Nga Dr. Enver Bytyçi/
Britania i tha jo Europës së Bashkuar. Në fakt Europa i pati thënë jo Britanisë së Madhe në fillimin e anëtarësimit të saj në BE. Kur Europa, me insistimin e Francës, nuk e donte Britaninë në BE, arësyetonte se ishulli nuk i përkiste kontinentit të vjetër. Edhe pas anëtarësimit skepticizmi ndaj monarkisë më të qëndrueshme në botë ka qenë gjithnjë në rritje. Një skepticizëm reciprok, i përhershëm, me ngritjet e uljet e veta sipas rrethanave dhe në përballje me arrogancën e burokracisë së Brukselit. Ky lloj skepticizmi sot mori fund. Referendumi i qytetarëve më të promovuar të botës si njerëz civilë erdhi në përfundimin se ata nuk duan të vijojnë më të jenë pjesë politike e kontinentit të vjetër europian, megjithëse ajo ka qëndruar jashtë dy instrumenteve kryesore të Unionit, zonës Euro dhe zonës Shengen. Dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian thuhet se u ndikua nga kriza e euros, si dhe nga kriza e refugjatëve. E vërteta është krejt tjetër. Kryediplomati gjerman, Frank – Ëalter Steinmeier, me deklaratat e tij antiNATO e proruse të ditëve të fundit, por edhe të mëhershme, jo vetëm dëshmoi se në Europë po shkohet drejt një gjeopolitike të re, por edhe i ndihëmoi britanikët të shkojnë drejt vendimit të shpallur sot. Të hënën në Moskë do të jetë zv. kancelari gjerman Sigmund Gabriel, i cili do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin. Socialdemokracia gjermane e ndikuar nga ish-kancelari, Gerhard Schroeder, është orientuar nga një aleancë me rusët. Nëse shteti gjerman do të orientohet drejt kësaj aleance apo jo, kjo mbetet për t’u parë, por ajo që dua të ve në dukje lidhet me faktin se Europa e sotme e vetëshpallur si e bashkuar, në fakt nuk është e tillë. Rusia ka investuar dhe po investon shumë për përçarjen e saj. Suksesin e tij gjeopolitik Putin e sheh pikërisht te ndikimi i tij në sa më shumë vende europiane. Socialdemokracia gjermane ka qenë gjithnjë e lidhur shpirtërisht me qendrën e bolshevizmit, Moskën. Ndërsa në Francë e në Itali ai ka aleatë jo vetëm forcat e majta, ato ekstreme apo të ashtuquajtura të qendrës, por edhe ekstremin e djathtë dhe një pjesë të politikës së qendrës. Në Francë ekstremi i djathtë i Mari Le Pen financohet nga ana e bankave ruse. Duhet të kujtojmë gjithashtu obstruksionin e linjës Paris-Berlin-Moskë-Romë të vitit 2003 kundër ndërhyrjes së SHBA-ve në Irak, me qëllim që të vlerësojmë se ky katërkëndësh nuk është thjesht një aleancë për interesa ekonomike, por edhe për interesa strategjike e gjeopolitike. Më tej akoma, janë pesë vende të Bashkimit Europian, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, jo nga dashuria për Serbinë, as nga të ashtuquajturat probleme të brendshme të tyre, por ngaqë kanë lidhje të ngushta me Kremlinin. Sllovakia, Qipro, Greqia, Spanja kanë dhënë shumë herë sinjale të një lidhjeje të tillë, ndërkohë që Rumania ndoshta ndikohet edhe nga faktorë të tjerë. Nuk mund të besohet se mosnjohja e Kosovës nga këto pesë shtete anëtare të BE-së të jetë thjesht vullnet politik i qeverive që ato kanë. Këto qeveri, të spektrit të ndryshëm kanë mbështetje jo vetëm te Moska, por edhe në qendrat e mëdha të vendosjes europiane. Thjesht në pritje të zhvillimeve të ardhshme, me qëllim ndryshimin e qëndrimeve politikeve në varësi të ndryshimit të ekuilibrave. Por jo vetëm kaq. Europa është tashmë e ndarë dhe e përçarë në pikëpamje të interesave strategjike. Një afrim gjerman me Rusinë do të shihet si rrezik nga ana e Polonisë. Lëvizjet polake për të dëshmuar më shumë pavarësi nga Brukseli kanë në themel pikërisht frikën se një aleancë gjermano-ruse do ta bënte këtë vend sanduiç midis tyre. Por të njëjtin problem ka edhe Ukraina, vendet balltike, Finlanda, Suedia e ndoshta Norvegjia. Nuk besoj gjithashtu se Rumania, Moldavia, Gjeorgjia dhe vende të tjera të Kaukazit do ta shihnin pa shqetësim një aleancë fluide të disa vendeve nga më të rëndësishmet të BE-së me fuqinë bërthamore, me emrin e sotëm Rusi. Nga ana tjetër vendet e Ballkanit kanë një shqetësim në rritje rreth kësaj gjeopolitike të re, të cilën britanikët e refuzuan si rrezik për ardhmërinë e vendit të tyre. Në veçanti shqiptarët kanë shumë arësye të ndjehen të kërcënuar nga ambicjet ruse në rajon, ambicje të cilat do të çonin në një konfrontim të ri ballkanik, pasiqë gadishulli do të shkonte drejt ndarjeve të vjetra, të cilat janë dëshmuar si model i luftës, konfliktit dhe shkatërrimit. Një përpjekje për realizimin e një aleance ruso-europiane, me cilatdo shtete të kontinentit do të rikthente panoramën e prezencës së Fuqive të mëdha të fillimit të shekullit të XX, me dy komponentë minus: Prezencës e SHBA-ve dhe NATO-s në rajon dhe mungesën e prezencës së një Austro-Hungarie si Fuqi e Madhe në teatrin europian. Në këtë këndvështrim ka sinjale se edhe vetë Aleanca më e madhe e Sigurisë në botë, NATO, mund të vihet në dilemën e ekzistëncës së saj nga krijimi i një aleance të tillë antivlerë midis disa vendeve europiane dhe Rusisë. Shumëkush do të shprehej skeptik sa i përket konstatimeve të mësipërme, sepse askush nuk ka dëshirë të shohë se si krijohet një aleancë e re në kontinentin europian me partner kryesor Rusinë. Por vetë funksionimi i BE-së, arroganca dhe imponimi që Brukseli u bën vendeve anëtare ose vendeve që aspirojnë të pranohen në këtë Union, është arësye e mjaftueshme për të thelluar ndarjen. Nga ana tjëtër një iniciativë e Gerhard Schroeder dhe Jacques Chirac në vitin 2004 për të krijuar një ushtri europiane ka lënë shijen e krijimit të një poli të ri në gjeopolitikën botërore, pol i cili nuk ka lidhje me BE-në dhe NATO-n. Gjermania dhe Franca kanë bërë lëshime parimore ndaj sjelljeve të Rusisë, ndërkohë që Britania e Madhe, SHBA-të dhe shumë vende të tjera kanë qenë kundër këtyre lëshimeve. Në vitin 2008, kur Kremlini urdhëroi aneksimin e dy krahinave autonome të Gjeorgjisë, Abkhasisë dhe Osetisë së Jugut, Gjermania dhe Franca bllokuan ambicjen gjerogjiane për të qenë pjesë e Aleancës Atlantike, megjithëse presidenti amerikan, Xhorxh Bush, insistonte në vendimin për anëtarësim. Më vonë, në rastin e Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë, Gjermania dhe Franca thjesht sa u shfaqën kundër me disa të ashtuquajtura sanksione e deklarata, por e pranuan në heshtje sovranitetin rus mbi Krimenë. Madje këtë ia imponuan edhe barak Obamës. Ndërsa ironizimi nga ana e zotit Steinmeier i manovrave ushtarake të këtyre ditëve të NATO-s në Poloni dhe etiketimi i tyre si manovra që cënojnë marrëdhëniet me Rusinë kanë shtuar skepticizmin e vendeve që ndjehen të kërcënuara nga rreziku rus. Kjo deklaratë e drejtuar kundër Aleancës së Atlantikut është përshëndetur nga e gjithë hierarkia politike e diplomatike në Rusi dhe madje është konsideruar si “dëshmi i të drejtës që ka Rusia për të reaguar ndaj pranisë së NATO-s në Lindjen Europiane”. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Nuk kishte ndodhur gjithashtu që Moskës t’i vijë dikush në ndihmë si rrufeja në qiell të hapur, ndërkohë që politikat e Kremlinit u konsideruan si politika të rrezikut të lartë për sigurinë në botë, nga ana e shtabit politik dhe ushtarak të NATO-s. Diferencat në politikat e jashtme dhe të sigurisë midis Britanisë së Madhe, e cila qëndron më afër qëndrimeve amerikane, nga njëra anë, dhe disa vendeve të rëndësishme të BE-së, nga ana tjetër janë shkaku themelor i divergjencave midis britanikëve dhe europianëve kontinentalë. Nëse këto grindje do të rriten dhe nëse shtetet anëtare të BE-së, Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja do të shkojnë drejt afrimit me Rusinë, çka do të thotë në kundërvënie ndaj themeleve të Aleancës së Atlantikut, atëherë projekti europian do të shkatërrohej dhe bota do të shkojë drejt një konflikti të ri. Vladimir Putin pardje paralajmëronte në një prononcim të tijin se “Periudha e sotme i ngjan periudhës së parafillimit të Luftës së Dytë Botërore”. Edhe aso kohe kishim një përpjekje për të krijuar një marrëdhënie të ngushtë midis regjimit nazist hitlerian në Gjermani dhe regjimit bolshevik stalinist në Bashkimin Sovjetik. Edhe aso kohe kishim një përpjekje të dështuar për parandalimin e luftës dhe zgjidhjen e konflikteve. Edhe asokohe kishim të bënim me regjime totalitare dhe me arrogancën e shtetit më të fuqishëm. Prandaj dhe dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian nuk mund të shihet thjesht si një goditje për projektin europian të bashkimit. Ky vendim shkon me tej, te rikonfigurimi i aleancave dhe trajektores gjeopolitike. Bashkimi Europian do të ekzistonte dhe do të forcohej edhe pa praninë e Londrës në këtë klub, nëse vërtet ky union do të ishte solidar dhe jo i përçarë për shkak të qasjeve të ndryshme strategjike dhe gjeopolitike. Ka disa njerëz, të cilët besojnë sedobësimi dhe përçarja e Europës është interes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E vërteta është se ky synim është interes jetik I Rusisë. Amerikanët nuk kanë dhe nuk do të kishin asnjë lloj interesi në dobësimin e Europës, sepse dobësimi e grindjet brenda saj do të transferoheshin në klubin politiko-ushtarak më të madh të sigurisë ndërkombëtare, në NATO. Eshtë Kremlini qendra më e interesuar për këtë fenomen, sepse përçarja e Europës i jep dorë të lirë Moskës të shkelë të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin e kombeve e të popujve dhe të rikthejë hegjemoninë sovjetike në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe të Europës Lindore e Juglindore, për çka Vladimir Putin është pozicionuar qartë dhe saktë. Çdo interpretim tjetër do të ishte jorealist dhe i pavend sa i përket asaj çfarë ndodh në Europë dhe në zemër të saj. E vërteta është gjithashtu se shtetet europiane kanë interesa të ndryshme e ngadonjëherë të kundërta gjeostrategjike. Asnjëri prej tyre nuk është i gatshëm të lëshojë sovranitetin e tij deri në këtë pikë sa t’ia besojë qëndrueshmërinë territoriale të tij një klubi me pikëpamje, qëndrime,, politika dhe strategji të ndryshme nga njëri – tjetri. Gjithkush, në fund të fundit, bën llogaritë e shtëpisë së tij dhe në këtë kuptim llogaria e njërit vend shkon në disfavor të një vendi tjetër. Prandaj dhe Brexit do të shndërrohet në një fenomen europian. Do të ketë vende të tjera, të cilat do të duan dhe do të kërkojnë daljen nga Euro, nga Shengen dhe ndoshta nga vetë Bashkimi Europian. Kjo do të vijë për shkak të krizave, për shkak të kërkesës dhe presionit në rritje të forcave ekstremiste politike, por edhe për shkak të paqëndrueshmërisë dhe mosadministrimit të vetë Bashkimit Europian. Britania e Madhe nuhati e para rrjedhën e zhvillimeve dhe dalja e saj nga BE është një paralajmërim serioz për vetë BE-në si klub politik dhe për vendet anëtare të saj veç e veç. Britania e Madhe dha sinjalin e para për atë çfarë po ndodh në Bruksel dhe këtë mesazh do ta marrin të gjitha vendet e tjera europiane, përfshirë dhe ato që janë në rrugën e integrimit në BE. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perendimor, të cilat duan të bëhen pjesë e BE-së do ta kenë tashmë të vështirë të vijojnë pa pengesa në këtë rrugëtim. Por kjo nuk do të thotë se vendi ynë, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, vende keto ku jetojnë shqiptarët, duhet të heqin dorë nga procesi i integrimit europian. Megjithatë një plan B do të duhej të formulohej, plan i cili do të duhej të kishte në themelin e tij forcimin e kontributeve dhe të aleancës në NATO. Në fund të fundit interesi strategjik i këtyre vendeve dhe i shqiptarëve është ta mbajnë rajonin larg ndikimit rus. Por edhe larg ndikimit të aleatëve të Rusisë, kushdo qofshin këta aleatë.