Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 22 Maj /.-Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka filluar sot në mëngjes seanca e gjykimit për katër të pandehur në rastin e ashtuquajtur “Grupi i Drenicës”, njofton EULEX.
Në njoftim theksohet se EULEX vazhdon t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në mënyrë që të përfundojë situata e tanishme në QKUK dhe pret që edhe tre të pandehurit e tjerë të transferohen në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.
“Edhe një herë, dëshirojmë ta përsërisim se sundimi i ligjit nuk negociohet dhe se ai është gur themeli i çdo shoqërie demokratike”, përfundon njoftimi i EULEX.
Ndërkohë që Policia e Kosovës njofton sot se referuar informacioneve të pranuara lidhur me arratisjen e disa personave të quajtur ‘Grupi i Drenicës’ nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), menjëherë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore për kërkimin e tyre.
Lidhur me këtë rast janë kontaktuar edhe personat kompetentë të institucioneve relevante të Prokurorisë, QKUK-së dhe Shërbimit Korrektues, të cilët kanë qenë përgjegjës në sigurimin e tyre, duke përfshirë edhe stafin, i cili ka qenë në detyrë.Njëkohësisht, Policia e Kosovës është duke menaxhuar edhe me protestuesit, të cilët gjenden tek QKUK-ja, me qëllim të sigurisë dhe krijimit të lëvizjes së lirë.
Policia e Kosovës, thuhet në njoftim, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe zbatimit të ligjit, si dhe dhënies së asistencës policore të gjitha institucioneve relevante.
Nga protesta që po zhvillohet te QKUK-ja media raporton se, Smajl Elezi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të luftës tha se janë mbledhur për ta kundërshtuar transferimin e ‘Grupit Drenica’ në Veri të Mitrovicës, sepse sipas tij është aktvendim arbitrar. Elezi u shpreh se sipas familjarëve të akuzuarit janë brenda, por nuk janë të gatshëm t’i dërgohen EULEX-it, sepse siç thotë ai është drejtësi selektive./