anglez dhe i shpjegoi persekucionin e katolikëve në Shqipni?

Ku perfundoi Imz. Jul Bonatti, mbasi anglezët e sollen nga Roma në vitin 1946, dhe ua dorzuen komunistëve të Tiranës, që e derguen në manikomjo…çka u ba me Té?

Po, Mark Gjomarkagjoni me dhjetra ushtarakë tjerë… që Aleatët, u thanë: “Ju, na  pritni nder male e shpella, se shpejt rikthehemi me vendosë demokracinë, çka u banë?

Po, per perkthyesit me Aleatët, z.z. Xhelë Meta, Ndrekë Kodheli etj., a moren vesh çka bani E. Hoxha, e ku perfunduen kufomat e Tyne, vetem pse dinin “sekretet”?

***

Kush ishin Aleatët ? – Ruzvelti, Stalini dhe Çërçilli…

Kush e bombardoi Tiranën me 13 Tetor 1943 ? – Aleatët…

Kush ua dorzoi Shqipninë, Titos, Stalinit, Mao Ce Dunit…?

***

“Numri i sovjetikëve të vrarë (përfshirë civilët) ishte mbi 20 miljonë. Perveç kësaj, numri i të vdekurve në spastrimet e Stalinit, kampet e përqendrimit, kolektivizimin e detyruar dhe uria e krijuar qellimisht, llogaritet 20 miljonë të tjerë e ndoshta, 15 miljonë vetë mbijetuan burgun e gulagun.” (“Diplomacia” fq. 438). Kjo ngjau në BRSS…

Pa hy nder shifrat e panjohuna të shteteve të Europës Lindore, sot me të drejtë duhet të pyesim: “Sa asht numri i të vramëve dhe të zhdukunëve nder burgjet, kampet e shfarosjes apo të masakrimit komunist në Shtetin Shqiptar, dhe ajo ma kryesoria:

PSE NUK DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT NË EUROPË DHE NË SHTETIN MA TË SHPARTALLUEM E TË VARFEN, SHQIPNINË EUROPJANE ?

***

Presidenti Ronald Reagan, porsa mori postin e Presidentit Amerikan me 20 Janar 1981, shpalli menjëherë në programin e Tij idenë e përkryeme:

“Objektivi që unë propozoj asht lehtësisht i arritshëm:

Inkurajimi i infrastrukturës së demokracisë: Sistemi i një shtypi të lirë, shoqatave, partive politike, universiteteve, të cilët do të lejojnë njerëzit me zgjedhë lirshëm rrugën e tyne… Perandoria e së keqes luftohet me mediat e lira, shoqni civile, partitë politike dhe intelektuali i mirfilltë.”

Fjala e Tij historike mbyllej:

“Le të nisim përpjekjen finale drejt ma së mirës: Kryqëzatën për Liri”.

 Të shpresojmë !

*13  TETOR  1943-70 VJETORI I BOMBARDIMIT Të TIRANëS-Pjesa e III/

Melbourne, Tetor 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, jalta, krimet e komunizmit, pse nuk denoncohen

13 TETOR 1943-70 VJETORI I BOMBARDIMIT Të TIRANëS(2)

October 18, 2013 by dgreca

TRE  NUMRA  13: 13 Tetor, ora 13 e 13 minuta…/

Fritz RADOVANI: Pjesa II/

 Mbas një viti nga bombardimi i Tiranës, me 29 nandor 1944, u vesh me të zeza e gjithë Shqipnia! Aleatët bane bombardimin e dytë, tue zhytë jo vetem Tiranën, po gjithë Shqipninë në gjak dhe terror. Trojet e lirueme Shqiptare në vitin 1941 nga italianët dhe gjermanët u ripushtuene nga jugosllavët komunistë të Titos, tue i shtue atyne Trojeve edhe Shqipninë nanë e mbetun nga viti 1913, në dokumentat nderkombtare…

          Thirrja e parë e terroristit Enver Hoxha, nepermjet dokumentave të PKSh, që kje formue nga mercenarët jugosllavë të Titos ishte: “Përpara, gjithënjë përpara që të fitojmë e të Hakmerremi!” E nder rrugët e Shkodres ndigjohej kanga: “Hakmarrje…rini!”

Po, “hakmarrje” ndaj forcave nacionaliste në Jug, dhe “hakmarrja” vazhdon në Malet e Veriut kunder Prekë Calit, tue vra mbi 118 Burra Malësorë nga Kelmendi ynë, dhe trupat e Tyne tue i tretë nder prroska ashtu si kishte urdhnue “shoku” komandant.

E bishat partizane me “yllin e kuq” në ballë fillojnë vrasjet, kontrollet e shtëpive, magazinat e tregtarëve, plaçkitjet e mallit e deri tek arkat e grave shkodrane. Vetem në qytetin e Shkodres në vitin 1946 funksionojnë 26 hetuesi, podrume torturash, rrahjesh, masakrash, dhunimesh, shnderimesh, vrasjesh, hudhje nga dritaret, mbetje burrash nder korrente elektrike, sjellje në hell mbi zjarrin e vdekjes per me zbatue porosinë e PKSh dhe udhëheqësit të saj barbar, katil dhe anadollak “hakmarrje” ndaj Veriut… Atij Veriu që partizanët i këndonin edhe kangen e tyne kur kanë hy në Shkoder me 29 nandor:

“…Luaje Emine këmbën, se do t’ ia q…Gegës nënën!”…dhe vazhdonin vrasjet…

Vetem nga viti 1944 e deri në dhjetorin 1945 deklaron avokat Paulin Pali, janë vra nder këto qendra masakrash mbi 500 vetë në qytetin e Shkodres, pa shenue këtu ata fatzezë që janë pushkatue e vra nder male, në luftë kunder okupacionit komunist.

Filloi plaçkitja e dyqaneve të Pazarit të Vjeter të Shkodres, torturimi i tregtarëve, marrja e rrezervave të arit dhe mallit dhe kalimi i tij tek pronarët e rijë në Beograd dhe në Moskë, ku kujtohen nder dyqanet e tyne mallnat tona me firmat “Ulqinaku” etj…

E ndoshta, ky mall nuk ka aspak vlerë perballë veprave të artit, muzeumeve dhe bibliotekave të marruna me dhunë nder familjet e kenuna shkodrane apo objektet e kultit fetar, që u rrafshuen perdhe nga urrejtja e fanatizmi me parullen “hakmarrje”!

Vinin partizanët e kontrollonin shtëpinë deri nder hatlla, merrnin çka donin ata, dhe pa kalue java vinte letra e shtetizimit shtëpisë, tokës apo edhe e daljes nga prona… Arrestimet dhe burgjet ishin “pusat” ku shkonte vlera e mallit mbetun pa u shtetizue. Ishin “pusa” që perpijshin gjithshka në pafundsinë e tyne mbi 30 apo 40 vjeçare nder mjaftë shtëpi, një prej të cilave asht kenë edhe truelli i Babes tim, viktimë bombardimi po, por edhe i dënuem mbas vdekjes nga komunistët, që edhe pse la tre jetima të mitun, ma i madhi fëmijë Alfonsi, 11 vjeç (në vitin 1943), nuk perfitueme asnjë ditë pension dhe u trajtuem të deklasuem e shpeshë edhe në shenjester të “hakmarrjes” komuniste!

Po, sa familje ishin të tilla në gjithë qytetin e Shkodres? – As nuk mund të dihen kurrë ata që u perfshinë në “luften e kllasave” dhe ishin objekti i “hakmarrjes”…

***

Kur Nana u kthye në Tiranë me marrë plaçkat e shtëpisë, kishte gjetë oren e rame permbys dhe të thyeme tek dhoma e fjetjes… Kishte mbetë në momentin e bombardimit dhe hagrepët tregonin se,… ishte kenë fiks 13 e 13 minuta, e datës 13 Tetor 1943…

Dhe, me të vertetë ajo “13”… na ka ndjekë per 47 vjetë…

●“Historianët” tanë nuk duhet të jenë dakord as me këte 13 – të…

13–ta, e parë asht ajo e Esad Pashës, që na kujton 100 vjetorin e tradhëtarëve..

●Filloi në 1913, kur Esad Pashë Toptani ua shiti Shkodren malazezëve…vazhdoi me Haxhi Qamilin, tue thirrë: “Duam babën…!”, dhe mbas 13 vjetësh tjera, Ahmet Zogu mbasi nenshkroi “marrveshjen me Pashiq”, i “dhuroi” Jugosllavisë “mike” Vermoshin e …Shën Naumin, “marrveshje” që u “rifreskue” me 14 Tetor 1926, edhe sot në fuqi!

Në vitin 1941, komunistët e Titos gjetën një tjeter kallep terroristi anadollak, që ua rikthej Trojet Shqiptare të Lira të atij viti, që në nandorin e 1944, tue fillue nga Ulqini, Hoti, Gruda, Kosova dhe Maqedonia…dhe, me Ta edhe Shqipninë e vitit 1913…që edhe sot nuk e kuptoi pse quhet me emnin “Shqipni”, kur per 100 vjetë, per aq pak vite sa ishte e “Lirë”, pothuej, nuk asht drejtue asnjëherë nga Shqiptarët!

Me 1 korrik 1946, Tito shperblei Enver Hoxhen me dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, me motivacionin e njohun “Tradhëtar i Popullit Shqiptar”!

Motivacion që vazhdon me kenë edhe sot mbi varrin e tij…

Asht po, ajo “dekoratë” që KGB – ruse, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, me anen e ambasadorit Vladimir Tokin, në Tiranën e “kuqe”, me 21 prill 2005 dekoroi Ramiz Alinë, me rastin e 50 vjetorit si agjent i saj!

Tradhëtari Ramiz Alia dekorohet në 50 vjetorin si agjent i KGB-së, me 21 prill 2005..Ishte edhe 50 vjetori i Masakres së Tivarit, ku roli i tij nuk duhet mohue…

Frano Jakova, i vëllaj i Tuk Jakovës, kur ishte i interrnuem nga vitet 1959, i ka tregue At Frano Kirit se: “Kur Tuk Jakova, e ka pyetë Ramiz Alinë: Po pjesa tjetër e kosovarëve që sollet nga Kukësi, ku ishte vendosë gjatë rrugës për në Shkoder?

– Ramizi i ishte pergjegjë: ‘I vramë si qentë rrugës dhe i hodhëm në Dri e prroska, …ishin të gjithë kunder nesh!”…

Po Aleatët ku janë!?…

(vazhdon Pjesa III)

Filed Under: Histori Tagged With: 13 tetor, bombardimi i Tiranes, Fritz radovani, pjesa 2

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT