Kushtuar Adem Berishës-Gjurgjeviku/
Nga Xheladin Mjeku/ Prishtinë/
Më datën 13 maj 2013 në sallën e Kuvendit Komunal, në kuadër të “Javës përkujtimore të dëshmorëve të Rahovecit” dhe në njëvjetorin e ndarjeës tragjike nga jeta të krijuesit të paharruar Adem Berisha-Gjurgjeviku, në prani të familjarëve, strukturave politiko-shoqërore, bashkëveprimtarëve e shumë qytetarëve të Rahovecit dhe rrethinës, u përurua libri monografik e përkushtimor ,“Prekja e pikëllimit”, të cilin e hartuan Xheladin Mjeku dhe Halil Xani.
Pas një recitali, me poezi të përzgjedhura nga kjo përmbledhje dhe hapjes së ceremonisë së përurimit, u dha një biografi e Adem Berishës. Pastaj, fjalën e rastit për librin e mbajti Xheladin Mjeku, ku shpalosi idenë e hartimit dhe ecurinë e realizimit të kësaj vepre të përbashkët, nga më se 85 bashkautorëve, me shkrimet dhe komentet e tyre të përmbledhura në një libër, që ka rreth 180 faqe. Organizimi i librit në katër kapituj sjell për lexuesin veprimtarinë e Adem Berishës, përmes shkrimeve monografike, analizave dhe vështrimeve letrare për librat e botuara, në të gjallë të autorit. Kapitulli i dytë sjell poezitë e rreth pesëdhjetë autorëve, duke vazhduar me kapitullin e tretë të homazheve nga miq, bashkëveprimtarë dhe dashamirës të tij, gjithandej në trojet shqiptare e në mërgatë. Edhe “Albumi” i përzgjedhur nga veprimtari të tij, vjen dëshmi e punës së parreshtur e të përkushtuar në krijimin e urave miqësore dhe bashkëpunimit bdërmjet miqëve, në veprimtari të ndryshme, letrare dhe kulturore.
Një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe bashkëhartuesi i dytë, Halil Xani. Ai solli kujtime për Adem Berishën dhe shprehu falënderimin e tij që, më në fund, miq e shokë të Ademit ia dolën ta realizojnë këtë vepër-“monument letrar” për mikun e tyre, vepra dhe veprimtaritë e të cilit nuk do të harrohen kurrë.
Në mbyllje të kësaj ngjarjeje, me mbresa dhe emocione për të gjithë të pranishmit, sollën kujtimet e tyre edhe të afërm të Adem Berishës, bashkëveprimtarë dhe krijues të Rahovecit. Një fjalë mirënjohjeje, në emër të familjes së tij, e dha biri Agroni. Ai shprehu falënderimet e përzemërta për të gjithë pjesëmarrësit dhe për të gjithë ata, që dhanës ndihmesën e tyre të pakursyer, me shkrimet dhe përkrahjen material, në realizimin dhe botimin e këtij libri. Në veçanti, falënderoi dy hartuesit e librit, Xheladin Mjekun dhe Halil Xanin, duke nënvizuar që, deri në përmbylljen e realizimit të librit, nuk kursyen kohën dhe mundin e tyre, që botimi të dilte nga shtypi, në kohën e paraparë.
Përveç krijimeve të lartpërmendura, për krijuesin e paharruar Adem Berisha u kënduan edhe këngë. Në këtë rast, për të pranishmit u dha njëra prej tyre, e realizuar nga krjuesi, poeti dhe rapsodi Agim Gashi. Gjatë këtij programi u deklamuan edhe poezi nga krijimtaria letrare e Adem Berishës, që e bëri më të larmishëm dhe emocionues këtë ngjarje përkujtimore e përuruese.
Prishtinë, 14 maj 2013