• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EPIKA BLU E EDISON GJERGOS DHE FRYMA VITEVE ‘70

July 28, 2014 by dgreca

Ne Foto: Edison Gjergo: Epika e yjeve të mëngjesit” 1971/
NGA KOLEC TRABOINI/
“Epika e yjeve të mëngjesit” – për këtë vepër oil në canvas, me dimensionet e telajos 179 x 119.5 cm, krijuar në vitin 1971 u dënua me burg Edison Gjergo (1939 -1989).
Ishte një urrejtje e egër ndaj këtij piktori prej atyre që mbanin skeptrin e pushtetit. U lëshuan me tërbim sikur Edison Gjergo të kish bërë një kundërrevolucion dhe u rrezikonte pushtetin që e mbanin me dhunë. Në fakt ai kishte derdhur në telajo plot fantazi e frymëzim kurrgjë më shumë se një episod të luftës, por të parë krejt ndryshe e jashtë skemave të kohës. Një fundnate e thellë, një rapsod i tretur deri në asht me lahutë këndon një këngë epike për disa partizanë nën një sfond blu të qiellit ku ndrisnin yje të largët e të ftohtë. Gjithçka e mbajtur në tonet dominuese blu me disa fraktura të telajos të kuqe të ndezur e të zezë. Por luftën ata e donin të ndritur, farfuritëse, bubullitëse, ditën për diell, me partizanë viganë, me urra, me njerëz që hidheshin mbi topa, mbi tanke, që i prisnin plumbat me gjoks, gjithçka në eufori…
Megjithëse diktaturë ajo kohë pas vitit 1970, ishte një gjëndje kërkimi prej krijuesve për të sjellë pikvështrime, mjete stilistikore shprehëse e subjekte të reja në art. Edhe në letërsi me tregimtarët e rinj apo poetët ndodhte po ashtu. Bilal Xhaferri kishte shkruar një tregim me temë të përafërt, por në të vërtetë tërë tregimet e Bilalit ishin impresionante. Të rinjtë e brezit tonë si të thuash i përpinin tregimet e tij në faqen letrare të gazetës “Zëri i rinisë”. Me arratisjen e tij gjithçka që kishte shkruar u ndalua dhe u dogj si “Lirishta e kuqe” poezi si dhe romani “Krastakraus” për epokën e Skënderbeut. Ruaj në kujtesë që pas arratisjes së Bilal Xhaferrit në vitin e parë të studimeve universitare arrita të gjej librin me tregime “Tokë e lashtë, njerëz të rinj” të cilin ma dha bashkstudentja e degës së gazetarisë Zenepe Çekrezi- Luka. Për të qënë të sigurt se nuk do të na diktonin e spiunonin e kishim grisur kopertinën dhe nuk gjëndej në asnjë cep të librit emri i Bilalit. Por atë libër të ndaluar e lexonim dhe e kalonim dorë në dorë si ungjill arti.
Duhet pranuar se megjithë frikën që ekzistonte, krijuesit përpiqeshin të dilnin nga korniza, veçanërisht të rinjtë, kam parasysh edhe dramaturgun e ri Shpëtim Gina (13.12.1951-15.08.1974) që e kisha bashkstudent në Universitet, me dramën e tij “Armiqtë”, vënë në skenë nga Mihallaq Luarasi. Shpëtimin e mbyti sigurimi në Mamurras , në lumin Drojë, sepse e kishin konsideruar si dramaturg dekadent. E kishin venë në shënjestër dhe arritën ta eleminojnë më 15 gusht 1974. Edhe ai kish guxuar të bënte një art ndryshe prej skematizmit të kohës. Në burg do të përfundonte edhe liriku më i ndjeshëm i kohës Frederik Rreshpja, të cilin e njihja nga afër dhe kishim punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Nën këto influenca e dëshira për të bërë diçka ndryshe mbaj mend në atë kohë të kem shkruar edhe vetë ndonjë tregim si “Stina kur pikonin yjet” ca partizanë që ecnin nëpër natë me shoqen e plagosur që u vdes në agim, apo një tjetër “Në mesnatë” me të njejtën frymë, por të dy këto tregime m’i refuzuan kur botova librin e parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur”, 1973, ndaj pashë ç’pashë i zhduka. Dëshira të tilla dhe tentativa për t’u shfaqur sa më origjinal ndjehej kudo tek autorët e rinj. Por kur u zhvilluan pleniumet famëkeqe për letërsinë e artin dhe për mbarë krijimtarinë artistike, të tmerruar shumëkush hoqi dorë nga krijimtaria, sepse ishte si të ecje mbi mina, ose përndryshe duhej të ecnin në trasenë e sigurtë të shabllonizmit e skematikës së real-socit.
Edison Gjergo ishte nga ata që guxoi dhe tërë rrufetë ranë mbi të. U mallkua publikisht dhe u dënua fizikisht. Ishte tmerr të mendoje se e kishin dënuar me burg për një tabllo, që fundja ishte temë e luftës, ishte me partizanë. Por atyre u duheshin disa viktima në art dhe do t’i gjenin patjetër. Siç gjetën edhe Maks Velon. Siç burgosën e pushkatuan pa mëshirë plot të tjerë.
Burgu e dërrmoi piktorin. Arriti te shihte një ekspozitë të pranverës në fundin e jetës së vet ku tashme piktorët kishin arritur disi të shpëtonin prej diktatit të plotë. Kishte më shumë lirshmëri ngjyrash në telajo. Ai pikërisht për këtë ishte dënuar, kish humbur vitet më të çmuara të krijimtarisë. Por gjithsësi ai nuk mund të paraqitej në ekspozita. U mbyll në vetvete e ra në një dëshpërim të thellë. Ndrroi jetë në vitin 1989 në moshën 50 vjeçare. Gjithsesi kjo punë e tij, kjo epikë blu në telajo e Edison Gjergos i qëndroi kohës. Lumturisht nuk është prishur. Eshtë shumë impresionante. Një dimension që i thyente tërë rregullat real-socit, mirëpo edhe sot pas dy dekadash që është shëmbur diktatura, ndërkohë që pak flitet për Edison Gjergon, na del ndonjë piktor si i suksesshëm por edhe i pompuar me mbështetje politike, që na e shet sapunin për djathë duke thënë se natyrat e qeta me lulkat e tij punuar asokohe ishin një dizidencë kundër sistemit monist.
Në të vërtetë dizidenca ishte Edison Gjergo me tabllonë e tij “ Epika e yjeve të mëngjesit” që sot ka një vlerë të madhe. Pse jo dhe “Metalurgu” realizuar në 1971 që ka të njëjtën frymë e teknikë dhe mbajtur me të njëjtën tonalitet ngjyrash ku mbizotëron kuq e bluja e Gjergos. Kjo pikturë epike blu e ky stil i tij origjinal shprehte dëshirat e krijuesve për të thyer skematizmin e kohës, atë ngurtësi që shterpëzonte e ndrydhte talentet. Dhe e bëri atë me dinjitet e me një sakrificë të jashtzakonshme.
Piktori Edison Gjergo ndërroi jetë shumë shpejt, një fat vërtet tragjik i një talenti të madh që nuk arriti ta gëzonte lirinë e çlirimin prej diktaturës e të korrte frytet e veprës së vet, si fati i shumë artistëve e mjeshtërve të mëdhenj të telajos.

Filed Under: ESSE Tagged With: EDISON GJERGOS DHE, EPIKA BLU E, FRYMA VITEVE ‘70, Kolec Traboini

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT