• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ESKOBARI I BALLKANIT” DHE HESHTJA E SHTETIT

December 19, 2016 by dgreca

5-rama-balla6x4“Dy gjëra janë të dëmshme për atë që don të ngjisë shkallët e fatit : të heshtë kur është koha të flasë, e të flasë kur është koha të heshtë”/- FRIEDRICH  BODENSTEDT (1819 – 1892)/1-balili1NGA EUGJEN MERLIKA/M’u kujtua kjo shprehje e shkrimtarit e poetit gjerman të shekullit XIX, i dashuruar me poezinë persiane, kur pashë kronikën televizive të tubimit me rastin e analizës vjetore të punës së Avokatit të Popullit. Ndoqa me shumë interes fjsalën e z. Donald Lu e, më pas, edhe ndërhyrjen e z. Ilir Meta. I pari foli pa doreza, në lidhje me një ish funksionar shteti në Sarandë, mbi të cilin ka një mandat arresti ndërkombëtar, duke u shprehur, mes të tjerave : “Politikanë të  majtë e të djathtë i u kanë kushtuar vëmëndje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar , kriminelëve të mëdhenj dhe trafikantëve të drogës…. Kush mund të besojë se ky është një Vend serioz në luftën kundër drogës ?”. Nuk ishte një gazetar çfarëdo që bënte një pohim kaq të rëndësishëm n’adresë të politikës shqiptare, ishte përfaqësuesi i Shtetit më të fuqishëm të botës, një Shteti që konsiderohet për Shqipërinë  aleati i parë strategjik.  

Vetëm një gabim ka, simbas mendimit tim, ambasadori Lu, që politikanët shqiptarë i ndan në “të majtë” e të “djathtë”, siç vetëquhen ata vetë, që prej një të katërt shekulli, në hullinë e mashtrimit të madh që përcolli epokën e shëmbjes së komunizmit, si sistem shoqëror  n’Evropë e kryesisht në Shqipëri. Në politikën shqiptare nuk ka të djathtë, sepse të djathtët e vërtetë alla Churchill, Adenauer, De Gasperi etj. u asgjësuan n’embrion nga marrëveshtjet e Teheranit e të Jaltës në vitet e para dyzet dhe u sterilizuan përsëri në vitet nëntëdhjetë si pasojë e një tjetër marrëveshjeje në Maltë 1987, gjithmonë mes dy mbishteteve SHBA dhe BRSS. E gjithë kalesa pas komuniste në Shqipëri ka qënë një vënie në jetë e strategjisë së asgjësimit të çfarëdo mundësie, sado të vogël, për të patur një forcë me të vërtetë të djathtë në jetën politike.

Aq është e vërtetë kjo sa që në marsin e vitit 1991, në Pallatin e Kulturës në Tiranë, si ish i përndjekur politik, kam marrë pjesë në një tubim që, në shpalljen e vënë jashtë, i kushtohej themelimit të së Djathtës shqiptare. Organizatorët e saj ishin Ardian Klosi dhe Edi Rama, sot kryetar i PS. Kjo ndodhte kur e djathta e Mërgatës shqiptare, Blloku Indipendent shprehej per mbështetjen e tij të plotë Partisë Demokratike. Ata që krijuan PD, nën shkopin e dirigjentit, në përputhje me Manifestin e Katovices gorbaçoviane, i dijnë mirë hollësitë e atij proçesi shoqëror e politik jo moral por pragmatist, e ndoshta, para se të kalojnë në gjygjin hyjnor, do të kenë mirësinë t’u a lenë të shkruar bashkatdhetarëve të tyre atë të vërtetë. Dola pak nga tema e bisedës, sepse shprehja e ambasadorit, më shumë se për një kundërshtim, kishte nevojë për një saktësim. Në Shqipëri e majta është e pranishme në të gjitha nuancat e saj, që nga e kuqja e gjakut deri tek e kaltërta apo bluja, duke patur si modele simotrat e tyre evropiane e botërore, E djathta. si mendim politik, mund të përfaqësohet nga ndonjë individ apo studjues i rrallë. Edhe ky fakt është një nga veçantitë e realitetit tonë, në ndryshim nga të tjerët.

Shprehjet e ambasadorit janë aq të rënda sa i ngjajnë një tajfuni, nga ato që asgjësojnë gjithshka që gjejnë përpara. Edhe përmasa më e pakët e dinjitetit vetiak, po të ishte e pranishme tek përfaqësuesit e klasës drejtuese shqiptare, në politikë, drejtësi, administratë etj., do t’i kishte shtyrë këta zotërinj e zonja të përpiqeshin, qoftë edhe për sy e faqe, të përgënjeshtronin fjalët e ambasadorit. Në gjithë aradhën e tyre vetëm Ministri i Drejtësisë u mundua të shfajësohej, duke renditur rregullat e rregulloret për postin e tij, por jo duke kundërshtuar padinë e ambasadorit. Të tjerët heshtën, duke pranuar me atë heshtje vërtetësinë e atij pohimi.

Mbas ambasadorit foli Kryetari i Kuvendit, i njohur për përpjekjet për t’u paraqitur si njeri i dialogut, i “urtësisë politike”, i “klimës së ngrohtë” me kundërshtarët. Në fjalën e tij nuk gjeta asnjë shenjë në lidhje me varretë e ambasadorit. Z. Meta lakoi fjalën “magjike” “Vetting”, që prej muajsh ka pushtuar politikën shqiptare dhe jo vetëm atë. Është koncepti i asaj fjale që prish gjumin e znj. Vllahutin, të z. Lu, madje dhe t’atyre sipër tyre si znj. Mogherini apo znj. Nuland, që përsëritet në çdo dalje të Kryeministrit Rama e që shmanget me pak bezdi nga drejtuesit e PD, nga Berisha tek Basha. Prej të parëve quhet si “guri filozofal”, i aftë të zgjidhë të gjitha problemet e panumurta të kalesës shqiptare, prej të dytëve si një farë “Kali i Trojës”, që do t’i verë flakën ngrehinës pas komuniste shqiptare. Ku qëndron e vërteta ?

Simbas mendimit tim modest, as në njërën as në tjetrën tezë. Vettingu që, në përfytyresën e përgjithëshme, është kriteri i zgjedhjes dhe shoshitjes së gjyqtarëve e prokurorëve, vlerësohet jo vetëm në vështrimin e PS, por edhe të ndërkombëtarëve, si rruga e vetme për të moralizuar, jo vetëm sferën juridike e gjyqësore t’administratës shqiptare, por është edhe rruga më e shkurtër për të vënë në hullinë evropiane të gjithë realitetin tonë. Sigurisht Vettingu është i rëndësishëm për ndryshimet e nevojshme në Shqipëri,  nëse ai nuk do të kufizohej vetëm në krijimin e një organigrame të re “revolucionare” të organeve të Drejtësisë, por do të vazhdonte pa humbur kohë në fazën tjetër, n’atë të moralizimit të politikës, që më duket se është një nga problemet themelore të shoqërisë e të Shtetit tonë. N’atë rast mund të flitet për një çast kthese historike në shoqërinë shqiptare. Por…. një mundësi e tillë, më duket se i ngjan më shumë një mirazhi, ndaj të cilit, sa më shumë kujtojmë se i afrohemi, aq më shumë na largohet.

Është vështirë të besohet se një Shtet, i cili deri para dy muajsh mbante n’organikën e tij “Eskobarin e Ballkanit”, edhe se gazetat e huaja kishin shkruar për veprimtarinë e tij poliedrike të paligjëshme, edhe se shërbimet e huaja kundër drogë kishin lajmëruar me kohë për rrezikshmërinë e tij, duke kërkuar arrestimin, të ketë në vetvete në qelizat dhe indet e skuadrës së tij qeverisëse dëshirën, aftësinë apo vullnetin për të shëruar gjëndjen komatoze në të cilën gjindet Shqipëria. Po e quaj komatoze gjëndjen e saj, sepse një popull që voton e zgjedh kriminelë të përmasave të ndryshme në drejtimin e punëve të tij, një Shtet që me vullnetin e tij kthehet në një “Kolumbi t’Evropës”, ku jetesa e qytetarëve si dikur në piramidat financiare, bazohet mbi kultivimin e transportin e kanabisit, pra në rrugët e paligjëshme, është vështirësisht e besueshme të ndryshojë, sa hap e mbyll sytë, si pasojë e aktivizimit të disa dhjetra gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët nuk dihet si do të zbresin nga “qielli”.

E keqja e Shqipërisë mbetet pikërisht ajo klasë drejtuese që, edhe e vënë para padive të bashkëpunimit me krimin e organizuar, as skuqet as zverdhet, por paturpësinë mundohet t’a shkarkojë brënda species, duke vazhduar të mashtrojë e të dëmtojë pafundësisht interesat e shqiptarëve. Kundërshtija, në dukje,  mes përparësisë së dekriminalizimit apo Vettingut, në të cilën prej muajsh Shumica qeverisëse dhe Opozita përpiqen të fajësojnë njëra tjetrën, më duket një flluskë sapuni, mbasi të dyja dukuritë plotësojnë njëra tjetrën, duke moralizuar jetën e Shtetit, nëpërmjet rivendosjes së ligjëshmërisë në trupin e tij.

Ҫështja Balili ka nxjerrë lakuriq para shqiptarëve e para botës pikërisht problemin e zbatimit të ligjëshmërisë. Si një dukuri e veçantë, apo si maja e dukurive të paligjëshme që kryhen në Vendin tonë, ajo nuk mund të ketë një përgjegjësi të përgjithëshme, duke përjashtuar këtu mendësinë e pasurimit të shpejtë e me mjete të paligjëshme, edhe kjo gjithmonë e lidhur me shëmbullin e keq të politikës në këta vite. Përgjegjësia, e thënë hapur e pa mëdyshje, bie mbi Qeverinë e hallkat e saj të rendit publik, por edhe mbi organet prokurorisë e të hetimit.

Në majin e këtij viti autoritetet greke zunë një sasi prej më shumë se 700 kg. kanabis, duke arrestuar 15 vetë e duke lëshuar një udhër arrestimi për Klement Balilin. Ky ishte i dyti mbas atij të Gjykatës për Krimet e Rënda të Tiranës, ndërsa ai prehej i qetë në detyrën e tij të Drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë, posti më i përshtatëshëm për të trafikuar drogën në Jugun e Shqipërisë, në Greqi e prej andej n’Evropë, kryesisht n’Itali. Ja çfarë shkruante më 16 maj 2016 gazeta kryesore italiane, “Corriere della Sera” e Milanos, ndërmjet të tjerash :

“… Trafikantët parapëlqejnë Milanon si vend mbrritje përfundimtare, sepse n’atë rast çmimet ngrihen me 700 – 800 euro kg. Në krye të asaj ngarkese dhe të dhjetra të tjerave, është një i padyshueshëm, i mbiquajtur “Eskobar i Ballkanit” dhe i kërkuar në gjysmën e Evropës. Klement Balili është një manaxher i Shtetit, një njeri i besimit të Qeverisë shqiptare që përsëri ka rënë në telashe të mëdha me narkotikët. Ditët e shkuara Dea, agjensia kundër drogë amerikane, ka bërë kritika të thella mbi shkallën e komprometimit mes “aparatit” dhe trafikantëve. Nga ana tjetër nuk është zgjidhur ende çështja e bujshme e Dritan Zaganit, polici që në kërkimet e tij kishte arritur shumë afër ministrit të Brendshëm shqiptar…… Simbas akuzës Ballili…. përdorte rolin institucional për të lëvizur drogën dhe të njihte në kohë reale veprimet e gjykatësve e të policëvet. Që në drejtësinë shqiptare diçka nuk shkon është e njohur : kriminelë pranë arrestimit nga hetues të huaj marrin një fryrje në vesh dhe zhduken…”

Kur arrin informacioni në këtë përmasë në një gazetë, sado e rëndësishme të jetë, organet e  Hetuesisë e të Drejtësisë e kanë përfunduar hetimin e tyre, pra çështja është e njohur në interpolin evropian. Pas një shkrimi të tillë Qeveria, Prokuroria e Përgjithëshme, organet e zbulimit, që kanë si detyrë të parë mbrojtjen e interesave dhe të imazhit të Vendit të tyre në botë, duhej së paku të mbanin nën një mbikqyrje të rreptë 24 orë në 24, zyrtarin e tyre në Sarandë dhe, në çastin që do të shihnin një përpjekje largimi nga ana e tij, t’a ndalonin. Nuk u bë asgjë nga këto, u kërkuan “provat” dhe pak ditë para se ato të arrinin, nëpërmjet një dosjeje prej 10.000 faqesh(!!!) të Prokurorisë greke e të Deas amerikane, Klement Balili u zhduk, u bë i “pakapshëm” për dyqind policët në “ndjekje” të tij….

Ky nuk është vetëm një turp i madh për Shqipërinë dhe drejtuesit aktualë të Shtetit të saj, por është edhe një dukuri që detyron të tjera veprime. Në historinë e Luftës së Ftohtë mes Perëndimit demokratik dhe Lindjes komuniste, ka patur raste të dorëheqjes së Qeverive perëndimore, edhe për faktin e vetëm se në rrethin e bashkëpuntorvet të Kryeministrit zbuloheshin spiunë të shërbimeve të fshehta të shteteve kundërshtare. Një trajtim kaq “bamirës” i problemit të Balilit, që diskrediton botërisht Shtetin shqiptar, nuk mund të mos ketë pasoja të drejtpërdrejta. Ose Kryeministri e Kryetari i Shtetit janë të vendosur të nxjerrin përgjegjësitë e vartësve të tyre në këtë çështje tepër të shëmtuar, ose dhe ata së bashku me të tjerët duhet të japin dorëheqjet. Kështu Shqipëria, së bashku me miratimin e Vettingut për sistemimin e Drejtësisë, duhet të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, në të cilat populli të shprehet qartë nëse pajtohet me Shtetin mafioz, që ve në bazën e ekonomisë së tij kultivimin dhe eksportimin e drogës n’Evropë, apo kërkon një alternativë qeverisjeje të denjë për një shtet antar të Bashkimit evropian.

Në të kundërt, nuk ka Vetting që të hapë dyert e Bashkimit evropian për Shqipërinë. Para kësaj gjëndjeje është detyrë e cilitdo shqiptari, kudo në botë të mos heshtë, për t’i treguar botës, miqve dhe kundërshtarëve se Shqipëria nuk do të jetë modeli i shtetit  mafioz, por kërkon të jetë “nji Zonjë e randë”, siç e projektuen Etërit e Kombit më 1912, e siç e dëshiruan studentët e dhjetorit 1990.

Dhjetor 2016 Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: “ESKOBARI I BALLKANIT” DHE, Eugjen Merlika, HESHTJA E SHTETIT

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT