Jam i detyruar të dëshmoj sepse histeria e këtyre kryeministrave përvetësues të Mitingut të 10 janarit 1991, u përsërit edhe me 1 dhjetor 2017 në Parlamentin shqiptar. E pangopur kjo lukuni politike!/
Nga KOLEC TRABOINI/
Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të mitingut madhështor të krijuesve e intelektualëve të Tiranës në kapërcyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që ish-kryeministri i Shqipërisë e cilësoi si “mitingun tonë”, ndërsa kryetari i PS, tani në pushtet edhe ai nga ana e tij në librin e vet “Kurban” e konsideron si një miting partiak, unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashmë kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë. Këta liderë partish janë në të drejtën e tyre të bëjnë kurban bëmat e veta gjatë këtyre dy dekadave, por jo të përsonalizojnë apo privatizojnë ngjarje në të cilat kanë qenë thjesht të ftuar e jo organizatorë. As njëri e as tjetri. Kanë aq shumë merita mbi shpatulla këta burra të telikosur shteti sa do të qe e pakuptimtë të rëndoheshin edhe si nistore mitingjesh të bëra prej të tjerëve. Mos vallë me këtë duan të nënkuptojnë se jashtë partive nuk ekzistonte asfare aspirate për liri e demokraci dhe se kurrkush tjetër veç partiakëve nuk mund të shkruajë histori?
Në librin që botuesja Arlinda Dudaj përcolli me eufori në mediat televizive, “Kurban” të Edi Ramës, kryetarit të opozitës së djeshme, thuhet tekstualisht: “…pak ditë më pas kur ( nënkuptohet Sali Berisha- shënimi im K.T.) donte të na pengonte Ardianin (Klosin), Kasemin( Trebeshinën) dhe mua të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, te Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë se “ju s’mund ta merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju…” Këtë pjesë libri botuar në gazetën “Panorama” viti X.Nr.3248 datë 28 tetor 2011, redaksia ose autori e kanë shënuar me titull: “Si më largoi Berisha nga mitingu i PD në `91”. Ne nuk dimë çfarë t`i themi Edi Ramës, as nuk mund t`i japim ndonjë këshillë, sepse ai është në majë të piramidës socialiste e tash edhe pushtetit e zor se i shkon zëri ynë aq lart, por gjithsesi e mira do të qe që ata këshilltarë që i mban me bukë, që mesa shihet janë të painformuar, nuk lexojnë as çfarë shkruhet në gazetat shqipe, apo në TVSH pikërisht për këtë informacion të gabuar që përcjell tek lexuesit e vet. Është shkruar në shtyp se Mitingu që përmend Edi Rama nuk është iniciuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios.Do ta shtjellojmë këtë ngjarje të para dy dekadave më me hollësi, por le të shohin se çfarë mendimi kanë për këtë çështje pala tjetër antagoniste e politikës konfliktuale shqiptare. Mesa duket për gjithçka janë në kundërshti këto dy forca politike që zotërojnë vendin, por në një gjë janë në një mendje, që mitingun e parë të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike janë bërë nga PD. Po të mos isha unë që e kam inicuar e organizuar ketë miting, padyshim që nuk do të kisha marrë mundimin t`i përgënjeshtroj këta dy burra kombi dy kryeministra të Shqipërisë që turp është të them se ma vodhën metingun. Mu ka mbush mendja top se në Shqipëri gjithçka vidhet, përderisa edhe mitingjet. Para se të hedhim dritë mbi këtë ngjarje, le të shohim çfarë thotë kryeministri i shkuar, që aso kohe ishte këmborë e madhe.
* * *
“Ky njeri, – thotë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut, Edi Rama, – do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: – kë duhet të varim? Ata, – më tha – Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.”
Në pikpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është si nistori edhe i formimit të degës së PD për Kinostudion, se as në atë kohë e as sot nuk kam qenë e nuk jam i mendimit se ne, veprimtarët e lëvizjes demokratike në terren, po formonin degët e partisë së liderëve të rinj. Ky nocion nuk ekzistonte në kokën time e të kolegëve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pëlqente të notonim në ato ujëra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numrin 3 të gazetës RD, janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq nga Flamuri dhe kallëzave të grurit nga stema e Republikës, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnjë individi të përveçëm në këtë vend të rënduar nga kulti gjysmë shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës,(pse jo dhe i Zogut) i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas më tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të dëgjonim për liderë në ballë të tribunave. Por kjo çështja e personalizimit të partive, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj pjesë në asnjë prej tyre, kryekreje për faktin se nuk janë ato për të cilën mendoja se do të ishin. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshiron të bëjë karrierë e të luftojë për mirëqenie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva Arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke përdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, ndërkohë që boshatisen xhepat e shtetit.
Që në atë kohë, soj-soj beniaminësh e ligavecësh të rinj të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ia arritën mjeshtërisht. Luftëtarët më të mëdhenj zë buçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistët, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish-spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të së kaluarës së vet të palavdishme. Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si minjtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Minjtë e kuq nisën të zhargiten e llangosen blu. Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy. Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjesht nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre liderve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat më lart se njëri-tjetri. Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderëve të rinj të vetëquajtur demokratë, ishte aq e ashpër dhe e pa kompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri-tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtet ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë, por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporet e kuqe. Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë: -“Ky njeri do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.
* * *
Biblioteka e Universitetit gjendet pranë sheshit që tashmë quhet “Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që Kryeministri Berisha t’i referohet jo mitingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë miting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qenë mitingu madhështor i intelektualëve të institucioneve artistike të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë miting, kryeministri është i paqartë sepse e personalizon. Madje shkon edhe më tej kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve, paska shkuar në mitingun e PD-së. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë miting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualësh të institucioneve artistike të kryeqytetit (anipse në mënyrë habitore edhe vetë Edi Rama në “Kurbanin” e tij e bën kurban këtë miting duka ja faturuar PD-së dhe duke ia mohuar vetvetes), çfarë tregon se të dy këta kanë rreth vetes këshilltarë të paaftë, sepse Kryeministri dhe Kryeopozitari ( tashmë anasjelltas) sjellin referenca të gabuara në Median Publike që vetë i kanë nën pronësi e vetë i quajnë kazan e hale.
Ai miting nuk ka qenë nisiativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios, por thënë saktë ka qenë nisiativa ime personale dhe nuk ka njeri që i del për zot kësaj pune veç meje. Po pse e bëra këtë? Sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypja se intelektualët krijues ishin indiferentë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte sesi kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe anëtarin e byrosë politike, Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë të fundit të dhjetorit 1990, ka qenë edhe hapja e një fushate ndihmash monetare për PD-në. Mblodha një grup punonjësish dhe kërkova të krijonim degën e PD-së për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pëlqeu dhe e përkrahu idenë e krijimit të degës së PD dhe më pajisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Atë ditë që e kam takuar, e kam pritur gjatë të zyrat e PD në rrugën “Fortuzi”, sepse më thanë se është në një mbledhje tek Presidenti Ramiz Alia. Kur Mark Topallaj e pyeti për Sali Berishën, Azemi na tha se “Saliun e mbajti Ramizi në zyrë”. Vërtetë nuk jam në gjendje të vërtetoj se si e pse e mbajti në zyrë Ramiz Alia Sali Berishën dhe çfarë kanë qenë bisedat e tyre, por fjalët e Azem Hajdarit i kam dëgjuar me veshët e mi. Pra takime kokë më kokë Sali-Ramiz vërtetohen në mes të dhjetorit 1990. Deri me sot nuk kam lexuar askund rrëfime të Sali Berishës për këto takime të mbyllura e biseda kokë me kokë me diktatorin Ramiz Alia. Dua të sjellë në kujtesë edhe diçka, duke i parë lëvizjet e mia, sepse edhe Kinostudio ka patur të paktën 12 spiunë me “500”, dy oficerë sigurimi të veshur civilë, kanë shkuar në Kinostudio dhe kërkuan të më takojnë, por atë ditë kam qenë me xhirime jashtë Tirane. Kanë takuar drejtorin duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika më ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brendshme, ndaj bëj kujdes për vetën dhe shtoi se u përpoqa sa munda të marr në mbrojtje. Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD-së për institucionin tonë. Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brenda natës na u gjend ministër e të na thotë ky i përkëdhelur i tarafit -“Po, ne s’të njohim fare”. Se këta, fillimin e historisë së partisë blu apo rozë e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dendur mirë.
Nga fundi i dhjetorit 1990 kam shkuar në Ministrinë e Brendshme dhe ata ma prenë shkurt se nuk japim leje për mitingje se ato janë ekskluzivitet i partive të miratuara me legjislacion prandaj të shkoni e të bëni kërkesën nëpërmjet tyre. Siç dukej ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrëveshje edhe me krerët e PD-s, që çdo veprimtari të mbikëqyrej duke mbyllur çdo shteg të iniciativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Duke mos pas rrugë tjetër kam shkuar selinë e PD ku kam takuar një dibran që rrinte në holl si punë sekretari për informacionin me emrin Zenel Hoxha, sot është drejtues i Dhomës Shqiptare Britanike të Tregtisë dhe Industrisë (ABCCI). Zenel Hoxhës i kam kërkuar ndihmë që të nxjerrë një leje për zhvillimin e mitingut, për arsye se lejet për mitingjet nuk mund tu jepeshin drejtpërdrejte qytetarëve, por duhej të kalonin për tu vërtetuar nëpërmjet zyrave të partive. Zenel Hoxha më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e mitingut, ditën , orën, dhe kush do të ishin organizatorët që do mbanin përgjegjësi ligjore në rast incidentesh gjatë zhvillimit të tij. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin me kërkesën për një miting krijuesish e intelektualësh të Kinostudios, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës para ligjit për zhvillimin e mitingut, fjalët e tij. Kërkesë që ai me emrat tonë do ta paraqiste në Ministrinë e Brendshme. I kërkova ndihmë regjisorit Mark Topallaj që u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos patur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhej të shkoja sërish në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmëroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në atë listë, ani pse pa e lajmëruar. Kësisoj si nismëtar i atij mitingu bëra dhe një akt të kundra ligjshëm, i ndërgjegjshëm se do te dënohesha penalisht, duke firmosur në vend të një tjetri. Falsifikim i dënueshëm. Ndoshta koha dhe rrjedhimet historike më shfajësojnë. Shënova datën për zhvillimit e mitingut 10 janar 1991, ora 4 pas dite, tek sheshi para stadiumit “Qemal Stafa”. Të gjitha detajet i kisha menduar më parë. Vendosa këtë orë qëllimisht sepse shumica e ndërmarrjeve e mbyllnin punën në 3 e një orë na duhet për tu mbledhur, por gjithashtu në atë orë ishin të lirë të gjithë studentët e Universitetit dhe Akademisë së Arteve.
* * *
Tërë problemi ishte se Ministria e Brendshme në fillim rrinte duke i lëvizur datën mitingut e kur përfundimisht u caktua një datë, nisi odiseja e vendit ku do të zhvillohej. Në shtatë ditët e fundit, shtatë herë është ndërruar vendi i zhvillimit të tij. Kjo nxirrte shumë problem, sepse sa herë ndërrohej vendi, aq herë isha i detyruar të shkoja e të lajmëroja tërë institucionet artistiko-kulturore të Tiranës. Na thanë, nuk ua japim sheshin pas Bibliotekës Universitare, por do të shkoni ta zhvilloni tek Fusha e lagjes “Ali Demi”. Ditën tjetër, kërciste telefoni i Zenelit e një zë i rëndë oficeri thoshte: “Nuk do ta bëni atje, por do të shkoni tek fusha e druve në Qytetin e Nxënësve, tek kazermat e Ali Rizait”. A është e saktë? – i thosha Zenelit. “Eja nesër prapë më thoshte Zeneli, i cili bënte punën e ndërmjetësit. Pas kësaj niste vrapi im nëpër institucionet që nga Kinostudioja tek Opera, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Estrada e Cirku, Radio Televizioni, Ndërmarrja Botuese, Instituti i Kulturës Popullore, Insituti i Monumenteve të Kulturës ku më priste me shprehjen “Prap e anulluan, derrat!”- e ndjera Fatbardha Shkupi. Pastaj me vrap tek Filologjiku, Universiteti dhe Instituti i Lartë i Arteve. Ishte një lodhje e rraskapitje e krijuar me qëllim që të na bënim të hiqnim dorë ose më e pakta, duke e ndërruar vendin shtatë here, njerëzit do të futeshin në konfuzion dhe nuk do të mblidheshin në një vend, por do të shpërndaheshin në tre vende. Ditën e fundit, datë 10 janar 1991, aty nga ora 11:00 u gjenda me një fryme tek Zenel Hoxha për të pyetur për herë të fundit ai me tha se Ministria e Brendshme na njoftoi se ishim të lejuar ta bënim atje ku kishim kërkuar, por do të mbanin përgjegjësi të plotë personale nëse devijonte nga programi. Merreni me mend çfarë tensioni. Kishin mbetur vetëm pak orë. Të gjitha institucionet e dinin se mitingu do të zhvillohej tek Qyteti i Nxënësve tek “Kazermat e Ali Rizait!. M`u krijua përshtypja se ky miting ishte paracaktuar të dështonte. Bëra vrapimin e fundit atletik, një maratonë e vërtetë nëpër Tiranë dhe si njoftova kë munda, shkova drejt e tek sheshi pas Bibliotekës Universitare. Isha i pari. Krejt vetëm. I rraskapitur dhe i pangrënë. U ula në një shkallë guri e po qetësoja frymën, kur nisen tek-tuk të duken njerëz që më pyesnin se a do të ketë këtu një miting. Më së fundi arritën të mblidhen jo më shumë se njëqind vetë. Nisën ta marrin fjalën njerëz që e kishin dhënë emrin në listën që kisha në dorë, por edhe spontanisht. Kisha ndërmend të flisja dhe unë por nuk kisha pikë fuqie, pastaj i thashë vetes, nëse ky miting zhvillohet mirë, unë e kam thënë fjalën time më mirë se më oratori në megafon. Nuk shkoi shumë dhe erdhën studentët Akademisë së Arteve dhe ata të Universitetit Politeknik. Nisa të shoh njerëz që mund të ishin çfarëdo, por jo intelektuale. I kisha thënë një të njohurit tim inxhinier në kombinatin e drurit dhe ai i kishte njoftuar të gjithë, por edhe në ndërmarrje të tjera kish shkuar fjala. Kur mitingu ishte në gjysmën e kohës së caktuar, në shesh nuk mund të lëvizje prej dendësisë së njerëzve.
Më kot e mbaja letrën në dorë, kurrkush më nuk mund ta drejtonte atë miting. Çdo gjë ishte në dorën e spontanitetit. Edi Rama tha atëherë këto fjalë: “Na skuqën si indianë, na zverdhën si kineze e na nxinë si afrikanë”, por ama, ai nuk është përzënë nga ai miting. Kundërshtitë dhe meritë vetjake që kishin ata që aspironin për të ngjitur shkallët e pushtetit( a ishin caktuar për atë punë nga diktatori) janë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me këtë miting historik, të cilin dikush mbase qëllimisht e ka harruar ngaqë nuk e kanë bërë vetë dhe as dine fare si është organizuar. Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisën të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që nguteshin për të folur vura re dy kategori, njëra përbëhej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallën e karrierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetës. Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekuluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetës, i përkrahnin e ju gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion. Deri dhe ministra e deputetë spiunë. Mbyllja e mitingut, ishte jo fund por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijëra njerëz në sheshin para Universitetit rreth e qark shatërvanit. Kish nisur të errësohej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtarë. Turma prej mijëra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte një lum vigan që kërkonte shtrat dhe hapësirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t’i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si minjtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë. Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetëm kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijëra vetësh duke kënduar “Se mjaft në robëri,/e mjera Shqipëri,/o djem rrëmbeni pushkët-ë,/ja vdekje, ja liri”, ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur së kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëritën kurrë më. Në mitingu i 10 janarit 1991 ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor, populli, punëtoret dhe studentet e intelektualët me pas do te guxonin dhe e plandosi përdhe duke e hequr zvarrë bronzin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Europës pas Luftës se Dytë Botërore.
Mirë të gjitha këto që i mori historia, po çfarë kanë dy kryeministra që edhe pas 27 vjetësh dalin e na e vjedhin mitingun antikomunist të Tiranës se ashtu ishte domethënia e tij? Ndoshta se ai që vidhet gjithnjë është populli. E popullit gjithherë i vidhet jo vetëm pasuria por edhe historia. Dhe ja shpërblejnë duke vënë buste e monumente sharlatanësh nëpër rruge e sheshe të cilët vjen koha prapë për ti rrëzuar. Aspirojnë bronz të lavdishëm politikanët tanë, ndaj hedhin mbi supe e veta gjithfarë historish e trimërisht të sajuara e shfaqen si Don Kishotë më armë të ndryshkura. Për të qeshur, por edhe për të qarë gjithashtu…
© Kolec Traboini “Vitet 1990-1991 në memorien time”.
Dorëshkrime