• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë- Gazi lotësjellës në Kuvendin e Kosovës – DEMOKRACI NE TYM….

October 8, 2015 by dgreca

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga- Dënojmë veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës për të tretën javë me radhë/

-Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së/     

-Opozita: Vazhdojmë përpjekjen për të mbrojtur Republikën, pa kompromis. ‘Zajednica’ nuk kalon!/

– Deputetë të opozitës kanë hequr “mbulojat” e muraleve. Mëse 11 vite pikturat në Kuvendin e Kosovës ishin të mbuluara/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Tetor 2015/ Gazi lotësjellës i hedhur nga opozita  ka përfunduar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndërprerje e bllokata, në rrethana që mund të cilësohen edhe të jashtëzakonshme.Në sallën e seancës së Kuvendit, opozita ka hedhur gaz lotësjellës,  dhe më pas kryesuesi i seancës Xhavit Haliti tha se “me kaq seanca përfundon”.Deputetes Flora Brovina i është dhënë ndihma e parë mjekësore në ambientet e Kuvendit, ku është hedhur gazi lotësjellës. Edhe deputetja Blerta Deliu është shoqëruar për në automjetin e ndihmës së parë mjekësore. LVV konfirmoi hedhjen e gazit lotësjellës.

OPOZITA: ‘ZAJEDNICA’ NUK KALON, MBAJTJA E SEANCËS ISHTE PROVOKIM

“Përkundër përpjekjeve të pozitës që të vazhdojë seancën edhe në kushtet kur Kosova po defunksionalizohet nga veprimet e qeverisë, opozita pamundësoi një gjë të tillë. Plani i Kadri Veselit nuk u realizua. Opozita vazhdon përpjekjen për të mbrojtur Republikën, pa kompromis. Gazi lotësjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët tanë gjatë protestave të janarit, kundër Jabllanovicit. Kjo ishte një nga qindra bombolat e gazit që janë hedhur mbi ne në ato protesta, por që nuk ka shpërthyer. Aktivistët e kishin gjetur në rrugë. Sot deputetët e përdorën atë bombolë.‘Zajednica’ nuk kalon!”, deklaroi LVV, subjekti më i madh opozitar.Mbajtja e seancës së Kuvendit ishte provokim , deklaroi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.Sipas kësaj partie opozitare, shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që është nën dikatatin e Qeverisë dhe të Kryeministrit, është përgjëgjëse për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.

“Përpjekja e tyre, për ta zhvilluar senacën sikur gjithcka është normale, është një provokim i hapur për opozitën dhe një përpjekje për t’i  shmangur dështimet e kësaj shumice”,  u shpreh AAK.

“Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se shfaqja e sotme në Kuvend nuk është zgjedhje e opozitës, por veprim i domosdoshëm”, vijoi më tej.

 “Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në kundërshtimin e dy dështimeve historike të kësaj qeverie, siç janë Demarkacioni dhe Asociacioni.

Prandaj e ftojmë shimicën parlamentare dhe liderët e tyre Mustafa e Thaçi, që t’i japin vendit zgjidhje dhe gjithçka të rikthehet në normalitet. Në të kundërtën ata do të jenë përgjegjës për eskalimin e mundshëm të situates”, thekson AAK në deklaratën e dërguar.

ISHIN PARASHIKUAR TË SHQYRTOHEN NËNTË PROJEKTLIGJE

Në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Kosovës behet e ditur se “sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk ka mundur të vazhdojë seancën e rregullt plenare për shkak të bojkotimit të saj nga partitë opozitare dhe ‘Lista Serbe’. Në këtë seancë plenare, ishin parashikuar të shqyrtohen nëntë projektligje”.

“Deputetët e partive opozitare: Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, edhe në tri seancat e kaluara plenare e kanë bojkotuar vijimin e punimeve. Ato insistojnë se pa tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit Mustafa nga marrëveshjet e Brukselit me Serbinë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk do të lejojnë vijimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në faqen zyrtare te Kuvendit.

VESELI: NUK ËSHTË SITUATË DRAMATIKE

Përkundër këtyre zhvillimeve, të bllokimit të Kuvendit nga opozita, kryeparlamentari Veseli me tone qetësuese duke folur para medias tha se “nuk është situatë dramatike dhe është shumë e qetë”, megjithatë theksoi se “është një situatë që më së paku i duhet Republikës së Kosovës”. Kryeparlamentari Veseli ftoi qeverinë që të shkojë në Kuvend. “Qeveria duhet të vijë në Kuvend”, u shpreh ai.

Në fillimin e seancës së Kuvendit të Kosovës sot nuk ishte Lista Serbe. I pyetur lidhur me këtë, kryeparlamentari Veseli tha se “nuk kam ndonjë qëndrim zyrtar të Listës Serbe, është e vërtetë se nuk është në seancë”.

Ndërkohë, pas pushimit të zgjatur, seanca ka nisur rivazhdimin mes fërshëllimave të opozitës dhe e kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, nga ulësja e deputetit në sallë e jo e keyesuesit. Në vendin e tij të kryesimit të seancës, brenda në sallë, ishte kryetari i Kuvendit, Veseli, i cili sqaroi se nënkryetari Haliti është kryesuesi i seancës në këto momente. Lista Serbe shihej se tash pas ndërprejes së zgjatur po merrte pjesë në seancën e Kuvendit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e kësaj jave, të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, ku për herë të dytë nuk mori pjesë opozita, ka ftuar për sot seancë plenare të Kuvendit, gjatë të cilës “do të shqyrtohen pika të papërfunduara nga mbledhjet e kaluara”, të pamundësuara e ndërprera nga opozita, që nga fillimi i sesionit vjeshtor.

“10 minuta pushim brenda” dha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i “rrethuar” nga opozita ende pa filluar seanca, dhe i ftoi mediat që të hyjnë në sallën e seancës te fotorja – “nga lart të vijnë poshtë”… Në sallën e seancave opozita fërshëllen derisa kryeparlamentari flet para medias në sallë dhe jep përsëri “pushim gjysëm ore”.

“Nuk do të lejojmë që nga Kuvendi të promovohen konflikte”, u shpreh kryeparlamentari Veseli që mezi dëgjohej nga fërshëllimat e opozitës. Ndërsa, opozita në sallë para mediave përsëriti qëndrimin “ose tërheqje nënshkrimesh nga 4 marrëveshjet me Serbinë e marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, ose dorëheqje të qeverisë”.

JANË HEQUR “MBULOJAT” E MURALEVE NË KUVENDIN E KOSOVËS

Ndërkohë, deputetë të opozitës në një “aksion simbolik” kanë hequr “mbulojat” e muraleve në Kuvendin e Kosovës, para seancës së ftuar për sot.Ka mëse 11 vite që pikturat në Kuvendin e Kosovës fshihen prapa pëlhurës.“Skënderbeu”, “Lidhja e Lezhës” dhe “Lidhja e Prizrenit”, janë tri nga disa muralet që u vendosën më 2004 në muret e hollit e në sallë, pas renovimit të objektit të ligjvënësve. Por “ekspozita” e tyre nuk zgjati shumë. Vendimi për mbulimin e tyre u mor në kohën kur Nexhat Daci ishte kryetar i Kuvendit, pas disa ankesave të deputetëve serbë.

DEKLARATA POZITË-OPOZITË GJATË NDËRPRERJEVE TË SEANCËS

“Veprimet e opozitës janë një tentativë për të bllokuar shtetin e Kosovës”, deklaroi për median për zhvillimet në Kuvend shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai shtoi se pakica, 30 deputetë po bllokojnë shumicën prej 90 deputetëve.

“Ne kemi protesuar dhe vazhdojmë të protestojmë kundër qeverisë dhe marrëveshjeve të saj të dëmshme për Kosovën”, deklarojnë deputetë të opozitës për median jashtë sallës së Kuvendit, derisa ende nuk kishte vazhdim seance.

VAZHDON KUNDËRSHTIMI DHE BLLOKADA NË KUVEND QË NGA FILLIMI I SESIONIT VJESHTOR

Në axhendën zyrtare për seancën e Kuvendit të Kosovës për sot ishin renditur 9 pika. Në kundërshtim të katër marrëveshjeve me Serbinë të 25 gushtit dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita në Kuvendin e Kosovës edhe po bojkoton mbledhjet e Kryesisë me shefat e prupeve parlamentare edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Kundërshtimi brenda Kuvendit nisi dhe vazhdoi me “aksione simbolike” protestuese në sallën e seancave plenare. Raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e 17 e 22 shtatorit.

Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, por opozita me bllokim nuk lejoi votimin për këtë kërkesë as vazhdimin me pikat e tjera të axhendës.

Në seancën e dytë të Kuvendit të Kosovës, që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar, pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.

Edhe rivazhdimi i seancës së parë të sesionit vjeshtor, të enjten, në 1 tetor, u pamundësua nga protesta e opozitës, edhepse nuk ishte në axhendë raportimi i qeverisë për marrëveshjet. Në këtë situatë, seanca e Kuvendit të Kosovës, e radhitur si e treta e sesionit vjeshtor, që ishte në axhendë të mbahej të premtën e 2 tetorit, është anuluar.

Opozita e bashkuar në Kosovë ka bërë të ditur se ka mbledhur më shumë se 160 mijë nënshkrime në peticionin ku kërkohet që “qeveria të tërheqë menjëherë nënshkrimin nga katër marrëveshjet me Serbinë të datës 25 gusht 2015 si dhe nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi”.

Lëvizja Vetëvendosje të martën njoftonte se, kryeministri Isa Mustafa “është gjuajtur me vezë nga aktivistët në Podujevë”. “Policia ka arrestuar dhunshëm dy aktivistë të Lëvizjes”, shtohej më tej për ngjarjen në shesh në manifestimin tradicional “Dita e Mjedrës”, ndërsa LDK ka reaguar lidhur me dënimin nga gjykata me këtë rast të gjuajtjes me vezë, duke u shprehur se, “vlerëson se dënimi prej 150 eurosh për një sulm të përsëritur ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, është një lloj inkurajimi dhe nxitje për vazhdim të formave të tilla të sjelljes”.

Ndërsa, vetë kryeministri Mustafa mbrëmë në ‘facebook’ është shprehur mes tjerash se: “Çmimi më i lartë që do të paguani për jetën e Kryeministrit është 150 euro. Aq më tepër ky çmim është në veresi. Sepse Gjykata ju pret, kurse ju mund të ankoheni. Kjo është fytyra e drejtësisë sonë. Turpi ynë!”.

Nuk ka pasur ende ndonjë njoftim për ndonjë masë për gjuajtjet me vezë në seancë Kuvendi nga deputetë të opozitës.

“Opozita e vendosur të mos lejojë zhvillimin e seancës”, është sot një nga titujt e ballinave të shtypit kosovar, ku theksohet se, “sipas skenarit të njëjtë pritet të zhvillohet edhe vazhdimi i katërt i seancës së parë plenare të sesionit vjeshtor, i caktuar për të enjten”.

Megjithëse zyrtarisht nuk dihen veprimet që do të mund t’i ndërmarrë kryeparlamentari Kadri Veseli, një burim i gazetës brenda Kuvendit ka thënë se nuk janë diskutuar veprimet që mund të jenë “ndryshe” prej seancave të kaluara, shkruan sot Koha Ditore.

Por, as këtë herë nuk do të mungojnë përpjekjet e Veselit që përmes dialogut ta kthejë normalitetin në Kuvend, ashtu siç ka vepruar në tri seancat paraprake.
“Nëse pamundësohet puna duhet ndërprerë seanca. Janë deputetët që e kanë çelësin e zhbllokimit të kuvendit”, ka thënë burimi. “Megjithatë kjo gjendje nuk pritet të shkojë në pafundësi, por se kur do të futen masat e jashtëzakonshme ende nuk është vendosur”.
Por, opozita e ka bërë të qartë se do të vazhdojë bllokimin sikur në tubimet e kaluara.

 PRESIDENTJA JAHJAGA DËNON VEPRIMET E PAPRANUESHME NË KUVENDIN E KOSOVËS

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në një deklaratë dënon veprimet e papranueshme që shkaktuan ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës për të tretën javë me radhë.

Presidentja Jahjaga tha se këto veprime të deputetëve të opozitës janë të shëmtuara dhe në kundërshtim me praktikën demokratike dhe sjelljen institucionale të cilën po mëtojmë ta ndërtojmë.Presidentja Jahjaga fton deputetët e Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhuna, respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë me sakrificën e tyre personale. Mospajtimet konceptuale dhe politike duhet të diskutohen me forcën e argumentit dhe kulturës parlamentare, shprehet ajo.Presidentja Jahjaga thekson se qytetarët e Kosovës presin nga të zgjedhurit e tyre, si në pozitë dhe në opozitë, që të  avancojnë proceset e konsolidimit të Republikës së Kosovës, e jo t’i shndërrojnë ata në spektatorë të tensioneve, krizave dhe bllokadave të vazhdueshme që pengojnë përparimin e Kosovës dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarit.

  QEVERIA E KOSOVËS SHPREH KEQARDHJE PËR DHUNËN  SOT NË SEANCËN E KUVENDIT

 Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për dhunën që një grup i deputetëve të opozitës përdori sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku për pasojë disa deputetë morën lëndime dhe kërkuan ndihmë mjekësore, thekson komunikata e sapodërguar.Më tej theksohet se, përkundër kushteve ekstreme të krijuara nga dhuna e manifestuar nga ky grup i deputetëve opozitarë, megjithatë, falë vendosmërisë dhe përkushtimit demokratik të shumicës parlamentare, sot në Kuvend u miratuan disa projektligje me rëndësi për jetën e qytetarëve, të propozuara nga Qeveria e Kosovës.Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë, të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, që t’i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së.     

Qeveria e Republikës së Kosovës, përkundër këtyre rrethanave, mbetet e përkushtuar për të përmbushur obligimet e saj ligjore dhe kushtetuese, si dhe për të qenë pjesë aktive e çdo debati parlamentar i cili do t’i kontribuonte zhvillimit ekonomik, shtetit ligjor dhe proceseve integruese euroatlantike të vendit.

  LDK: SHPREHIM SHQETËSIMIN DHE BRENGËN E JASHTËZAKOSHME PËR DHUNËN E USHTRUAR NË KUVEND

Lidhja Demokratike e Kosovës  në një komunikatë të sapodërguar shpreh shqetësimin dhe brengën e jashtëzakoshme për dhunën e ushtruar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në institucinon më të lartë përfaqësues të qytetarëve të Kosovës.Dhuna e tillë cënon interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Qytetarët dhe institucionet e Kosovës si shtet i ri kanë nevojë për punë dhe përkushtim.

Opozita duhet të heqë dorë nga bllokimi i dhunshëm Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nga sjelljet primitive.

Edhe deputetët e opozitës kanë marrë votat e qytetarëve që të punojnë në interes të tyre dhe jo të rrezikojnë sigurinë e të rrënojnë institucionet e vendit.

LDK-ja mbështet deputetët e shumicës, të cilët me gjakftohtësi dhe dinjitet përballuan dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe i falënderon ata për sjelljen e përgjegjshme.

LDK-ja shpreh keqardhjen e thellë për rrezikimin e shëndetit të deputetëve të Kuvendit dhe në veçanti të deputetëve Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, përfundon komunikata.

Shenim i Diellit

DEMOKRACI NE TYM

Klasa politike ne Kosove ia shkele me te dyja kembet rregullat e Demokracise. Pas vezeve, i erdhi radha gazit lotsjelles ne Tempullin e ligjbersve. Kesaj i thohen demokraci ne Tym…

Kaq per kete here….

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, gaz ne Kuvendin, Kosove

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT