• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DILEMA HAMLETIANE E BUROKRACISE SHQIPTARE DHE FYERJA NDAJ VISAR ZHITIT

February 18, 2015 by dgreca

“Politika qëndron përmbi ndërgjegjen”/
William Shakespeare/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Ka disa ditë që opinion publik shqiptar, në Shqipëri e jashtë saj, po përtyp e ripërtyp një problem të krijuar nga klasa politike në nivelet e saj më të larta. Kryeministri Edi Rama i ka propozuar Presidentit Bujar Nishani emërimin e Visar Zhitit në postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Vatikan, një vend vakant prej më shumë se një viti, gjë që shënon një mungesë të madhe në veprimtarinë e diplomacisë shqiptare. Ka shumë muaj që emërimi i ambasadorit në Vatikan është kthyer në “dilemën hamletiane” të burokracisë së lartë shqiptare. Për hir të së vërtetës duhet thënë se zgjedhjet e Kryeministrit për atë post të rëndësishëm kanë qenë, për mendimin tim, më të mirat e mundëshme. Por si prof. Ardian Ndreca si poeti Visar Zhiti nuk kanë gjetur miratimin e Presidentit. Arsyet i din më mirë ai vetë, ndoshta mund të jenë vetiake, mbasi deri tani në të dy rastet nuk ka dhënë një spjegim bindës e të qartë. Që duhet të ketë arsye vetiake, së paku për Ardian Ndrecën, është e dukëshme, sepse Nishani ka thyer edhe rregullat më parake të protokollit kur, në pritjen për nder të Papës Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, nuk e ka ftuar atë që ishte përfaqësuesi zyrtar i Shtetit të tij në atë të mikut të nderuar. Nuk po zgjatem me këtë episod, aspak të hijshëm, mbasi ai i përket së kaluarës.
Me daljet e fundit në Facebook (një mënyrë bashkëkohore për të bërë politikë), që pasojnë një bisedë telefonike “të stuhishme”, simbas shtypit, qëndrimet e dy autoriteteve të lartë duket se marrin një formë të përcaktuar mirë. Të dy mbeten në mendimet e tyre që janë në kundërshti njëri me tjetrin. Rama rithekson me bindje e, ndoshta, edhe me ndonjë dozë llogarie politike konceptin e tij për personalitetin e kandidatit që propozon : “Poet i rrallë, i burgosur politik i diktaturës, shqiptar edhe më i rrallë. I vetmi deputet e ministër i Partisë Demokratike që s’ka fyer kënd dhe as ka shpifur për askënd. Një periudhë shërbimi në diplomaci me kontribut për kulturën. Botues i një volumi dinjitoz në italisht në nderim të Nënë Terezës.” Portreti është i plotë, një curriculum vitae për t’u pasur zili, për pasojë propozimi nuk respekton përkatësinë politike, por meritokracinë, pra është një zgjedhje që i shërben interesit të Shtetit, për të qenë i përfaqësuar në nivel cilësor në Vatikan. Kjo konsideratë nuk mund të tjetërsohet nga stërhollime apo prirje demagogjike për të gjetur prapaskena.
Presidenti e hedh poshtë propozimin. Argumentat e tij ndryshojnë në vartësi edhe të qëndrimit të kishës katolike e cila, mbas një ngurimi të shprehur nga sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore, largon çdo pengesë për emrin në fjalë. Atëherë Presidenti shprehet kështu, duke ligjëruar vendimin e tij : “Visar Zhiti është propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor e proçedural, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur, Konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës.
“Kryeministri duhet të mësojë njëherë e përgjithmonë se dekretimi apo mos dekretimi i ambasadorëve është e drejtë ligjore dhe e patjetërsueshme e Presidentit të Republikës”
Ky është koncepti i Presidentit Nishani, por t’i hedhim një sy Kushtetutës, së cilës i referohet ai. Neni 92 i saj, që trajton kompetencat e Kryetarit të Shtetit, në gërmën “DH” shprehet kështu : “Me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizma ndërkombëtare.” Në Kushtetutë nuk bëhet fjalë për “konsultim paraprak” për emërimet e përfaqësuesvet diplomatikë. Ndoshta mund të ketë ndonjë akt nënligjor n’atë drejtim, por do të ishte një mënyrë për të ligjëruar kompromise të ndryshme, në të cilat nuk dihet se ku mbaron publikja e ku fillon vetiakja. Normalisht nomenklaturat e diplomacisë kudo janë kompetenca të Ministrisë së Jashtëme. Kjo bën organigramën e përfaqësuesve të saj jashtë shtetit, në bashkëpunim me Kryeministrin. Presidenti ka funksionin ligjërues, për të zyrtarizuar këta vendime, por kushtetuta e jonë i njeh edhe të drejtën e diskutimit të tyre, madje edhe të mos miratimit. Kjo është praktika botërore për republikat parlamentare dhe diplomatët mund të ndryshojnë selitë e tyre, të emërohen apo të shkarkohen kur ndërrohen qeveritë, por jo kur ndërrohen kryetarët e shteteve.
Shkaku që nxjerr Nishani, për të mos dekretuar përsëri ish diplomatin Zhiti, nuk ka bazë ligjore, vendimi mbetet subjektiv. Ai vazhdon të ngulë këmbë në të edhe se kërkesat për t’a ndryshuar kanë ardhur nga të gjitha anët, duke filluar nga vendimi unanim i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, ku zonja Jozefina Topalli është shprehur pozitivisht me vlerësimin më të mirë për kandidatin. “Vetë Selia e Shenjtë, përmes Nuncit Apostolik në Tiranë, na përcjell mirëpritjen më të ngrohtë për propozimin, me fjalët më të mira për kandidaturën” shkruan Kryeministri. Në atë drejtim janë shprehur të gjithë përfaqësuesit e jetës publicistike të Vendit e bashkësive shqiptare jashtë, Shoqata e ish të Përndjekurve politikë në Shqipëri, “Vatra” e ShBA, kosovarët, arbëreshët, personalitete të politikës e kulturës italiane etj. Lind natyrshëm pyetja : cili është motivi i vërtetë i kundërshtimit të Presidentit dhe a është ai i vetëm në ngulmimin e tij ?
Hipotezat që mund të bëj janë tre llojesh : së pari do t’a konsideronja këtë kundërshtim si një “kushtrim të të parëve”, një reminishencë atavike të luftës së klasave të kujtesës enveriste, që një ish oficer i shkollës “Enver Hoxha” shfaq kundrejt një ish të dënuari politik, një nga përfaqësuesit më në zë të inteligjencës antikomuniste ; së dyti mund të jetë një përcjellje e vullnetit negativ të një pjese të ish partisë së tij, kundrejt së cilës ai mbetet gjithmonë i detyruar për postin e lartë që mban, pa patur asnjë meritë të veçantë ; së treti mund të jetë shprehje interesash vetiake, të lidhura me ndonjë emër të përveçëm të gazetarisë apo të biznesit.
Në të tre supozimet figura e Presidentit del tepër e dëmtuar për opinionin publik. Qëndrimi i tij kundrejt Visar Zhiti, si njeri, është një fyerje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë që i bëhet dy shtresave të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, të cilat diplomati poet i përfaqëson njëherësh më së miri, asaj të ish të përndjekurvet politikë të diktaturës dhe asaj të inteligjencës, jo rastësisht dy më të luftuarat nga regjimi i Enver Hoxhës. Në rastin e dytë të hamendjes kujtoj një shprehje të një shkrimtari e diplomati italian C. Dossi (1849 – 1910) : “Në politikë është si në teatër : janë autorët që shkruajnë veprat për t’u recituar dhe nuk duken në skenë dhe aktorët që e recitojnë në publik e nuk e kanë shkruar” Nëse Presidenti vazhdon të mbetet rob i segmenteve të caktuara të ish partisë së tij e që arrijnë të përcaktojnë edhe vendimet institucionale, nuk mund të kryejë funksionin e tij të arbitrit të pavarur, që i ngarkon kushtetuta. Supozimi i tretë do të ishte më pak i urueshmi se do të krijonte idenë se në krye të Shtetit është një njeri që mendon vetëm për interesat e tij vetiake.
“Visar Zhiti nuk është një nga poetët e”rrallë” të burgosur të diktaturës, por njëri prej tyre. Vetë Visar Zhitit i vjen turp nga vlerësimi “I rrallë”. Ky është gjykimi i Presidentit, një përzjerje padijeje në fushën e letërsisë e paaftësie në të njohurit e njerëzve. Visar Zhiti është i pranishëm në antologjitë poetike të shumë Vendeve të Evropës, veprat e tij në poezi e prozë janë të përkthyera në shumë gjuhë të kontinentit, çmimet ndërkombëtare të marra janë të shumta. Në gazetat italiane lexohen këto vlerësime të kritikëve : “Visar Zhiti, së bashku me Ismail Kadarenë konsiderohet një nga pikat më të larta të letërsisë bashkëkohore shqiptare..” “është padyshim absolutisht një nga poetët më të mëdhenj evropianë” “është një nga poetët më të mëdhenj të kohës sonë” “ poeti konsiderohet në atdhe e jashtë tij si zëri më i fuqishëm i gjithë poezisë bashkëkohore shqiptare.” Poeti irlandez Higgins porosit lexuesit : “Lexoni Visar Zhitin, se keni për të ndërruar vizionin për botën.”
Këta ishin disa nga vlerësimet e botës së huaj për shkrimtarin tonë të madh, besoj të mjaftueshme për të bindur Presidentin e painformuar për vlerën e tij, se nuk është “i rrallë”, siç e quan Rama, se është i vetmi, më i miri në gjininë e tij. Refuzimi i kandidaturës së tij nga Presidenti Nishani, për mendimin tim modest, është një dhunim që i bëhet vlerave të kulturës sonë dhe imazhit të Shqipërisë në botë, një dëm që i shkaktohet diplomacisë sonë në një nga pikat më nevralgjike të saj. Emërimi i një personaliteti si ai i Visar Zhitit si ambasador do të ishte një nder e kënaqësi për cilindo burrë shteti të botës. Uroj që edhe Presidenti i ynë të ndryshojë mendim sepse, siç thotë Franz Grillparzen (1791 – 1872), një poet e dramaturg gjerman : “Ka gjithmonë një ilaç për çdo faj : t’a njohësh atë.”
Shkurt 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Fyerja e Presidentit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT