Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë votoi për heqjen e stemës së Republikës së Kosovës nga fleta e votimit për zgjedhjet e 3 nëntorit. /
Propozimin e solli anëtari serb i KQZ-së, Goran Zdravkoviç, i cili po kështu propozoi edhe ndryshimin e përmbajtjes së dokumenteve të tjera, si libri i nënshkrimeve, listën e kandidatëve të subjekteve politike, formën e konfirmimit të kandidatëve, etj.
Votimi i këtyre dokumenteve nxiti reagimin e ashpër të dy anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje dhe Fadil Maloku nga Aleanca Kosova e Re, të cilët u shprehën kundër propozimit duke thënë se ky është një vendim i kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç.
Anëtarët e tjerë të KQZ-së nga radhët e LDK-së dhe PDK-së i kanë përkrahur. Ajo që befasoi ishte kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, e cila në të gjitha votimet ka abstenuar. Për këtë ajo u kritikua nga anëtari i PDK-së, i cili e quajti votën abstenim si të papërgjegjshme.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryetarja e KQZ-së Daka ka thënë se ka abstenuar sepse nuk është pjesë e marrëveshjes politike në Bruksel, duke lënë të kuptohet se vendimi për heqjen e stemës, sikurse të tjerat janë vendime politike.
Ajo ka shtuar se, si kryetare e KQZ-së është pjesë e gjyqësorit dhe nuk i takon të përzihet në marrëveshje që i bëjnë partitë politike.