Në një mesazh plot dhimbje drithëruese, poetja Bajame Hoxha Celiku, përcolli për miqtë pas ndarjes nga jeta të njeriut të saj të dashur, bashkëshortit, Gani Hoxha, njeriut me te cilin sfidoi diktaturen ne kampin e internimit. Ky mesazh mbërriti edhe në emailin e editorit te gazetës Dielli. Me lejen e saj, po e publikojmë:
Të dashur miq;
Me hidhërim të thellë po ju njoftoj për të ndarë bashkë me ju dhimbjen time të madhe e cila me goditi përfundimisht dhe më preu krahet e fluturimit në këtë prag feste te Vitit të Ri. Pikërisht më 19 dhjetor, në një ditë plot diell, plot shkelqim, im shoq, bashkeshorti im, shoku im më i dashur, shoku im me i ngushtë, shoku me të cilin kapërcyem hendeqe e tela, që u rritëm sebashku në ato kampe të thella, që ndamë dhimbjet e thella gjatë vuajtjeve të pafund nëpër kampet e internimit, Ndërroi jetë pas një ataku në zemër në moshën 57 vjeç, duke pire kafe te kafe “Tajvani” Tiranë. Nje ditë plot diell e mbushur me gëzim për të dhe për të gjithë familjen pasi gjyshi i tij, Tahir Avdulla Hoxha, U shpall pas vdekjes “Qytetar Nderi” Nga Bashkia e Tropojes, dhe mua me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare.
Ganiu im i dashur, dashuria ime hynore u nda prej nesh vetëm me vdekjen. Na ndau vdekja Gan! Për mua nuk ishte thjesht burri dhe baba i mirë i tre femijeve. Ai ishte më shumë se kaq, më shumë se çdo gje tjetër për mua e për fëmijët. Ai ishte një hero i kohës.
I vetmi djalë i ri që kundërshtonte hapur komunizmit e egër ishte ai. Trimi që nuk i dridhej qerpiku, që nuk iu nënshtrua kurrë atij regjimi barbar, kurrë! Njeriu plot botë që mbështeta jetën plot besim tek ai, dhe për të arritur te njeri-tjetri s’ishte e lehtë. Në atë kohë duhej të thyheje kohën, opinione barbare e patriarkale. Ne ishim të fortë e arritëm njeri-tjtrin me shumë sakrifica aq sa meriton një dashuri vërtet e pastër. Dhe unë e dashurova marrëzisht se e meritonte, sepse ishte djali më i mirë, më trimi, djali më i ndershëm, dhe djali më besnik e më i pashëm që kisha njohur deri atëherë. Ishte i riu me vlera te pa tjetërsuara, njeri fisnik, që vinte nga një familje fisnike, me tradita patriotike, me një zemër të gjerë ku kishte vend për të gjithë.
Ishte njeri përparimtar me shokë shumë që mburrusha me të.Njeriu që më zbukuroi krahun me gximin e tij prej qytetari të vërtetë në ato vite krenarie, në atë rini të bukur brenda kampit e apelit.Ganu i harmonisë familjare, i dashurisë së madhe, i buzëqeshjeve pranverore. Njeriu i paqes, njeriu i qytetruar deri te shpirti i tij i kulluar, që me lejoi të shkruaja poezi ashtu siç i ndjeja pa censurë familjare e pa xhelozi. Ai donte që unë të isha poete e vertetë me ndjenja të lira.
E qava shumë zemrën time se e desha shumë. U ndamë për jetë! Eh, S’na ndau dot askush! As hipokritët, as operativët e sigurimit, e as hetuesit gjakpires që na thërrisnin e na bënin presione psikologjike e tek Ganiu edhe tortura. Por ne! Na ndau veç vdekja e tij që qe më e fortë! Medet! Do ta qaj gjithë jetën time Ganiun tim, zemrën time, shpirtin tim, pa harruar asnje fjalë të tij, asnjë këshillë, asnjë buzëqeshje të ëmbël e të çilter, asnjë kujtim sado i vogël që të jetë. E humbën fëmijët babanë e urtë, shokun e ngushtë, mësuesin e tyre të parë, e qanë me gjithë shpirt të katër fëmijët (E fejuara e djalit) se e kishin dhe shok e baba të mirë. E qanë dhe shokët me ngashërim përpara meje se e donin aq shumë sepse e meritonte lotin e dalë nga zemra e tyre e ngrohtë. E kush s’e deshi Gani Hoxhën? E kush nuk e deshi paqen?Të gjithë ata që e njohin, jam e bindur që e vuajnë shumë humbjen e tij të parakohshme.
Addio zemra ime e vërtetë! Uroj, dhe shpresoj të kesh marrë udhën e parajsës për të më pritur mua!
Zemra jote që të do shumë !
SHENIM I DIELLIT: LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTEVE TË SHQIPËRISË, DEGA LUSHNJË, I AKORDOI Bajame Hoxha Celiku ” ÇMIMIN E KARRIERËS” për Vitin 2012.