Shkruan: Shirley DioGuardi/
Historia e Grecit është e lidhur në mënyrë të pandashme me rolin vendimtar që figura kryesore historike e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti (Skenderbeu), luajti në shpëtimin e Gadishullit Italian dhe pjesës tjetër të Evropës Perëndimore nga dominimi i Perandorisë Turko-Osmane në shekullin e XV-të. Për këtë arsye Gjergj Kastrioti ishte figurë e lartë e shekullit të XV-të jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë evropianët dhe pse trashëgimia e tij është e përjetshme.
Gjeni ushtarak, filozof, mjeshtër i disa gjuhëve, diplomat dhe katolik i devotshëm, Kastrioti ka qenë subjekt i një numri librash në shumë gjuhë, i poezive nga Longfellow dhe Byroni, dhe i një opere nga Vivaldi. Statuja të figurës së tij ikonike me shpatë në dorë mbi kalin e tij magjepsës i janë dedikuar atij në Romë, Vienë e Budapest. Historia e tij fillon në Shqipëri e mbaron në Greci.
Kastrioti ishte djali i një princi shqiptar, Gjon Kastriotit, i cili i mbajti turqit osmanë pushtues larg për më shumë se njëzet vite derisa ai dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë u detyruan të pranonin një traktat mashtrues të paqes në vitin 1422 me Sulltan Muratin e II-të për të siguruar pjesën e fundit të ushtrisë turke në Evropën Juglindore dhe për ti shpëtuar jetën popullit të tij nga tërbimi i Perandorisë Osmane. Për të garantuar marrëveshjen, Sulltani mori peng katër djemtë e Gjonit dhe i dërgoi ata në akademinë ushtarake osmane në kryqytetin Adrianopojë.
Raporti shembullor akademik dhe ushtarak i djalit më të vogël të tij tërhoqi vëmendjen e Sulltanit, i cili do ti jepte atij gradën e gjeneralit në moshën 19 vjeçare dhe titullin nderues “Iskender Bey” apo siç njihet më mirë “Skenderbeg” në kujtim të Aleksandrit të Madh.
Në vitin 1443, Skënderbeu mori lajmin se babai i tij kishte vdekur në shtëpinë e tij të lindjes në Krujë, Shqipëri. Për shkak se Gjoni ishte i mirënjohur si udhëheqës i opozitës shqiptare ndaj osmanëve, Skenderbeu ndjeu rrezikun që i kanosej atij dhe popullit shqiptar. Ai kapi momentin kur u dërgua në një operacion ushtarak për të mposhtur hungarezët e udhëhequr nga një tjetër luftëtar i madh i lirisë (dhe gjemb në anën e Sulltanit), Janos Hunyadi. Me aftësinë e tij ushtarake, Skenderbeu hutoi vëmendjen e komandantëve të tjerë osmanë dhe la fushëbetejën për tu nisur për Shqipëri me 300 kalorës të tij besnik. Pas hyrjes triumfuese në Shqipëri, ai iu vërsul Kështjellës së Bardhë në Krujë me 28 Nëntor 1443 dhe e rrëzoi guvernatorin osman. Për njëzet e pesë vite të ardhshme Skenderbeu do të kryejë disa nga të bëmat më të mëdha ushtarake që do ta mbronin Evropën ndaj shtrirjes së Islamit nga Perandoria Osmane dhe do ta shtronin rrugën për shtete të lira e demokratike.
Në vitin 1461, Mbreti i Napolit, Ferdinandi I, i biri i Alphonsit të ndjerë, mik i ngushtë i Skenderbeut, i bëri thirrje atij që ta ndihmonte atë ti kundërvihej pushtimit iminent francez. Skenderbeu udhëhoqi një këmbësori elite prej 4,000 burrash dhe i largoi francezët në betejën e famshme të Apulias, afër Napolit. Si shpërblim për këtë fitore, Ferdinandi i dhuroi Skenderbeut dhe 2,000 ushtarëve të tij fshatin në maje të bjeshkës, Grecin. Siguria e Mbretërisë ishte garantuar kur Kastrioti vendosi të linte kalorësinë e tij në Greci ndërsa ai u kthye në Shqipëri për të vazhduar mbrojtjen e vendit nga dominimi turko-osman. (Vizitorët në Greci mund ta shohin që rruga kryesore mban emrin “Via Skenderbeg,” dhe se shtëpitë e para të ushtarëve të Skenderbeut janë ruajtur, edhe pse ato kanë nevojë të restaurohen.)
Vetëm pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468 osmanët ishin në gjendje të nisnin pushtimin e tokave shqiptare, duke i vënë ato tërësisht nën kontroll në vitet 1480-të. Pastaj, qindra mijëra shqiptarë u larguan përtej Detit Adriatik në Mbretërinë e Napolit dhe më gjerë në kërkim të lirisë nga dominimi turk dhe konvertimi i detyruar në fenë islame. Përveç se në Greci, ata do të themelonin edhe 50 fshatra të tjera shqipfolëse që do të zhvilloheshin dhe sot janë duke lulëzuar në Campania, Puglia, Sicili e Kalabri. Refugjatët shqiptarë të quajtur Arbëresh ruajtën traditat kulturore shqiptare, gjuhën, dhe trashëgiminë e tyre katolike gjatë sundimit osman të tokave shqiptare që do të zgjaste për 424 vite. (Duke filluar në vitet e ’60-ta, gjuhëtari i ndjerë shqiptar Martin Camaj do të kalonte shumë vite në Greci duke studjuar e dokumentuar atë që ai besonte të jetë forma më origjinale e gjuhës shqipe e cila flitej e shkruhej aty.)
Kjo është arsyeja se pse Arbëreshët mbeten të lidhur me tokat shqiptare, dhe gjithashtu pse shqiptarët janë përgjithmonë të lidhur me Italinë. Pas rënies së Perandorisë Osmane në vitin 1912, shqiptarët e gjetën vetën duke luftuar kundër inkursionit sllav, duke filluar me Luftërat Ballkanike të 1912-1913. Me pëlqimin e të ashtuquajturave “Fuqi të Mëdha” (Austro-Hungaria, Britania, Franca, Gjermania, Italia, dhe Rusia), shqiptarët u ndanë padrejtësisht dhe artificialisht. Vetëm për shkak të ndërhyrjes së Presidentit të atëhershëm amerikan Woodrow Wilson në fund të Luftës së Parë Botërore në vitin 1918 u krijua shteti i Shqipërisë. Tre milion a gjysmë shqiptarë jetojnë sot në Shqipëri; një tjetër tre milion a gjysmë jetojnë krah për krah në kufijtë e saj – në Kosovë (shtet i pavarur që nga 2008), Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës (Serbi jugore), dhe Çamëri (Greqi veriore). Tetë milionë të tjerë jetojnë në diasporë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, Evropën Perëndimore, Turqi, dhe Australi – të cilët i kanë ikur terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet sllave dhe më vonë komunizmit në shekullin e njëzet.
Është Greci, në veçanti, për të cilin shqiptarët në gjithë botë janë të lidhur. Kur një fëmijë lind në një fshat shqiptar në Itali, fëmija ngrihet lart drejt Shqipërisë. Kur një fëmijë lind në çdo tokë shqiptare në Evropën Juglindore, apo në diasporë, ai ose ajo do të rritet duke mësuar për Skenderbeun, dhe se Greci ishte i vetmi fshat shqipfolës në Italinë moderne ku ka shkelur këmba e Skenderbeut.
Skenderbeu është heroi kombëtar që i bashkon të gjithë shqiptarët në një histori ende të papërfunduar kombëtare që filloi në Itali gjashtëqind vite më parë.