• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKUZAT NDAJ SHTETARËVE DHE LUFTËTARËVE TË UÇK PËR TË DËMTUAR SHTETËSINË DHE IMAZHIN NDËRKOMBËTAR TË KOSOVËS

December 18, 2020 by dgreca

Ambasador Arben Çejku, Drejtor Ekzekutiv i ACGG (Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë), anëtar i bordit drejtues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, ish-Ambasador në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, autor i librit “Sovraniteti vs Integriteti”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ngjarjet në Kosovë dhe vazhdimin e dialogut Serbi-Kosovë. Sipas z. Çejku, këto arrestime dhe akt-akuzat kanë dëmtuar imazhin e brishtë ndërkombëtar të Kosovës. Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës është në interes të stabilitetit të rajonit dhe perspektivës euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria sipas z. Çejku, duhet të japë kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të shtetit të Kosovës, duke mos praktikuar paternalizmin, por partneritetin vllazëror. Me Arben Çejkun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SOKOL PAJA.

Z.Ambasador, si i shikoni ngjarjet në Kosovë pas arrestimit të kreut të shtetit Thaçi e ish-kryeparlamentarve Krasniqi, Veseli dhe ish komandantëve e luftëtarëve të tjerë të UÇK? 

– Procesi gjyqësor që ka nisur nga Dhomat e Specializuara (shkurt “Specialja”) ndaj një numri të caktuar të shtetasve të Kosovës, ku përfshihen disa nga figurat më të njohura të saj, ka shkaktuar panik dhe tension në një pjesë të madhe të shoqërisë. Arrestimet e disa prej figurave kryesore të shtetit, dikur ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë goditje në dy plane: në planin e brendshëm dhe në atë të jashtëm. Në planin e brendshëm, kjo goditje ka dëmtuar (ndërprerë) fillimisht karrierën politike dhe përditshmërinë publike të personave të arrestuar dhe ka krijuar shqetësim e tronditje tek familjet e tyre biologjike e politike. Po ashtu, në vijim të kësaj, zbrazëtia që ka lënë pas largimi nga detyra i personaliteteve të tilla, si Presidenti i Republikës, Kryetari i PDK-së etj, ka nxitur zhvillime të brendshme politike të papritura. Kosova e ka shumë të nevojshme zgjedhjen sa më të shpejtë të kreut të saj të shtetit, Presidentit të Republikës. Klasa politike e Kosovës duhet të vendosë interesin e shtetit mbi çdo lloj interesi personal dhe politik. Pas dëmtimit që ka marrë imazhi i Kosovës me arrestimin e ish-Presidentit Hashim Thaçi, duhet që në mënyrë urgjente të gjendet konsensus për një figure sa më përbashkuese dhe përfaqësuese. Ushtruesja e detyrës së Presidentit, për vetë kornizat ligjore dhe politike si dhe për ngarkesën që ka vetë axhenda e saj si Kryetare e Kuvendit, e ka të pamundur të plotësojë nevojën e vendit për një president të ri. Nga këndvështrimi kushtetues nuk ka kufizime, por nga tradita e vendeve demokratike dhe nevojat e Kosovës, kjo formë e përfaqësimit të Kosovës nga Ushtruesi(ja) e detyrës së Presidentit, nuk është e dobishme. Kosovën e presin sfida që kërkojnë një president aktiv dhe të gjithëpranuar. Në planin e jashtëm, këto arrestime dhe akt-akuzat e shqiptuara kanë dëmtuar imazhin e brishtë ndërkombëtar të Kosovës. Për fat të keq, gjatë këtyre viteve liri dhe pavarësi, qeveritë e Kosovës nuk kanë shkëlqyer në drejtim të qeverisjes së mirë, por kanë qenë në një valle me qeverisjet problematike të rajonit, ku në disa raste gëlon korrupsioni, mungesa e shtetit ligjor dhe kontrolli mbi median. Udhëheqësit e rinj të Kosovës, që ishin edhe luftëtar të lirisë dhe kontribues të pavarësisë së saj, duhej të punonin më shumë për Shtetin, sesa për Pushtetin. Kosova sot është më e varfër se vendet e tjera dhe ka më shumë armiq, sesa miq. Propaganda serbe kundër saj, tek arrestimet dhe sidomos akuzat, ka gjetur “argumentat” për vazhdimin e një fushate denigruese kundër shtetësisë së Kosovës dhe njohjeve të saj. Mendoj se duhet një bashkim forcash në Prishtinë për të identifikuar dhe më pas zgjidhur problemet sipas prioriteteve bazë. Një figurë dinjitoze në postin e Presidentit, duke përfshirë edhe kandidatë nga diaspora e Kosovës, do të ishte një fillim premtues. Kosova ka shancin të zgjedhë një president që bashkon dhe pajton. Miqtë e Kosovës duan të shohin një Kosovë demokratike dhe vitale, që di të ballafaqohet me sfidat e saj, pa rënë në batakun e luftës së klaneve për pushtet.

Drejtësia ndërkombëtare, a po luan një padrejtësi shqiptare duke e barazuarUÇK me një ndërmarrje të përbashkët kriminale? 

– Duhet të sqarojmë se, në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një drejtësi plotësisht “ndërkombëtare”, po aq sa nuk kemi të bëjmë me një drejtësi plotësisht “vendore”. “Dhomat e Specializuara dhe Prokurori i Specializuar i Kosovës” me bazë në Hagë, në fakt konsiderohen zgjatim ose përplotësim i drejtësisë së Kosovës, me fokus hetimin dhe dënimin për krime të pretenduara nga raporti “Dick Marty”. Pra, formalisht, në aspektin juridik, kjo drejtësi është e Kosovës dhe për Kosovën, edhe pse ka prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtar. Deri më tani, nuk kam vënë re se ka një aktakuzë on block kundër UÇK-së si formacion ushtarak. Formulimi dhe adresimi në akt-akuzë për gjoja “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, kam përshtypjen se lidhet me terma juridik që drejtësia përdor ndonjëherë për të adresuar krimet e pretenduara tek një grup personash, që lidhen mes tyre nga ngjarja që ka ndodhur dhe jo nga organizata politiko-ushtarake, ku ata kanë bërë pjesë individualisht. Për mua, por edhe për shumë shqiptar, ka qenë e befasishme dhe e pakëndshme të dëgjonte prokurorin tek pretendonte për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Ky formulim është diabolik dhe shumë provokues, kur është fjala për marrëdhënien specifike të të akuzuarve me komandën e përgjithshme të UÇK-së.

A e rrezikojnë stabilitetin e shtetit dhe unitetin e popullit ngjarjet e fundit në Kosovë, kur njëra ndër akuzat e Prokurorisë speciale është vrasja e katolikëve në Kosovë?

– Unë nuk besoj që këto zhvillime e cënojnë unitetin e popullit, i cili ka ditur të tejkalojë situata më të vështira sesa ky gjyq. Maksimumi, ky proces do të ketë ndikimet e veta në gjirin e klasës politike dhe përfaqësimin institucional. Duhet të pranojmë se zhvillimet e fundit nuk kanë ardhur si një rrufe në qiell të hapur, edhe vetë të akuzuarit e kanë ditur që një ditë do të ballafaqohen me drejtësinë “speciale”, bazën ligjore të së cilës e votuan vetë. Kurse përsa i përket formulimit djallëzor nga akt-akuza për “vrasjen e katolikëve”, kuptohet që ka prapavijë anti-shqiptare dhe formulim provokativ. Kur është fjala për të sfiduar këto lloj provokacionesh, ne bashkohemi tek postulati i Pashko Vasës se, “feja e shqiptarit është shqiptaria” dhe se të gjithë jemi vëllezër të një gjaku, pavarësisht llojit të besimit.

Si diplomat karriere, si i gjykoni akuzat për “Shtëpinë e Verdhë” dhe burgjet e pretenduara të UÇK në Shqipërinë verilindore? 

– Mesa di unë, në akt-akuzën zyrtare të ngritur nga Gjykata Speciale, nuk ka të përfshirë asgjë nga pretendimet e dikurshme të senatorit zviceran, Dick Marty për të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”. Pjesët e tjera të akuzës mbeten për t’u provuar nga drejtësia në mënyrë të pavarur. “Shtëpia e verdhë” u rikthye në skenën e debatit publik me indicien e një statusi në internet të Kryeministrit Edi Rama. Kjo shërbeu për të tërhequr vëmendjen nga kriza e rëndë ku ndodhet vendi dhe për ta zhvendosur fokusin tek lideri i opozitës, Lulzim Basha. Pas një maratone disa-ditëshe me akuza dhe fabrikime propogandistike, të gjithë pranuan në heshtje se kjo lëvizje e Ramës, jo vetëm që nuk e ndihmoi Kosovën dhe të akuzuarit e saj “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, por përkundrazi, sikur bënte apel për të përfshirë edhe këtë fragment të Dick Martyt në aktakuzën finale. Gjykata Speciale u themelua, sepse në bazë të raportit famëkeq të Dick Martyt ishte akuza për trafik organesh tek e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri. Prej në fillim u tha se kjo është shpifje e ulët anti-shqiptare. 

A besoni në pafajësinë e UÇK dhe luftëtarëve të saj? Si do dalë Kosova pas kësaj përballje në Gjykatën Speciale? 

– E përmenda edhe më herët se ky nuk është një gjyq kundër UÇK-së dhe askush, perveç Serbisë dhe Rusisë ndoshta, nuk e ka cilësuar “kriminale” luftën e drejtë për liri, që ka zhvilluar Kosova në kuadër të UÇK-së. Unë uroj në pafajësinë e të akuzuarve. Lufta e UÇK-së, sakrifica e ushtarëve të lirisë dhe familjeve të tyre, përpjekjet e popullit të Kosovës për liri, drejtësi dhe barazi, mbeten të shenjta. Çdo sakrificë që është bërë në emër të lirisë së Kosovës, do të mbetet në piedestalin e lavdisë dhe nderimit të përhershëm kombëtar. Nëse gjatë apo pas kësaj lufte, ka patur individë që kanë kryer krime të caktuara, ato nuk përfaqësojnë kauzën e drejtë për liri dhe për secilin krim të vërtetuar nga gjykata, përgjegjësia duhet të jetë individuale. Në përgjithësi, mendoj se Kosova do ta tejkalojë shpejt këtë ngërç politik dhe institucional, qëështë krijuar pas arrestimit të disa prej figurave të saj të njohura dhe në një periudhë të shkurtër do të rivihet në udhën e saj të konsolidimit të shtetësisë. Kosova do të dalë më e fortë pas përballjes së ish-luftëtarëve të saj me drejtësinë. Po ashtu ajo do të dëshmojë se ka kapacitete për të ecur përpara.  Nga këndvështrimi juridik, kjo lloj gjykate hibride, mund të përdoret si precedent edhe për krime të tjera të rënda si korrupsioni dhe krimi i organizuar, që lulzon në disa vende të Ballkanit Perëndimor. 

Si e gjykoni qëndrimin publik të kryeministrit të Shqipërisë në artikulimin mediatik rreth çështjes së Kosovës? 

– Qëndrimet e Kryeministrit të Shqipërisë, në përgjithësi nuk kanë qenë produktive dhe lehtësuese, përsa u përket sfidave të Kosovës. Deklaratat kundërthënëse dhe veprimet kontradiktore, kanë shkaktuar një kaos të vërtetë në marrëdhëniet ndër-qeveritare mes dy vendeve tona. Në librin tim “Sovraniteti versus Integriteti” kam shpjeguar në hollësi qasjen e gabuar të zotit Rama në raport me Kosovën, kur kam përmendur rolin e tij si aktor në bisedimet Prishtinë-Beograd, duke braktisur traditën shumëvjeçare të diplomacisë së Shqipërisë. Shqipëria mund të jetë një faktor me rëndësi për çështjen e Kosovës, por jo një aktor. Roli i aktorit i takon Kosovës dhe institucioneve të saj përfaqësuese. Akuzat që janë formuluar ndaj tij se është një nga aktorët e strategjisë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë, janë shumë të rënda dhe përbëjnë një përgjegjësi historike para kombit. Ai u tërhoq nga një gjyq që thirri kundër ish-Kryeministrit Haradinaj. Haradinaj udhëhoqi disa prej akuzave kundër Ramës në cilësinë e dëshmitarit. Kjo tërheqje nga ballafaqimi me Haradinajn, la shumë hije dyshimi për veprimtarinë e zotit Rama prapa perdes në marrëdhënien e tij të ngushtë me Aleksandër Vuçiq. Nga këndvështrimi diplomatik, përtej akuzave të ndërsjella që janë bërë nga Rama dhe për Ramën, mund të them se diplomacia kryeministrore shqiptare e ka trajtuar Serbinë si një vend fqinj, duke anashkaluar Kosovën në disa nga nismat rajonale. Një nga postulatet që qeveritë shqiptare (të majta e të djathta) i kanë trashëguar njëra-tjetrës ka qenë se, marrëdhëniet me Beogradin, duhet të kalojnë nga Prishtina. Për fat të keq, Rama e injoroi këtë parim të politikës sonë të jashtme si edhe disa të tjera duke shkaktuar pasoja të rënda. 

A po tenton të fitojë pikë në publik Kryeministri Rama duke akuzuar kundërshtarët politik në Shqipëri rreth raportit të Dik Martit dhe liderin e opozitës Basha si hetues të UÇK. Ky amplifikim shtetëror dhe i mediave pranë Kryeministrit Rama, a e dëmton Kosovën? 

– Ajo çfarë inicioi Kryeministri Rama menjëherë pas arrestimit të disa udhëheqësve të Kosovës ishte një tendencë e hapur shfajësimi ndaj mikut të tij Hashim Thaçi, të cilit, kohë më parë i ofroi retorikën e një mbrojtjeje të pamundur. Kur zoti Thaçi në fillim të korrikut u intervistua nga Haga për katër ditë me radhë, Edi Rama adresoi një lum akuzash kundër Gjykatës Speciale dhe për më tepër ai e vizitoi Thaçin në Prishtinë në shenjë solidariteti vllazëror. Solidariteti pompoz i Ramës nuk ndikoi aspak në axhendën e prokurorëve në Hagë, të cilët lëshuan mandat arrestin për Presidentin Thaçi pak javë pas vizitës së Ramës në Prishtinë. Rama bëri sikur u dëshpërua dhe lëshoi shigjeta të helmatisura kundër liderit të opozitës, Lulzim Basha. Rama risolli në vëmendjen e publikut akuzat e Dick Marty-t duke e paraqitur zotin Basha si hartuesin e tyre. Kjo ishte një fortune propogandiste në gotë, përderisa brenda pak ditësh e gjitha u kthye në një bumenrang për vetë zotin Rama. Zoti Rama, në vazhdën e gabimeve që bën zakonisht në raport me Kosovën, ndërhyri në mënyrën e gabuar tek debati dhe problemet e Kosovës, pa ofruar asnjë ndihmë konkrete. Të gjithë e panë se fushata e tij kundër Bashës ishte për qëllime të mirëfillta politike dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me solidaritetin vëllazëror për shqiptarët e akuzuar nga Haga.  

Parlamenti i Shqipërisë votoi ngritjen e një Komision Parlamentar që do hetojë raportin e Dik Martit, a është kjo një përpjekje e funksionarëve të qeverisë dhe institucioneve për të larguar vëmëndjen nga dështimet e qeverisë dhe dështimet e menaxhimit të pandemisë globale në Shqipëri? 

– Në përgjithësi, komisionet hetimore të Parlamentit të Shqipërisë kanë qenë një dështim. Nuk mbahet mend që ndonjë komision të ketë realizuar ndonjë “hetim” serioz. Dështimi i fundit ishte komisioni që hetoi veprimtarinë e Presidentit Meta. Përsa i përket komisionit “Dick Marty” që ka ngritur mazhoranca socialiste, mendoj qëështë një“fake komision”  apo një farsë elektorale, që synon të mbajë ndezur bishtukun e akuzave kundër liderit të opozitës. Deputetë të mazhorancës socialiste, të cilët në vitin 2011 votuan për lejimin e EULEX-it që të hetonte akuzat e Dick Marty-t për Shqipërinë, sot do të “hetojnë” hetimet e Dick-ut. Po ashtu, ky komision është një betejë “post factum”, që zoti Rama po bën me drejtësinë ndërkombëtare gjoja për të “mbrojtur” zotin Thaçi. Unë besoj që ky komision nuk do të sjellë asgjë të re në ndryshimin e rrjedhave të punës së Dhomave të Specializuara dhe në fatin e të akuzuarve. Përkundrazi, propaganda serbe, tashmë ka të drejtën të thotë, që akuzat e Dick-ut nuk i hetoi vetëm Haga, por po i heton edhe Tirana. Po ta vini re, askush nga bota e jashtme nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj aventure politike që ka ndërmarrë mazhoranca moniste e Ramës. 

Cila do ishte zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës në raport me Serbinë? 

– Zgjidhja e vetme dhe përfundimtare e kontestit Kosovë-Serbi, është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të jetë hapja e një kapitulli të ri marrëdhëniesh reale mes të dyja vendeve fqinje dhe plotësim i integrimit të brendshëm të rajonit tonë. Pa vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës e Serbisë, çdo nismë rajonale dhe vetë perspektiva e rajonit janë në një pikëpyetje të madhe. Rusia duhet të heqë dorë nga çdo formë e presionit mbi Serbinë, sepse ajo po e përdor veton e saj kundër Kosovës dhe vetë Serbinë, vetëm për qëllimet e saj strategjike dhe aspak në emër të parimeve themelore tëOKB-së. Në momentin që Serbia do ta njohë Kosovën, vetoja ruse në OKB dhe influenca moskovite në Beograd e humbin vlerën e tyre. Administrata e re Biden, duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin, me qëllim që perspektiva integruese e Serbisë në BE të kushtëzohet realisht me aktin formal të njohjes së shtetit të Kosovës.

Në marrëdhëniet me Serbinë, BE dhe USA sipas gjykimit tuaj, a e ka ruajtur Kosova sovranitetin dhe integritetin e saj?

– Kosova e ka ruajtur integritetin e saj territorial, pavarësisht sfidave me të cilat është ndeshur. Po ashtu edhe sovranitetin. Duhet të kuptojmë se Kosova është ende një shtet në konsolidim e sipër dhe ka nevojë të përforcojë disa elementë të rëndësishëm të sovranitetit të saj. Kosova po funksionon si shtet demokratik me të gjitha elementët e shtrirjes së integritetit dhe sovranitetit të saj, qoftë në marrëdhëniet ndërkombëtare, qoftë në treguesit e zbatimit të ligjit. Ajo ka shumë pengesa, kryesisht në pjesën veriore të territorit të saj për të shtrirë rendin dhe ligjin sikurse e ka në pjesën jugore. Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës është në interes të stabilitetit të rajonit dhe perspektivës euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor. Çdo përpjekje për të vënë në dyshim parimet bazë të shtetësisë së Kosovës, shkojnë në drejtim të destabilitetit të rajonit dhe rikthimit të tij në skenën e konflikteve të përgjakshme ndër-etnike. Shqipëria duhet të japë kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të shtetit të Kosovës, duke mos praktikuar paternalizmin, por partneritetin vllazëror.

Filed Under: Featured Tagged With: Arben Çejku, Haga, Sokol Paja, UÇK

Pavarësia e Kosovës po kërcënohet…

November 10, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/ Nuk kam ndërmend të shkruaj qoftë dhe një paragraf për lotët që derdha, ose çfarë trishtimi më dha kur pashë sot nga ekrani im në New York vëllezërit shqiptarë të Kosovës në bankën e të akuzuarve në gjyqin special të Hagës, sepse ne se je shqiptar patjetër që ke ndjerë trishtim dhe dhimbje, dhimbje gjer në asht nga gjyqi i turpit të shekullit 21. 

Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS

Une dua t’ju drejtohem bashkëkombasve të mi, shteteve dhe dy parlamenteve të Kosoves dhe të Shqipërisë për t’i drejtuar notë proteste Hagës dhe OKB-së që lejojnë këtë gjyq maskaradë kundër luftëtarëve të UÇK-së.  Dënimin kapital me çdo kusht që duan gjyqtarët për këta luftëtarë trima si për Presidentin e Kosovës, Hashim Thacin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Salih Mustafa, ish-eprori i lartë i UÇK-së është se pas dënimit të tyre duan ta nxjerrin UÇK-në si organizatë terroriste.  

Gjykata speciala me seli në Hagë duan ta paraqesin luftën me Serbinë se ka qenë luftë fetare midis katolikëve dhe myslymanëve dhe jo luftë për të mbrojtur tokën tonë si autokton që kur ka lindur njerëzimi.  

Lojërat e ndyra të serbit dhe të grekut i ka ndjerë shekull pas shekulli mbi kurriz populli shqiptar.  

Sot F/B dhe gjithë rrjetet sociale, mediat duhet të zjenin nga protestat me shkrim dhe me gojë, kundër këtij gjyqi të paprecedent që ka ndërmend të dënojë vëllezërit tanë, për rrjedhoje dhe Kosovën.  

Diaspora shqiptare, shoqatat atdhetare duhet të ngrihen në këmbë për poshtërimin dhe mohimin e vlerave atdhetare që i bën kjo gjykatë speciale në Hagë, UÇK-së.  

Kjo gjykatë speciale qe ka të punësuar një ekip prej 170 personash dhe harxhon 44 milionë euro në vit duhet të nxirret jashtë lojës së ndyrë dhe ato 44 milionë euro t’i jepen dëmshpërblim nënave që rritën dhe po rrisin femijët jetima në fshatra dhe qytete të tëra.  

Nuk ka shqiptar dhe bir shqiptari të mos tronditet dhe krenohet, kur dëgjoi z.Hashim Thaci para trupit gjykues duke thënë se: “Deklaroj se jam i pafajshëm”, ndërsa z.Krasniqi tha:  “unë jam shqiptar as katolik as mysliman. Akuza juaj është fyese për mua edhe për vendin tim.

Pavarësia e Kosovës po kërcënohet dhe po vihet në rrezik.  Këtë lojë të drejtuar nga lobi serb dhe bashkëpunëtorët e tyre përfshi dhe tradhtarë të Kombit i duhet dhënë fund njëherë e përgjithmonë, pasi Kosova është e pavarur dhe askush s’ka të drejtë ta gjykojë dhe terrorizojë. 

11 Nëntor, 2020

New York 

Filed Under: Komente Tagged With: Haga, Keze Kozeta Zylo, ne Rrezik

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT