Shkruan: DEFRIM CANI*/
Jeta dhe veprimtaria e një femre në një libër, e cila është nënë dhe bashkëshorte, është një ngjarje e mirë jo vetëm për kulturën e librit dhe kujtesën njerëzore, por është një vlerë e nevojshme për kohezionin e një vendi, krahine dhe të një familje. Shembujt historik dhe epik të jetës së një nëne në libra, janë të rrallë, jo pse ata nuk mund të shkruhen apo nuk mund të gjenden autorë për t’i shkruar, por librat e tillë gjithmonë janë të vështirë, janë të gjerësishëm, kanë kaq gjëra që duhet të thuhen mirë, në gjuhën e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Librat e shkruar posaçërisht për nënat, nuk janë të shumtë, siç janë librat për luftëtarët dhe heronjtë, për dyert e mëdha dhe për kullat. Në këtë vështirësi shtohen dhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me aftësitë e autorëve për t’i zbuluar vlerat, shpirtin, ndjesitë, karakteret, gjendjet, raportet fondamentale, që një nënë ka më gjithë çfarë e rrethon atë në çdo çast, në rrugëtimin jetësore, në situatat që ata përjetojnë thellësisht dhe kur bota në sipërfaqen e vet duket e qetë dhe paqësore.
Po ashtu, dhe pa mëdyshjen më të vogël, librat e këtij lloji kërkohet të kenë një lloj fuqie, thënë ndryshe, duhet të kenë fuqinë e njerëzve të urtë, siç janë nënat, fuqi që duhet ta zbulosh, ta gjesh, ta sjellësh dhe ta bësh pjesë të komunikimit me njerëzit, me ngjarjet, me protagonizmin jetësorë të historisë, aktualitetit dhe të ardhmes. Jam i bindur se një lloj mendimi analitik do t’i duhej cilitdo njeriu të librave, të cilit do t’i kërkohej të vlerësonte një libër të këtij lloji, pasi ata janë libra të vështirë, sepse kanë një kohezion vertikal të dukshëm dhe horizontal të domosdoshëm.
Do të më duhej t’i parashtroja vështirësitë e një pune të tillë për të kërkuar dhe gjetur klimën e brendshme të një libri të këtij lloji, pavarësisht se modeli i parë, përmes të cilit e kam nisur leximin e tij, ka qenë ai i nënës sime që më ka lindur, më ka rritur dhe vazhdon të më përjetojë me dhimbje dhe shqetësim nëne në të gjithë rrugëtimin tim.
1.Libri që i kushtohet nënës së njohur shqiptare nënës Demire Hudënishti- Durollari, nuk është një libër thjeshtë për atë, veprimtarinë e saj, sakrificën e saj dhe të gjithë atë që ajo ka bërë, por është një libër për nënat dhe gratë e një kombi, të cilat ishin të shtrënguara dhe të destinuara ta kryenin detyrën e tyre në një vend dhe nëpër kohët më të vështira të një vendi si Shqipëria. Ajo është një nga nënat dhe gratë më jetëgjata të botës, fakt të cilin mund ta interpretosh në disa mënyra, si nga çështjet gjenetike, të jetës aktive që ajo ka bërë, të sjelljes korrekte me shëndetin dhe çështje të tjera.
Në këtë rast fatlumë, unë mendoj se ka dhe çështje që lidhen me thelbin jetësorë të kësaj nëne, e cila duket se kishte lindur jo vetëm për të jetuar gjatë, por për të bërë me sakrificë detyrën e nënës, veprimtares, patriotes dhe politikanes madje. Ramiz Lushaj ka arritur ta shpalosë me takt dhe sens, në morinë e mijëra ngjarjeve dhe zhvillimeve të familjes, ku ajo jetoi si vajzë dhe asaj që jetoi si bashkëshorte dhe nënë, të gjithë tharmin e personit, që me të drejtë është shndërruar në një njeri publik, që dëgjohej dhe vlerësohej.
Në historinë shqiptare, veçmas që nga fillimi i shekullit të kaluar e deri në dekadën e tij të fundit, shqiptarëve iu është dashur të përballen me armikun e huaj dhe armikun e tyre të brendshëm, ç’ka e ka bërë të vështirë, por heroike, veprimtarinë e njerëzve atdhetarë dhe patriot. Pikërisht në dimensionin atdhetarë dhe patriotik shpaloset dhe jeta e nënës Demire Hudënishtit- Durollarit në këtë libër të mrekullueshëm.
Libri është interesat dhe për shkakun themelorë që një libër mëton dhe duhet të bëjë në këto raste, pasi autori ka arritur të kapë dhe t’i propozojë për lexuesin nyjet e veprimtarisë së nënës Demire Hudënishtit- Durollari, në një përthyerje të motivuar mirë të zhvillimeve familjare të saj, por që kanë përkuar me zhvillime historiko- sociale të Shqipërisë dhe të kombit shqiptarë, ku familjari i mirë dhe prindi i mirë plotësonte dhe atdhetarin dhe patriotin e mirë, pra kemi të bëjmë me një simbiozë jo të zakonshme dhe as të rastësishme.
Kapja e zhvillimi i këtyre çështjeve, herë të dukshme dhe herë jo të dukshme, e bën librin për një nënë të tillë emblematik, serioz, e bën dëshmi dhe dokument të mirë për shumë gjëra të diskutueshme dhe të keq- përdorura për shumë kohë në Shqipëri.
2.Autori ka arritur t’i ndërtojë librit një bazament të fortë dhe të besueshëm, duke kuptuar vështirësitë që kanë zakonisht këto lloj librash. Jetën dhe veprimtarinë e një gruaje dhe nëne, një bashkëshorteje dhe luftëtareje, e ka referuar në raportet historiko- politike, duke e mbushur “koincidencën” e jetës së saj me ato zhvillime, përmes ngjarjeve të forta, të kushtëzuara dhe njohura për lexuesin shqiptarë.
Pavarësisht ngjarjeve historike, për të cilat shumëkush ka njohje e vet, në jetët njerëzore dhe përmes jetëve dhe ngjarjeve njerëzore ata marrin një dimension tjetër dhe më të besueshëm. Parë në këtë këndvështrim, përmes rrëfimit dhe veprimtarisë së nënës Demire Hudënishtit- Durollarit, Hudënishti, Pogradeci, Korça, Përmeti, Kolonja dhe ndonjë vend tjetër merr tjetër peshë dhe fiton tjetër njohje.
Po tjetër njohje merr e vërteta e luftës politike, luftës së papajtueshme ndër shqiptarët, të cilën e iniciuan dhe e shpallën komunistët pas prishjes së Mukjes dhe gjatë gjithë kohës tjetër, kur ata erdhën në pushtet. Kalvari jetësorë dhe aktiviteti i nënës Demire Hudënishti, e bën absolutisht të besueshme në të gjithë përmasën e vet atë luftë, prej të cilës mbetën mijëra njerëz të vrarë, dhjetëra mijëra njerëz të luftuar, po kaq më shumë mbetën të internuar dhe të degdisur nëpër burgjet e tmerrshme të diktaturës.
Nënëmadhja Demire Hudënishti- Durollari ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për ta sfiduar diktaturën. Sfida e një nëne të tillë, nuk shpjegon vetëm cilësitë e saj, por dhe mizorinë në të cilën është gjendur ajo në Shqipëri. Pra, Ramiz Lushaj ka arritur të na sjellë një tjetër dimension dhe një tjetër prerje informuese për një nga kohën më emblematike dhe më të debatueshme nga historiografia dhe opinioni shqiptarë, atë të luftës më të pashembullt të partisë– shtet kundër njerëzve të vet.
3.Përmes një leximi analitik, libri që i kushtohet nënëmadhes Demire Hudënishti- Durollari, kupton se autori ka arritur të depërtojë në thelbin e çështjeve të sakrificës, kombit dhe individit, duke afruar një qasje serioze për dimensionin e vërtetë të patriotizmit njerëzorë.
Nënëmadhja Demire Hudënishti –Durollari ka “qerthulluar” dhe mbajtur në këmbë katër breza të familjes së saj, duke qenë njeriu më i rëndësishëm i saj. Në dëgjimet fëminore dhe me sytë fëminorë, ajo ka parë dhe ka dëgjuar burrat luftëtarë të derës së prindërve, pastaj ka përjetuar shku- ardhjet e njerëzve të dëgjuar të historisë dhe të dijes, ka prekur nga afër dhe ka qenë në një miqësi të përhershme me familjen mbretërore në të gjithë dimensionet e saj, kur ka qenë nënë ka parë bashkëshortin e vrarë nga fashistët dhe ka ndjerë peshën e jetës totale mbi supe, ka bërë detyrën më të ndershme njerëzore duke shpëtuar jetën e 6 të huajve të zënë robër nga fashistët, që kërkoheshin të vriteshin nga pushtuesi, ka guxuar të bëjë një zgjedhje të vështirë por të guximshme duke mbështetur dhe duke qenë përherë me partinë e Legalitet, një arsye serioze për t’u shpallur kulak dhe për të iu grabitur pasuria, ka guxuar dhe asnjëherë nuk ka hezituar për të qenë kundërshtare e komunizmit në Shqipëri, dhe kur jetonte në Shqipëri, dhe kur jetoi në SHBA.
Përmes një vështrimi dhe informimi të tillë, që libri i monografit Ramiz Lusha i sjell përmes një strukture rrëfimtare të ndrëtuar mirë dhe funksionalisht, historia e jetës dhe e veprimtarisë së nënës Demire Hudënishti- Durollari është interesante. Jeta e saj eci nëpër rrjedhën e ngjarjeve të mëdha, nëpër të cilat ajo diti të triumfojë dhe të jetë protagoniste e tyre, duke qenë në të gjithë rastet nënë dhe veprimtare.
Është e vështirë të jesh nënë dhe veprimtare. Në vitin 1949, kjo nënë arriti ta sfidojë diktaturën, duke parashikuar në mënyrën më të qartë atë që do të vinte pas në Shqipëri. Komunistët i kishin sytë në gjak dhe ajo nuk e pranoi atë, e nënvleftësoi atë, e refuzoi atë dhe iku nga vendi, iku nga atdheu duke mbetur nënë përballë familjes dhe luftëtarëve, përballë atdheut, historisë dhe kombit. Atdheu i shkoi pas në mërgim, pasi ajo e mori me vete. E mori deri atje në Amerikën e largët me vete atdheun dhe ruajti atë siç ruhen gjërat e shenjta.
4. Nënat, motrat, gratë janë luftëtare të heshtura, janë heronjtë që rrinë në llogoren e thellë të sakrificës dhe dhimbjes njerëzore. Një luftëtarë i rënë në fushën e betejës prek lavdinë në këngë dhe emër, por një nënë, motër apo grua mbjell një dhimbje të thellë e të pamat në shpirtin e saj qëndrestar. Prandaj asaj i duhet të qëndrojë, siç qëndron ninulla nëpër kohë, siç qëndron atdhedashuria nëpër breza dhe këngë, siç qëndrojnë gurët e kalasë e muret e shtëpisë, siç qëndron lisi në shtrëngatë.
Një luftëtarë shkon në fushën e betejës dhe bën luftën, ndërsa nënat, gratë dhe motrat bëjnë atdheun. Ky konstatim i rëndësishëm e dimensionon të gjithë librin, që i është kushtuar nënës Demire Hudënishti- Durollari. E gjendur në vendin e lirisë njerëzore, ajo vazhdoi të jetë udhëheqëse shpirtërore e familjes dhe mishëruese e njeriut shqiptarë me cilësitë më të mira të trashëguara që nga e drejta zakonore shqiptare e deri në ditët tona. Kudo ajo shkoi qe dhe mbeti një mësuese e gjuhës shqipe dhe një figurë burrërore e kombit në emigracion.
Ramiz Lushaj e ka bërë të besueshëm portretin e saj, sepse ajo ngjante dhe ishte si një atdhe që ecën. Ajo qe mërgimtarja e parë që preku atdheun e saj nga mërgimi sapo diktatura ra në Shqipëri. Gjithë jetën kishte qenë dhe mbeti një luftëtare e lirisë njerëzore. Njëqind e pesëmbëdhjetë vjet e dyqind e njëzetë e katër ditë jetë, duken si një sfidë dhe qëndresë përballë të keqes. Ajo jetoi gjatë dhe ndoshta iu lut zotit të jetonte gjatë për ta parë Shqipërinë e saj pa diktatorë dhe pa kriminelë. Dhe e preku atë ditë të shënuar. Ajo dhe qëndresa plotësuan njëra- tjetrën. Monografisti i njohur Ramiz Lushaj, e mundësoi këtë histori dhe jetë njerëzore ta njohim të gjithë, për të cilën kemi nevojë të gjithë.
* Studiues/ Tiranë
Foto Mbreteresha Geraldina e Shqipareve, Nenemadhe Demire Durollari e djali i saj Guri Durollari.