• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ermira Babamusta, studimet në Harvard dhe politika ndërkombëtare

January 22, 2014 by dgreca

Ermira Babamusta, studentja dhe aktivistja shqiptaro-amerikane vlerësohet për arritje të shkëlqyera nga Harvard/

Nga Blerina BRAHO/

Shqiptarët që po japin një kontribut të shkëlqyer në të mirë të emrit të Shqipërisë janë të shumtë në botë dhe njëra nga këta është edhe shqiptarja me famë Ermira Babamusta, e cila studion e punon në Amerikë. Me kontributin e saj Ermira shërben si ambasadore e kulturës dhe vlerave shqiptare në botë. Ermira njihet për arritjet e saj në fushën e diplomacisë dhe politikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithashtu për promovimin e shqiptarëve të talentuar në botë. Ajo mbahet mend më së shumti si një nga personat që ka punuar në administratën e Presidentit Obama dhe për vlerësimin që ka marrë nga Kongresi Amerikan. Por së fundmi ajo ka shënuar edhe një arritje tjetër në listën e saj të sukseseve e fitoreve. Ermirës i është akorduar një çertifikatë nga universiteti prestigjioz i Harvardit për arritjet e saj akademike. Se si arriti ajo të bëhej pjesë e Harvardit, cilët profesorë të famshëm i kanë dhënë leksione dhe si do e ndihmojnë këto njohuri në të mirë të Shqipërisë mund të lexoni intervistën me poshtë.

Momentalisht Ermira Babamusta po merret me sondazhin për qeverinë e Kosovës për hulumtimin e saj të doktoraturës. Ekspertët e Kosovës janë të ftuar të marrin pjesë: www.prishtinapress.info/sondazh.

Kohët e fundit një tjetër arritje është shënuar në listën tuaj të fitoreve akademike dhe personale. Juve ju është akorduar certifikata e mjeshtërisë nga universiteti prestigjioz Harvard. Mund të na tregoni diçka më shumë për këtë arritje?

Ermira Babamusta: Dashurinë për edukim, kulturë dhe njohuri ma kanë dhënë të dy prindërit, të cilët janë arsimtarë. Si fis (Babamusta dhe Cani) e kemi pasur traditë shkollimin jashtë shtetit dhe shkollimin e lartë. Ibrahim Babamusta, nipi i gjyshit tim, mori Medaljen e Artë nga Perandori Franc Ferdinand i Austrisë. Babai im, Neki Babamusta, “Mësues i Merituar” ka zhvilluar lëvizjen arsimore në Shqipërinë e Mesme dhe Kosovë, ka mbajtur shumë kumtesa historike në Durrës dhe Tiranë tek Ministria e Arsimit, ka dërguar materiale historike tek Instituti i Historisë në Tiranë, të cilat janë vlerësuar dhe është falënderuar nga ish drejtori i saj z.Stefanaq Pollo. Për shkenca ekzakte në Shqipëri kontribut shumë të madh kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin të afërmit e parë të mi si Agron Babamusta, (Drejtor i shkollës së lartë Apollo në Tiranë), Neritan Babamusta, (ish -shef kuadri në Ministrinë e Arsimit, më pas në Institutin e Studimeve), Ismail Babamusta bashkë me vëllanë (hulumtues rezultativ në shkenca mjekësore farmaceutike), etj.. Gjithmonë e kam patur synim doktoraturën dhe tani kam edhe fatin të shtoj Harvardin në rezymenë time. Nuk e kisha imagjinuar se do studioj në Harvard. Ky program që u pranova ishte i rezervuar vetëm për 500 studentë nga e gjithë bota me konkurs. U gëzova kur pashë emrin tim në listën fituese të pranimit dhe jam e lumtur që arrita të fitoj edhe certifikatën e mjeshtërisë. Krenohem që përfaqësoj Shqipërinë dhe Kosovën në këtë program që fillova verën e kaluar.

Si ndodhi që ju u pranuat tek programi Sigurimi Kombëtar dhe Strategjia (National Security & Strategy) dhe çfarë risish morët nga ky program?

Ermira Babamusta: Në gusht 2013 aplikova për programin e certifikatës për kursin Strategjia dhe Sigurimi Kombëtar Amerikan. Si pjesë e aplikimit dhe konkursit të programit duhet të shkruaja një ese që kërkonte formulimin e një memorandumi duke paraqitur strategji për një çështje sigurimi rreth Sirisë. Një muaj më pas, në shtator më lajmëruan që nga mijëra që aplikuan, isha zgjedhur një nga 500 studentët për të qenë pjesë e programit. Ky program kishte përzgjedhur studentë nga shtete të ndryshme të botës dhe unë u zgjodha si studente e Universitetit West Virginia dhe si përfaqësuese e Shqipërisë dhe Kosovës. Në dhjetor, kur mbaroi programi, isha një nga 290 studentët që u akorduan me certifikatën e mjeshtërisë. Vetëm gjysma e pjesëmarrësve nga 500 vetat që u pranuan arritën ta fitojnë këtë certifikatë me sukses, dhe më vjen mirë që isha midis tyre. Të tjerët ose e lanë programin, sepse ishte mjaft i vështirë, ose nuk arritën të fitojnë notat dhe pikët e duhura për të marrë certifikatën. Semestrin e ri të pranverës filloj kursin e dytë për Drejtësi dhe e mbaroj nga vera 2014. Që ditën e parë të programit, në seminarin e parë që u zhvillua, kam mësuar më shumë se sa kam mësuar gjatë gjithë jetës time si studente, me dy mastera dhe doktoraturë që kam deri tani. Harvardi ka një metodë mësimi krejt ndryshe nga universitetet e tjera dhe më la shumë përshtypje të mirë. Jo vetëm që diskutohet teori, që është sistemi tipik i arsimit në të gjitha universitetet amerikane sot, por ndryshimi në Harvard është se, profesorët, që ditën e parë, na mësuan edhe aspektin praktik të punës. Nëse fillon punë, për shembull në Departamentin e Mbrojtjes, çfarë duhet patur parasysh për të qenë i suksesshëm, për të mbajtur pozitën dhe kërkesat nga shefi. Na mësuan si të shkruajmë memorandume që i drejtohen Presidentit ose Sekretarit të Shtetit dhe liderëve të tjerë në botë. Profesorët flisnin nga përvojat e tyre gjatë punës në administratën amerikane. Kam marrë shumë mësime të mira, por përfitimi më i madh ka qenë aspekti praktik se si funksionon zyra dhe cilat janë kërkesat administrative në nivelet e larta qeveritare për ato që synojnë këto funksione. Njohuri të tilla mësohen natyrisht me përvojë pune dhe nuk ceken në arsim. Kështu më bëri përshtypje që Harvardi përdorte këtë metodë. Harvardi jo vetëm që të lidh me ekspertë dhe njerëz të lartë, që ishin pjesë e forumeve dhe diskutimeve të programit, por të mëson edhe këshillon si të arrish suksesin në punë. Ky besoj ka qenë përfitimi më i madh për mua.

Çfarë metodash keni mësuar në këtë program të Harvard-it?

Ermira Babamusta: Gjatë programit kemi analizuar disa hipoteza dhe situata të imagjinuara posaçërisht për këtë program në mënyrë që të mësonim si të analizonim në mënyrë strategjike çështje sensitive në lidhje me sigurimin e shtetit. Kemi shqyrtuar disa shembuj si Siri, Irani, Uikileaks, Korea, etj., për të kuptuar më mirë politikën e jashtme, interesat e një shteti dhe procesin e vendimmarrjes së liderëve të botës.

Një metodë mjaft interesante ishte koncepti i “Red Teaming” (ekipi i kuq), që u zhvillua gjatë kohës së Luftës së Ftohtë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik ishin në konkurrencë. E ka marrë emrin nga Rusia e kuqe atëherë, dhe Amerika blu. Koncepti i “ekipi i kuq” do të thotë adoptimi i pozitës së kundërshtarëve për të kuptuar se si ato marrin vendime dhe cilat përgjigje ose veprime do merrnin ato në politikë. Thelbi i këtij koncepti është ta imagjinosh veten si kundërshtari, qoftë një shtet tjetër, një person ose një biznes, dhe e koncepton botën nga sytë e tyre, duke kuptuar interesat, alternativat dhe veprimet e mundshme të tyre. Kjo metodë përdoret sot në komunitetin e inteligjencës dhe mbrojtjes. Brenda analizës së inteligjencës duke përdorur alternativën “Ekipi i Kuq” më të suksesshmet janë këto teknika: “Analiza e Ekipit A/B”, “Mbrojtja e Djallit”, “Analiza ‘po në qoftë  se’, lista e supozimeve kryesore etj..  “Analiza e Ekipit B” ka për detyrë shqyrtimin e analizës së Ekipit A, që pranohet si njohuri e zakontë ose e pranueshme. Duke u nisur nga kjo analizë e Ekipit A si pikëfillim, Ekipi B duhet të ofrojë një interpretim tjetër. Ndërsa grupi “Mbrojtja e Djallit” pasi merr nën shqyrtim të gjitha pikat e dëshmisë duhet t’i lidhi në një mënyrë që del në një përfundim krejt ndryshe nga konkluzionet fituese. Këto metoda nxitin formimin e ideve të reja dhe bashkëpunimin në grup ose mendimin në grup që sfidon mendimin e zakontë ose atë të përgjithshëm.

Në fund të debateve dhe analizave, profesori im i Harvardit, Graham Allison na bënte gjithmonë pyetjen “Si mund të jem unë gabim?” Kjo pyetje njihet si pyetja e Gjeneralit George Marshall, që ka punuar si Sekretar Shteti dhe Sekretar i Mbrojtjes gjatë Presidentit Harry Truman. Mbas tij është emëruar edhe Plani i Marshallit, për të rindërtuar Europën pas Luftës së II-të Botërore. Si strateg ushtrie dhe mbrojtje gjenerali Marshall gjithmonë bënte pyetjen “si mund të jem unë gabim” për të hedhur poshtë argumentin e tij, të gjej dobësitë me qëllim që të forcojë konkluzionet, vendimet dhe veprimet e tij. Besoj se këto metoda mund të aplikohen jo vetëm në nivele të larta qeveritare, ose në organizata e administrata, por edhe në jetën e përditshme të njeriut për të kuptuar më mirë analizat dhe mendimet e tij.

Në 2004 koncepti i Ekipit të kuq u bë ligj dhe në legjislaturën amerikane nëpërmjet Aktit Reformues të Inteligjencës në 2004, ku brenda 180 ditëve Drejtori i Inteligjencës Nacionale ka për detyrë të fillojë procesin e caktimit të personave me përgjegjësi për të arritur në konkluzione alternative për komunitetin e inteligjencës. Kjo me qëllim për të evituar dështimet e inteligjencës si rastet, Komisioni i 9/11 (2004), Komisioni i Armëve të shkatërrimit në masë (2005). Në 2006 hyri në ligj edhe Akti i Autorizimit të Mbrojtjes së Atdheut për të përdorur analizën Ekipi i Kuq për të marrë masa paraprake ndaj kërcënimeve terroriste ose armëve kimike.

Çfarë mund të na thoni ndonjë kuriozitet për profesorët e tuaj në Harvard. Ka persona të njohur publik mes tyre?

Ermira Babamusta: Kam patur fatin të mësoj nga profesorët më të mirë. Profesori Graham Allison është drejtori i qendrës për shkenca dhe punë të jashtme “Belfer Center” tek shkolla JFK School of Government në Harvard. Ka punuar si këshilltar special për Sekretarin e Mbrojtjes gjatë Presidentit Reagan, dhe si asistent sekretar i mbrojtjes për politikë dhe plane për presidentin Klinton. Ka fituar çmimin e lartë civil nga Departamenti i Mbrojtjes dhe ka publikuar shumë libra shkencor në lidhje me politikën. Librin e tij “Esenca e Vendimeve” po e përdor si bazë e temës time të doktoraturës. Ndërsa profesori David Sanger, është korrespondenti kryesor i Uashingtonit për “Nju Jork Tajms”. Ka fituar çmimin “Pulitzer”, ka botuar disa libra dhe jep mësim në “Harvard” për politikë publike. Ka shërbyer për shtatë vjet si korrespondent i “The Times” për Shtëpinë e Bardhë. Profesori tjetër Dr. Derek Reveron është drejtori i Strategjive të Sigurimit dhe Drejtori i Kolegjit “US Naval War College” në Njuport. Secili prej tyre ka dhënë një kontribut të madh në mësim duke na mësuar nga përvojat e tyre në politikë. Në forumet e shumta që kanë organizuar kemi patur debate mjaft interesante.

Të gjithë e dinë që Harvard është një nga universitet më prestigjioze dhe të dëshiruara në botë. Dijet që merren në atë shkollë konceptohen si unike dhe efektive në çdo fushë, por si të ndihmojnë çka ke mësuar në Harvard për ta aplikuar në Shqipëri dhe Kosovë?

Ermira Babamusta: Përsa i përket interesave kombëtare kam mësuar nga Harvardi piramidën e rëndësisë propozuar nga Dr. Derek Reveron dhe James Cook: (1) jetësore, (2) të rëndësishme dhe (3) periferike. E para ka të bëjë me mbijetesën e shoqërisë, e sistemit për të mbrojtur mirëqenien, sigurinë dhe lirinë e vendit. Për çfarë jemi të gatshëm të vdesim. E dyta ka të bëjë me mbrojtjen e interesave të rëndësishme (p.sh. ndalimi i gjenocideve). Dhe e treta kë mund të financojmë, ose interesa me më pak rëndësi. Mbi të gjitha përcaktimi i strategjisë që lidh mënyrat dhe arritjet tregon suksesin e objektivave. Sipas Reveron dhe Cook strategjia është në dy nivele: (1) strategjia e madhe, që përfshin nivelet më të larta diplomatike, ushtarake dhe ekonomike, për shembull ‘strategjia e sigurimit kombëtar’, përgatitur nga Presidenti për t’iu përgjigjur një sfide dhe (2) ‘strategjia teatrale’, e cila bazohet në strategjinë e madhe nacionale, për të zhvilluar vizionin dhe implementimin e funksioneve dhe koordinimin e aktiviteteve/veprimeve.

Për të patur zhvillim në Shqipëri dhe Kosovë këto dy strategji duhen të jenë të qarta dhe të caktuara së pari. “Strategjia e madhe” cakton konceptet dhe planet, ndërsa e dyta përcakton veprimet dhe implementimet, si dhe lidhjen me institucionet, duke u bazuar në planin e madh kombëtar. Duke analizuar misionin, objektivat dhe rrugën e implementimit të dyja strategjitë mund të jenë mjaft të suksesshme. Në aspektin ekonomik, interes jetësor do ishte zhvillimi i tregut; sa prodhime vendore bujqësore ka në treg, sa e fortë është ekonomia dhe sa të zhvilluara janë fabrikat, uzinat dhe prodhimet e tjera/industria e rëndë. A mund të vetëfurnizohet Shqipëria dhe Kosova me prodhimet e saj vendore? Interesat e rëndësishme për mua do hynte lidhja me tregun e huaj, eksporti dhe përmirësimi i mjeteve, teknologjisë, rritja e iniciativave, përkrahje shtetërore, etj. Nëse Shqipëria dhe Kosova nuk forcohen ekonomisht dhe ushtarakisht, nuk mund të luajnë rol të fuqishëm në rajon dhe në botë.

Duke u nisur nga praktika politike ju aktualisht jeni duke përgatitur edhe një anketë me target grup Kosovën dhe popullsinë e saj. Ku konsiston realisht ky anketim?

Ermira Babamusta: Momentalisht po merrem me hulumtimin e dytë shkencor duke përdorur modelin e profesorit Graham Allision të Universitetit të Harvardit, bashkë me pesë profesorë të komitetit tim të temës nga universiteti i West Virginia-s. Këtë hulumtim e fillova në Kosovë, ku jetova disa muaj në Prishtinë në 2012-13. Falënderoj Ministrinë e Diasporës dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë për përkrahjen e tyre, si dhe personat e tjerë që janë angazhuar deri tani.

Ftoj ekspertë të çështjeve të Kosovës si policë, profesorë, avokatë, politikanë, ekonomistë, qeveritarë, gazetarë, administratorë, etj., të marrin pjesën në Fazën I të anketës time zyrtare për qeverisjen e Kosovës që do punohet në libër dhe në temën e doktoraturës. Më nevojitën sa më shume ekspertë të marrin pjesë në këtë punim. Ju ftoj ta plotësoni tek www.prishtinapress.info/sondazh.

Falënderoj z. Engjëll, Blerinën dhe stafin e mrekullueshëm të Telegrafit, që kanë treguar një përkrahje të jashtëzakonshme në promovimin e talenteve shqiptare në vend dhe diasporë. Ju falënderoj shumë për këtë dashamirësi që tregoni. Suksese.

Presidenti Obama u shpall si njeriu i dytë më i admiruar në botë për vitin 2013. Ju keni punuar për administratën e Presidentit Obama. Ç’mund të na thoni për eksperiencën e punës?

Ermira Babamusta: Përgëzoj Presidentin Obama për punën e tij, për vlerat e larta, kushtimin që i ka dhënë popullit amerikan, realizimin e programit që premtoi gjatë kandidaturës. Presidenti ka arritur sukses në uljen e papunësisë, sidomos mbas krizës së 2008-s që e tërë Amerika e përjetoi. Puna ime tek administrata e Presidentit Obama, në 2008 dhe 2012, ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe më dha nga afër mundësinë të njihem me popullin amerikan, të kuptoj dhe luftoj për çështjet dhe të drejtat e tyre dhe vlerat demokratike dhe njerëzore në përgjithësi. Në të ardhmen synoj të punoj tek Shtëpia e Bardhë. E vlerësoj dhe respektoj shumë sistemin amerikan, si atë politik dhe atë juridik. Vlerësoj dhe punën e Presidentit Nishani, që kam patur rastin ta takoj disa herë bashkë me bashkëshorten e tij, znj. Odeta, në Nju Jork nëpërmjet komunitetit shqiptar dhe Vatrës. Z. Nishani ka përkrahur në mënyrë të shkëlqyer bashkëpunimin Amerikë-Shqipëri dhe lobimin e çështjes së Kosovës. Përgëzoj këtu edhe punën e përkryer të Ambasadorëve z. Bekim Sejdiu dhe z. Ferit Hoxha për përfaqësimin e shkëlqyer të imazhit shqiptar në botë. Ndjehem krenar me figura të denja dhe të larta të kombit tonë që po e çojnë Shqipërinë dhe Kosovën në drejtim të duhur. I uroj të dyja shteteve zhvillim të mëtejshëm. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Ermira Babamusta, harvardi, politika nderkombetare

DETINA ZALLI, VAJZA QË E PËRZGJODHI HARVARDI PËR KËRKUSE SHKENCORE DHE PEDAGOGE TË BIOLOGJISË MOLEKULARE

August 20, 2013 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

 * Historia e Shkencëtares 26 vjecare,Detina Zalli,që kapërceu racizmin  e bashkemoshaterve angleze ne shkollen publike si një e fëmije emigrantësh dhe ngjiti shkallët e dijes me një shpejtësi të pazakontë./

* Si nisi ëndrra e Harvardit, si një lojë dhe u kthye në një garë të ethshme, ku ajo u shpall fituese mes një grupi të madh nga e gjithë bota, që e kërkonte atë vend?/

* Dy motrat binjake, doktore të Shkencave, Detina në degën e biologjisë molekulare, ndërsa Argita në atë  të Imunologjisë/

*Në shtator shkencëtarja e re do të nisë të provojë edhe një fushë të re, atë të pedagoges. Ajo do t’u japë studentëve të mjekësisë lëndën “Facial Anatomy Development and Genetics”.

               Nga Detina Zalli pata marrë një përshëndetje me shkrim kur ajo pat ardhë  në Universitetin emërmadh të Harvardit në Boston për doktoraturën në Biologji molekulare. Ndërmjetëse e lidhjes ishte Aurora Karameti Ndrio, vajze nga Lushnaj, e bija e Zoi Ndrios. Deti, sic e thërrasin shkurt, më shkruante se do të vinte në Nju Jork dhe se mund të takoheshim.Takimi i atëhershëm nuk u realizua, edhe për shkak të shëndetit tim.Prezantimi i Detinës ishte fare i shkurtër:”Edhe unë si ju jam nga Lushnja. Në fakt babai im është nga Bubullima e Lushnjës, por unë kam lindur në Patos-Fier dhe jam larguar andej në vitin 1999 së bashku me prindërit dhe motrën binjake, Argitën. Jam përzgjedhur përmes konkursit që të realizoj doktoraturën për Biologji Molekulare në Harvard”.

  Kur mësova nga Vera Mjeku se Detina Zalli ishte përzgjedhur si një nga kandidatet e Albanian-American Success sotories”, natyrisht që më erdhi mire dhe mendova se ishte koha për të shkruar për të.U lidha me Detinën për të mësuar historinë e jetës së saj për  t’ua përcjell lexuesëve bashkombas. Lexojeni, ia vlen. Është një histori me të papritura, tamam si në përralla. Familja Zalli është nisur si qindra e mijëra familje të tjera shqiptare në rrugët e panjohura dhe pa destinacion të paracaktuar të refugjatëve.

                    ***

    Histori e dy motrave binjake nga qyteti i Fierit është sa e vecantë aq dhe  me të papritura. Janë fëmijë të prindërve emigrantë që ia nisën aventurës drejt shtetit britanik me para të marra borxh dhe në një rrugë me shumë të papritura.Iu premtua rrugëtimi me avion, por përfunduan si thasë sipër një mauneje.

Ishte vitit 1999. Qëndrimi në Fier ishte bërë i pamundur. Prindërit vendosën që të emigronin. Po ku? Aso kohe flitej shumë për Anglinë e cila krahas Amerikës ishte një nga mbështetëset potenciale të luftës në Kosovë. Vetë kryeministri Tony Blair qe shprehur se “ duhet të korrigjojmë historinë në marrdhëniet e Evropës me kombin shqiptar.”

    … Dhe familja Zalli vendosi që të nisej drejt Anglisë. Grupet e “bizneshit” të trafikut kishin krijuar zinxhirin e zgjatur që niste nga Shqipëria dhe kalonte nëpër shtete të Evropës, e zgjatej deri në Anglinë e largët. Duheshin para. Shumicën e shumës familaj Zalli u detyrua që t’i merrte borxh. U premtuan për të shkuar në Londër shumë shpejt me aeroplan, por pastaj përfunduan sipër një mauneje, ilegalisht.Pas një udhëtimi raskapitës prej 8 ditësh e tetë netësh arritën.

-Kur e kujtoj atë udhëtim, më dridhet trupi, shprehet Detina në një rrëfim për gazetën Dielli.

  Ajo dhe motra binajke, Argita, ishin fëmijë 11 vjecarë dhe rrugëtimi i vështirë në një makinë të mbuluar ku të zihej fryma ishte një aventurë e dhimbshme, por kishet dhe më keq. Qindra e mijëra familje kishin udhëtuar në kushte më më vështira, madje jo pak patën humbur dhe jetën.(Lexojeni te plote ne Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: argita, dalip greca, Detina, dy motrat Zalli, harvardi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT