Kadare: Jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes/
Ekspozita, konferenca dhe aktivitete të shumta që nxisin leximin e veprës së Ismail Kadaresë, ishin kryefjala e 80-vjetorit të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës kanë hartuar një kalendar aktivitetesh, që kanë nisur këtë të enjte për të vijuar përgjatë gjithë vitit.Epiqendra e festimeve ngelet padyshim “qyteti i gurtë”, që e ka nisur ditën me aktivitetin “Gjirokastra lexon Kadarenë”.Dhe për ti uruar ditëlindjen, Gjirokastra vendi ku shkrimtari i madh u lind e u rrit, startoi me aktivitetin “GJIROKASTRA LEXON KADARENE”Aktivitetet filluan para bashkisë për ti’a lënë vendin më pas, leximeve në shumë pika të tjera të qytetit.Në prani të shumë pjesëmarrësve, bashkia ka fikur edhe qirinjtë e tortës së porositur për këtë datë. Torta ka përmasat 30 me 40 centimetra dhe në të është shkruar një shprehje e Kadaresë: “Ka gjithmonë kohë, që njerëzit të bëjnë diçka për popullin e tyre”.Përveç të rinjve, aktorëve, njerëzve të letrave, gazetarëve, etj.,tekste nga shkrimtari Ismail Kadare lexuan edhe kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami, si dhe zv. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton i cili ka recituar vargjet e njohura të poezisë “Kristal”, të përkthyera në gjuhën angleze nga vet ai”.
Kadare: Jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes
Ndërsa vet shkrimtari nuk do të jetë në Gjirokastër për ceremonitë e organizuara me rastin e 80-vjetorit të tij.Ai i është drejtuar qytetit të tij të lindjes përmes një letre adresuar kryetares së bashkisë.E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës,Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falenderimin tim, gjithë emocionin dhe, pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj.Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai.E dashur zonja Rami,
Ju drejtoni bashkinë e qytetit, që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot.
Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat.Duke ju uruar gjithë të mirat dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj.
Ismail Kadare
Paris, 25 janar 2016.
Këtë fillimviti, Franca e nderoi Ismail Kadarenë me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit”.
Mesazhi i Kryetares së Bashkisë në 80 vjetorin e lindjes së Ismail Kadare
“Mendoj se jam i besueshëm në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke patur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap është gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai”. Kështu më shkruante ndër të tjera shkrimtari ynë më i madh, një ndër krenaritë jo vetëm të Gjirokastrës, Ismail Kadare në përgjigje të ftesës së bashkisë për të qenë i pranishëm në shtëpinë dhe qytetin ku u lind 80 vjet më parë.Ishte një letër emocionuese dhe jam ndierë me fat, që këta rreshta të thjeshtë në dukje, por që në tërësi përbënin një mrekulli, nëpërmjet meje i drejtoheshin banorëve të Gjirokastrës.Kjo letër ishte një tjetër surprizë brenda pak kohësh nga shkrimtari, pas takimit që zhvillova me të. Takim që ndryshe nga sa ishte menduar, nuk kishte asnjë kornizë dhe u kthye në një bisedë të ngrohtë, si ajo që mund të kenë miq të vjetër, pavarësisht se jemi shumë të rinj.Këto mbresa, natyrisht që e bëjnë në sytë e mi shumë më emocionues 80-vjetorin e lindjes së gjeniut të letrave, njeriut që Gjirokastra pati fatin ta ketë birin e saj. Natyrisht që emocionet shkojnë paralelisht me përgjegjësinë për të kremtuar këtë ditë të rëndësishme, që përtej një date të shënuar në jetën e shkrimtarit, është një ditë tepër e rëndësishme edhe për qytetin ku u lind. Jam e bindur se çdo banor i qytetit e ndien se këtë festë ia kemi detyrim Ismail Kadaresë, si shenjë mirënjohjeje e kujtese të përjetshme.Ndoshta aktivitetet nuk janë shumë të mëdha dhe përmasa e tyre nuk mund të krahasohet me përmasën e Kadaresë, por gjithçka, duke filluar nga detaji më i vogël është bërë me shumë dashuri. Dashuria është dhurata më e mirë për shkrimtarin, që e mori muzën nga Gjirokastra dhe e shpërndau anembanë globit.Ndaj me shumë dashuri i uroj: Jetë të gjatë! Për vete, për familjen dhe për gjithë adhuruesit që dëshirojnë ta shijojnë sa më gjatë magjinë e penës Suaj!