Ilir Levonja/Florida/
1) Emri i tij është Josef Manfredonia. Pjestari më i moshuar i skuadrës sime. Vjen nga Napoli i Italisë. Fëmijë emigrant i viteve të luftës së dytë botërore. Sa herë që rrëfen ikjen nga lagja e tij poshtë Vezuvit, i shkasin lotët në atë farë feje sa ti që e paragjykon një burrë duke qarë, do befasohesh. Xhosë i shkojnë për bukuri. Ngjan me Jezusin e madh, sidomos pasi heq syzat me skelet të praruar prej ari të bardhë. Tetëdhjetë e pesë vjeç, i drejtë, i pastër dhe i freskët. Gjithë pranverë në fjalët e tia. Nuk lë grua a vajzë pa u bërë komplimente. Nuk lë ditë mëngjesi pa e bekuar. Ka diçka të re për çdo datë. Të ndalon dhe gjithë kënaqësi nxjerr foton e nipit duke kënduar në një nga skenat e teatrove të Miamit. Të mbesës shkenctare. Të djalit apo vajzës në punët e tyre. Dhe prapë bekon Zotin. Dhe prapë loton kur kujton Vezuvin, mbrëmjet e Napolit.
2)Xho’ja apo Xho’xhoja siç i thërrasim ne…, ka punuar si manaxher i estetikës në një nga kompanitë më emër në Amerikë, Mejsi (Macy’s). Eshtë një pensionist i hershëm dhe punon me ne për të mundur ditët e zbrazta. Për të mundur edhe vdekjen. Ose siç thotë ai, për të mos u zënë me gruan në shtëpi. E cila nuk bën asgjë tjetër veç kullohet pas televizioneve italiane. Shan u bërtet politikanëve sikur t’i ketë aty. Unë gajasem kur ai mi tregon dhe i them se edhe ju në Itali bëni kështu. Ai më përgjigjet se Italia është e kalbur nga korrupsioni. Edhe pse ka shpirtin njerëzor më të bukur në botë.
Nge një makinë të madhe të markës Lincoln, ëndërr e hershme.
Ti kthehemi realitetit: ka edhe moshatarë të tij që punojnë për të plotësuar faturat. Dhe ata të thonë shkurt se, mirë që ka mundësi punësimi për moshën tonë. A nuk i del Xhosë pensioni? Pensioni i shtetit jo, por Xhoja ka aplikuar edhe të tjera rrugë. Fondet e pensionimeve private. Nga ana tjetër punën që bën tashmë e quan akoma më vlerë pasi mund ndryshkun e tavolinës ku luhet tavëll ose domino.
Kur flas unë me Xho’n është një dialog që i kënaq të tjerët. Xhoja e di që unë kuptojë shumë mirë italisht. Ndaj më flet në gjuhën e tij. Unë qesh dhe i përgjigjem në anglisht, pasi më ngatërrohen gjërat, mendimet. Të tjerët po ashtu qeshin. Megjithatë Xhoja vazhdon duke plotësuar edhe dëshirën time. Pasi i kam thënë dikur për shkak të mos komunikimit po e humbas italishten. Dhe ai sapo vjen më thotë buongiorno. Më pyet se si janë punët. Si jam unë. Dhe unë i përgjigjem një për një. Ndërsa nga ana tjetër prapë e ka një këshillë. Një frazë që ia vlen të përmendet. Sapo i them se gjithçka në rregull dhe unë nuk ankohem ai më përgjigjet. Nëse nuk ankohesh do të thotëse nuk sheh dhe nuk ndjen asgjë. Qeshim dhe atëhere biseda bëhet më e sinqertë. Prekim problemet e ditës, qejfmbetjet e njerëzve. Dhe Xhoja e ka një këshillë. Veç në fund prapë të thotë, mos bëj plane me mua. Bëj projekte, bëje plane, por jo me mua. Beji me këta të rinj e të reja që ke rreth e rrotull. Unë sot jam, po nesër nuk i dihet. Në vënd që të vi unë në punë, të vjen lajmi që kam shkuar me të shumtit.
Dhe në fakt ka ndodhur disa herë, kemi pritur me sytë nga dera, por ai nuk ka ardhur. Më vonë na kanë telefonuar nga shtëpia që Xhoja ndodhet në spital, një herë hemoragji stomaku, një herë diçka tjetër. Por ai gjithmonë është kthyer, ashtu i qeshur, gazmend duke përshëndetur gjithsecilin. Duke thënë… djema çfarë të bëj, i shkoj asaj viranes në derë por ajo nuk më pranon. Ik tutje më thotë se nuk të ka ardhur radha.
3)Përse Xho është heroi im? Përse…, edhe pse përciptas na shkon mendja tek pensionimet e shqiptarëve. Ja disa përfundime që mund të interpretohen nga vetë lexuesi.
-Të mos injorosh të ardhmen tënde, por të jesh i qartë për ‘të.
-A mendon për të ardhmen tënde aty ku punon?
-Nga ballafaqimi i situatave të trishton një shifër që del nga të dhënat e Zyrës për Çështjet Sociale në Shqipëri. 12 mijëlekshi i pensionimit. I vetmi dhe pa programe të tjera që të ndihmojnë pensionin. Që po sipas kësaj zyre, pas një reduktimi shpenzimesh të domosdoshme si fatura e ujit, e energjisë, e barnave etj. Një të moshuari i mbeten 6 dollarë për ushqim e argëtim.
-A ka ardhur koha që në atë vendin tonë të aplikohen edhe fondet e pensionimeve? Në bazë të punës së individit. Jo nga ato që i sjell një fëmijë, prindit?
Si përfundim:
-Ja arritjet tona.