Vajet dhe këngët e përvajshme, nëndarje e këngëve grarishte për trimat/
Nga Albert R. HABAZAJ/ Studiues*)
Epika Historike e Luftës së Vlorës, 1920, si zhanër i epikës popullore, ka tipar kryesor pasqyrimin e ndërgjegjes historike, e cila nëpërmjet këngës ose valles, siç u interpretua dhe në këtë punim, mund të ndahet në dy grupime: a) që trajton figura historike: b) që trajton ngjarje historike, siç është në fakt vetë LV, me nëndarjet e saj të teartit luftarak, me mjediset, hapësirat, toponimet që vijnë në tekstin poetik edhe si shprehje metaforike, edhe si simbolikë domethënëse që nënkupton estetikisht dëshirat, ëndërrat, idealet e larta të shqiptarit. Ka një shprehje të bukur Sami Frashëri “Dëshira për liri e dyfishon forcën e një kombi”. Këngët, që janë krijuar për LV, kanë kaluar në jetë aktive folkorike pasi kanë dhënë “provimin” në tri faza: zhvillim, aplikim dhe përdorim në mjedise autoktone nga banorë indigjenë (rrënjës). Shumë nga këto këngë sidomos ato të viseve të Labërisë (Kurveleshi, Lumi i Vlorës, Himara etj.) këndonte e vallëzonte, këndon e vallëzon pa vegla fare.“Pothuajse në çdo e në çdo vend të Shqipërisë së Jugut kemi tre stile kangës a) pleqërishte (ose labërishte), djemurishte” dhe “grarishte”. Ndyshimi ndërmjet “pleqërishteve” dhe “djemurishtve” asht mjaft i ndjeshëm. Të parat “këndohen shtruar”, me një ton si të ndrydhun dhe me një shprehje, si të thuash, epiko – elegjiake. Ndërsa …“djemurishtet” janë ma të gjalla e ma të nalta”[1] vë në dukje etnomuzikologu Ramadan Sokoli (1920 – 2008). Dhe kjo është e vërtetë nga periudha në periudhë. Në qoftëse këngët e burrave në Labëri kanë katër zëra, Dukati edhe tre, apo Kallarati edhe me një zë (monofonitë e Zeqo Hoxhës apo Evgjeni Jonuzit), apo avazet me culë dyjare (druri, por edhe guri) si dhe me fyell nga një individ, këngët grarishte janë me tre zëra, me veçoritë stilistike përkatëse. Që të mos dalim nga objekti i temës bosht, do të vështrojmë se si gratë u këndonin trimave.
Gjurmimet na rezultojnë se këngët grarishte për trimat nuk këndoheshin në grup, por në mënyrë individuale. Ato këndoheshin në formë vaji, me nuanca epiko – elegjiake dhe klasifikohen si këngë të përvajshme. Sipas studiueses M. Dibra, këngët e përvajshme nuk bëjën pjesë në vaje (vajtime), sepse vajet ose vajtimet si krijime poetike bëjnë pjesë në lirikën popullore familjare dhe ato janë dy farësh 1. – vaje për njerëz, 2. – vaje për kafshë. Edhe këngët e përvajshme (përzishme) ndahen dy farësh a) Këngë epiko – elegjiake: – kurbeti, – nizami, – balada dhe b) Këngë elegjiake (elegji) (elegji për të renët[2]]. Për nga mënyra e realizimit vajtimet ishin realizime vetmore, ku gratë vajtonin meshkuj, burrin, vëllain, kunatin e rënë në Kotë, në Llogora, në Qafë të Koçiut, në luftë me pushtuesin italian.
Ato qanin me ligje, pra me fjalë, zakonisht në vargje, që gratë i thonë qanin me ligje, të cilat me fjalën e dhembshur, melodinë elegjiake, veshjen me rroba të zeza, në vendin e caktuar, me gjestet pikëlluese dhe me kurajon për të dhënë forcë gratë (jo vajtojca me pagesë) realizonin, sipas natyrës së tyre tradicionale, sinkretizimin artistik të folklorit. Nuk këndoheshin për të gjithë trimat, por vetëm për të rënët në luftë, që i njihnin, që i kishin të afërm, për dëshmorët e Njëzetës dhe thureshin në vend, aty për aty, duke shfaqur një fuqi të brendshme për t’u vlerësuar.
Të rënin në luftë e qanin gratë. Fjalët, vargjet e vajeve quhen edhe ligje, kuje, vaj e psherëtima, ku nëpërmjet karakterit narrativ të fjalëve plot eufemizma, që dëshmonin vitalitetin e gjuhës dhe kulturës së tyre shpirtërore jepnin peshën e rëndë të vdekjes, shprehnin dhembje, keqardhje për të rënin dhe, duke vënë në dukje cilësitë e larta heroike, morale e fizike krenari për aktin e tij të lartë e të nderuar. Ja një rast kur gruaja qan burrin e rënë në luftë, në krah të saj. Rubi Hosi ishe bijë nga Matohasanaj i Tepelenës, martuar me Toto Hosin nga Bolena e Vlorës (Kurveleshi i Poshtëm), i cili qe dhe komandant i çetës së Bolenës, me 150 luftëtarë. Dhe ajo s’iu nda burrit. Rubies i flisnin “flutura e çetës”, sepse porsi flutur shkonte në stane e u binte ushqimin luftëtarëve, mish të pjekur, dhjathë e shakullin me dhallë. Dhalla qe birra e labit edhe në luftë. Si flutur “shkonte llogore më llogore, furnizonte luftëtarët me ushqime, bulmet, fishekë e ndihmonte të plagosurit”[3]. Jemi në periudhën 11 – 20 qeshor, kur zhvillohej faza e dytë e lufimeve dhe më e ashpra për të marrë Vlorën. Na paraqitet kjo situatë. Zona e Vreshtave të Mëdha dhe kodrat e Qafës së Koçiut nuk mirrnin dot frymë nga pozicionet e fortifikuara dhe të rrethuara me tel me gjemba. Djemtë e Bolenës kishin kapur disa ushtarë italianë robër përtej, në Qishbardhë. Duke qenë njohës i terrenit dhe duke shfrytëzuar epërsitë e natës dhe trungjet e ullinjve, Toto Haxhi Hosi me çetën e tij asgjëson një qendër zjarri të fortifikuar. Një mitraloz italian e godet keq trimin e tërbuar. Ngjarja është rrëqethëse, vjen si suferinë legjendare, e pabesueshme, por e vërtetë. Jemi në situatën e gjasës dhe mundësisë. Predhat i çanë barkun. Ai mbledh e mban zorrët me dorë. U jep kurajo të tijve, shokëve të çetës: “Përpara! Sulmoni me furi! Mos u tërhiqni para italianëve pushtues, se i kemi vënë që në Kotë përpara si derrat!” Nuk e dha veten trimi, por dha frymën. Meraku për ta çuar në qendrën sanitare nuk rezultoi pozitiv. Toto Hosin, atë burrë, atë trim që të mirrte gjak në vetull, siç thoshin më të vjetrit, apo dhe Kudret Kokoshi, që e cilësonte vigan legjendar me vargjet e zjarrta atdhetare, ja si e qan gruaja e tij, Rubia me vaje e ligje, sipas traditës së nderit e krenarisë që me lot zemre, por pa lot në faqe e sfidon dhembjen, natyrshëm duke dhënë prirjen ndaj së bukurës, sublimes, lidhjen e së bukurës me të dobishmen, duke dhënë natyrshëm përmasa më të gjera e me përgjithësim tipologjik: “Kurvelesh e tatëpjetë,/ E zeza Kurvelesh – o,/ Të mbeti nderi përjetë,/ E zeza Kurvelesh – o (dhe ky varg është refren pas çdo marrje të vargjeve, që në këngë mbushen me iso. Shën ynë. – AH). Jo se e fitove vetë,/ Po ta dha Bolen’ e shkretë,/ Ata që muar kalanë,/ Totua me Arif Rushanë,/ Me Sino Amerikanë,/ O Sino takëm ergjëndi,/ O Toto Hos zemërshkëmbi./ Kush e nji’ Toto Haxhinë?/ I shkurtër e vetëtimë,/ Rrëmba – rrëmba e kish’ synë. Dhe kënga e saj e për një trimi tjetër që u plagos rëndë gjatë fazës së tretë të luftimeve 21 qershor – 23 korrik, për marrjen e fortesës së Kaninës, por që nuk rrojti dot vajtojca luftëtare i thuri këngën: “Arif Dushani me derte,/ e mopre plumbin me vete…”. Për Kaninën ra dhe Sino Micoli, që kishte ardhur nga Amerika, në ndihmë të vëllezërve të tij bolenas, vlonjatë, shqiptarë. Vargjet elegjiake të Rubies morën dhenë: “Qaj Bolenë e vure vajnë,/ Të bukur trima t’u vranë,/ Qaj për Toton e Kafazë,/ Për Sino Amerikanë,/ Kur u hodh të mirr’ kalanë/ e mori plumbi në ballë, / seç e qan Varfa në shkallë:/ – Hallall sisa, more djalë,/ Se trimat ashu e kanë/ Derdhin gjakun për vatanë”. Kjo këngë e përvajshme duket sikur na thotë, se vdekja, vërtet është e hidhur, por e tilë vdekje është e bukur, kur jetën ia dhuron Atdheut. Karakteri sinkretik i veçantë i këtyre këngëve elegjiake na bën ta ndjejmë nga afër edhe estetikën e lotit. Kur u vra Toto Hosi, komandën e çetës së Bolenës e mori trimi tjetër bolenas, Mato Robi, edhe ai me histori, me këngë dhe i vlerësuar nga komuniteti horizontalisht dhe vertikalisht. Në Qafë të Koçiut ra dhe komandanti trim i Salarisë Selam Musai. Ai nuk pati as fotografi sa qe gjallë, se jeta e tij u shndërrua në një furtunë lutërash për liri të trojeve shqiptare e, si duket, s’pati kohë të linte një portret të tij për të pasmit, se dhe të bijtë, Magripi me Tajarin i ishin vrarë. Safe Musai, kunata e tij na prek me vajet e saj, për atë që ajo ligështohet, me ligjërimin e saj prekës: “Nuk le një fotografi/ O Selam, e zeza,/ Që ta puth, ta mbaj në gji, o Selam, e zeza”. Me sa duket këtë këngë, nënë Safja e ka thurur ndoshta pasi ka kaluar një farë kohe mbas rënies legjendare të heroit, fakt të cilën ajo s’e përmend fare, nga që është shumë e vërtetë në logjikën e psikën e saj, se e vajton kështu të kunatin kur e ka ndier mungesën e tij, kur e kishte marrë malli atë dhe familjarët e tjerë të tij dhe kur vuri re që as edhe një fotografi nuk kishte lënë, i bardhi. Sipas piktorit dhe kritikut të artit Ilmi Bani, aty nga viti 1959, Vasil Talo shkon në Mesas të Salarisë, mblodhi pleqtë e burrat e fshatit, nën një lis, në shesh të fshatit dhe i pyet për tiparet e fytyrës, …për veshjen dhe punoi shumë me nipin e Selamit që ngjante shumë me të. Dhe bëri atë portret që njohim: me pamje ballore, me qylaf të bardhë dhe mbi supe atë gunën çile që i mbeti përmbi tela. “Guna çil’e pela çile” regjistron kënga e vjetër. (Në zhargonin lokal, Dorì quhej kali i kuq, Kërri – i grivër, i errët, Gjok – ai më i çelti, Çil – kali i bardhë, Hallat – i verdhi dhe Karah – i ziu). Kur e pa nënë Safja portretin e të kunatit, u prek aq shumë dhe e mbajti në gji një copë herë me ligjërime të përvajshme: “Lemani, që ta ngro’ pak,/ e varfëra,/ t’i jap shpirt e t’i jap gjak,/ e varfëra…/ kjo ë’ fytyra vëlla,/ e varfëra”. Në këtë shtrat të dhembjes së madhe krenare, vjen një sokëllimë me vetëtimë nga brinjat e Smokthinës që trazohet e bie bubullimat që ushtojnë nga malet e Çipinit: “Një kuje nga Matogjini,/ Gjëmon Boderi, Çipini,/ Thonë u vra Muedini,/ I pari tek hapej tymi,/ Tek hapej tymi dhe flaka,/ Në ato majat e larta./ Sojë trimi e gju’ birbili,/ Ç’ e mbaj me vete Qazimi,/ E kish zgjedh’ për sua trimi./ Osmëni me gojë thirri:/ – Nga na vete Muedini?/ – Ja, poshtë grykave hyri./ Në ato grykat e larta,/ Të dukej Vlora dhe Narta./ Të vran’ o Muho, të vranë!/ Topçiu , a past’ belanë!/ Të dha një gjyle në ballë,/ ta hodhi poshtë gjerdanë,/ ta humbi fare nishanë./ s’t’u ndodh as Demiri pranë,/ Se një plumb e kishte marrë,/ E nisën për në spitalë”. Këngë të tilla të përvajshme qëndiste Perlat Hasani, një autoritet i folklorit jo vetëm në krahinëzën e Smokthinës, por edhe më gjerë, veçse është i një periudhe të mëvonshme, pra nuk është dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, por i frymëzuar nga shëmbëlltyra e bashkëkrahinarëve të tij, që i tregojnë veteranët e Njëzetës, ai bën e këndon këngë, të cilat, edhe pse me një stil më dinamik, përsëri janë në taban, si stafetë e shtratit të tyre tradicional. Muhedin Mystehak Curraj nga Matogjini u vra më 22 korrik 1920. Nga ky tekst kemi një përshkrim të përkryer të poetit popullor për trimin e Qazim Koculit e të Osman Haxhiut, të vëllait të Demir Mystehakut, komandantit të Çetës së Matogjinit dhe kuptojmë se kënga është relativisht e re, krahasuar me ato që bëheshin e këndoheshin në zjarr e flake për flakë me pushtuesin. Një tjetër përjetim më të gjerë epikoemocional na vjen nga vargjet që nisin si vaj, si vajtim për katër djem të rinj nga Vajza e Vlorës, rënë në luftimet për marrjen e Kotës: “Në Vajzë katër u vranë/ U’ derëzeza djem-o!/ dhe vijon e përfundon si një këngë e përvajshme, se dallon që ngashërimat vijnë meditative, përshkruese dhe të tipareve fizik e të luftëtarëve: Mitroloz, a paç belanë,/ Vrave Shakon e Mezanë,/ Muhamet Maskën, o djalë,/ Begë Hitua pak i çalë,/ ecën avash e ngadalë,/ s’e peshonte istikamë./ Kush e një Ramo Sinanë?/ Burr’ vjetër i paarmë,/ që përfundon me një similitudë të fuqishme si e zbritur nga këngëte kreshnikëve: me në dor’ një goxha darë,/ i pret telat si korçanë! Është i nohur vajtimi për Selam Musanë: “-Pëllua, Selam, pëllua,/ e zeza ç’më gjeti mua,/ mbeti shala në katua,/ si ti kë do kem- ë sua,/ kë do kem sua e fis,/ që të na dalë varis,/ për halle të Shqipërisë./ Do të qa e të marr malë,/ hajmedet, që s’le një djalë, / ja Magripnë, ja Tajarë! E kemi shënuar se të dy djemtë e S. Musait, Magripi dhe Tajari kishin vdekur përpar të atit, njëri 10 tjetri 16 vjeç, kështu që ai nuk la pasardhës e, sipas Kanunit, u mbyll ai prag se s’ka mashkull pas. Vajet për dëshmorët janë kënëg për trimat. Një vajtim tipik, vaji i njërës prej vajzave të Selamit, çupës së dytë, Mira Musait, e cila ka qënë fort e lidhur me të atin. S. Musai i çonte dhëntë në kullotat verore të rrethit të Skraparit: “Bëre poshtë nga Babica,/ trim, o more trim,/ babaj im , o trim,/ me treqin’ e ca komita/ e zure topin nga grika!/ Te Babica, mi hapsanë,/ të vranë baba, të vranë!/ Mbenë sheshet e Skraparit,/ vrrasin dhënt’ këmbëssë malit./ Korbecët po ulërinë,/ kal’ i kuq po hingëllin,/ po pret t’i varësh tagjinë. Kemi këtu një shembull tipik të kalimit të vajeve në këngë trimërie. Siç shihet kënga në fillim ka qenë vaj. Duke u çliruar nga vargjete e fundit (v. 8 – 12), që shprehin elemente intime elegjiake, ka filluar të këndohet rregullisht si këngë e gjinisë së epikës. Janë shumë të tilla, por po citojmë vargjet ku, si shqiponjë e dalë nga shkëmbi, nëna me stoicitet Ajkune qan e këndon djalin e saj dëshmorin Razip Hito, qan dhe hallet sociale: “O Razip, të keqen nëna,/ nuk durohet hasmi brënda,/ shko biro bashkë me shokë,/ mos u kthe sa të fitosh,/ Në u vrafsh, vritu në këmbë,/ dekja të mos të të trëmbë/ Të keqen që më nderove,/ porosinë ma mbarove./ Të kesh rritur me thërrime,/ hallall e paç sisën time./ Ti m’u vrave bir, m’u vrave,/ neve prap po me halle…
Dhe kënga e popullit, në hapësira jo kaq të ngushta, por me dimensione më të gjera, gjithmonë brenda rrezes së “kompasit” folklorik, përshkruan habinë e Evropës: “Evropa shkruajn’ e thonë,/ bëhet dyfek në Vlorë…”, por qan edhe birin e Salarisë fisnike, ashtu si i ka hije labit, trimit, shqiptarit jo me ligje por me këngë: “Me katërqind komita,/ Bëre poshtë nga Babica,/ E zure topin nga grika,/ Italianët nga frika,/ U trëmbë, sa u ra pika./ Tepelenë, pse vajtoni?/ Selam Musanë kërkoni,/ Trim’n e mir’ mo’ e harroni!”. Ky cikël merr lëndë nga këngët e periudhave pararendëse, le, ndryshon e krijon të tjera, sipas rastit. Në cilklin e EHLV vërejmë të njëjtën psikologji, të njëjtin zhargon, të njëjtën dhembje, të njëjtën krenari dhe të njëjtin humor apo ironi.
Nuancat folklorike variojnë në varësi të botës emocionale hde përroit të brendshëm që gurgullon në shirtin e krijuesit, bartësit, përdoruesit të kësaj lloj kënge. Koloriti gjuhësor lokal, koloriti psikologjik, koloriti kostumologjik, interpretative, gjestikulativ etj., merr në vijim trajta më përfaqësuese në arsenalin kombëtar, duke e pasuruar atë. Rrethanat historike, ndryshimet social – ekonomike, mos pasja më nevojë për to bëri që ato të tkurren, të mpaken, të mplaken dhe të kalojën në jetë pasive, të ruajtura nëpër arkiva si relikte të shpirtit të popullit për të kaluarës historike. Kështu ato kanë dalur nga qarkullimi, përbëjnë një repertor pasiv dhe bartin vlerat si dëshmi dhe kujtesë folkorike e një ngjarje të rëndësishme për HSH, siç është LV. Gjatë hulumtimit krahasimtar kemi hasur në një farë moskokëçarje ndaj disa figurave apo ngjarjeve të Njëzetës. Për këtë mosinteresim të folkorit ndaj disa personave me emër në drejtimin e LV, siç dolën shumë anëtarë të KMK, apo dhe ngjarje me peshë në ecurinë positive të kësaj lufte, sidomos ato të rrafshit diplomatic, jemi në një mendim me sqarimin e studiuesit Xhagolli, sipas të cilit “Ky lloj indiferendizmi i këngës historike mund të shpjegohet edhe me mungesën e informacionit rreth ngjarjeve apo figurave historike”.
*) drejtor i Bibliotekës Qendrore “ Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, ALBANIA
[1] KONFERENCA e Parë e Studimeve Albanologjike (15 – 21 nëndor 1962), bot. i USHT, IHGJ; BOGDANI, Ramadan: Disa veçanti të muzikës sonë popullore, Tiranë, 1965, f. 33
[2] DIBRA, Miaser: Hyrje në folklor: cikël leksionesh [dispencë, Tiranë, 2011
[3] BAJRAMI, Ruzhdi: Bolena në optikën historike, Vlorë, Triptik, 2009, f.346