-“Ishim bashkë me presidentin Obama në Varshavë dhe presidenti ju dërgon përshëndetjet e tij, sikur edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili mirëpret përparimin në hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova në muajt në vijim”, tha zëvendës-sekretarja e shtetit e SHBA, Victoria Nuland/
– Zëvendës-sekretarja amerikane, theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës/
-Thaçi: Do të shterojmë të gjitha mundësitë për dialog me të gjitha komunitetet, përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Por, Kosova nuk mund të pranojë që Beogradi të ketë ‘veto’ në procesin e formimit të armatës së Kosovës/
-Veseli theksoi se mbetet i përkushtuar tërësisht në axhendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme/
-Duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e ofruar për Kosovën, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë, Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 10 Korrik 2016/ Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën, tha sot në Prishtinë zëvendës-sekretarja e shtetit e SHBA, Victoria Nuland, në takime udhëheqësit shtetërorë.
Axhendaën e nisi në mëngjes me takimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe vazhdoi me pritjen te kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Takimi me kryeministrin Isa Mustafa, zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe kryediplomatin Enver Hoxhaj ishte i përbashkët.
NULAND NË TAKIM ME THAÇIN: ËSHTË MIRË QË KOSOVA TË BËJË HAPAT E NEVOJSHËM PARA VJESHTËS DHE KËSHTU TË RUAJË MOMENTUMIN E ZHVILLIMEVE POZITIVE/
Njoftimi zyrtar dërguar nga Presidenca kosovare bën të ditur se, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në një takim pune nënsekretaren e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland.
Presidenti Thaçi e njoftoi atë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për prioritetet e tij si president i vendit. “Do të mbetem i përkushtuar në prioritetet tona të përbashkëta”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai u shpreh se pas marrjes së mandatit, menjëherë ka filluar të promovojë dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë.
“Tanimë është instaluar praktika që personat e dënuar apo të akuzuar të heqin dorë nga postet dhe detyrat politike në vend”, u shpreh presidenti Thaçi. Sipas tij, po punohet në mënyrë që edhe të akuzuarit të mos i ikin përgjegjësisë dhe të marrin dënimin e merituar nga drejtësia.
“Kemi iniciuar plotësimin e Kodit Penal. Deri në vjeshtë do të kemi hapa konkret në këtë drejtim”, paralajmëroi presidenti Thaçi dhe shtoi se “nuk do të lejohet që askush t’i ikë drejtësisë”.
Duke folur për zhvillimet në Kosovë, Thaçi tha se skena politike tani i ka tejkaluar pamjet e shëmtuara që janë parë më herët dhe shtoi se është koha që vëmendja të kthehet tek vendimet e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj.
“Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga parlamenti sa më parë. Pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”, u shpreh presidenti Thaçi.
Në vazhdim ai tha se Kosova promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përfshirë edhe Serbinë. “Të dyja palët duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Është koha për një kualitet të ri në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të sjell pajtim dhe marrëdhënie fqinjësie më të mira dhe më bashkëpunuese”, shtoi presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi foli edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Do të shterojmë të gjitha mundësitë për dialog me të gjitha komunitetet, përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Por, Kosova nuk mund të pranojë që Beogradi të ketë ‘veto’ në procesin e formimit të armatës së Kosovës”, theksoi Thaçi.
Nga ana tjetër, nënsekretarja e Shtetit të SHBA-së, Victoria Nuland, u shpreh e kënaqur me vizitën dhe përcjelli përshëndetjet e presidentit Obama dhe të Administratës Amerikane për presidentin Thaçi dhe popullin e Kosovës.
“Ishim bashkë me presidentin Obama në Varshavë dhe presidenti ju dërgon përshëndetjet e tij, sikur edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili mirëpret përparimin në hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova në muajt në vijim”, tha Nuland në takim.
Nënsekretarja Nuland përshëndeti arritjet e Kosovës, veçanërisht në luftimin e korrupsionit, por edhe theksoi që nevojitet të bëhet edhe më shumë. “Drejtësia mbetet prioritet për SHBA-në”, theksoi Nuland.
Ajo tha se vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit, ndërsa SHBA-të në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale, prandaj vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre.
“Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, përfundoi Nuland.
Presidenti Thaçi iu falënderua për mbështetjen e SHBA-së dhe për inkurajimin që u jep institucioneve shtetërore të Kosovës që të vazhdojnë në procesin e zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë, si dhe të forcimit të sundimit të ligjit në vend.
“Do të mbetemi të përkushtuar në prioritetet tona të përbashkëta”, përfundoi presidenti Thaçi.
NULAND-VESELI: U BISEDUA EDHE PËR TRANSFORMIMIN E FSK-së, SI PROCES I DOMOSDOSHËM NË KUADËR TË FORCIMIT TË SHTETIT TË KOSOVËS
Nga Parlamenti kosovar njoftimi i dërguar thekson se, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli zhvilloi sot takim me Viktoria Nuland, ndihmës sekretare në Departamentin e Shtetit Amerikan.Në takim u bisedua për proceset aktuale nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
Nuland theksoi se Qeveria amerikane vazhdon të mbështesë fuqishëm Kosovën në ecjen e saj përpara. Në këtë kontekst, ajo shtoi se forcimi i sundimit të ligjit, i sistemit të drejtësisë dhe luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, janë thelbësore për përparimin e Kosovës.
Nga ana e tij, kryetari Veseli theksoi se mbetet i përkushtuar tërësisht në axhendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme institucionale, që kanë të bëjnë me axhendën euro-atlantike të vendit.
Në takim u bisedua edhe për transformimin e FSK-së, si proces i domosdoshëm në kuadër të forcimit të shtetit të Kosovës.
NULAND NË TAKIM ME MUSTAFËN VLERËSOI PROGRESIN E ARRITUR, SI DHE SHPREHU PËRKRAHJEN E MËTEJME TË SHBA PËR PROCESET NË KOSOVË
Qeveria kosovare në njoftimin e dërguar bën të ditur se, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.
Kryeministri Mustafa dhe ndihmës sekretarja Nuland diskutuan për zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, zëvendës asistenti i sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Michael Carpenter si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
Kryeministri Isa Mustafa, e njoftoi për progresin e arritur në proceset eurointegruese, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.
Kryeministri Mustafa foli edhe për proceset aktuale dhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa tha se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-të, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së.
Duke shprehur mirënjohjen e Kosovës për përkrahjen e ofruar për Kosovën, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për fuqizimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese.
Ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, i përcolli kryeministrit Mustafa përshëndetjet e presidentit Obama nga Samiti Varshavës.
Nuland, po ashtu, vlerësoi progresin e arritur, si dhe shprehu përkrahjen e mëtejme të SHBA për proceset në Kosovë.
Ndihmës sekretarja amerikane, theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës.
Nuland gjithashtu vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfundon njoftimi zyrtar dërguar nga Kryeministria e Kosovës.
Para nisjes nga Prishtina drejt Tiranës, e pas takimeve me tre krerët më të lartë ahtëtërorë, presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli e kryeministrin Isa Mustafa, Zvendës-sekretarja e shtetit amerikan Victoria Nuland takon edhe zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, nga komuniteti serb në Kosovë.
Në axhendën e njoftuar nga ambasada e SHBA në Kosovë nuk ka ndonë takim me opozitën.
Për sot është paralajmëruar edhe vizita e zëvëndës asistentit të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve Dr Michael Carpenter në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pas takimit me ministrin Haki Demolli një deklaratë e përbashkët për shtyp.