• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“GJYKATËSI I NDERSHËM”

May 3, 2016 by dgreca

“Si shkon kjo botë, të jesh i ndershëm do të thotë të jesh i zgjedhur mes dhjetëmijë vdekësorësh”-/

William Shakespeare “Hamleti”/

Shkruan:Eugjen Merlika/

Një lajmërim vdekjeje në një derë pallati, në një rrugë të Tiranës së re, më shkaktoi një drithërimë në zemër e më ringjalli kujtimin e një periudhe të pazakontë të jetës sime. Emri dhe fotografia e lajmërimit mortor të Bashkim Cakës, më solli parasysh një ndodhi, tashmë të largët në kohë, të ngjarë 36 vjet të shkuara. Në një qendër të vogël bujqësore e blegtorale, rreth dy km. larg qytetit të Lushnjës, punonja si ndërtues në një objekt që ngrihej çdo ditë. Ishte mëngjez dhe po fillonim punën e përditëshme. Papritmas dy makina Gaz 51, të mbushura me oficerë dhe policë, i a behën mes nesh.

Shefi mustakoç i Sigurimit të rrethit i u printe dhe m’u drejtua me këto fjalë : “Ti je i nipi i Mustafa Krujës ?” Përgjigjes sime pohuese ai i shtoi shprehjen, mjerisht tepër të njohur : “Në emër të popullit je i arrestuar!”. Mbas dy orësh isha në një qeli, së bashku me një njeri tjetër. Ishte një praktikë e njohur dhe kjo, që shërbente për të nxjerrë ndonjë gjë nga i sapo arrestuari. Mbas disa orësh erdhi polici i shërbimit, më lidhi duart e më shoqëroi lart, në zyrën e hetuesit, që do të merrej me proçesin tim.

Ishte një djalë i ri në moshën 27 vjeçare. Nuk e kisha njohur më parë, e kisha parë atë mëngjez në grupin e njerëzve që kishin ardhur të më arrestonin. Takimi i parë me Të qe befasues për mua. “Ti nuk më njeh, por un të njoh shumë mirë ty. Quhem Bashkim Caka, dëshira ime është të shkojmë mirë, pavarësisht roleve që kemi.” Kjo qe njohja e drejtpërdrejtë dhe ato fjalë të pakta shkaktuan një pështjellim mendimesh në trurin tim. Me ecjen e ngadalëshme të proçesit u binda se fjalët e takimit të parë, apo të njohjes vetiake, ishin të sinqerta.

Djaloshi hetues nuk ngulmonte të nxirrte të dhëna të tjera, veç atyre që kolegët e Tij të Sigurimit i kishin sjellë, nëpërmjet një proçes – verbali të gjatë padije, të hartuar prej vetëm një njeriu. Bashkimi, vullnetarisht, e kufizonte punën e Tij, në atë të një “noteri”, i cili duhej t’a kthente atë dokument padije në një tjetër ballafaqimi, me të cilin duhej të mbrohesha un vetë nga akuzat e një paditësi të vetëm, për më tepër të një shoku tim. Në Shqipërinë komuniste ishte zhdukur institucioni i avokatisë, nga i cili përfitojnë edhe kriminelët më të rrezikshëm në gjithë botën. Ai quhej i “kotë” dhe i “panevojshëm”, mbasi hetuesitë dhe gjykatat ishin “mbrojtësit” më të mirë të qytetarëve shqiptarë !!!

Hetuesia nuk ishte një bisedë vetëm dy palëshe ndërmjet meje dhe atij djali. Në të ndërhynin edhe të tjerë personazhe t’asaj bote mizore, në të cilën zotëronte filozofia e dhunës, e shpalosur në format e veta më të ndryshme. Kështu, gjatë atyre tre muaj e gjysmë qëndrimi në qelitë e degës së punëve të brëndëshme të Lushnjës, m’u desh të ballafaqohesha me mizorinë proverbiale të Kapllan Shehut, kryetar i saj, me dinakërinë e hetuesit të ministrisë, me trashësinë deri në naivitet të prokurorit për çështjet hetimore, me vendosmërinë e dëshmitarit paditës për të vërtetuar akuzat. Bashkimi ishte gjithënjë i pranishëm, por fizionomia e Tij ndryshonte simbas çastit dhe njerëzve që vinin aty për t’u ballafaquar me mua.

Thelbi i mesazhit që më përcolli n’ata muaj dramatikë për mua, që kisha lënë një familje me shumë probleme e me një fëmijë një vjeçare të sëmurë, nëpërmjet bisedave kokë më kokë, ishte ai i ndërgjegjësimit të sinqertë të gjëndjes sime të vërtetë juridike. Me pak fjalë, herë mbas here Ai më pohoi se faji i vërtetë i imi nuk qëndronte n’atë për të cilën paditesha, por në mbiemrin që mbanja. Nuk ishte diçka e re, madje përkonte me të vërtetën zyrtare, që “fajin” e njëshit e inkuadronte në “gjynahet” e katër brezave të shkuar. N’ato rrethana e n’ata çaste shërbente për të larguar nga vetja kompleksin e “fajit”, pasojat e të cilit rëndonin mbi familjen e, si të tilla e shumfishonin dhimbjen, por bënin të strehohesha në fatalitetin e pashmangshëm, që më jepte qetësinë e nevojshme për të shtyrë një nga një ditët e netët e qelisë.

“Po të ishte një tjetër” – më thonte – “do të ishin mjaftuar me një demaskim publik, shumë shumë me ndonjë shpullë, e do t’a kishin çuar në shtëpi.” Aftësia e Tij psikologjike për të hyrë në thellësi të problemeve që mundonin trurin dhe ndërgjegjen e bashkëbiseduesit, i kalonte kufijtë e së zakonëshmes. Kur prokurori vinte të bisedonte me mua e të bënte propagandën e tij të dalë boje, për të paditur ndonjë shok apo njeri tjetër, Bashkimi buzëqeshte dhe mbasi largohej ai shtonte : “Mos i ven re se ç’thotë ai se i them un që na ka dhënë diçka. Ti vazhdo punën tënde.” Çdo bisedë me Të n’ata muaj më çonte në fjalët e para të njohjes. Ai e dinte mirë se çfarë ankthi e cfilitje shpirtërore kisha kaluar në dy vitet e fundit para arrestimit, për të kryer atë që më kërkonte prokurori me fjalë të buta, por që të tjerët e mëtonin me trysninë më të papërfytyrueshme. Thellë në vete Ai respektonte atë që kisha mundur të shpëtonja nga ajo luftë për dinjitetin, ndërgjegjen time, ndershmërinë. Duhej t’ishte vetë i ndershëm të çmonte tek tjetri, për më shumë tek “armiku” atë cilësi.

Ishte kjo nyja e padukëshme që na lidhte, që nuk e dinte askush e që buronte nga vlerat morale të forta me të cilat ishte mbruajtur. Në bisedën e ngushullimit me bashkëshorten mësova një fakt shumë interesant. Ai ishte njohur e dashuruar me Naunkën, mbasi kishte qënë i pranishëm në dëshminë e saj në mbrojtje të katër njerëzve, të cilët partia e fshatit donte t’i bënte fajtorë pa faj. Ajo kishte pohuar të vërtetën mbi pafajsinë e tyre e si “shpërblim” nga partia kishte marrë punën e krahut në fushë, edhe se ishte një agronome e lartë. Me këtë agronome të “deklasuar” Bashkim Caka ishte dashuruar e kishte lidhur jetën. Ky fakt, i mësuar pak ditë më parë, më forcoi bindjen e krijuar 36 vjet të shkuara mbi brumin me të cilin ishte formuar ky njeri.

“Do të mundohem të mos marrësh më shumë se shtatë vjet si dënim” më tha një ditë kur hetuesia po mbyllej. Prokurori nuk ishte i atij mendimi, kërkoi edhe një vit më shumë e gjykatësi e miratoi atë kërkesë, që qe shpëtimtare, mbasi amnistia e 15 nëndorit 1982 më këtheu në familjen time, si i internuar në Grabian. Për të plotësuar mirësinë e Tij, Bashkimi më organizoi një takim me familjen, dhe ai shumë i dobishëm, mbasi veç të tjerëve, pashë për herën e fundit gjyshen time të shtrenjtë, që më mbante dorën mes duarvet të saj …

Gjithë kjo histori, e ngulitur thellë në trurin tim, u ringjall kur pashë atë lajmërim. I përjetova me dhimbje ata çaste, sepse figura e Tij në përfytyresën time, me kalimin e kohës, rritej e plotësohej. E kam takuar në vitin 1995, në ndërtesën e Kuvendit, në veshjen e deputetit të PS. Kishin kaluar 15 vjet nga ndarja e jonë. Jetët tona nuk ishin puqur më, por ajo nyja e padukëshme, e krijuar në mjedisin e zymtë të qelisë dhe zyrës së Tij, vazhdonte të jetonte. “Nuk kandidohem më” – më tha – “nuk është për mua kjo jetë.” E mbajti fjalën, sepse ishte njeri i fjalës. U kthye në profesionin e Tij të gjykatësit e të mësuesit, duke arritur maja si antar i Gjykatës së Lartë e si pedagog i Shkollës së lartë të Magjistraturës, deri në frymën e fundit.

Një mikja ime, nëpunëse në Këshillin e Evropës në Strasburg, më thonte për Të, se ishte ndër të paktit përfaqësues të respektuar të Shqipërisë atje, kur e sillte puna që të shkonte. Nëpërmjet një miku të përbashkët më kërkoi që të takoheshim. Në gushtin e shkuar, kur isha në Shqipëri, nuk qe e mundur, mbasi ishte jashtë Tiranës me pushime. Shpresonja t’a shihnja në këtë muaj të prillit po, fatkeqësisht, gjeta lajmin e hidhur se Ai ishte ndarë nga kjo botë.

Duke e kujtuar gjithmonë me mirënjohje e dashamirësi, për sjelljen e qëndrimin kundrejt meje, shpresoj e uroj që ai qëndrim të ketë qenë një kostante e vazhdueshme e jetës së Tij, duke vërtetuar një fakt të rëndësishëm, se njeriu i shëndoshë moralisht, i pajisur me cilësi të çmuara njerëzore, edhe në kushtet më përshkallëzuese të së keqes, mund të japë ndihmesën e tij, për të kufizuar forcën e saj të verbër. Mendoj se dukuri të tilla duhen mbajtur parasysh në shqyrtimin e bëmave të një epoke të gjatë e tepër të dhimbëshme për kombin tonë. Vlerësimi i shfaqjeve të së mirës njerëzore edhe në kuadrin e zi të së keqes zotëruese, do të ishte dëshmi e evolucionit tonë shpirtëror e mendor, e afrimit me respektin ndaj së vërtetës dhe arsyes së mirëfilltë.

“Vlerësimi vlen më shumë se sa nami, konsiderata më shumë se fama, nderi më shumë se lavdia.” Ky gjykim i një shkrimtari të shquar francez të më shumë se dy shekujve të shkuar, Sebastien Chamfort, besoj se do t’i shkonte për shtat “Gjykatësit të ndershëm”, Bashkim Caka, atij që un njoha në një ditë të zezë prilli të vitit 1980, por që mbeti në kujtesën time si një krijesë njerëzore që lehtësoi ditët e netët e  periudhës më të vështirë të jetës sime.

 

Filed Under: Featured Tagged With: “GJYKATËSI I NDERSHËM”, Eugjen Merlika

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT