NGA RAFAEL FLOQI/
Pas disa gjurmimeve në arkivat e Bibliotekës Kombëtare të Francës kam gëzimin t’u njoftoj se zbulova një përshkrim të historisë dhe gjeografisë të Shqipërisë, të Durrësit dhe të qyteteve porte të Shqipërisë mesjetare që prej Durrësit deri në Igumenicë, nga hartografi i Mbretit të Francës Fransua Bellforest, botuar në shek. e XVI-të. Në të cilin vendin kryesor e zë një hartë e Durrësit dhe Vlorës e kësaj kohe.
Por cili ishte François de Belleforest (1530 – 1 janar 1583).Ai ishte një autor mjaft frytdhënës francez, poet dhe përkthyes i Rilindjes. por dhe një hartograf i mbretërisë Franceze, https://en.wikipedia.org/wiki/Fran%C3%A7ois_de_Belleforest.
Ai në librin e tij me harta, Kosmografia në zërin “ L’Albanie” bën një përshkrim të qyteteve shqiptare, duke dhënë dhe hartat përkatëse. Ai në këtë vepër na ka dhënë gjithashtu edhe një historik të shkurtër enciklopedik të Durrësit të lashtë dhe të porteve: të Vlorës, Orikumit Butrintit dhe Igumenicës, të bazuar tek historianët antikë, interesant për t’u ditur, të cilat i quan, porte tipike të Shqipërisë, sipas të vërtetës historike të kohës dhe të autorëve antikë. Kozmografia është shkenca që përshkruan karakteristikat e përgjithshme të kozmosit ose të universit, duke përshkruar si qiellin ashtu edhe Tokën (por pa kaluar në gjeografi ose astronomi të mirëfilltë ). Vepra e parë është ajo e mjekut persian të shekullit të 14-të Zakariya al-Qazwini.
Belforest lindi në Comminges, në një familje të varfër dhe babai i tij ishte një ushtar që u vra kur ai ishte shtatë vjeç. Ai kaloi disa kohë në oborrin e Marguerite të Navarre, udhëtoi për në Toulouse dhe Bordeaux (ku takoi George Buchanan), pastaj në Paris, ku erdhi në kontakt me anëtarët e brezit të ri letrar, përfshirë poetët: Pierre de Ronsard që hartoi një poemë për Skënderbeun, përkthyer së pari nga Konica tek revista “Albania”, si dhe Jean Antoine de Baif, Jean Dorat, Remy Belleau, Antoine Du Verdier dhe Odet de Turnèbe. Në 1568 ai u bë historian i Mbretit Henry III, por u desh të heqë dorë për shkak të pasaktësive. Ai punoi si përkthyes dhe përkthyes i Kozmografisë së Sebastian Munster në frëngjisht. Kozmografia Universale e të gjithëve u botua 1575 në Paris dhe u krijua nga Nicolas Chesneau dhe Michel Sonnius. Ai nuk e ka përdorur Sebastian Munster si burim i vetëm, disa harta dhe pikëpamje bazohen tek Ortelius dhe Braun / Hogenberg, por ka mjaft burime të panjohura por dhe pune origjinale të tij, sipas https://www.vintage-maps.com/en/de-belleforest-francois-165?p=3
Në vitin ai 1568 u bë historiograf i mbretit. Ai vdiq në Paris duke lënë vepër që konsiderohet të jetë një vepër e hershme e kozmografisë, ai është edhe autori i Hartës dhe tekstit te mëposhtëm, për Durrësin, Vlorën dhe qytet e tjera të Shqipërisë, botuar në frëngjisht në vitin 1575.
Durrësi
Durrësi apo Epidauri, është një qytet që shtrihet përtej Deltës së Drinit dhe Kepit te Rodonit, duke kaluar përtej bregdetit të Lissus, në jug ne do të mbërrijmë në qytetin e lashtë të Dyrrahut, apo nëse preferoni Durrazze, (Durrës) i quajtur kështu nga romakët, por që kishte një emër më të lashtë Epidaurie, (Epidamus) që mesa duket qe emri i parë, por që banorët e ndërruan pasi kishte rezultuar fatkeq (qyteti qe shembur nga tërmeti RF).
Ky qytet u quajt Durrahie siç thotë historianin romak Pausania në emër të themeluesit te tij megjithatë ishte Epidauri i cili i hodhi themelet në kodër, po kur shekujt kaluan me tej qytetit iu shtua dhe porti dhe e pagëzuan me emrin Dyrrache, Starboni e quan si një koloni te korfiotëve ( banorëve te Korfuzit të cilët e pagëzuan qytetin, por historianë të tjerë thonë se ishin kolonët Korinthas ata të cilët i dhanë emrin Ephire, por ajo që është më e mbështetur, ashtu, siç thotë, dhe Tukididi edhe Korfuzi ishte i populluar nga epirotas (Ephirien) pra Corithianë që qenë gjithashtu dhe Korfiotë të cilët e pagëzuan qytetin Epidaurie, por se nuk duhet harruar se themelet e këtij qyteti i atribuohen zotërinjve kolonë të Korinthit.
Por ka nga ata, në mes së cilëve, historiani Apian Alexandrini, i cili në librin Lufta Civile shkruan:” Një mbret barbar i quajtur Epidauri ndërtoi një qytet pranë detit, dhe se ai mendon se e mban këtë emër, për nder të themeluesit të tij. Me emrin Durrache njihet (në mitologji RF) i biri dhe e bija e një nimfe dhe e Neptunit (siç besohet) ndaj dhe porti i qytetit u quajti Durrache. Nga ana tjetër, sipas tij meqë Herkuli luftoi aty, qyteti i Epidmamit e zgjodhi atë si Zot Mbrojtës dhe si qytetar të qytetit, kështu ndodhi madje që edhe deti Jon mori emrin e Jonit, të birit të Durrahut. që na le të mendojmë dhe prandaj Herkuli e zgjodhi atë qytet, pasi ishte afër detit. Ne këtë qytet kanë banuar dhe popullsi të ndryshme si Frigasit, pastaj Taulantët, Ilirë dhe Liburnët te cilët kishin anije shumë, të lehta të cilat mund të përdoreshin për pirateri, banorët vendas ilirë në atë kohë u shkëputën nga korfiotët, të cilët e banonin atë më parë. Dhe ishte po në Durrah, apo në Durrës, ku ndodhën edhe betejat Pharsalike midis Cesarit dhe Pompeut, një ndër betejat më të mëdha që përshkruhet në Luftërat Romake, sipas Lukianit.
Ky qytet mbështetet nga një shkëmb që hyn në det, duke krijuar gati një ishull, edhe qe ky qytet që e ndihmoi me ushqime dhe drithë, Kampin e Pompeut, edhe pse qyteti është i rrethuar nga deti, ka një shkëmb që futet thellë në det, por ajri është moçalor dhe malarik deri sa më vonë qyteti u shpopullua fare, saqë Lukiani e përmend ne poemën e tij të Luftërave Romake, kur thotë që arritja në qytet nga greminat ishte mjaft e vështirë.
Ky qytet deri vonë zotërohej nga venecianët. Këtu ata mbanin shumicën e forcave që kontrollonin Shkodrën. Drishtin dhe Lezhën, por aktualisht, Durrësi zotërohet nga turqit ashtu si dhe pjesa tjetër e Shqipërisë, të cilën do ta përshkruajmë më poshtë
Orikumi dhe Vlora
Duke filluar me qytetin e Orikumit, që tani quhet Orche, si te thuash i Lidhur me Valonën në Maqedoni në Gjirin e Lodrin (Drinit) është gjithashtu një vend ilirik që e merr emrin nga emri i mbretit ilir Aulon. Onche është ndërtuar në breg të detit në një fushë ballë për ballë me Italinë, që quhej atëherë Hydrus dhe sot Otranto, në Lindje ka Antagoninë, malet Ceraune dhe Amantian një qytet maqedonas në mes dhe në Perëndim ka detin dhe Italinë. Ajo banohej nga Colchiens. Larg 2 milje prej aty është ishulli i Sazanit, ndërsa Italia është larg 25-30 milje. Orche zotëron kontinentin dhe portin si edhe ishullin e banuar nga Dardanët, sipas Domenique Marie , Geografia. libri 11. (Interesant ky autor bën si banorë të Sazanit Dardanët. RF)
Ky qytet përmendet nga Tit Livi ne librin e tij “Lufta në Maqedoni” dhe për faktin se nuk ka ushtri dhe burra të fortë për të kapërcyer muret, megjithatë ata u kapën në befasi natën nga Filipi, i biri i Dhimitrit, i cili dhe aty ai ndeshi me rezistencë. Romanët e përmendin këtë qytet, pasi ai u qëndroi me shumë forcë ushtrive të Romës , të cila donin të ndalonin aty para se të kalonin në Greqi, duke kaluar në Thesali përmes Epirit. Nga ana tjetër, ishte e nevojshme për ushtarët e Romës, që të ndalonin në Orikum, apo Oche para se të kalonin në Itali për në Brunduse, qytet i Kalabrisë, që tani quhet Brindes (Brindisi, RF)
Por ai që përfitoi nga ky qytet ishte Jul Qezari dhe Apiani e përmend në luftërat civile të Romës që thuhet se kanë ndodhur aty. Pranë Orches ndodhet edhe qyteti i Antigonës i ndërtuar nga mbreti Antigon që mund të jetë dhe Gjirokastra e sotme, që ndodhet në këtë pjesë të Epirit, që përmendet në kohët e shkuar si Kaonia ose ajo që sot është Shqipëri e vërtetë.
Butrinti
Pas kësaj mbërrijmë në Hercatompe që mund të quhet kolonia më e lashtë e Thesprotëve, Buthrote që dhe tani mban emrin Butrinti, që ka formën e gadishulli pranë një liqeni, që ka po të njëjtin emër, si në kohën e atij që e ndërtoi. Fundi i liqenit ka mjaft lym edhe baltë dhe shume pellgje të cekët. Të tjerë autorë tjerë lënë të besohet se ka një arsye tjetër për emrin e Butrintit, ata thonë se Helena e Trojës deshte të kalonte në Perëndim për t’u sakrifikuar zotave, por duke kaluar detin vetëm me një këmishë dhe e plagosur, por qëndroi në breg dhe mbeti aty e vdekur, dhe thuhet se i dha emrin këtij qyteti . Por kjo gojëdhënë mbetet mjaft e dobët për t’u besuar, kundrejt madhështisë së trojanëve dhe të historisë që ata përçojnë, po edhe për faktin se ai që e zuri Helenën robinë, ishte Pirroja biri i Akilit. Por ky ishull përmendet nga Virgjili, kur flet për aventurat e Eneas, në udhëtimin e tij si thuhet për në Dodonë.
Menjëherë tokat e Feakëve ne tej i lamë
Dhe Tokat e Epirit para nesh u shfaqën ;
Mbërritëm në portin e bukur të Kaonëve ,
Dhe në qytetin e madh të Mbretërisë së Epirit,
Në Buthrot më në fund ne mbërritëm.
Virgjili , Eneida
Dhe thuhet se këtu qëndroi Enea, duke dashur të gjente një breg ku të ndërtonte qytetin e ri të Trojës për këtë bën aluzion edhe Ovidi tek Metamorfozat , për të përjetësuar kujtimin e atij vendi, ndërtoi Trojën e Re, siç thotë Halicarnassi tek Romanët.
Nga tmerri se Feakët qenë afër ata ngritën velat,
Anash fushave të bukura plot pemë i shtynë erërat
Dhe mbërritën në Epir ku zotat i patën komanduar
Dhe drejt Buthrotit kjo turmë ikanake u ndalua,
Duke imagjinuar një Trojën e tyre të re
Ashtu si i pat urdhëruar prijësi i tyre
Ovidi, Metamorfoza e 13
Çamëria, Igumenica
Përveç kësaj porti i Butrintit ishte shumë me baltë dhe me lym nga se ai është i vendosur në një luginë rrethuar me male dhe me pyje në afërsi të një kepi te madh që në kohët e lashta quhej Tchamis, i cili fatkeqësisht është i vështirë për t’u ngjitur, që tokat janë krejtësisht djerrë, që fatkeqësisht shkojnë për gjatë këtij bregu të quajtur Nifte, ne brendësi të së cilit e ka burimin lumi që i jep emrin këtij kepi që quhet Kalamas dhe tokat e grykëderdhjes se këtij lumi në det thonë se u takonin tokave të fisit të Kasiopeasve , në përfundim të tokave te Kaonëve, prijësve të Epiriotëve. Më poshtë shohim një gji të vogël të cekët, gati kalueshëm me va, që nuk lejon të ankorohen një numër I madh anijesh e që tani quhet Gumenica, jo larg prej të cilit ndodhet një port. që quhej Suite, tani Sibote (Vola sot Gr RF) që e merr emrin nga ishulli që ka po të njëjtin emër Siute , të cilin Korinthasit ua kishin marrë si një trofe pasi kishin mundur, Korfiotët në një betejë detare.
Dodona
Dhe të gjithë të lashtët përmendin fatthënat, e Orakullit profetik të Dodonës prandaj dhe ne po përshkruajmë këtu qytetin e Dodonës, në përmjet dëshmive që na kanë lënë autorët e lashtë, por edhe ata autorë kanë qenë kaq e paqartë, për përcaktuar se kujt u takonin tokat e Epirit, saqë dikush i quan ato të Thespriotëve dhe dikush të Mollosëve. por, ata thonë se sidomos tokat bregdetare në shumicë u takonin Thesprotëve.
Këto toka ishin populluar shumica me pyje dushku që në lashtësi i përkushtoheshin Jupiterit/Zeusit, prandaj një guvë frekuentohej nga orakujt, për shkrimet për këtë janë të shpeshta, ndër të cilat më i lashta i takon historianit grek Herodoti, i cili thotë se qe ngritur për nder të Dodonës, nimfës së Oqeanit të cilët e quajnë, si bijë të Zeusit dhe e Evropës.
Ne u munduam jo pa vështirësi, për t’i përkthyer këto shënime nga frëngjishtja mesjetare në shqip. Në to për mbahen shumë të dhëna nga autorët antikë, greko-romakë për qytetet e lashta bregdetare shqiptare një pjesë e tyre të sakta por ka edhe mjaft pasaktësi të kuptueshme për kohën, pasi autori nuk i pat shkelur vetë ato që përshkruan.