Nga Dalip GRECA/
Shumëkush ka lexuar apo dëgjuar për “Ditarin e Anneliese Marie Frank”(Shkurt Anna Frank), vajzës gjermane- hebreje, që ishte fshehur në Amsterdam – Holandë së bashku me familjen për t’i shpëtuar gjuetisë naziste, por qe e pamundur, ajo dhe motra vdiqën, po ashtu dhe nëna u shua në kampin e Aushviçit.Pak para fshehjes së familjes Anna me rastin e ditëlindjes nisi të mbante ditarin që e bëri të famshme pas vdekjes. Ditari i Anës sjell dëshmi të përjetuara nën përndjekjen e nazistëve, duke iu shtuar dëshmive të formave të tjera të regjimit monstër.
Nuk e di pse hoqa paralelen mes rrëfimit-ditar të autores Alma Liço dhe Ditarit të Anna Frank. E para rrëfen për jetën nën diktaturën naziste, e dyta për jetën nën diktaturën komuniste. Me ndjenjën e paralelizmit e lexova librin nga fillimi në fund(botim I Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”, shtypur në Shtypshkronjën”Maluka”, Tiranë 2015). Ndoshta një prej arsyeve të paralelizmit ishte nga që Lek Mirakaj, që e solli librin në Bibliotekën e Vatrës ma përafroi personazhen e librit”Krahë të Këputur”. Për nga mbiemri”Liço” Alma duhet të ketë fije lidhëse me një nga editorët e njohur të Gazetës Dielli,(me editorin e fundit të pararënies së komunizmit, me dr. Eduart Liço, gjurmët e të çilit nuk janë vetëm në Gazetën Dielli, por edhe në gazeta e revista ët tjera si dhe në fushën e botimeve ).
Kur Lek Miraka ma dorëzoi librin e Alma Liço”përcolli mesazhin e autores:
-Libri do ta ndjejë veten mirë në bibliotekën e Vatrës , pasi autorja vjen nga familja e ish Editorit të Diellit në mes vitet’80 të shekullit të shkuar, Eduart Liço.
Alma Liço rrëfen thjesht, pa zbukurime, por është e aftë që të prekë shpirtart që e lexojnë nga që sjellë tmerret e përjetuara në jetën-ferr, ku e hodhi socializmi, nga kryeqyteti Tirana, në një kënd të humbur internimi. E lindur në Tiranë në një familje intelektualësh, vajza i gëzohej moshës, sukseseve në shkollë, familjes, kur çdo gjë këputet brutalisht dhe ajo dënohet së bashku me familjen në humbëtirat e Dumresë.
Ditari të rrëmben; ai nis me rrëfimet e fëmijërisë, familjen, historikun e shkurtër. Ishte e dashuruar me Gjyshen Shefikat, një nga gratë e pakta të gjeneratës së saj që ishte shkolluar. Dalëngadalë autorja na përgatit për dramën që do të ndodhë së shpejti: Gjyshja nuk kishte qenë aspak entuziastë për martesën e vajzës së saj të vetme me Nevzat Liçon sepse kishte parandjerë kalvarin e persekucionit. Nevzati ishte I biri i një intelektuali, që kishte studiuar për Drejtësi në Universitetin e Harvardit, kishte ushtruar profesionin e avokatit në qytetin e tij të Korçës dhe gjatë luftës qe përfshirë me Ballin Kombëtar. Komunistët studentin e Harvardit, Muhamer Liço, e ekzekutuan më 1945, duke lënë jetimë 4 fëmijë të vegjël(pasi e shoqja i pat vdekë më parë nga një sëmundje e pashërushme).Fëmijët u strehuan në Tiranë tek një i afërm i familjes…
Autorja tregon se jeta në familjen e tyre rridhte e qetë deri çastin e dëbimit. Bijë e dy prindërve mësuese, që punonin fshatrave të Tiranës, Alma pati mundësi që të shihte se c’ndodhte përtej Kryeqytetit, ku Luli i vocër nuk ishte një personazh i vetmuar. Ishin të gjithë të atillë. Jeta rrjedh vrullshëm; nga dita e parë e shkollës deri tek pragdëbimi. Shenjat paralajëmruse ishin dhënë;Një vit më parë ishte dëbuar nga Tirana në fushat e Myzeqesë, xhaxhai i autores; Sigurimi i Shtetit i ishte qepur duke e shantazhuar për bashkëpunim vetë babanë e saj,pas refuzimit të dy prindërit u pushuan nga arsimi për t’iu drejtuar punëve të krahut në fermat përreth….Dhe vjen mandata: Ishte shtator 1968. Një person i dërguar nga pushteti komunist përcolli urdhërin:Duhet ta lini Tiranën! I njëjti urdhër shkoi edhe tek motra e Nevzatit, halla e autores. Prindërit e kanë të vështira t’ia spjegojnë vajzës, që për dy ditë festonte 10 vjetorine ditëlindjes, se përsë po i dëbonin, ndërkohë që vëllai i saj ishte 8 vjeç dhe motra më e vogël vetëm 3 vjeç. Situata e nderë e krijuar në shtëpi, njerëzit e afërt që vinin dhe iknin fshehuarazi me lot në sy, dengjet e plaçkave, fëmijët që s’kuptojnë ç’po ndodh, krijojnë një tablo surealiste, që merr nota trishtimi ditën e udhëtimet drejt humbëtirës…Ja si ka mbetur në kujtesën e 10 vjeçares rrugëtimi drejt ferrit:”… Nuk mbaj mend me saktësi sa orë zgjati ai udhëtim drejt ferrit. E hipur majë dengjeve, ndjeja lëkundjet e pamëshirshme të asaj makine të zezë në rrugët e pashtruara, me gropa e gurë, mes atyre kodrave me shkurre të përzhitura nga vapa e verës, që ishte në ditët e fundit të saj. Në të ngrysur arritëm në fshatin që ishte caktuar për familjen time, diku në kodrat e Dumresë. Makina ndaloi në mes të fshatit dhe rreth saj u afruan disa banorë. Me një kuriozitet të natyrshëm,por dhe me një gëzim të lig se’armiqtë” kishin marrë ndëshkimin e merituar, u munduan të orientojnë shoferin të vijonte disa metra më tutje drejt asaj kasolleje që ishte caktuar për ne”…
Imagjonojeni reagimin e fëmijëve kur e prekën “banesën e re”: një kasolle e thurur me shkarpa,mbuluar me kashtë, me dysheme dhe’u… Autorja asokohe fëmijë shkruan në ditarin e vet” Deri në atë kohë kisha besuar se të tilla kasolle ndërtohen për kafshët shtëpiake”. Kishte parë të atilla nëpër filma, tutje nga Afrika…”
Mos ishte në ëndërr?”
-Jo, nuk isha në ëndërr, dhe as në kinema.”
Reagimi: Ishim të gjithë të mpirë, ndërsa mama nuk e mbajti veten, ia plasi të qarit. Motra ime e vogël vazhdonte të shtërngonte kukullae saj, ndërsa kaçurrelat e verdha, i ishin ngjitur në fytyrë nga djersët dhe vuajtjet e rrugës….Ajo krijesë e vogël kishte inteligjencën dhe intuitën të mos kërkonte asgjë; nuk kërkoi të hante, nuk kërkoi të flinte, vetëm na vështronte me rradhë, si për të kuptuar shkaqet e asaj situate të panatyrshme…
Do të mjaftonte përshkrimi i banesës, asaj kasolleje mjerane, pa dritare, që kontribuonte erë e keqe, çatia e tejdukshme plot vrima, nga ku rrëzoheshin insekte, mungesa e banjos, (për këtë qëllim shërbente një barakë llamarinë e ndryshkuar për të gjithë banorët përreth për të kuptuar realitetin e mjerushëm, ku i kishte përplasur pushteti. Të nesërmen, kur motra e vogël flinte ende në gjumin kapitës, Alma kujton se i ati, e thirri pranë vetes, dhe i spjegoi për të parën herë se pse ishin aty, ç’ishte diktatura komuniste, lufta e klasave, i foli për të atin e tij intelektual të ekzekutuar nga komunistët dhe pse duhej të paguante e gjithë familja, madje dhe dhe motra 3 vjeçare.
Ditari fletë pas flete, sjell jetën e vështirë në humbëtirën, kushtet e tmerrshme, përpjekjet për të mbijetuar, provokimet, solidaritetin e të dënuarëve, një fqinjë që troket në errësirë dhe fshehuarzi se mos e sheh dikush, dhuron një kulaç për fëmijët; dita e parë e shkollës, ku edhe fëmijët-nxënës, janë të indoktrinuar, dhe disa prej tyre u largoheshin si fëmijë armiq…Autorja ditarmbajtëse i mëshiron”Të mjerët ata, sa keq i kishin doktrinuar. Nuk kishin si ta kuptonin ata të varfër se familjen time e kishin dënuar të jetonte aty , në atë skëterrë, por duke ndarë dhe jetuar në të njëjtin realitet dhe ata vetë ishin pothuajse po aq të dënuar sa ne, këtë nuk kuptonin as prindërit e tyre, pasi dhe ata mbajtën ët njëjtin qëndrim përkundrejt prindërve të mi.”(Te plote lexojeni ne Diellin e Printuar)