Festivali Ndërkombëtar i Filmit ka çelur në qytetin e Durrësit edicionin e 7-të, qe do të zhvillohet nga 9 deri më14 shtator, duke u shtrirë edhe në katër qytete të tjera të Shqipërisë si, ne Tirane, Vlore, Pogradec dhe Sarande, me një program të veçantë për këto qytete.
Emra të mëdhenj të kinemasë, shfaqje të filmave më të rinj që garojnë për “Gladiatorin e Artë” si dhe ardhja e yjeve Hollivudianë si, Francis Ford Coppola, Milos Forman, Claudia Cardinale, Paolo Sorrentino, Marco Bellocchio, Kyrzystof Zanussi e shumë të tjerë, kanë rritur nga viti në vit pritshmërinë e audiencës tradicionale të festivalit dhe rëndësinë e tij.
Këtë vit ky festival, ka hyrë në një dimension të ri duke u shtrirë në një disipline tjetër artistike, që është edhe ajo e artit figurativ, me të gjitha format e shprehjes së tij dhe lidhur me këtë dispilinë është çelur edhe ekspozita e artit figurativ “Durrës Art” në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, ku gjatë javës së zhvillimit të festivalit, artistët janë shpërndarë nëpër pikat më atraktive të qytetit, duke pikturuar muralet e tyre, ku njëkohësisht artistët e rinj do të xhirojnë punët dhe qytetin e Durrësit, për të realizuar një film të shkurtër, i cili do të marrë trofeun e tij në ceremonine e mbylljes për seksionin “Durrës Art, Biennale 2014″.
Në ceremoninë e rastit ka marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili ka deklaruar se “Durrësi është një qytet turistik ndaj Bashkia do të mbështesë gjithmonë artin dhe ta vërë atë në shërbim të qytetarëve e të vizitorëve të shumtë”. “Është një ekspozitë mjaft interesante që çelet në kuadër të festivalit të filmit, një ekspozitë ku ndërthuret kultura shqiptare dhe ajo evropiane, por e veçanta e këtij aktiviteti nuk është vetëm ekspozita, pasi artistët pjesëmarrës do të krijojnë vepra artistike në qytetin e Durrësit duke zbukuruar fasadat me pikturat e tyre murale si dhe do të krijojnë shumë skulptura duke i dhënë një imazh tjetër qytetit”, është shprehur Dako.
Nga ana tjetër, Kuratori David Kryemadhi u shpreh se “ky aktivitet sjell një bashkëpunim të ngushtë mes artistëve shqiptarëve dhe evropianë dhe se është një aktivitet mjaft i veçantë ku ka një bashkëpunim të ngushtë midis artistëve shqiptarëve dhe evropianë që do të krijojnë vepra që i nevojiten Durrësit, pasi arti shkruan historinë e njëkohësisht edhe historia shkruhet me art”.
Ndërsa drejtoresha artistike e festivalit ndërkombëtar të filmit të Durrësit, Anila Varfi, në fjalën e saj theksoi se “ky qytet ka një mbiemër dhe ai është arti, ndaj na takon të gjithëve ne që ta duam dhe përkrahim sa më shumë artin dhe unë jam shumë e kënaqur që në dimension të ri të festivalit të filmit të mund të shihni edhe mjaft artistë të talentuar që do të punojnë në Durrës duke krijuar vepra të shumëllojshme dhe dua të falenderoj në mënyrë të veçantë Bashkinë e Durrësit dhe kryetarin e saj për mbështetjen e madhe që i japin artit në Durrës”.
Nderkohe, Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kinë, në adresën e tijë zyrtare në rrjetin social Twitter lidhur me aktivitetin është shprehur se “Më vjen keq qe s’jam dot në hapjen e Festivalit Ndërkombetar të Filmit në Amfiteatrin e Durrësit” dhe u ka shprehur edhe urimet e rastit organizatoreve.
Në një kohë të dytë do të prodhohen kartolinat Durrësi qytet Arti. Ky seksion është nën drejtimin e kuratorëve David Kryemadhi, Xhuliano Ottaviani dhe koordinatores Besa Sejdini. Të gjithë bashkohen nën sloganin “Arti: mbiemri i qytetit tim”.: Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 14 shtator, atëherë kur do të ulet sipari i edicionit të 7 të Durrës International Film Summerfest.(Kortezi: ATSH-Klajdi Musabelliu)