Shkruan: Skënder Zogaj/
Në 103 vjetorin e datëlindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, zemra ma kërkoi përkujtimin e femrës shqiptare, më të njohurës në tërë gjatësinë, gjërësinë dhe thellësinë e të gjitha kohëve! Gruan shqiptare – simbol i përbotshëm i bamirësisë njerëzore, e cila gjithë jetën u shërbeu të pambrojturve, të dëbuarve, të sëmuarve, të vrarëve fizikisht e shpirtërisht, të varfërve, të hedhurve, të lënëve në pamëshirën njerëzorore, nga Shkupi në Kalkutë dhe anembanë botës.
Dora e Gonxhe Bojaxhiut u zgjat hyjnisht meridianeve, me përkushtim prej nëne, duke u përpjekur për t’ua lehtësuar dhembjet zemrave të vrara, prandaj, dashuria e bëri Gonxhen shqiptare Nënëmadhen e Botës njerëzore! Po, Nëna Tereze ishte, është dhe do të mbetet: emri më kuptimplotë i njerëzimit për bamirësi, gruaja engjull e shekullit 20, që i dha kuptim ringjalljes së frymës së shpirtit të shenjtë! Nëna Tereze ringjalli të vërtetën në pjesën e fjetur të shpirtit të mekur njerëzor, duke zgjuar nga gjumi letargjik „njerëzit e vdekur për së gjalli”, që ateizmi i kuq proletar ua kishte shartuar ndërgjegjen për ta mohuar Zotin! Pasojat e trysnisë së kuqe ateiste janë të thella në shoqërinë e sotme shqiptare, së cilës iu ka turbulluar krenaria e traditës së lashtë, dashuria e pastër vëllazërore dhe toleranca me formim të lartë të adhurimit të Zotit, pa hile, saktë dhe pa hamendje.
Me besa-besën e shprehur kombëtarisht, është vendosur që „Feja e shqiptarit është shqiptaria”, dhe me këtë është vulosur dashuria e vërtetë e shqiptarëve ndaj besimit fetar që është normuar si qëndrim historik autentik me frymën e gjakut e të tamblit tonë. Fishta i madh, misionari i devotshëm i fesë katolike, me krenari e ka thënë „bajram e pashkë, i kemi bashkë!” Mirëpo, sot, pas shekujsh harmonie ndërfetare, ndër shqiptarë po enden ca kukuvajka të zeza, të cilat krrokasin kundër vlerave më të shenjta, kundër kryevlerave shpirtërore të besimeve fetare, kulturore, historike dhe etnogjenetike. Kukuvajkat e zeza kanë zgjatur sqepat për të cokatur, hic më pak se, edhe Skënderbeun dhe Nënën Tereze! Kanë zgjatur sqepat muxhahedinët islamikë shqiptarë për të kafshuar kombin e vet, në emër të mbrojtjës së fesë, por, në kundërshtim të plotë me krye-librin e bekuar të islamit, në kundërshtim me Kur’anin e shenjtë, që besimin dhe besimtarët e rrejshëm „…që polemizojnë cështjen e Allahut duke mos pasur dituri, duke mos qenë i udhëzuar, dhe duke mos pasur libër të ndritshëm.”(Ajeti 20, te Suretu Llukman) të këtillëve injorantë u thotë se bëjnë mëkatin më të rëndë, dhe i urdhëron „Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit!” (Ajeti 19, te „Suretu Llukman” kap. 31 e Kur’anit).
Rreth Besimit dhe mosbesimi, në kaptinën 47 të Kuranit, tek „Suretu Muhamed” në Ajetin 3 thuhet: „Kjo është kështu, ata që nuk besuan ndoqën të pavërtetën, ata që besuan ndoqën të vërtetën që u erdhi prej Zotit të tyre. Kështu Allahu u sjelle njerëzve shembujt e tyre.”Ndërsa në vazhdim të po këtaj kaptine, Ajeti 21: „Një respekt dhe një fjalë e mirë (do të ishte me e mirë për ta). Ajeti 22: „A pritet prej jush (hipoktitëve) që nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e akranallëkut?, Ajeti 23: „Të tillët janë që Allahu i mallëkoi, i bëri të shurdhër dhe ua verboi të parit e tyre”( Ajeti 24).- „A nuk e studjojnë me vëmendje Kur’anin? Por jo, ata janë zemra që kanë drynat e vet!”. Ajeti 25: „Nuk ka dyshim se ata që u kthyen prapa (në mosbesim) pasi që u ishte sqaruar rruga e drejtë, djalli ua hijeshoi dhe shpresë të rrejshme u premtoi.”
Muxhahedinët bashkëkohorë islamikë shqiptarë, me gjasë nuk e kanë lexuar Kur’anin e shënjtë, që tek Kaptina 51 „Suretu Edh Dharijate” në 11 ajetet e para shpalohen porositë e mrekullueshme hyjnore: Ajeti 1: „Për erërat që e ngrehin dheun dhe e shpërndajnë”, Ajeti 2: „Për rëtë që bartin shiun e rëndë”, Ajeti 3: „Për anijet që lundojnë lehtë”, Ajeti 4: „Për engjujt që bëjnë ndarjen e cështjeve”, Ajeti 5: „S’ka dyshim se ajo që u premtohet është e vërtetë e sigurtë.” Ajeti 6: ”Dhe se shpërblimi (gjykimi për vepra) do të ndodh pa tjetër”. Ajeti 7: „Për qiellin plotë rrugë”. Ajeti 8: „Ju gjendeni në një thënie kontraditore”, Ajeti 9: „Nga ai (besimi) zbapset ai që ishtë zbrapsur.” dhe gjykimi Ajeti 10: „Mallkuar qofshin gënjeshtarët!” Fjala është për „Ata të cilët janë gafilë në injorancë (në verbëri, në padituri)” sqaron Ajeti 11, duke përkujtuar ditën e gjykimit për të këtillët mëkatarë.
Skënderbeu mund të mos i ketë lexuar, këto ajete Kur’anore, mirëpo nuk ka dyshim që i ka dëgjuar me dhjeta herë dhe nuk ka mundur të qëndrojë indiferent, përdersa nuk kemi dëgjuar të ket ndonje dëshmi, që kryetrimi legjendar shqiptar të ketë nëncmuar fenë islame qoftë vetëm një herë, apo t’i ketë mohuar mësimet e mira të Kur’anit të shenjtë. As për Nënën Tereze nuk e dijmë nëse e ka lexuar apo jo Kur’anin, mirëpo, si besimtar muslimanë dhe, bukur shumë fanatik i fesë islame, kur shfletoj Kur’anin, dhe ekrahasoj me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut, gjej fakte të shumta që jeta dhe vepra e saj përputhen jashtëzakonisht mirë me porositë Kur’anore. Nga kjo pikëpamje, Nëna Tereze më shfaqet më muslimane se sa shumë hoxhallarë, që harrojnë se Zoti „cdo gjë e ka krijuar me masë të caktuar” (Ajeti 49, në „Suretu El Kamer”,kap 54) dhe se, për dyshuesit, ata që flasin rrejshëm, që shpifin, akuzojnë pa fakte, që mohojnë veprat e mira, për ata „Allahu ka përgatitur një ndëshkim të ashpër. Vërtetë, atë që bëjnë ata është shumë e keqe.” thuhet te Ajeti 15 i „Suretu El Muxhadele”, kap. 58).
Sa shumë që kemi nevojë për ta vlerësuar të vërtetën, mirë e drejtë, sot e përgjithmonë, në mënyrë që engjujve të cilët e bëjnë ndarjen e cështjeve, t’ua lehtësojmë hapjen e portave të qiellit plotë rrugë, që të udhëtojmë sa më larg nga gafilët e injoranës djallëzore.