Shkruan:Andreas Ernst/
Tëhuajsimi nga miku amerikan/
Në asnjë vend tjetër – përfshirë edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nuk gjen më shumë flamuj amerikanë për kokë banori sesa në Kosovë. Kosovarët e trajtojnë Amerikën si një mami të shtetit të tyre dhe si një forcë mbrojtëse. Flamujt në pompa benzine, restorane dhe në fanela flasin një nderim të thellë popullor. Por mrekullimi jokritik i miqve amerikanë po vehet në pyetje. Forcë shtytës e këtij emancipimi dhe njëkohësisht e një vetëdije radikale nacionale është partia – lëvizja „Vetëvendosje“. Ajo po udhëheq me sukses një luftë në dy fronte: kundër tutorisë së Kosovës nga të huajtë e fuqishëm (përfshirë edhe amerikanët) dhe kundër „qeverisë marionetë“ e të korruptuar të vendit.
Betejë e shkurtë
Të atakuarit e injoruan për një kohë të gjatë Vetëvendosjen si një sekt margjinal politik. Por suksesi i saj në kutitë e votimit, prezenca e tyre mediale dhe popullariteti në rritje bën që të fillohen të përdoren metoda të tjera: ndoshta do të duhej biseduar me ta, menduan amerikanët? Albin Kurtit, udhëheqësit dhe ideologut të Vetëvendosjes, për të parën herë që nga viti 1997, iu lëshua një vizë udhëtimi për në SHBA, për ku ai së bashku me zëvendësin e tij, Shpend Ahmetin, udhëtuan në maj. Në program: takimi me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, me diasporën shqiptare dhe me akademikët.
Si rezultat i këtij udhëtimi ishte korrespodenca e mëpastejme e Edward Joseph-it, ish-zëvendësshefit amerikan të misionit të OSBE-së në Kosovë, dhe Shpend Ahmetit. Në të u diskutua sovraniteti i kufizuar i Kosovës, pozita e pakicës serbe dhe synimi i Vetëvendosjes për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Interesant është nënteksti i kësaj beteje të shkurtë. Joseph-i është përfaqësues i „intervenimit humanitar“. Sipas këtij narracioni SHBA-të ndërhynë për të ndalur represionin dhe ndjekjen e kosovarëve nga shteti serb. Pas largimit të shtetit serb nga Kosova aty, nën udhëheqjen e Perëndimit, u krijua një shtet multietnik, i cili do të duhej të stablizohej përmes kyçjes së tij në strukturat euroatlantike. Koncesionet ndaj serbëve dhe kufizimet në sovranitetin shtetëror, Edward Joseph i konsideron se çmimin që duhej paguar Kosova për pavarësinë e saj. Në anën tjetër, bashkimin me Shqipërinë Uashingtoni e konsideruaka „ide të marrë“. Kush iu përmbaka asaj rrezikuaka miqësinë dhe mbështetjen e Amerikës.
Lufta çlirimtare historike
Shpend Ahmeti ka koncepte të tjera historike. Për të intervenimi perëndimor është një kapitull në luftën çlirimtare të shqiptarëve. „Llogari-koston“ e Edward Joseph-it ai e konsideron si parimisht të deplasuar. Ai bën me dije për atë se ndryshimet paskan pasur çmimin e tyre, shkruan kosovari. Këtë e dinë të gjithë bashkëkombësit e tij, të cilët e paguan me çmimin e lartë të gjakut lirinë e tyre. Edhe përkundër vlerësimit të lartë të kontributit amerikan nuk ishte ai vendimtar, por vullneti i popullit për pavarësi. Karakteristikë e të dy bashkëdialoguesve është një vetësiguri deri diku arrogante. Tek Joseph-i bie në sy ideja e diktimit të „çmimeve“ politike dhe kështu edhe e dirigjimit të qëndrimeve. Tek Ahmeti mbështetet në sigurinë e nacionalistit, se historia, sado e përgjakshme dhe mundimshme, përmbushet përmes shtetit nacional. Ndalimin e bashkimit me Shqipërinë nga Perëndimi kosovari nuk e merr shumë seriozisht. Ai ia përkujton bashkëkorresponduesit të tij se në vitin 1998 qeveria e Uashingtonit e hudhte poshtë kategorikisht pavarësinë e Kosovës (UÇK konsiderohej atëherë si terroriste). Që nga atëherë ka ndryshuar shumëçka dhe do të ndryshoje sipas vullnetit të popullit.
Çka tregon tjetër ky letërkëmbim? Udhëzimet e mikut amerikan pothuajse nuk i interesojnë fare kosovarit. Llogaria e shpenzim-përfitimeve i preokupon pak ata të cilët janë të pushtuar nga ndjenja e misionarëve të vetëdijës nacionale. Ne s’ju kemi borxh asgjë, është porosia e koduar dërguar amerikanëve. Dhe: ne kemi vërtet pak para, por shumë kohë.(Perktheu Nexhmedin Gurguri, Albinfo.ch)