• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Magjia e Bjeshkëve të Tropojës – mrekulli të pa shijuara

September 16, 2016 by dgreca

*ÇEREMI, PORTA E BJESHKËVE TË LARTA/…

1-bjeshke-2TROKUZI-PERLË EMOCIONUESE E MIKËPRITËSE/

DOBERDOLI E SYLBICA-BUKURI PËRRALLORE/

2-ok-bjeshke

2-dreke-ne-bjeshke

5-autori-me-mikun

1-vertikale

Shkruan: FRROK VUKAJ/

 

1-autori-shkruanPërjashtuar një përqindje relativisht të ulët të tropojanëve e disa qindra turistëve, mund të themi se magjia e këtyre bjeshkëve mahnitëse mbetet e pa shijuar. Unë pata rastin e mirë të realizoj një nga ëndrrat më mbresëlënëse të mbetura peng prej shumë vitesh. Miqësia dhe vera janë të ngjashme: sa më të vjetra e të qëndrueshme, aq më të mira janë. Me Hysni Musën jam njohur prej vitesh kur ai punonte Përgjegjës i Qendrës Ekonomike të Arsimit e unë drejtor i shkollës së mesme të bashkuar në Lekbibaj.

Shpeshherë më ka ftuar për një vizitë në stanin e tij në Tërkuz. Nga qyteti në zemër të Alpeve u nisa më 11 gusht duke kaluar përmes fshatit – qytezë Markgegaj, një ndër më të bukurit e krahinës. Pa e ndjerë, fare natyrshëm, pa pritur e pa kujtuar, u futëm në Luginën e bukur të Valbonës. Buzë lumit kaltërosh, makina ’’hante” me shpejtësi kilometrat e rrugës së asfaltuar vetëm në vitet e fundit. Në Dragobi shoferi ul paksa shpejtësinë për të zbatuar rregullat e qarkullimit, por edhe për të shijuar ato pamje tërheqëse, veçanërisht shpellën e famshme, emri i së cilës lidhet me heroin legjendar Bajram Curri. Edhe 100 vizita të bësh, përsëri nuk ke të ngopur. Objekti im janë bjeshkët e larta në veri dhe timoni pret djathtas për në Çerem në hyrje të të cilit kisha qenë vetëm një herë në fillim të viteve ’80. Shoferi Rifat Dunisha me pasion flet për gjithçka, por më së shumti për problemet ekonomike që lidhen me bujqësinë e blegtorinë, për lidhjet e forta me vendlindjen, çka mungon tek shumë të rinj që nuk e gjejnë veten, duke u shtyrë në pesimizëm e ëndrra boshe. Mbi 300 dhi kishte në bjeshkë familja e tij jo e madhe. Siç mora vesh edhe nga të tjerët, jo vetëm ato që thoshte ishin të sakta, por ishte edhe një punëtor i palodhur në zanatin e tij duke u kujdesur e kontribuar edhe për punët bujqësore e blegtorale. Pa harruar fillin e bisedës, mendja më fluturoi në vitet e para të kolektivizimit, atëherë kur Dunisha i bëri një qëndresë të fortë atij regjimi, duke mos pranuar për disa vite kooperativën bujqësore. Mu kujtua edhe Malësia e Gjakovës me shumë resurse të pashfrytëzuara sa duhet dhe si duhet: tokat pjellore, burimet ujore për vaditje e pirje, klima e mikroklima e mrekullueshme, masivet me pyje e gështenja, blloqet me pemë frutore e vreshta, pasuritë nëntokësore, bimët mjekësore etj.

Çeremi me lumin përmes ngjan me oborrin e një kalaje; portat e bedenat e saj janë shkëmbinjtë mijëra vjeçar, të bukur e madhështorë. Në njërën anë Kollata hijerëndë e përballë saj Gjarpri i Çeremit. Sa më shumë afrohemi, hapësirat zgjerohen me pyje të dendur ahu e livadhe të gjelbëruara edhe në këtë mes gushti rreth të cilave bëjnë roje kreshtat e larta shkëmbore me shpate të veshura vende – vende me pisha e gjelbërim. Me dhjetëra turistë nga vende të ndryshme të botës, lëvizin nën hijet e dendura ku nuk depërtojnë dot rrezet e diellit; në atë pamje si muzg-mbrëmje u drejtohen për së shkurti kodrave për në thellësi të bjeshkëve. ’’Rivalizonte” e gulçonte makina jonë në rrugën gjarpëruese plot gropa e kthesa për lartësi të reja. Ne ngjitemi e ngjitemi, por në largësi shohim se turistët nëpërmjet të përpjetave e rrugëve direke kanë përparuar më shumë se ne. Markofçia është një ndër bjeshkët e para, si ato mini -fushat e futbollit para një stadiumi të madh.

Pas mëngjesit e kafes në dalje të fshatit Çerem, ndalimin tjetër e bëmë tek Kungji (kulmimi ) i Armëve, në atë shesh ku festohej e zhvilloheshin gjithfarë veprimtarish. Ndonëse në një pikë vështrim

relativisht të ulët, mund të vështroje në të katër anët dukë bërë një fotografim të shpejtë siç bën çdo vizitor kur vjen për herë të parë në një vend. U befasuam me këtë “prezantim të parë”, por edhe nga fjalët e dy pasagjerëve dhe të shoferit: ’’Do të shihemi… Sot nuk kemi lek”.

– Mirë, mirë, nuk prish punë edhe një ditë tjetër, -foli qetësisht shoferi.

Thashë me vete se për sot i iku gjysma e fitimit. Meditoja në heshtje e shikoja shoferin aspak nervoz. Disa thonë se tropojanët nguten e janë gjaknxehtë; rasti i sotëm e të tjerë tregojnë krejt të kundërtën. Në linjat inter-urbane, por edhe brenda qyteteve kam parë të plasë sherri e debate mes pasagjerëve, shoferëve e fatorinove për gjëra fare të vogla, deri edhe në përplasje fizike.

Trokuzi-perlë emocionuese e mikpritëse

Duke lënë djathtas Mullafcin, Lugun e Vocit, Poligajën, e majtas Markofçën, fillon zbritja për në terrlën (stane-qytezë) e Torkuzit e mbledhur dhe e qarkuar në një lëndinë, e rrethuar me pyje si një oaz me rreze jo më shumë se 100 metër. Kjo bjeshkë është ndër më të bukurat në Alpe, por ndoshta edhe në Europë. I mirënjohuri dhe i respektuari Hysni Musa, i befasuar e i gëzuar pamasë nga ardhja ime, nga oborri-ballkon turret drejt meje duke më uruar mirëseardhjen e duke më përqafuar e rrokur si të ishim ndarë prej vitesh. Me ngrohtësi e dashamirësi më priti i biri i tij, Petriti me nusen e vajzën, Fatbardhën e Erën studente në një universitet të Tiranës.’’ Stan i thënçin”, por ngjante më shumë si ’’shtëpi kukull’’ ; një vilë e vogël dykatëshe me oborrin-ballkon të ngritur për katin e parë, të përshtatur sipas pjerrësisë së relievit e katin e dytë për dhoma fjetje, me ballkone e mbulojë alpine me dërrasa. Me mjeshtëri janë harmonizuar thjeshtë, ndërtimi me gurë, tulla, çimento, lëndë drusore, por edhe punime të tjera artistike, ku bie në sy oxhaku karakteristik . Jo larg stani tjetër më i vogël me mur guri të thatë e lëndë drusore që shërben për magazinë e në raste të veçanta, kur shtohen mysafirët, edhe për fjetje. Mjediset ishin të thjeshta, të këndshme, funksionale, e çlodhëse; veshjet me dru m’u dukën kurative e anti-stres. Nuk ishim si në një stan tradicional me hapësira të vogla mbuluar me dushk lisi, fier apo bar, por në një mjedis relativisht të madh e modern, me dhomë pritje, ballkone, dhoma gjumi, kuzhinë e orendi, banjë me ujë të rrjedhshëm, ndriçim me panele diellor etj. gjëra që rrisnin rehatinë e komoditetin. Duhet thëne se ky është ndër më të mirët, por jo për të gjithë janë mundësitë për ndërtime të tilla.

Rreth e rrotull stanet e Buçpapajve, asaj dinastie me emër të njohur në të gjitha fushat, jo vetëm në Tropojë, por edhe më gjerë në të gjitha hapësirat shqiptare, biles në letërsi me njohje ndërkombëtare duke veçuar Skënder e Muj Buçpapaj me botime e çmime të rëndësishme prestigjioze botërore. Janë të një vllaznie edhe pse me mbiemra të ndryshëm Hysni Musa, Ali Ibishi, Skënder e Muj Buçpapaj, Skënder Haluci, Arber Ahmetaj, Bislim Ahmetaj, Avdi Haluci, Hasan Mehmeti e vargu nuk mbron as me Buçpapajt etj. Elida, Iliri, Flamuri, Halili, Abdyli, Zeneli, Alushi, Alia, Zmajli, Bajrami, Sejdia, Haxhia, Mehmeti, Shpendi.

Vizitën e parë atë pasdite të bukur e bëmë tek shkëmbi i Gjon Balës, i atij prijësi popullor shqiptar nga Vuthaj, emri e bëmat të cilit enden mes realitetit e legjendës. Thuhet se ishte aq i fuqishëm, sa me të dyja duart ka vendosur majë shkëmbit të lartë një masiv guri si sofër mbi dy kolona të mëdha karshi që ngjajnë si supet e dy vëllezërve krah njeri – tjetrit, ku dukshëm depërton drita tejpërtej. Sa më shumë afroheshim, shtohej edhe kurioziteti. Kaluam në ato lartësi, nëpër ca shtigje e labirinte misterioze e të rrezikshme. Rreth e rrotull pjesës qendrore që ngrihej dhjetëra metra pamë të shpërndarë në pyllin e dendur e tokën e butë me qindra masive gurësh me përmasa të ndryshme e forma gjeometrike, pothuajse të rregullta, por edhe të tjera të çuditshme. Mbase edhe ndonjë meteor nga hapësirat qiellore, hamendësi e cila meriton një studim shkencor.

E vendosur në një lartësi rreth 2000 metër mbi nivelin e detit,Trokuzi është një perlë emocionuese; ka kullota të bollshme, ujëra të shumtë e gurra poetike aq të çmuara e të vyera për bjeshkatarë e

turistë, por edhe për gjënë e gjallë; ka pyje shekullore të pafundme me pisha, aha e drurë të tjerë të rrallë. Në këto bjeshkë gjenden të gjitha bimët mjekësore të Alpeve duke përfshirë boronicën e dëgjuar për vlerat kurative që shtrihet në hapësira të konsiderueshme, mjedrat, luleshtrydhet, çajrat etj.; gjenden gjithfarë shpendësh e kafshë të egra si pula e gjeli, shqipet e famshme, ujku e ariu, kaprojtë e dhitë e egra, dhelprat e derrat, por edhe trofta pikaloshe në rrjedhën e lumit të Gashit etj.

Lëvizim nga njëra piramidë në tjetrën, nëpër ato kodra si kurriz peshku, bile disa herë edhe jashtë kufirit shtetëror. Këto ditë e në ditë të tjera kemi lëvizur ngjitur me piramidat që më ngjanin si thika në trupin e një njeriu. Nga qafa e Vranicës e deri në qafën e Sylbicës pothuajse i pashë të gjitha me sy e shkela afër tyre. Edhe sot, pas shumë vitesh që janë hapur kufijtë, përjeton një drithërimë të lehtë, një si ndjesi frike e trashëguar nga ajo perde hekuri e armiqësi që ndanin vëllain nga vëllai, popuj e kombe, por jo zemra; copëra bisedash që ngërthejnë drama e tragjedi, absurditete të pabesuara. Më vonë, jo larg staneve që shtriheshin në një pllajë të gjelbëruar e të rrethuar nga pyjet gjithfarësh, bëmë një vizitë tek kroi i Grave, mes një pylli shekullor e një bimësie të dendur që na e vështirësuan gjetjen e dy burimeve afër njëra – tjetrës. Filluam të filozofojmë. Pse ky krua me këtë emër në mes të pyllit, kur kishte burime të bollshme afër vendbanimeve verore?! Pa dyshim gra e vajza në një ditë të caktuar të javës shkonin në mes të pyllit për të përvëluar në kazanë rrobat e familjes, por edhe për t`u dëfryer, për t`u larë e për t`u pastruar.

Ashtu si plazhi edhe bjeshka pa pushues, nuk ka kuptim; ato ngjajnë më shumë me një shkretëtirë. Duke qenë se verimi zgjat 2 – 4 muaj larg qendrave të banuara, ai është edhe manifestim vlerash, ku duhet veçuar shoqëria e miqësia e sinqertë, duke përballuar së bashku edhe shumë vështirësi, por ndarë edhe momente gëzimi. Qysh atë mëngjes herët kuptova se atë ditë në konakun e Hysni Musës do të ketë një tubim të vogël hareje… Pa u ngritur akoma nga krevati, dëgjova t`u thërriste disa njerëzve e t`u thoshte se nga ora 14 do të mblidheshin disa shokë. E po thashë me vete ’’ndonjë sebep familjar”; tani është rasti të iki pa e tepruar. Pra, në ditën e tretë mendova të kthehem pasi shëtitjet e ditës së parë e sidomos pasditja e së dytës kur iku mjegulla e doli dielli e kishin përmbushur qëllimin e kënaqësinë e vizitës sime.

Ajo çanta pak më e madhe që s’e kisha marrë në ditët e tjera ’’më tradhtoi” disi. E zonja e shtëpisë më tha : ’’Pse po e merr sot atë çantë ta endësh kot ’’? Kaq u desh e puna ime u bë disi ’’problem’’. Më del përpara me të dyja duart Rasim Hasani, (nipi i shtëpisë ) e më shtyn për në stan, i zoti i shtëpisë më kap për njërën dorë, ndërsa i biri, si zakonisht fjalëpakë e i vendosur, më rrëmben çantën nga krahu e hyn në stan. U pa puna.. se si e ndjeva veten, edhe mirë edhe keq…

Ajo drekë e bollshme me gjithfarë ushqimesh BIO qe mbresëlënëse. Akoma më mbresëlënëse ajo tavolinë me burra të malësisë së Gjakovës për t`u marrë shembull në të gjitha drejtimet, harmonizuar natyrshëm tradita e mençuria popullore, me kulturën bashkëkohore e frymën civilizuese. Për një të panjohur ishte e vështirë të dallonte qartë nivelet e shkollimit, por jo profesionin, se secili fliste me maturi e kompetencë në fushën e tij, pa u hequr si eruditë në të gjitha fushat; çdonjëri i veshur thjesht, pastër e hijshëm.

Dashnor Elezi do të shiste këtë vit mbi 100 qengja. Rifat Ademi mbarështonte një tufë me lopë. Bajram Buçpapa, veteriner i pasionuar që banon në Tiranë, ka ardhur për pushime, por me çantën plot ilaçe. Ishte shumë entuziast e i gëzuar; ka shpëtuar një lopë e cila ka lindur 18 viça. Profesori i matematikës, Sejdiu, me përvojë si mësues e drejtues arsimi në Tropojë e Tiranë. Inxhinieri i talentuar Astrit Zeneli e juristi i njohur, i matur e i saktë Guxim Zeneli. Rasim Hajdari me kontribute të shquara në zhvillimet demokratike, vëllai i liderit e heroit të demokracisë, Azem Hajdari. Krah tyre Muslia, Selatini, Rexhepi, Fatosi etj. që plotësojnë mendimet e shprehura e gjallërojnë atë sofër bujare.” Jemi në stan” bëri shaka njëri, por me të shpejtë priti “rrufetë”. ’’Kudo ku janë burrat, bahet sobë burrash” (odë). Mendimet rrjedhin për shumë gjëra, se edhe jeta e tyre është e lidhur me zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore. Do ta lehtësonin verimin e jetesën në këto lartësi ndërtimi i një ambulance, i një poste të vogël policie sezonale, i një shërbimi veteriner, i një punishteje për përpunimin e qumështit e boronicës me shumë vlera kurative, ndërtimi i një antene radio-telefonike, hartimi i një planimetrie për ngritjen e tërlave e staneve, përmirësimi dora-dorës i sistemit rrugor, kërkesa këto brenda mundësive ekonomike të shtetit tonë. Pa ndonjë pasuri të madhe, përkushtimi e kontributi i Sokol Avdiajt për hapjen e mirëmbajtjen e rrugëve është një shembull frymëzimi për çdo njeri, për biznesmenët e donatorët jo vetëm të Tropojës, por edhe më gjerë. Krah të zotit të shtëpisë në krye të tavolinës e ndjeva veten të respektuar në atë sofër burrash, edhe pse isha nga një krahinë disi më e largët e me prejardhje tjetër besimi fetar. Doberdoli e Sylbica- bukuri përrallore.

Përjashtuar ditën e kthimit, çdo ditë bëra vizita, çdo herë shikoja e shijoja gjëra të reja, por më mbresëlënëse qe vizita e papritur në Dobërdol. Kur u davarit mjegulla e doli dielli, makina mori rrugë të re. Pasi e kuptova këtë ndryshim, kundërshtova me forcë për arsye etike, por me zemër pranoja edhe të kundërtën. Shoferi, si zakonisht i vendosur për të plotësuar dëshirën time për sa më shumë vizita. Me të mbërritur në rrëzë të kershit të Vujkut, aty ku janë organizuar kuvende me rëndësi për mbrojtjen e trojeve autoktone shqiptare, pashë si në pëllëmbë të dorës atë perlë fantastike e u ngazëlleva shumë. Udhëtimi u bë magjik përmes rudinave të Dobërdolit e deri në Qafë; majtas midis dy majave të vogla pikëtakimi i kufirit të tri shteteve, dy prej tyre të krijuar vitet e fundit. Ajo luginë e shtruar me një qilim të blertë mes për mes të cilit rridhnin ëmbël burimet e Lumit të Gashit, ngjante si një banane gjigante e në shpinë të saj Sylbica me nam; i mendova si dy bukuroshe qafë më qafë, veshur me një pushe të blertë (pa pyje) që freskoheshin në ujin e burimeve të bollshme e rreziteshin në diell. Lotonin sytë e gjinjtë e tyre me ujë bore qelibar e përkarshi na shfaqet një bukuri përrallore: liqeni i Dashit, syri magjik i kaltër i Alpeve me diametër rreth 50 m e 2220 m lartësi mbi nivelin e detit. I pabesueshëm ky peizazh…buzë tij nga ai mister i mbushur ’’grumbull’’ me ujë e burime të tjera zë fill burimi i lumit. Tronditëse dhe interesante ajo legjendë e pashoqe e krijuar nga populli, kujto djalin simpatik me fyell që artikulon tinguj magjepsës, vajza bukuroshe me gërsheta me zërin melodioz e dashin kobzi…Pas vdekjes tragjike, sipas gojëdhënës, fyelli i bariut nëpërmes rrjedhjeve nëntokësore të ujit është gjetur në Vrellën e Molliqit në Kosovë e gërshetat e vajzës në Shoshan të Tropojës, dhjetëra kilometër larg nga burimi e njëri tjetri. Petriti pa e kursyer veten as makinën në ato rrugë vërtetë problematike, shfrytëzon çdo mundësi për të respektuar shokun e babait, ndërsa Era fikson me kujdes në aparatin fotografik pamjet më pikante.

Pas atyre shëtitjeve të mrekullueshme e asaj dreke të paharruar, kupa e kënaqësisë ishte mbushur plot, por nuk po shkëputesha dot nga ajo natyrë marramendëse. Pasditen e fundit u ngjitëm me Hysniun në majën e Borakës me lartësi mbi 2000 m me një sheshpamje me hapësirë të madhe. Ai burrë fisnik që ka mbjellë vetëm mirësi gjatë gjithë jetës, ecte përpara meje me shkop në dorë, më ngjante si shenjtor a si profet që sjell fat.

I rroka si i pangopur me sy ato hapësira e pas një frymëmarrje të lehtë bëra dhe një ’’inventar”.

Nga njëri krah : Gjarpri i Doçit, i Mulosmanajve, Rupat, Bira e Kusisë, Lugu i Vocit, Mullafci, Javori, Bullatergu, Policat, Lumi i Gashit e kulla e gurit e Mujë Hoxhës, Poligaja, Tërkuzi, Balçina, Kushetica, Kershi i Kocajve, Livadhi i Çillës, Luzhnicat, Prebuja, Tringëllima, Dobërdoli, Sylbica, Pojana, Ujeza, Radeshet e kreshtat e Shkëlzenit ; në krahun tjetër Kollata, Qafa e Borit, e Vranicës, Pecmarra, Brijza e Geghysenit, Droça, Maja e Hekurave, Shtylla e Grisë, Lugu i Thive, Bisheva, Soça e të tjera bjeshkë në ujëndarësen Valbonë – Curraj. Burimet e bollshme të ujit janë qershia mbi tortë. Ato rrjedhin në lugina me pyje të reja e shekullore, mes gjelbërimit të paanë, bimësisë së dendur e kurative, në rudina nëpër bar e myshqe që shërbejnë si sfungjer pa sjellë asnjë gërryerje apo dëm ekologjik. Ato rrugë e gjurmë rrugësh, ndonëse me shumë probleme, janë një arritje e madhe, sepse vit pas vit mund e duhet të rregullohen e shtohen; rëndësi ka se ekziston traseja e tyre në terrene jo të rrëshqitshme. Mund të shkruash gjatë për tërlat për postat e ish-postat e kufirit për kërkime gjeologjike, për rudinat e pllajat alpine, për këto bukuri të fjetura, perla të vërteta e sa e sa pasuri e histori të pashoqe. Pushues, vizitorë e bujtës mposhtin edhe shumë vështirësi të motivuar nga tradita, romantizmi e krenaria, por jo pa kosto.

* * *

Rritet e harliset robi e zmadhohen mushkëritë nga ajri kurativ, gufon zemra e hidhet përpjetë nga gjelbërimi i paanë, sytë përpijnë gjolet e bukur alpinë e burimet ujë-bore, trupi rinohet e gjeneron forcë, truri dehet e mendja merr krahë…Fantazon imagjinata ime, lundron në liqenet interesant e lumin e Gashit, fluturon në kreshta malesh, përkundet e mbështillet në ca shtëllunga të bardha të reve në qiellin e kaltër e mjegullën e pambuktë në fundin e luginave, që paralajmërojnë ardhjen e vjeshtës e befas, bjeshkët më shfaqen si mirazh, si në legjendat e Mujit e Halilit. Këto hapësira të papara me reflekse marramendëse, të pa shijuara, të panjohura mirë e të pastudiuara, janë një pasuri e madhe që duhet menaxhuar, por jo shpërdoruar, as lënë në harresë.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Bjeshkëve të Tropojës, Frrok Vukaj, Magjia

PAS 50 VITESH, ME PEDAGOGJIKASIT E SHKODRËS

September 17, 2014 by dgreca

Nga FRROK VUKAJ/
Pedagog, studiues – Tiranë/
Se si po më duket…vallëkaq shpejt kalojnë vitet e dekadat?!
Vocërrakë ishim atëherë, 13-14 vjeç e ndonjëri edhe 15, se shkolla 7-vjecare qe hapur me vonesë në fshatin e tyre. Më se 50 vite më parë, në shtatorin e vitit 1963, u mblodhëm një e nga një nga të katër anët e Shqipërisë, shumica nga Veriu i saj. Ashtu të ndrojtur e të padalë nga fshati, me rroba sa për të thënë, me triko leshi, xhaketa doku e pantallona shajaku, ndonjëri pse jo edhe me opinga llastiku e çorape leshi, u mblodhëm në qytetin verior, në djepin e kulturës, me histori 2500 vjeçare, në qytetin historik të Shkodrës.
Befasitë ishin të bukura e mbresëlënëse, por ana tjetër e medaljes na kujton edhe sot pamje tronditëse: varfëri e tejskajshme, kushte jo të mira jetese, komunikim i rrallë me familjet tona të largëta nëpërmes fletëthirrjeve telefonike 2-3 minutëshe në Postë-Telegrafën e vetme të qytetit, motii ftohtë e i lagësht, dimrat e ashpër, komunikacioni problematik pas të cilit shumica do të udhëtonin në këmbë 2-3 e deri në 8 orë neper rrugë të thepisura, dhomat e mëdha e të ftohta të konviktit me krevate marinari, autoklava primitive që na lante rrobat e pas jave thasët që zbrazeshin në shesh, rreshti i gjatë i konviktorëve me ndërresat e pakta në duarpër t’u larë në banjat publike të qytetit e pamje të tjera që edhe sot më ngjethin mishtë.
Megjithëkëtë nuk u tronditëm, as u thyem. Në zemrat tona kishim zjarr e në sytë tanë dritë e jetë që rrëzëllente. Vitet kaluan e ja ku u mblodhëm me 8 Shtator 2014, pas 50 vitesh, ashtu si dikur. Megjithëse flokëthinjur e paksa të kërrusur, e shpupuritëm hirin e para një gjysmë shekulli e në shpuzën e nxehtë pak e nga pak zbuluam edhe ca thëngjij të pashuar.
Po nga u mblodhëm e nga erdhëm në këtë ditë shtatori?
Takimi i parë u bë në Tiranë para disa vitesh, por sot si një magnet, na tërhoqi Shkodra ku kaluam pjesën më të bukur të rinisë e na dha rrugën e mbarë. Kështu ndodhi edhe 2-3 herë të tjera, por sot malli na ka marrë më shumë se herët e tjera. Shkojmë aty ku kaluam 4 vitet e shkollës së mesme e sytë tanë përloten si të ishim fëmijë. Ish Shkolla Pedagogjike nuk është më. Në themelet e saj e në hapësirat rreth e rrotull, është ngritur një park i bukur e në mes tij shatërvani ujëplotë. Na lehtëson kjo pamje se aty ku prodhohet dije për shekuj lind e rilind jeta. Lulishtet e bukura, drurë e pemë gjithfarësh, kalldrëme e zbukurime, pishat e selvitë e gjata.
Pedonalja që zgjatet deri tek Truma, si një ansambël i bukur. Rektorati i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, godina karakteristike e Bashkisë më se 100 vjeçare, Xhamia me 2 minare e rindërtuar në themelet e hershme pasi u shemb nga regjimi i kohës, Biblioteka “Marin Barleti”me fondin shumë të pasur e të rrallë, por me salla të vogla për kërkesat shumë të mëdha që kanë lexuesit e shumtë. Pjaca e rikonstruktuar nga mjeshtrit më në zë e duarartë që kanë ruajtur trashëgiminë shqiptare, por edhe ndikimin e hershëm Venecian, na lehtësojnë atë dhembje për shkollën tonë të hapur qysh me 1917.
Na nxjerr mallin simotra e saj përballë, Gjimnazi 29 a 28 Nëntori, edhe ky i hapur më 1922 (ama ç’na gjeti edhe me këto data?!).
Kanë ardhur nga Kukësi e Tropoja, Durrësi e Elbasani, Tirana e Kurbini, Lezha e Puka. Nuk i lodhi as rruga, as vitet. Të gjithë pensionistë, por secili me një jetë aktive a në ndonjë punë private. Vetëm Pali nga vendlindja e Gjergj Fishtës na rri pak si me mendje të madhe…vazhdon punën shtetërore.”Jam më i ri se ju, o pensionistë..”
-Mburru edhe 2 muaj o Pal e hajde edhe ti tek ne… e plas e qeshura e gallata.
Ndonjërin nuk e kemi parë qysh atëherë, në mbrëmjen e maturës. Ka ardhur Blerta nga Elbasani, ish/zëvendës drejtoresha e shkollës; kosovari nga Shën Vlashi, Bajram Gashi, për shumë vite drejtor i shkollës së mesme të Bashkuar, edhe unë homologu i tij nga thellësitë e Alpeve; SadriPonari, ish mësues për shumë vite e drejtor në një gjimnaz të Tiranës; kompozitori e muzikanti, udhëheqësi artistik i të njohurit ansambël Mirëdita; Gjergj Kola nga Mërturi i Pukës, për disa kohë pas viteve ’90 nëpunës në Ministrinë e Brendshme.
Nuk mund të harroj dhe nuk mund të lë pa përmendur shokun tim të bankës, ZeqirLushaj, pasardhësi i një shtëpie me emër që ka punuar përveç mësuesisë, dikur me Rininë e Frontin në Tiranë e më vonë emigron në Amerikë. Nuk do të ndodhte ndryshe, ai masoviku dhe patriotii kulluar që gjithë jetën ndërtoi ura bashkëpunimi e komunikimi, patjetër se një ditë do të kthehej përgjithmonë në vendlindjen e tij.
Hyra në këtë pyll të dendur mendimesh me një “sëpatë” të vogël në dorë që nuk di ta përdor edhe aq mirë (stilolapsi). Po a mund t’i përmend dhe t’u vlerësoj të gjithëve meritat dhe kontributet e shumta? Kjo është e pamundur.
Por është e pamundur të mos përmendësh shoqet dhe shokët tanë të nderuar, Lejlanë, Biseren, Sanijen, Havanë, Klementinën, tre Dritat, njëra prej të cilave aktore e nderuar (Drita Nikolla), Lukën, rekordmenen e sportit, Qemalin, Lekën, Halilin, Hanin, Eduartin, Skënderin, Hysenin, Shaqirin nga Tropoja që shijon pa da bukuritë e Shkëlzenit e të Valbonës…
Kanë qenë e janë të mrekullueshëm, të thjeshtë e modestë. Prandaj edhe nuk po i përmend të gjithë.
Takimi në Velipojë ishte i bukur e shumë mbresëlënës. Pas përshëndetjeve të para, kafenë e pimë në plazhin e bukur të shoqëruar nga bashkëshorti i Sanijes, Eljaz Salja, dhe ky pedagogjikas, një brez para nesh. Befasitë nuk na ndahen. Bukuritë e pamjet rreth e rrotull janë mbresëlënëse e nuk mund të përshkruhen. Do të veçojmë atë që ka ndodhur kohët e fundit: Velipoja një perlë e natyrës që është zbukuruar shumë edhe nga dora e njeriut. Ndoshta me pak dhimbje, por për një çështje të madhe… hapësira të mëdha të sistemuara e të gjelbëruara, këndi i lojërave, ndërtimet moderne e tradicionale, rrugë të gjera të mirëmbajtura, lokale shërbimi e mbi të gjitha Pedonalja interesante mbi 8 metër e gjerë që përshkon bregun e detit e ndan Plazhin me Qytetin e sa e sa gjera të tjera.
E dini si po më ngjet ajo pedonalja e gjatë? Si shiriti i kryetarit të komunës Pashk Ujka. Ka kryetar që mbajnë këtë post me dekada, pa ndërtuar asnjë vepër, duke vjedhur e shpërdoruar vit pas viti. Unë vetëm emrin ia di e asnjëherë nuk jam takuar me të, por Pashku meriton përgëzimet dhe fjalët më të mira për këto që ka bërë.
Plasin debatet e batutat, kujtimet e nostalgjitë. Flasin e flasin radhë e pa radhë, me etikë e “pa etikë”, por 50 vitet tona flasin shumë e janë një kontribut i madh në fushën e arsimit. Me respekt përmendim e vlerësojmë edhe pedagogët tanë të nderuar, shumë prej tëcilëve nuk jetojnë.
Ngjante Pedagogjikja si një akademi me ato personalitete që dhanë shumë për arsimin shqiptar, disa prej të cilëve vazhduan karrierën e tyre në universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Bisedat nuk mbyllen e plas “sherri” me bijën e Elbasanit, kur fillojë të flasë për Normalen e këtij qyteti. Ashtu siç gjuhen penalltitë, ashtu shtohen edhe argumentet njëri pas tjetrit për moshën e këtyre shkollave me emër, për personalitetet, për vitet kur u hapën. Palët sjellin argumente e kundër-argumente. Blerta përmend vitin 1909, por edhe Shkodranët përmendin disi të lëkundur vitin e hapjes së pedagogjikes “Shejnaze Uka”. Mësuesja nga Elbasani përmend personalitet që shërbyen në atë shkollë, Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Pecin, Sali Çekën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Simon Shuteriqin, etj. Nuk mbeten më pas ata që përmendin personalitetet e pedagogjikes në Shkodër, si Gasper Beltoja, Vehbi Bala,Jup Kastrati, Nuri Abdiu, Shefik e Tomor Osmani, Musa Kraja, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Ded Shala etj. që nuk kanë të sosur.
Si pa dashje sytë i drejtojnë tek unë për të saktësuar vitet kur u hapën këto shkolla. Në përfundim përcaktimet janë të sakta: pas Normales së Bukureshtit që u hap me 1892 ku mësuan edhe 15 djemë shqiptarë, Normalja e Elbasanit është e para shkollë brenda vendit që përgatiti mësues (1909), ndërsa ajo e Shkodrës u hap më 1917 për të përballuar urinë e madhe që kishte Veriu për mësues.
Flasim me pasion e bisedat janë gjithëpërfshirëse. Flasim edhe për letërsinë dhe artin. Dikush përmend edhe shkrimtarët e klasës që kanë botuar dhe vazhdojnë të botojnë vepra të arrira artistike e studime shkencore: Kolec Traboini, Zeqir Lushaj, Frrok Vukaj, Bajram Gashi, etj.
Sekush, në një menyrë apo tjetër, ka kontibuar shumë për afër një gjysmë shekulli e ka cfarë të flasë, por qëndrimi i tyre është modest e vepra e tyre nuk do të harrohet… Ajo do të kujtohet gjatë e do të lërë gjurmë në kujtesën e brezave që do të vijnë. Ky takim i ngrohtë, pas vitesh, na ka humbur edhe sensin e kohës.
Orët e pasdites po i afrohen mbrëmjes e ne duhet të përmbyllim edhe këtë takim shumë mbresëlënës, por me një propozim që miratohet njëzëri: takimi tjetër do të bëhet në 50-vjetorin e maturës… Vendin, kohën dhe veprimtaritë do t’i përcaktojë komisioni i ngritur.
Janë rinuar e nuk njohin vite, planifikojnë e propozojnë takime të tjera pas vitesh e pse jo ,ata më të guximshmit, edhe pas dekadash. Uroj të ndodhë ashtu!

Frrok Vukaj

Filed Under: ESSE Tagged With: E SHKODRËS, Frrok Vukaj, ME PEDAGOGJIKASIT, PAS 50 VITESH

Artikujt e fundit

  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT