• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJITONË TË MIRË, QË TË SHTOJNË JETËN

November 5, 2013 by dgreca

Nga Luan Çipi/

Banoj familjarisht në Bllokun nr.9 Tiranë, në Rrugën Mine Peza, në godinën 17, me nëntë kate, të ndërtuar vitet e “Tranzicionit”. Erdha këtu, pa i mbushur të 65 vitet dhe pas një jave, ende pa u rehatuar, mu desh të beja një ceremoni të thjeshte vitlindje, ku ftova vetëm vëllezërit dhe motrat e mia, shoqëruar me bashkëshortët, që për fat atëherë ishin të gjithë shëndosh e mirë. Apartamenti ynë është në katin e gjashtë dhe ditëlindjen e festuam duke u ngjitur me vështirësi shkallëve të pashtruara. Komshinjtë tanë të katit, erdhën pak muaj më vonë, njëri pas tjetrit, kur ndërtimi i godinës  u kompletua, shkallët u plotësuan me pllaka e parmakë dhe u vu në përdorim ashensori. Tani, 15 vjet më vonë, kati ynë gjallon. Ne jemi bërë si një familje e madhe dhe në të katër apartamentet e katit tonë çdo gëzim, hidhërim, mandej dhe ngjarjet e rëndomta, përjetohen bashkërisht.

Familjet e katit tonë të gjashtë janë me origjinë nga rrethe të ndryshme të vendit: Më i moshuari, pas meje, është instrumentisti i laureuar në Çeki, pjesëtari i orkestrave prestigjioze të kryeqytetit, Përmetari i urtë e gazmor, Kristofor Qori, që i thërresin të gjithë shkurt, profesor Fori.  Ai gjithë ditën këndon, fishkëllen dhe nxjerr britma gazmore. I shkurtër e topolak, i lëvizshëm më këmbë, po më shumë me biçikletë, kur shkonte në punë në Orkestrën e Radio Tiranës, apo në Orkestrën Simfonike; kur i duhej të merrej me nxënësit e tij muzikantë, të përhapur në lagjet e Tiranës për mësim solfezhi, që tek tuk i mban ende, edhe pse ka 5 vjet që ka dalë në pension. Banorët e pallatit e zgjodhën njëzëri Forin si Kryeplak dhe atij tashmë i është besuar administrimi dhe zgjidhja e problemeve të përbashkëta të 35 familjeve të Pallatit. Gruaja e tij, Silvana, me origjinë Kolonjare, është financiere dhe punon ende në një firmë të rëndësishme farmaceutike. “Vana”, po kaq e urtë dhe dashamirëse, pret e përcjell me shumë dashuri dhe është e gatshme për të ndihmuar këdo, jo vetëm motrat dhe vëllain e saj këtu në Tiranë, farefisin në Përmetin dhe Kolonjën e largët dhe për më tepër, familjarët e katit. Familja Silvana-Kristofor kanë dy vajza të martuara njëra me 3 djem dhe tjetra me 2 djem, po që janë larg, në Kosovë dhe në Amerikë. Ato, vajza të denja të prindërve të mirë, vijnë në Tiranë, ose shpesh ftojnë prindërit pranë familjeve të tyre, ndërsa disa herë në javë, bisedojnë e ndajnë halle e gëzime nëpërmjet telefonit dhe kompjuterit, në skajp, apo fejsbuk.

Pas Foros në moshë, vjenë Mani. Ky është gjitoni tjetër i artë, piloti i shquar, Shefi i Skuadriljes se Helikopterëve të Emergjencës Shëndetësore të Shqipërisë, nënkolonel Osman Kushta, me origjinë nga Quksi i Librazhdit, tani edhe ai pensionist. Ai ka dy djem të mrekullueshëm. Nuk e di arsyen e saktë, po unë prej kohësh kam pasur konsideratë të veçantë për aviatorët, si kontingjente elitare të zgjedhur midis bijve më të mirë të vendit, trima sypatrembur dhe njerëz të çiltër, të zgjuar dhe studioz. Respektin ma kanë shtuar me shkrimet dhe qëndrimet e tyre, dy miq interneti, pilotet shkrimtarë Riza Lahi dhe Agim Bacelli. Nuk e mendoja se në vitin 1999 do bëhesha komshi me pilotin Osman Kushta. Atë e kisha njohur para gati dy vjetësh, kur në breshërinë e automatikëve, uli Helikopterin e tij në qytetin e Selenicës (ku unë isha i punësuar), në një aksion emergjence. Më pas dëgjova ngjarje të rralla trimërie në shpëtim të viktimave nga inondatat, tërmetet dhe aksidentet. Osman Kushta, pak më i gjatë  dhe më i ri se Kristofori, dallohet për fizikun e tij sportiv e të fuqishëm, po si karakter ka te njëjtat tipare: Gjithnjë dashamirës, i qeshur dhe optimist. Nga ana tjetër ai ka dhunti të veprimeve praktike, angazhohet gjerësisht në punët e familjes dhe për edukimin e dy djemve te tij dhe është lexues tepër i zellshëm i librave, i lundrimit në internet dhe njohës i disa gjuhëve. Gruaja e tij Sllavica është ekonomiste me shumë përvojë dhe ajo që na lidhi edhe me shume, është nëna e saj, vlonjatja Aliqi Kedhi. Aliqi dhe gruaja ime, Hanëmja, edhe ajo vlonjate, lidhen jo vetëm nga tre kafetë që pinë çdo ditë, po edhe nga kujtimet e shumta të përbashkëta, aq sa kur numërojnë lidhjet dhe njohjet e hershme, duket sikur përtërihen dhe gjenden bash në lagjet e hershme të Vlorës, Muradie, Vrenez, Varosh, Karabash dhe Çerekçi.

Kryefamiljari i trete i katit tonë është ekonomisti agrar, Sokol Hajro, me origjinë nga fshati Bashaj i rrethit të Kolonjës, (pinjoll i një familjeje patriote me tre dëshmorë të Luftës Nacional-Çlirimtare). Kur erdhi për banim në katin tonë ai dukej i afruar dhe buzagaz dhe sikur nuk e çorodiste pozicioni i deputetit. I tillë ngeli deri në fund dhe ne, pasi e njohëm edhe më mirë, nuk u çuditëm kur p.sh. morëm vesh, se qeskat tona të plehrave nga korridori i merrte ai, apo gruaja e tij dhe i hidhte në kazan te rruga, bashkë me të tijat. Kështu, ndofta edhe më e afruar dhe më entuziaste, ishte dhe bashkëshortja e tij, kolonjarja Arta edhe ajo ekonomiste, njohur dhe dashuruar me Sokolin, qysh në auditorët e Universitetit Bujqësor. Ata tani kanë dy fëmijë djalë dhe vajzë dhe jetojnë në harmoni e të gëzuar, të angazhuar suksesshëm si menaxher e financier në firma private prestigjioze.

Marrëdhëniet me gjitonët u bënë aq të afërta, sa shpejt dyert mbaheshin hapur dhe vizitat bëheshin pa telefonata dhe njoftime paraprake. Filluam të këmbejmë pije dhe ushqime dhe të bëhemi pjesëtar në çdo ngjarje familjare. Për mua dhe gruan time, duke i pasur fëmijët tanë të tre të larguar në emigracion në Kanada, Amerikë e Holandë, pa asnjë nip dhe asnjë mbesë pranë, gjitonët tanë na kthyen gëzimin dhe optimizmin dhe na përtërinë jetën.

Ja se ç’më ndodhi me rastin e Vitit te Ri, në datën 2 Janar 2013. Pasi dëgjova trokitjet në portë dhe e hapa shpejt atë, pash se ishin dy çiftet gazmore të familjeve Kushta dhe Hajro, gjitonët tanë më të afërt. Përshëndeta i gëzuar mysafiret dhe i ftova në dhomën e pritjes: Ata, u futën në shtëpinë tonë, së bashku me atmosferën e tyre gazmore dhe nisën nga përshëndetjet me urime për Vitin e Ri, duke na pyetur për shëndetin dhe se si e kaluam mbrëmjen e vitit të vjetër dhe ditën e parë te vitit të ri.  Ata e dinin fare mirë se ishim vetëm, unë dhe ime shoqe, Hanëmja, në shtëpi dhe se dy vajzat tona dhe djali me familjet e tyre, janë emigrantë dhe larg nesh: në Kanada, Amerikë e Holandë. Pasi ndërruam përshëndetjet dhe urimet dhe pasi konsuamuam qerasjet e rastit dhe me këto kaloi do kohë, me që ishte vaktë darke, unë u propozova miqve të shtronim tavolinën dhe të kalonim bashkërisht disa orë. I konsideroja këta gjitonë të mirë si bijtë tanë, në kushtet që ata tanët, ishin tepër larg. Miqtë nuk pranuan dhe u ngritën për të dalë. Njeri prej tyre, kolonjari Sokol Hajro, aty për aty mori  një vendim të shpejtë, nga ato që burojnë shpesh prej shpirtit të tij bujar dhe tha si me komandë: “Ejani të katër nga unë, se e kam qengjin gati e të pjekur për merak, ndërsa kam dhe çdo gjë tjetër të nevojshme, për një darkë të bollshme, si pastërma Korçe, sallata, ullinj dhe fasule pllaqi, si dhe me tepri raki Skrapari, verë Përmeti dhe birrë Gjermanie.

– Shko Arta, porositi prerë, Sokol Hajrua, gruan e tij dhe na fto për darkë edhe çiftin tjetër të katit, Kristoforin e Silvanën, që kështu të bëhemi bashkë e të gëzojmë të gjithë!

Në atë natën e dytë të Vitit të Ri 2013, në katin e gjashtë të ndërtesës me nëntë kate të Bllokut Nëntë të Kryeqytetit u bënë bashkë komshinjtë: Sokol dhe Arta Hajro, nga  Kolonja, Osman Kushta nga Quksi i Librazhdit, Sllavica Kushta (Fero) nga Vlora, Luan e Haneme Çipi nga Vlora dhe  Kristofor e Silvana Qori, respektivisht nga Përmeti dhe Kolonja, banues në Tiranë në të njëjtin kat, prej gati 15 vjetësh. Dhe thonë se “në Tiranën Metropol nuk e njeh gjitoni-gjitonin?!”. Ja që ndodh edhe kështu: Jo vetëm që e njeh nga afër, po ndajnë bashkë të mirë e të keqe. Kjo, në këtë rast nuk është ngjarja e parë dhe e vetme, po e përsëritur në dhjetëra herë. Në këtë rast secili zgjodhi pijen e preferuar, mbushi gotën plot dhe seleksionoi asortimentet e preferuara të mezeve dhe gjellëve të sjella aty nga të katër familjet solidare. Pa, nisën dollitë, shëndetet dhe mirësitë. Koli, i zoti i shtëpisë,  u vendos në rolin e dollibashit, si të ishte “për midis Kolonjës”. Nuk u përjashtua nga kujtesa askush: Prindër të gjallë e të vdekur dhe fëmijët aty pranë, apo të mërguar. Radha kaloi te të gjithë, me dolli, sipas traditës Shqiptare. Pastaj nisi kënga Kolonjare, Përmetare e Vlonjate, Korçare e Shkodrane, Labe e qytetare. Po sa bukur harmonizoheshin zërat. Sokol Hajrua takoi të ishte një tenor i intonuar dhe njohës i  mirë i këngëve Kolonjare e Korçare, Kristofori, dihet e njihet si muzikant profesionist, ndërsa piloti Osman Kushta, i rritur për midis një shoqërie vitale fluturuesish, u shfaq i harmonizuar në të gjitha meloditë e deri hedhës merakli i këngëve Labe.  Nuk ngelën jashtë këngës dhe ahengut edhe gratë tona gazmore e zëëmbla.

Kaluan orët shpejt deri në mesnatë dhe kjo darkë e gëzueshme për ne do ngelet e pashlyerën kujtesë, me besimin se ditë më të mira do vijnë dhe se Tirana jonë e bukur dhe mbarë Shqipëria, në këtë Vit të Ri, do bëhen edhe më kompakte (bëhej iluzion për zgjedhjet e ardhshme parlamentare).

Po, kulmi i mirësjelljes dhe i gjitonisë brilante, që u bë edhe shkak i këtij reportazhi, ishte pritja në këto ditë të fund Tetorit 2013, kur ne, “Çifti Çipi”, u kthyem pas pushimeve të gjata verore nga qyteti i Vlorës dhe na u desh të “përballonim” surpriza dhe ngjarje fare të papritura, përkëdhelëse dhe humane, që na shtuan  vitet e jetës së pleqërisë së vonuar: Përjashtuar gëzimit dhe entuziazmit mikpritës të shprehur nga të tre familjet komshije, ato kishin menduar dhe realizuan veprime konkrete, të denja për një motër, vëlla, apo trashëgimtar:

Koli dhe Arta na dhuruan mobiliet e një dhome komplet, (se ata e rinovuan të tyre), Mani dhe Sllava e patinuan dhe e lyen  me bojëra cilësisht dhe bukur dhomën tonë dhe Vana me Foron na sollën, (sipas rekomandimit mjekësor për moshën e tretë) vaksinat antigrip.

Dhe, unë që e kam pasion kompjuterin dhe lundroj disa orë në ditë internetit, e quajta detyrë t’u njihja juve, lexues të dashur dhe bijë e nipër, me gjitonët e mi, me ata që të shtojnë vitet e pleqërisë së lumtur, si t’i kisha vëllezër gjaku, duke u ngelur atyre mirënjohës ndër breza.

Tiranë, më 5 Nëntor 2013

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: gjitone te mire, Luan Cipi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT